I Akuzuari Kandidon për Drejtor të Këshillave Juridike

I akuzuari për keqpërdorim të pozitës zyrtare Ramadan Gashi, që ishte kryetar i Skënderajt dhe zëvendësministër i Ministrisë së Drejtësisë, është kandidat për drejtor ekzekutiv të Agjensionit për Ndihmë Juridike Falas.

Agjencioni është trup shtetëror që ofron ndihmë juridike falas për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë avokatë, gjatë procedurave gjyqësore. Për t’u kualifikuar për ndihmë juridike, personat duhet të jenë përfitues të ndihmës sociale, ose të kenë të ardhura më të vogla se mesatarja në Kosovë.

Kundër Gashit, rëndojnë akuza të ngritura nga prokuroria e vendit se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, derisa drejtonte komunën e Skënderajt.

Gashi i është përgjigjur konkursit të Ministrisë së Administratës Publike të shpallur më 22 mars 2013, por kandidimi i tij është në kundërshtim me Rregulloren për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese. 

Sipas nenit 9 të kësaj rregulloreje, personat me dosje penale ose të akuzuarit për mashtrim, nuk mund të zgjidhen në pozita të larta drejtuese në Shërbimin Civil të Kosovës. 

Konkursi bazohet në këtë rregullore por edhe në Ligjin për shërbyes civilë, që përjashton vetëm personat e dënuar me vendim të formës së prerë. 

Njësoj e parasheh edhe Ligji për ndihmë juridike. Te kushtet për të kandiduar për drejtor ekzekutiv thuhet “[kandidati] të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale”. 

Gashi ka thënë se nuk ka kohë për të kthyer përgjigje. “… jam i zënë”, ka thënë Gashi kur është kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë.  

“… jam i zënë” Ramadan Gashi

Ai nuk u është përgjigjur as pyetjeve me shkrim, të dërguara një javë më parë.

Gashi është shkarkuar nga detyra e zëvendësministrit në Ministrinë e Drejtësisë, më 14 qershor 2012, vetëm disa ditë pas emërimit të tij në këtë post. Ai  ishte deputet i PDK-së prej vitit 2007 deri më 2010 si dhe kryetar i komunës së Skënderajt prej vitit 2004 deri më 2007.

Shkarkimi i tij ishte bërë pas raportimit nga Koha Ditore se kundër tij rëndonte aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.  

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë vendim të shkarkojë z. Ramadan Gashi nga detyra e zëvendësministrit të Ministrisë së Drejtësisë… për shkak të aktakuzës së ngritur kundër tij nga prokuroria e shtetit” thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.  

Koha Ditore pati raportuar më 13 qershor 2012, se Ramadan Gashi gjatë kohës sa kishte mbajtur postin e kryetarit të Skënderajt dyshohej se ka dëmtuar pronën komunale, duke u krijuar përfitim material disa personave dhe kompanive. 

Aktakuza ndaj tij është ngritur me 6 qershor 2011.

Sipas aktakuzës, shkruan Koha Ditore, ai akuzohet se keqpërdori pozitën e tij, kur një rast favorizoi kompaninë R&Rukolli që ndërtoi sheshin Adem Jashari në Skënderaj, duke i dhënë në pronësi pronën prej 254 mijë eurosh, si kompensim për punët shtesë pa kontratë.

Në një rast tjetër, ai dyshohet se u “dhuroi” në shfrytëzim të përhershëm, në mënyrë të paligjshme, 49 ari tokë të komunës dy personave. 

“Lënda është e pakryer, për shkaqe të njohura në rajonin e Mitrovicës..”Kada Bunjaku

Gashi kishte mohuar akuzat dhe kishte deklaruar se nuk ishte në dijeni për ndonjë aktakuzë. 

Gjykimi i Gashit që pritet të bëhet në Mitrovicë, ende nuk ka filluar.

“Lënda është e pakryer, për shkaqe të njohura në rajonin e Mitrovicës, pra mbajtjes së gjykimeve në kushte mjaft të vështira. Ajo do të caktohet sipas radhitjes”, tha Kada Bunjaku, kryetare e kësaj gjykate.

Rekrutimi është bërë në “harmoni me ligjin”

Në Ministrinë e Administratës Publike thonë se procedurat për rekrutimin e kandidatit për drejtor në këtë agjencion tashmë kanë përfunduar.

Bordi i këtij agjencioni nxjerr vendim për zgjedhjen e drejtorit, ndërsa procedurat zhvillohen nga Ministria e Administratës Publike që menaxhon shërbimin civil.

Alban Sutaj kryesuesi i bordit të Agjencionit për Ndihmë Juridike Falas, thotë për gazetën se kërkesa për zgjedhjen e drejtorit i është dërguar MAP-it dhe se procedurat e mëtejme për drejtor janë zhvilluar nga kjo ministri.

“Në pajtim me legjislacionin në fuqi [Ministria e Administratës Publike] pra ka formuar komisionin për vlerësimin e kritereve” thotë Sutaj. 

“Në përbërje të komisionit përzgjedhës nuk ka qenë asnjë përfaqësues i MAP-it. Zeqir Bekolli

Sipas Zeqir Bekollit drejtor i Zyrës për Informim në MAP, kjo ministri ka kryer punën e saj, në harmoni me Ligjin dhe Rregulloren përkatëse.

“Në përbërje të komisionit përzgjedhës nuk ka qenë asnjë përfaqësues i MAP-it. Për informata tjera drejtohuni te Komisioni përzgjedhës”, thotë Bekolli.

Gazeta ka kuptuar emrat e katër nga pesë anëtarët e komisionit vlerësues. Në përbërje të këtij komisioni kanë qenë Arben Çitaku e Kapllan Halimi, përfaqësues të ministrive të planifikimit hapësinor dhe bujqësisë, Bedri Peci profesor në Fakultetin Juridik dhe Behxhet Shala, përfaqësues i shoqërisë civile.

Ky komision pas intervistimit të kandidatëve i ka propozuar tre emra MAP-it dhe tash pritet që  kjo ministri t’ia propozojë bordit të Agjensionit për Ndihmë Juridike, tre kandidatët më të mirë.

Arben Çitaku sekretar i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe anëtar i komisionit tha se komisioni ka punuar në bazë të dokumentacionit të cilin e kishte në dispozicion. 

Çitaku thotë se është obligim i sektorit përkatës në MAP, që të paraqesin paraprakisht të gjitha informatat para komisionit. 

“Ne nuk kemi pasur asnjë vendim në dosjen e tij [RamadanGashit] nga asnjë gjykatë që atë e ka shpallur fajtor… Në rastin konkret ne nuk kemi pasur dhe as nuk jemi në dijeni që është marrë një vendim i tillë”, thotë Çitaku.  

“Nga ana morale ai që ka probleme me ligjin duhet t`i zgjidh problemet me ligjin, Behxhet Shala.

Përfaqësues i shoqërisë civile në këtë komision ishte Behxhet Shala që drejton Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

Ai thotë se nuk është përgjegjësi e komisionit që të merret me të kaluarën e kandidatit. 

“Në bazë të dosjes, ne kemi parë përgatitjen shkollore dhe a përputhet kjo me konkursin, përndryshe nuk ka qenë përgjegjësi e jona që të hulumtojmë të kaluarën e askujt prej tyre”, tha ai.

“Nga ana morale ai që ka probleme me ligjin duhet t`i zgjidh problemet me ligjin”, shtoi Shala.

Përgjegjësinë për kompletimin e dokumentacionit të kandidatëve e ka sekretaria që vepron në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. 

ZeqirBekolli, drejtor i Zyrës për Informim në MAP, thotë se procedura e rekrutimit është bërë “në pajtim me ligjin”.

Zyra e Drejtorit Ekzekutiv, për të cilën pozitë ka aplikuar Ramadan Gashi është zyrë qendrore në Agjencionin për Ndihmë Juridike Falas. 

Ajo është përgjegjëse për administrimin e sistemit të ndihmës juridike, mbikëqyrjessë zyrave rajonale për ndihmë juridike falas dhe mbikëqyrjessë punës së të gjithë të punësuarve në Ndihmë Juridike.