Objekti i Ministrisë së Arsimit

Historianët e mbipaguar nga MAShT për projektin ‘Historia e Kosovës’

Projekti që parashihte hulumtimin mbi historinë e Kosovës me ekspertë vendorë dhe të huaj, i kushtoi më shumë nga sa e planifikoi Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

Fillimisht, projekti i quajtur ‘Historia e Kosovësishte planifikuar në kategorinë e investimeve kapitale por me rishikim ishte larguar nga kjo kategori.

Sipas MAShT-it arsyeja e largimit prej kategorisë së investimeve kapitale ishte pa mundësia e angazhimeve me marrëveshje dhe pagesave të eksperteve hulumtues të kësaj fushe nga kjo kategori, prandaj projekti kishte filluar të realizohet nga kategoria mallra dhe shërbime.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në pagesat e bëra ndaj hulumtuesve për këtë projekt ishin tejkaluar shumat e parapara.

“ Instituti i Historisë ( kishte lidhur Marrëveshje Bashkëpunimi për çështje të hulumtimit të Historisë së Kosovës me hulumtues të ndryshëm nga vendi përfshirë edhe ata nga Shqipëria dhe Maqedonia, ku ishin përcaktuar edhe shumat që do të mbulohen në angazhimet e hulumtuesve. Në testimin e pagesës në vlerë 22,500€, identifikuam që shpenzimet për disa hulumtues të angazhuar me marrëveshje ishin tejkaluar. Në tri raste shumat e aprovuar në bazë të Marrëveshjeve ishin 9,000€ ndërsa shpenzimet për tri rastet ishin 11,471€”, thuhet në raport.

Probleme me prokurim u shfaqën edhe në disa fusha të tjera në raportin vjetor të auditimit.

Bazuar në Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për prokurimin publik, Siguria e Ekzekutimit është paraparë të mbështetë përmbushjen e kontratës, dhe do të mbetet valid për një periudhë prej 30 ditë pas kompletimit të kontratës.

Megjithatë sipas auditorit gjatë testimit të aktiviteteve të prokurimit në tre raste u identifikua se sigurimi i ekzekutimit nuk mbulonte kohëzgjatjen e kontratës

Kjo kidhte ndodhur te  kontrata “Ndërtimi i shkollës fillore Leshan-Suharekë-faza I” në vlerë 329 mijë e 639 euro, siguria e ekzekutimit në momentin e nënshrimit të kontratës ishte për dy muaj ndërsa kontrata është tri vjeçare;

Pastaj te kontrata “Ndërtimi i shkollës në Busavat-Kamenicë, Lot 1” në vlerë 241 mijë e 645 euro siguria e ekzekutimit ishte për 12 muaj ndërsa kontrata është tri vjeçare

Po ashtu te kontrata “Ndërtimi i shkollës se mesme Adem Gllavica në Lipjan” në vlerë 450,087€, siguria e ekzekutimit ishte për 24 muaj ndërsa kontrata është tri vjeçare.

Ministria e Arsimit tejkaloi mjetet e parapara në ndarjen buxhetore për ndërtimin e një shkolle.

“MAShT kishte nënshkruar kontratë për projektin “Ndërtimi i shkollës fillore në Braboniq- Mitrovicë” në vlerë më të madhe se ndarjet buxhetore. Kontrata ishte në vlerë 1,179,812€, ndërsa ndarja buxhetore e paraparë për tre vite në tabelën e projekteve kapitale ishte 800 mijë euro ”, thuhet në raport.

Në një rast tjetër ministria pagoi 661 euro më shumë në një kontratë të nënshkruar, megjithëse vlera e ofertës që e kishte bërë kompania në fazën e tenderit ishte  74 mijë e 996 eur0.

“Te kontrata “Ndërtimi i çerdheve të fëmijëve, sallave të sportit dhe renovimin e shkollave” loti shtatë, ministria kishte nënshkruar kontratë me vlerë më të lartë se sa vlera e ofertës. Vlera e kontratës ishte 75,656€, ndërsa oferta e OE ishte 74,995€ (kontrata është nënshkruar për 661€ më shumë se oferta financiare e OE)”, thuhet në raport.

Auditori gjeti se MAShT kishte tejkaluar vlerat  dhe specifikacionet e kontratës në pagesën për kontratën “Ndërtimi i shkollës fillore Glloboqicë–Kaçanik” në vlerë prej 266 mijë e 712 euro.

“Identifikuam se në pozicionin 410 për betonim të shtresës së betonit, sasia e kontraktuar në specifikacionin teknik ishte 68.4 m³ ndërsa sasitë e faturuar dhe të paguara ishin 142m³ edhe në pozicionin 422 për latimi dhe betonimi i soletës, sasitë e kontraktuara ishin 361.55m³, ndërsa sasitë e faturuara dhe të paguara ishin 486.6m³. Pra në këto dy pozicione janë tejkaluar sasitë për 198.65m³ dhe shumëzuar me çmimet respektive (70€ dhe 95€) rezulton se kemi tejkalim në vlerë prej 17,031 “, thuhet në raport.

Ngjashëm  në kontratën ‘Ndërtimi i sallës se edukatës fizike në shkollën fillore Rexhep Elmazi” në Gjilan në vlerë 210,823€ (e nënshkruar me 16.05.2017), punët e armimit te pjesa C pozicioni 1 sasia e kontraktuar ishte 25,000kg, me çmim 1.45€, ndërsa sasitë e tejkaluara dhe të faturuara (paguara) ishin 9,308.18kg.

Tejkalimi i shndërruar në vlerë financiare është 13,496€ (9,308.18kg*1.45€).

Sipas auditorit edhe pse kishte ndryshime të sasive nga kontratat fillestare të cilat reflektojnë në çmimin total të kontratës, zyra e prokurimit nuk kishte ndryshuar kontratat (nuk kishte lidhë aneks kontrata për sasitë shtesë).