Inaugurohet Burgu Ku Do të Qëndrohet Gjatë (TV)

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që sot po e përurojmë bashkë një prej projekteve që kemi filluar edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe në kuadër të kësaj ministria e Drejtësisë shpreh respektin e lartë për ndihmën e dhënë nga Komisioni Evropian dhe njëkohësisht edhe kontributin e plotë të UNOPS-it në këtë drejtim”, tha ministri Kuçi gjatë fjalimit të tij me rastin e inaugurimit të burgut të sigurisë së lartë në fshatin Gërdoc të Podujevës.

Ai tha se burgu i sigurisë të lartë paraqet një ndërtim kapital, më rëndësi për Republikën e Kosovës.

“Burgu i sigurisë së lartë nuk është i tillë vetëm për emrin që e ka dhe për standardet e larta të sigurisë, por edhe për kushtet që i ofron”, tha ai.

Sipas tij, ky institucion do të ofrojë edhe shërbime shëndetësore dhe kreative.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë Christof Stock tha se kjo ndërtesë mbështetet në standardet më të larta ndërkombëtare dhe mund të mbajë 300 të burgosur.

Edhe përfaqësuesi i EULEX-it Peter Bah, theksoi rëndësinë e ndërtimi të këtij burgu.

“Unë besoj që më këtë burg kemi zgjidhur një problem të funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, një problem që ka pasur Kosova është se të burgosurit shpesh kanë thënë që janë të sëmurë dhe kanë kërkuar shërim jashtë burgut.

Ndërtimi i burgut të sigurisë së lartë ka kushtuar rreth 15 milionë euro dhe është financuar nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian.

Kurse Komuna e Podujevës, ka ndarë parcelën prej 10 hektarëve, përderisa hapësira brenda rrethojave të burgut është 7 hektarë.

Kush do të “banojë” në burgun e sigurisë së lartë

Ministri Kuçi tha se janë tri baza juridike që do të përcaktohen për të burgosurit në këtë burg.

Ai tha se është marrë vendim i mbështetur në ligj që këtu të transferohen ata që janë të dënuar mbi 15 vjet.

“Në rastin tjetër kur vendos Shërbimi Korrektues, respektivisht drejtori i përgjithshëm sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve që do të japin drejtorët e qendrave korrektuese dhe në rastin tjetër mund të vendosë gjykata, pavarësisht prej rrezikshmërisë së rasteve”, tha Kuçi.

Zëvendësministrin dhe ministrin e drejtësisë Hajredin Kuqi, në këtë inaugurim e përcillnin edhe ministri i brendshëm Bajram Rexhepi, ministri i shëndetësisë Ferid Agani, ministri  i  Administratës Publike  Mahir Yagcilar dhe kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu.
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Shefi i atëhershëm i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Björnsson, kanë vënë gurthemelin e këtij burgu më 20 korrik 2011.