Inatet politike zvarritën miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend

Muaji korrik ishte koha kur deputetët e Kuvendit të Kosovës, duhej t’i votonin disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat do t’i siguronin vendit fonde milionëshe për investime në ekonomi, arsim, kulturë, projekte këto të përbashkëta me Bashkimin Europian.

Por pikërisht në këtë kohë, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte vendosur që t’i bojkotojë seancat.

Më datën 18 shtator të këtij viti, subjektet opozitare LDK, LVV, PSD si dhe dy deputetët e pavarur, Mimoza Kusari Lila dhe Ilir Deda, kanë bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme, për votimin dhe shqyrtimin e 4 marrëveshjeve.

Rendi i ditës i propozuar nga opozita ishte: Votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport si dhe shqyrtimi i Projektligjit për aderimin e Kosovës në Marrëveshjen për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).

Kërkesës së opozitës iu bashkuan edhe partitë në pushtet edhe pse konsideronin se nuk ishte e nevojshme të thirret seanca e jashtëzakonshme, pasi sipas tyre këto pika të rendit të ditës ishin vendosur muaj më parë.

“Nuk ka pasë nevojë për seancë të jashtëzakonshme. Por është lajm i mirë që po shkojmë në seancë për këto pika”, kishte thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë.

Ndërsa, Avdullah Hoti, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, kishte thënë se seancën e jashtëzakonshme e kanë thirrur shkaku i votimit të këtyre marrëveshjeve, ndërsa ka vlerësuar se puna në kuvend është “paralizuar”.

Avdullah Hoti – Foto: KALLXO.com

“Këtë seancë e kemi ftuar pasi Kuvendi i Kosovës pothuajse është paralizuar. Nuk ka mbetur rrugë tjetër pos zgjedhjeve të reja”, tha Hoti duke shtuar se ka kaluar koha kur arroganca e koalicionit PAN mund të prodhojë ndonjë ndryshim në këtë vend.

Kurse, Memli Krasniqi, shef i GP të PDK-s, kishte deklaruar se këto marrëveshje kanë qenë urgjente qysh  kur kanë ardhur në Kuvend para katër muajve.

“Vendimet tona duhet t’i marrim për shkak se ato janë për të mirë të qytetarëve të Kosovës e jo t’i ndërrojmë qëndrimet pas takimit me disa miq”, kishte deklaruar Krasniqi.

Memli Krasniqi | Foto: KALLXO.com

Në seancën e jashtëzakonshme janë miratuar tri marrëveshjet e para, ndërsa shqyrtimi i Projektligjit për aderimin e Kosovës në Marrëveshjen për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), nuk i morri votat e mjaftueshme për të kaluar.

Para se të votoheshin marrëveshjet ndërkombëtare, BE vazhdimisht kishte kërkuar nga deputetët që t’i miratojnë këto marrëveshje ndërkombëtare.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalya Apostolova, kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që të ketë bashkëpunim ndërmjet pozitës, opozitës dhe Qeverisë, pasi sipas saj funksionimi i tyre e përcakton të ardhmen e vendit drejt BE-së.

“Mosmiratimi i marrëveshjeve që kanë të bëjnë me fondet IPA për grante të rëndësishme, janë shqetësuese pasi BE do të jap asistencë financiare. Pa miratimin e këtyre marrëveshjeve, BE nuk do të jete në gjendje të japë fonde për Kosovën”, tha Apostolova gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për MSA-në.

Edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka ftuar deputetët të ri-konfirmojnë unitetin duke miratuar dy projektligje të rëndësishme për procesin integrues.

Sipas Ministres Hoxha, miratimi këtyre projektligjeve, ia mundëson Kosovës qasjen e menjëhershme në programe të dobishme për shumë fusha me prioritet.

“Ftoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të ri-konfirmojnë unitetin duke miratuar dy projektligje, të rëndësishme për qytetarët dhe procesin integrues. Projektligjet po shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, për të qenë sa më shpejt afër fondeve të dedikuara për shtetin dhe qytetarët tonë”, tha Hoxha.

Menjëherë pas miratimit të këtyre projektligjeve Hoxha kishte përshëndetur vendimin e Kuvendit.

Për rëndësinë e marrëveshjeve ndërkombëtarë në Kuadër të MSA-s, ka folur për KALLXO.com, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës KDI, i cili monitoron punën e Kuvendit.

Mungesë Kuorumi në Kuvendin e Kosovës – Foto: KALLXO.com

“Këto janë marrëveshje specifike ndërkombëtare, shumica e të cilave janë me Bashkimin Europian për t’i funksionalizuar programet ndërkombëtare të ndryshme në të cilat merr pjesë Republika e Kosovës”, tha ai.

Sipas Muratit, miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka rëndësinë e vet, pasi nëse nuk do të ishte miratuar marrëveshja për IPA-n Kosova do t’i humbte rreth 80 milionë euro.

“Me programet e IPA-s Kosova mund të ndërtojë rrugë, shkolla dhe projekte të përbashkëta me BE-në. Ndërsa, ERASMUS + është program për studentë, akademikë, njerëz që dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit ose të bëjnë hulumtime. Këto kanë rëndësi shumë të madhe pasi ju krijojnë mundësi qytetarëve për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme. Edhe tek marrëveshja “Evropa dhe qytetarët”, ka aktivitete të shumta kulturore të cilat do të ishin pamundësuar nëse nuk do të miratohej marrëveshja në Kuvend. Përveç karakterit financiar, kanë rëndësi edhe në karakterin social, arsimor, e kështu me radhë”, tha Murati.

Murati u shpreh se marrëveshjet e IPA dhe ERASMUS +, janë dërguar në kuvend muaj më parë.

“Këto kanë qenë të parapara të votohen të gjitha në korrik, mirëpo opozita e bojkoti seancën dhe nuk ka pasur vota të kalohen ndërsa më 20 shtator janë thirrur enkas për këto”, shtoi Murati.

E ardhmja e Kosovës për në BE, varet edhe nga miratimi i ligjeve të cilat hyjnë në kuadër të Agjendës për Reformë Evropiane, e që kanë ndikimin në përshpejtimin e procesit për liberalizimin  e vizave.

Murati tha votimi i ligjeve për Sinjalizuesit, Kodin Penal dhe ligje të tjera ndikojnë veçanërisht në përceptimin e Republikës së Kosovës prej shteteve anëtare të BE-së.

“Nëse Kosova arrin ta çojë përpara agjendën evropiane, tregon që është e përkushtuar në këtë aspekt dhe nuk është duke e bërë veç pse po e kërkon BE-ja, por sepse ka interes të mirëfilltë për të ecur përpara në procesin e integrimit, kjo do të ndikonte edhe në relacionet direkte me shtetet anëtare të BE-së”, përfundoi ai.

Kosova është në pritje të votimit për liberalizimin e vizave nga  ministrat e  Këshillit të Europës, pasi Parlamenti Europian i ka dhënë dritën e gjelbër lëvizjes së lirë të kosovarëve.