Ikin Perëndimit

Numri i azilkërkuesve kosovarë në vendet europiane është rritur në vitin 2012, me çdo të 167-tin kosovar që merr rrugën e perëndimit, por shumica e tyre janë refuzuar. Qeveria thotë se nuk i di arsyet pse kosovarët mbeten azilkërkues të vendosur, por asaj i sugjerohet se duhet të bindë qeveritë në perëndim se është serioze.

Kosovarët gjatë vitit të kaluar kërkuan azil kryesisht nëpër vende europiane me standard të mirë jetese si në Francë, Gjermani, Belgjikë, Suedi e Zvicër. 

Numri i azilkërkuesve në 27 vendet e BE-së në vitin 2012 ishte 10 mijë e 135 veta. 

Ky numër ka shënuar rritje krahasuar me vitin 2011 kur 9 mijë e 870 banorë të Kosovë, ose rreth 250 më pak, kishin kërkuar të dilnin jashtë Kosovës.  

Në vitin 2010 kishte më shumë kërkesa pasi që 14 mijë e 310 persona provuan të bëhen banorë të vendeve europiane.

Përkthyer ndryshe, nga 1 milion e 700 mijë banorë sa ka vendi, në vitin 2012 azil ka kërkuar çdo i 167-ti shtetas kosovar. 

Me 10 mijë e 135 kërkesa për azil gjatë vitit 2012, kosovarët bëjnë pjesë në10 vendet e para të azilkërkuesve në vendet e BE-së. 

Kosova zë vendin e 9-të në botë. 

Para Kosovës nga vendet e rajonit është vetëm Serbia në vendin e 5-të. Listës i prijnë afganët, pasuar nga sirianët, rusët e pakistanezët. 

Bashkë me të tjerët nga shumë vende të botës, janë gjithsej 331 mijë e 975 aplikues për azil.

Të dhënat për numrin e azilkërkuesve në vendet anëtare të unionit janë publikuar nga Eurostati (institucioni statistikor i Bashkimit Europian në Luksemburg) më 23 mars 2013.

Me mbi 10 mijë azilkërkues në vit, sipas analizave në Bruksel,kosovarët vetëm mund ta dëshirojnë udhëtimin e shpejtë pa viza në vendet e zonës Schengen. 

“Fatkeqësisht tash për tash perspektiva për liberalizim të vizave për kosovarët nuk është e mirë”, thotë AlexandraStiglmayer, analiste nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) me seli në Bruksel.

“Një nga shkaqet është përpjekja e pamjaftueshme e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar kërkesat e renditura në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave.”, thotë Stigelmayer për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Sipas saj, dy çështjet më të vështira janë adresimi i numrit të madh të azilkërkuesve nga Kosova dhe të bërit e çdo përpjekje të mundshme për të integruar romët.

ESI është institut hulumtues i pavarur që merret me analiza të thella të çështjeve që promovojnë stabilitet dhe prosperitet në Europë.

Ilustrimi: esiweb.org

Kosovarëve u refuzohet azili 

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar të dhëna në detaje nga Eurostati të cilat shpërfaqin refuzimin e autoriteteve të vendeve europiane të kërkesave për azil të parashtruara nga kosovarët.

Vendet me numrin më të madh të kërkesave për azil nga kosovarët për vitin 2012 janë Franca me 3 mijë e 690, Gjermania me 2 mijë e 535, pasuar nga Belgjika me 1 mijë e 740 e ndjekur nga Suedia me 1 mijë e 45 e Zvicra me 585.

Sipas të dhënave, shumica e këtyre shteteve nuk kanë shqyrtuar fare kërkesat kosovarëve.

Ato që janë shqyrtuar, kanë marrë kryesisht përgjigje negative.

Gjermania, Franca dhe Belgjika nuk kanë shqyrtuar asnjë kërkesë për azil gjatë vitit 2012 dhe i kanë refuzuar automatikisht.

Këto vende kanë pasur numrin më të lartë të kërkesave për azil nga kosovarët.

Nga 210 kërkesa për azil në Luksemburg nga kosovarët për vitin 2012, ky shtet ka shqyrtuar 65 të tilla, prej të cilave vetëm pesë janë vendime pozitive, bazuar në Konventën e Gjenevës që ka të bëjë me çështje humanitare. Të tjerat janë refuzuar.

Sllovenia nga 20 aplikues për azil nga Kosova, i ka shqyrtuar pesë dhe të gjithë kanë marrë përgjigje negative.

1 mijë e 45 kërkesa për azil nga kosovarët gjatë vitit 2012 janë dorëzuar në Suedi. Ky shtet ka shqyrtuar 680 dhe të gjitha i ka refuzuar.

Zvicra ka shqyrtuar 40 aplikime për azil të kosovarëve nga totali prej 585 të tilla dhe ka refuzuar të gjitha. 

Enti Zviceran Federativ për Migracion (BFM) që nga 25 marsi 2013 e zbaton procedurën 48-orëshe edhe për kërkuesit e azilit nga Kosova dhe Gjeorgjia.

Bazuar në këtë procedurë brenda 48 orëve jepet një vendim refuzues apo pranues për azilkërkuesin.

E vetmja është Mbretëria e Bashkuar e cila nga 90 shqyrtime të azilkërkuesve nga Kosova, 10 i ka refuzuar, e 75 të tjerëve u ka dhënë statusin e strehimit për çështje humanitare.

Të dhënat e Eurostatit tregojnë se gjatë tre viteve të fundit, 2012, 2011 e 2010, asnjë kosovar nuk ka kërkuar azil në vende si Letonia, Lituania, Malta, Portugalia, Sllovakia, Spanja ose Greqia. 

Vlora Çitaku

“Mungesë serioziteti e Qeverisë së Kosovës”

Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane, thotë se qeveria po zbaton fushatë kundër emigrimit ilegal. “Po ashtu jemi duke angazhuar policinë dhe institucionet tjera përgjegjëse për ta luftuar këtë fenomen”, thotë Çitaku për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ministrja e integrimeve thotë se nuk i di arsyet përse kosovarët kërkojnë azil në vendet e BE-së, por e di se kërkohet që numri i azilkërkuesve të jetë në zbritje e sa më i vogël në mënyrë që të fitohet liberalizimi i vizave.

Analistja nga ESI, Stiglmayer, thotë se autoritetet e Kosovës janë duke u kritikuar për mungesë serioziteti për sa i përket angazhimit për liberalizmin e vizave. 

Stiglmayer pohon se derisa me regjim vizash nga Kosova gjatë vitit 2012 kërkuan azil më shumë se 10 mijë veta, Ministrat e Brendshëm të BE-së qartë pyesin: Sa do të jetë ky numër kur nuk do të kenë nevojë  për vizë? 

Sipas saj në këtë moment topi është në fushën e autoriteteve të Kosovës. 

“Qytetarët e Kosovës meritojnë udhëtimin pa viza, por që ta marrin, qeveria e tyre duhet të bindë shumicën e Qeverive të BE-së se është serioze”. 

ETIKETA

01 Prill 2013 - 03:00

Jeton Musliu 01/04/2013 - 03:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Ikin Perëndimit

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend