Historiku i luftës tregtare mes Kosovës dhe Serbisë

Bllokimi i importeve nga Serbia ka arritur qëllimet në të kaluarën. Por pa një vizion ekonomik, politikat tregtare po vendosen ‘ad-hoc’ dhe prodhuesit kosovarë po mbesin të papërgatitur.

Në nëntor 2007, disa muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qeveria e Serbisë urdhëroi të gjithë ministrat që të hartojnë plane konkrete se si do t’i kundërvihen këtij akti të Prishtinës. E një ndër masat e planifikuara ishte edhe bllokada tregtare, duke mbyllur kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke bllokuar pikat kufitare në Merdar, pikat kufitare në pjesën veriore dhe Dheu i Bardhë, Serbia kërcënonte me krizë humanitare. Në 2006, importet nga Serbia përbënin 16% të të gjitha importeve të Kosovës, kurse 31% e mallrave të importuara në Kosovë hynin përmes tri pikave doganore me Serbinë.

Disa ditë pas kërcënimit të Serbisë me embargo tregtare ndaj Kosovës, në dhjetor 2007 Instituti GAP analizoi efektet që mund të kenë në ekonominë e vendit një bllokadë e tillë. Të gjeturat e GAP tregonin se në rast të bllokadës eventuale, duke marrë parasysh llojet e produkteve që importoheshin nga Serbia, mund të zëvendësoheshin për një kohë shumë të shkurtër nga vendet tjera. I vetmi problem i cili mund të paraqitej në periudhën afatshkurtër ishte furnizimi me grurë, pasi që Kosova importonte 11,200 ton grurë dhe miell nga Serbia. Gruri dhe produktet e tij përbënin 19% të importit të përgjithshëm nga Serbia, në vlerë monetare prej mbi 34 milionë euro.

Kurse mallrat që importoheshin nga vendet e Evropës, përmes territorit të Serbisë, mund të gjenin rrugë tjetër për të mbërritur në Kosovë, por kjo do të ndikonte në rritjen e çmimeve.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia mori të gjitha masat për të penguar Kosovën, por asnjëherë nuk bllokoi kufijtë. Më shumë se sa ekonomia e Kosovës, bllokada tregtare do të ndikonte negativisht në vetë ekonominë e Serbisë. Eksportet e Serbisë në Kosovë kanë shkuar duke u rritur nga viti në vit dhe në vitin 2017 kanë arritur në 449 milionë euro. Mallrat nga Serbia përbëjnë  14. 8 përqind të të gjitha importeve në Kosovë.

Pasi që Serbia nuk ndaloi eksportet e saj në Kosovë, në dhjetor 2008 bllokoi eksportet e Kosovës në Serbi. Së bashku me Bosnjën, Serbia ndaloi edhe përdorimin e territorit të saj për eksportin e mallrave kosovare në tregjet e Bashkimit Evropian. Si arsyetim për këtë bllokadë Serbia e mori ndryshimin e vulave të doganës, nga Doganat e UNMIK në Doganat e Kosovës. Kjo, sipas Serbisë, u konsiderua shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s.

Kjo bllokadë zgjati deri në verën e vitit 2011, atëherë kur edhe Kosova ndërmori masa të njëjta, duke ndaluar që mallrat e Serbisë të hyjnë në Kosovë. Pas 58 ditë bllokade, Serbia u detyrua që të pranoj vulën e doganave të Kosovës dhe Kosova tërhoqi bllokadën për mallrat serbe. Për këto 58 ditë të bllokadës ndaj mallrave serbe, tregjet reaguan duke rritur importin nga Bullgaria dhe Maqedonia. Po ashtu, për ata dy muaj të bllokadës, prodhuesit vendorë raportuan se kishin një ndër periudhat më të mira të shitjeve. Për shembull, prodhuesit e letrës raportuan se gjatë atyre dy muajve të bllokadës ndaj mallrave serbe shitjet e tyre u trefishuan.

Përgjatë tërë këtyre viteve, Serbia ka nxjerrë telashe të ndryshme për eksportuesit e Kosovës. Kosova në vazhdimësi është ankuar në CEFTA për barrierat e ndryshme jo-tarifore që Serbia vendos për eksportuesit nga Kosova, duke ndaluar me ditë të tëra kamionët në kufij. CEFTA nuk ka lehtësuar eksportet e Kosovës në Serbi. Për shembull, për prodhuesin e materialit ndërtimor BRICKOS nga Kamenica do të ishte shumë më e leverdishme që të shes blloka nga argjila në komunën e Bujanovcit dhe Preshevës, se sa për shembull në Prishtinë, ngase sa më larg distanca e transportit, kostoja më e lartë. Por për shkak të pengesave doganore, prodhuesit e materialit ndërtimor nuk mund të eksportojnë në Serbi.

Prodhuesit e lëngjeve nga Kosova janë ankuar në vazhdimësi se malli i tyre bllokohet deri në dy javë në kufi me Serbinë, me arsyetimin e plotësimit të certifikatave fito-sanitare.

Nëse historiku i marrëdhënieve të deritanishme tregtare mes Kosovës dhe Serbisë na jep ndonjë mësim ai është se bllokada ndaj mallrave serbe funksionon. Bllokada që Kosova i vuri mallrave serbe në verën e 2011 e detyroi Serbinë që të pranoj vulën e Doganave të Kosovës dhe të zhbllokoj eksportet e Kosovës. Andaj, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë 100% për mallrat serbe që eksportohen në Kosovë është vendim i cili do të duhej të merrej shumë vite më parë.

Problemi i vetëm me vendimin e qeverisë është se ai është marr në baza ‘ad-hoc’ dhe pa u paralajmëruar prodhuesit vendorë. Edhe pse një masë e tillë në përgjithësi ndihmon prodhuesit vendorë, prapë se prapë janë rreth 300 prodhues të cilët importojnë lëndën e parë nga Serbia.

Sipas burimeve nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, prodhuesit vendorë kanë paraqitur kërkesë që nga taksa doganore të lirohen edhe bizneset e huaja që veprojnë në Serbi, prej të cilave importohen lënda e parë. Nga lënda e parë që importohet nga Serbia varen prodhuesit e qumështit (për materialin për paketim), prodhuesit e lëngjeve (për amballazhuesit, kanaçet), prodhuesit e kalldajave, etj.

Në aspektin afatgjatë, prodhuesit vendorë duhet të gjejnë alternativa të furnizimit me lëndë të parë nga vendet tjera. Nga kjo taksë, ekonomia e Kosovës mund të përfitoj vetëm nëse taksa stimulon rritjen e prodhimit vendorë. Në të kundërtën, në rast se i tërë importi nga Serbia zëvendësohet me import nga vendet tjera, ekziston rreziku që çmimet e produkteve të rriten dhe kësisoj konsumatorët kosovarë të përfundojnë duke paguar më shtrenjtë.

Për këtë qëllim, taksa prej 100% ndaj mallrave serbe duhet të shoqërohet me masa tjera të cilat ndihmojnë prodhimin vendorë dhe mbajnë të ulëta çmimet. Për këtë nevojitet identifikimi i sektorëve strategjik të prodhimit, subvencionimi i prodhimit vendorë, përgatitjen profesionale të fuqisë punëtore.