Konventa e Rinisë së PDK Foto: PDK

Humbesit e zgjedhjeve marrin pozita në degët e PDK-së

Ka tash e disa muaj prej kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka filluar zgjedhjet e brendshme brenda strukturave të saj nëpër komuna të Kosovës.

‘Dekada e re’ për PDK-në ka filluar me njerëzit e vjetër, kjo sepse në disa nga Komunat ku kjo parti ka humbur zgjedhjet, në krye të degëve janë zgjedhur prap ata që kanë humbur garat zgjedhore.

Hajdar Beqa, Isni Kilaj, Sokol Bashota, Agim Aliu, Qemal Mustafa, Idriz Vehapi, Shaqir Totaj janë disa nga emrat e zyrtarëve të PDK-së, të cilët pavarësisht humbjes në zgjedhjet lokale të vitit 2013 si dhe të vitit 2017 janë zgjedhur kryetarë të PDK-së në komunat ku kanë humbur.

Mirëpo kjo nuk ka qenë ‘befasia’ e vetme e këtyre zgjedhjeve, ka pasur zyrtarë nga strukturat qendrore që janë kthyer në strukturat lokale, Bedri Hamza aktualisht ministër i financave është zgjedhur kryetarë i degës së PDK-së në Mitrovicë.

Në bazë të të dhënave të siguruar nga zyrtarë të kësaj partia procesi zgjedhor ka përfunduar në 34 degë, ku  17 janë rikonfirmuar, ndërsa 17 kryetar janë zgjedhë të rinj.

‘Riciklimi’ i Dekadës së Re

Tentativa e deputetit Hajdar Beqa për tu bërë kryetarë i Komunës së Gjakovës, kishte dështuar në zgjedhjet lokale të vitit 2013, duke u ranguar i treti pas Mimoza Kusari-Lila si dhe pas Pal Lekaj.

Pavarësisht se nuk u bë kryetarë i Gjakovës, deputeti Beqa më 20 prill të këtij viti është zgjedhur kryetar i degës në Gjakovë.

Në zgjedhjet e 2017, PDK, kandidat për kryetarë në Komunën e Rahovecit, kishte Idriz Vehapin mirëpo në garë me Smajl Latifin nga AAK-ja, ai humbi zgjedhjet.

Mirëpo dy vite me vonë, Vehapi arriti të ‘kthehet’ prap, jo si kryetarë i Rahovecit, mirëpo si kryetarë i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

Zgjedhjet e 2013 nuk i sollën ‘fat’ as kryetarit të atëhershëm të PDK-së, Qemajl Mustafa, i cili humbi zgjedhjet lokale duke u ranguar i dyti pas kandidatit të LDK-së, Lutfi Haziri.

Mirëpo partia e tij para pak ditës ia besoj ulësen  e të parit në zgjedhjet e brendshme të PDK-së në komunën e Gjilanit.

Ndonëse kishte qenë kryetar i Malishevës për periudhën 2009-2013, Isni Kilaj, humbi ‘karrigen’ në këtë komunë, në zgjedhjet e 2013-të duke u ranguar i treti pas Ragib Begajt dhe Salih Morina.

Dje, në zgjedhjet e brendshme të PDK-së në Komunën e Malishevës, delegatët e kuvendit të PDK-së, vendosën për ta zgjedhur në pozitën e kryetarit në këtë Komunë.

Zgjedhjet e 2013 i siguruan fitore, kandidatit të PDK-së për kryetarë të Klinës, Sokol Bashotës, mirëpo në zgjedhjet e vitit 2017 pas balotazhit me kandidatit të AAK-së, Zenun Elezaj, Bashota humbi zgjedhjet në këtë komunë.

Ndërsa më 27 Prill të këtij viti, Bashota morri përkrahjen e delegatëve të Klinës për të udhëhequr degën e kësaj partie.

Edhe në komunën e Prizrenit, PDK-ja ka zgjedhur kandidatin e i cili ka humbur zgjedhjet lokale në vitin 2017.

Në balotazh me kryetarin aktual Mytaher Haskuka, Totaj ka humbur në një rezultat të ngushtë ndaj Haskukës.

Edhe kryetari aktual i komunës së Ferizajt, kishte një rrugëtim ‘interesant’ nëpër karriget e kësaj komune.

Në zgjedhjet e vitit 2013 Aliu u mposhtë nga kandidati i LDK-së Muharrem Svarqa, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, Aliu mposhti Svarqen.

Kurse më 27 prill të këtij viti, Aliu arriti të fitoj postin e të parit të PDK-së në Komunën e Ferizajt.

Incidentet që përcollën procesin zgjedhor

Nuk janë të pakëta rastet në Kosovë, kur mosmarrëveshjet brenda strukturave të partive sqarohen me ‘grushta’.

Ndonëse ishte munduar që të mbahet e fshehët, më 27 shkurt të këtij viti, në degën e PDK-së në Gjilan kishte pasur një  incident.

KALLXO.com kishte raportuar se Hevzi Xhelili dhe Riad Rashiti janë përleshur pas mbledhjes së kryesisë së degës qendrore të PDK-së.

Mirëpo Hevzi Xhelili deklaron se nuk ka pasur përleshje fizike, por vetëm verbale, ndërsa thotë se krejt kjo ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve private e jo për çështje politike partiake.

“Nuk kemi pasur përleshje fizike, verbale po a fizike jo, kemi pasur një mosmarrëveshje private nuk kemi pasur me partinë, gjithçka ka qenë në rregull, kuvendi ka mbajtur punimet, mosmarrëveshja ka qenë për shkaqe personale”, tha Hevzi Xhelili për KALLXO.com.

Përveç Gjilanit, ‘ grushti’ për sqarim hesapesh u përdor edhe në Komunën e Pejës, përkatësisht në fshatin Raushiq.

Sipas burimeve të KALLXO.com, gjatë këtij kuvendi zgjedhor L.V. ka sulmuar fizikisht bashkëfshatarët, duke hedhur karrige e duke sharë, përkundër që aty kishte edhe gra.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar edhe për një incident tjetër, prap në komunën e Pejës.

Një person është arrestuar dhe është dërguar në ndalim për shkak të një përleshje e cila ka ndodhur në degën e PDK-së në Pejë.

Burime të KALLXO.com mësojnë se një përleshje e re është regjistruar mbrëmë në Pejë në mes dy grupeve rivale brenda PDK-së.

Ngjarja ka ndodhur gjatë zgjedhjeve për njërën nga degët e Pejës në shkollën 8 marsi.