Historia e Vështirë e Një Prokurori

Ai ishte abuzues serik i autoritetit të tij. Gjykatat shtetërore të apelit kanë ndryshuar tri aktgjykime bazuar në shkeljet e tij.

Në të vërtetë, shkeljet bënë që eprorët e tij të ndërmarrin masa disiplinore. Ai e humbi punën, përfundimisht edhe licencën profesionale të jurisprudencës, kur një gjykatë e apelit konstatoi se ai e kishte gënjyer një gjykatës lidhur me vendndodhjen e një dëshmitari kyç.

Detajet e procedurës së tij disiplinore u bënë publike, duke hapur kështu pamje brenda paneleve që zakonisht janë tejet të fshehta e të cilat do të duhej të ishin policë të avokatëve të shtetit.

Stuart nuk pranoi kërkesat e shumta për të komentuar në këtë storie.

Atëherë, mendojmë se ia vlen ta kuptojmë ndikimin e karrierës së Stuart në më shumë hollësi, si ndodhën shkeljet, si kanë ndërlikuar ndarjen e drejtësisë, dhe në çfarë mënyre pasojat e shkeljeve të Stuart vazhdojnë të jenë të pranishme, disa vite pasi vetë ai të jetë ekspozuar dhe turpëruar.

Populli kundër Tyronne Johnson, gjykimi i fundit i Stuart si prokuror në Queens, është rasti më i mirë për t’i parë këto çështje.

Krimi:

Më 24 shkurt 2000, prokurorët e Queens akuzuan 23 vjeçarin Tyronne Johnson për vrasjen e Leroy Vann. Tri javë më herët, Vann, pronar i një klubi të natës të cilin Johnson e frekuentonte shpesh në Jamaica, Queens, u qëllua më armë zjarri në stomak në ora 3:20 të mëngjesit gjersa qëndronte para shtëpisë së tij. 

Me shumë mund, Vann hyri brenda, u struk prapa një divani dhe thirri nënën e tij e cila ishte në moshë të shtyrë, Mary Puryear. E ëma e tij më vonë dëshmoi se Vann i kishte thënë asaj se një njeri që quhej “Tyronne” e që vinte nga një kompleks banesor publik në afërsi e kishte qëlluar atë tentimi të plaçkitjes që shkoi keq, bashkë me së paku një njeri tjetër, sipas shënimeve të gjykatës.

Zyrtari policor John Blandino tha se e kishte intervistuar Vann në autoambulancën e cila po i dërgonte në spital.

“Leroy, dëgjo këtu, e ke një vrimë të madhe në gjoksin tënd,” tha Blandino, sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë. “Ka gjasa që nuk do t’ia dalësh mbanë, por së paku ta zëmë personin që ta bëri këtë. Më trego për Tyronne.”

Vann, duke kollitur dhe spërkatur gjak nga goja, përsëriti atë që i kishte thënë nënës së tij dhe shtoi se Tyronne ngiste një veturë të markës Lincoln Navigator me ngjyrë të bardhë, sipas policit.

Kur Johnson u mor në pyetje atë mëngjes, ai vullnetarisht shkoi në polici për marrje në pyetje dhe i tha policisë se ai “nuk do ta qëllonte Leroy, se e kishte mik,” sipas shënimeve të gjykatës.  Ai u lirua pasi policia e mori në pyetje për disa orë.

Dy javë më vonë, Daniel Small, i cili gjendej në ndalim policor për një vepër tjetër, identifikoi Johnson në një rreshtim fotografish, dhe tha se ai e kishte pranuar krimin para tij. Johnson u arrestua pak ditë më vonë. Trembëdhjetë vite pas arrestimit, Johnson vazhdon të këmbëngulë në atë që kishte deklaruar:  Ai nuk kishte gisht në vrasje.

Gjykimi:

Kur filloi procedura paraprake në pranverën e vitit 2002, Small tashmë kishte ndërruar jetë.

Stuart, në mungesë të dëshmive fizike, i tha gjykatës dhe avokatit mbrojtës të Johnson, se kryesisht do të mbështetej në dëshminë e Blandino dhe Puryear në paraqitjen e rastin në gjykatë.

Por, një ditë para gjykimit, Stuart lëshoi atë që ishte tamam si një bombë, duke i thënë mbrojtjes se mendonte të sillte një dëshmitar të tretë: një djalosh 22 vjeç që quhej Henry Hanley, i cili jetonte matanë rrugës nga Vann dhe i cili kishte ikur pasi që policia tentoi për herë të parë për ta intervistuar disa ditë pas vrasjes.

Hanley u arrestua në mars të vitit 2000 për shkak të shkeljes së lirimit me kusht dhe ishte marrë në pyetje lidhur me vrasjen. Ai tha se ishte paguar që të bënte rojë gjersa Johnson dhe një njeri tjetër vranë Vann në përpjekje për ta plaçkitur. Ai u pajtua të dëshmojë kundër Johnson në këmbim të një dënimi më të lehtë për përfshirjen e tij. 

Hanley nuk ishte befasia e vonshme e vetme e Stuart. Ai gjithashtu priti deri në momentit mu para gjykimit që të ndajë me avokatin e Johnson një dëshmi me potencial vendimtar: deklaratën në polici të Shanise Knight, e afërme e Hanley.

Knight i kishte thënë hetuesve se ajo e kishte parë një burrë teksa i kundërvihej Vann pak minuta para qitjeve. Ajo e kishte përshkruar këtë burrë si rreth 35 vjeç, rreth 183 cm i gjatë, dhe rreth 110 kg në peshë. Johnson ishte 23 vjeç, 170 cm i gjatë, dhe kishte trup shumë më të dobët, me peshë prej rreth 70 kg. Knight nuk e kishte identifikuar Johnson kur i është paraqitur një rreshtim i fotografive të të dyshuarve që përfshinte fotografinë e tij.

Avokati i Johnson, natyrisht, dëshironte të thërriste Knight që të dëshmonte, por nuk mund ta gjente atë. Ai e kishte pyetur Stuart vazhdimisht gjatë gjykimit nëse e dinte ku ndodhej ajo. Stuart kishte thënë se nuk e dinte.

Shënimet e gjykatës tregojnë se më 4 qershor 2002, Gjyqtari Jaime Rios, i cili e mbikëqyrte gjykimin, gjithashtu e kishte pyetur Stuart nëse e dinte se ku ndodhej Knight. Stuart përsëri kishte thënë se nuk kishte njohuri, duke shtuar se edhe ai po mundohej ta gjente atë.

Johnson të nesërmen u shpall fajtor për vrasje. Ai u dënua me burgim prej 20 vitesh deri në burgim të përjetshëm.

Në një intervistë në Shërbimin Korrektues Sing Sing, fytyra e Johnson bëhej e zymtë kur kujtonte shpalljen e aktgjykimit.

“U ndjeva se më thyen nga brenda,” tha ai.

Anulimi:

Aktgjykimi sapo ishte shpallur ndërsa familja dhe avokati i Johnson parashtruan ankesë.

Dhe nuk shkoi gjatë që kjo përpjekje të zbulojë një të panjohur tronditëse. Michael Race, një detektiv privat të cilin e angazhoi familja, e gjeti vendndodhjen e Knight. Knight, për herë të parë, e tregoi storien e saj në favor të Johnson. Dhe kishte shumë më shumë sesa që kishte deklaruar fillimisht në polici.

Knight tha se ajo mund të diskreditonte dëshminë vendimtare të Hanley. Ajo i tha detektivit të Johnson se Hanley nuk kishte qenë as bashkëkryerës në krim as dëshmitar i krimit. Ajo tha se ai kishte qëndruar me të dhe ishte në katin e poshtëm të shtëpisë, duke fjetur, kur kishte ndodhur qitja me armë zjarri. Knight tha se ajo e kishte zgjuar atë kur i kishte dëgjuar krismat. Në fund, ajo nënshkroi një deklaratë nën betim për këtë.

Por ajo e kishte edhe një informatë tjetër më tronditëse. Ajo, në deklaratën e saj nën betim, tha se Stuart jo vetëm që kishte ditur se ku ishte ajo gjatë kohës së gjykimit, por se ai dhe dy detektivë të policisë e kishin vizituar atë në vend të punës pak ditë para se Stuart këmbëngulte para gjyqtarit Rios se nuk e dinte vendndodhjen e saj.

Edhe pjesë tjera të rastit të Stuart filluan të rrëzohen. Kur Race shkoi për ta takuar Hanley në burg, Hanley nënshkroi një deklaratë nën betim me të cilën tërhoqi mbrapsht dëshminë e tij të dhënë në gjykatë dhe pohoi se kishte pasur presion nga Stuart për ta akuzuar Johnson.

“Unë nuk isha dëshmitar i këtij incidenti që solli vdekjen e Leroy Vann,” theksonte deklarata e Hanley. “Dua që gjykata ta dijë dhe kuptojë se ajo që kam bërë më parë ka qenë një gabim i madh.”

Një stacion televiziv transmetoi një intervistë me Knight ku ajo e përshkruante takimin e saj me Stuart. Në këtë segment u paraqit edhe e dashura e Hanley, Sharmaine Ramdass, e cila konfirmoi se ajo dhe Hanley ishin duke fjetur gjatë kohës së vrasjes.

Më vonë atë vit, eprorët e Stuart u pajtuan që ta shfuqizojnë dënimin e Johnson. Prokurori i Qarkut Queens, Richard Brown, i shkroi një letër Gjyqtarit Rios duke theksuar këtë dhe duke shtuar se sjellja e Stuart nuk mund të “falet.”

Procesi disiplinor:

Është e pamundur të dihet se sa prokurorë dalin para paneleve disiplinore për keqsjellje të pretenduara. Ajo që është e qartë është se gjyqtarët e apelit që rrëzojnë dënime për shkak të keqsjelljes nuk referojnë prokurorët që kanë bërë shkelje në komisione disiplinore. Avokatët mbrojtës, nga ana e tyre, shpeshherë ngurrojnë që të parashtrojnë ankesa zyrtare, me frikën se do të pësojnë shumë herë nga tërbimi i prokurorëve me të cilët do të përballen.

Por sjellja e Stuart në rastin Johnson nxiti referim. Gjyqtari i këtij gjykimi, pas shfuqizimit të dënimit, i dërgoi shkresën e Prokurori Publik Brown tek paneli disiplinor, i njohur zyrtarisht si Komiteti i Ankesave i Departamentit të Dytë.

Brown kishte qenë i prerë në letrën e tij: Ai tha mënyra me të cilën Stuart e kishte trajtuar rastin Johnson “ishte në shpërfillje të plotë të standardeve të larta etike të cilat unë i pres nga ndihmësit e mi” dhe se kjo zyre do të nisë një hetim. “Nëse veprimet disiplinore ndaj ndihmësit janë të nevojshme, ato edhe do të ndërmerren.”

Brown kishte vepruar kundër Stuart, duke detyruar dorëheqjen e tij.

Kur hetuesit e panelit disiplinor filluan të gropojnë më thellë në historikun e Stuart, zbuluan se ai në të vërtetë ishte qortuar disa vite më parë për një tjetër ndjekje penale të shoqëruar me gabime.

Në vitin 1995, Stuart kishte sugjeruar se një revole në posedim të të pandehurit në kohën e arrestimit të tij ishte revolja e njëjtë në një vepër tjetër të vrasjes në tentativë dhe grabitjes. Por Stuart e kishte raportin e balistikës që tregonte se kjo nuk ishte e vërtetë: Gëzhojat e plumba që ishin gjetur në vend të ngjarjes nuk përputheshin me revolen.

I pandehuri, Jay Walters, u shpall fajtor dhe u dënua me heqje lirie deri në 25 vite. Ai i vuajti gati katër vite para se dënimi i tij të hidhej poshtë nga gjykata e apelit, e cila kishte zbuluar se Stuart mbronte një “qëndrim për të cilin ishte në dijeni se ishte i rrejshëm” — “shkelje e përgjegjësisë së tij si prokuror.”

Hetimi i rastit 1995 përfundoi ashtu që paneli intervistues kishte nxjerrë një të ashtuquajtur shkresë qortimi ndaj Stuart, duke e paralajmëruar atë që të mos shkel kufijtë etikë përsëri. Kjo shkresë kurrë nuk u bë publike. Shefat e Stuart në zyrën e Prokurorit të Qarkut Queens thanë se nuk ishin në dijeni të saj.

Vite më vonë, kur paneli që shqyrtonte rastin Johnson kërkoi të informohej në rastin Walters, Stuart fajësoi mungesën e përvojës për shkeljen e tij. Atëherë ai tha se në rastin Johnson, gjersa është dashur të pranonte se është takuar me dëshmitaren kryesore, ai nuk kishte për qëllim të vinte gjykatën në lajthitje.

“Unë gjithsesi se kam bërë gabim apo gjykim të gabuar,” kishte theksuar ai. Ai kishte pohuar se kishte provuar ta telefononte Knight një ditë para se gjyqtari Rios të kishte pyetur për vendndodhjen e saj, por se nuk kishte arritur të bisedonte me të. Ai kishte thënë se e ka bazuar përgjigjen e tij për gjyqtarin vetëm në këtë fakt. 

“Unë iu përgjigja pyetjes shumë ngushtë,” kishte shtuar ai.

Melissa Broder, këshilltare për komisionin disiplinor, hodhi poshtë shpjegimin e Stuart.

Stuart i tregoi gjykatës një “gënjeshtër të kulluar,” tha ajo, sepse ai frikësohej se deklarata e dëshmitares do të minonte rastin e tij apo se Rios do të merrte vendim se Stuart ka fshehur dëshmi potencialisht shfajësuese.

Në shtator të vitit 2005 – më shumë se 18 muaj pasi kishte nisur hetimet ndaj Stuart, komiteti pezulloi licencën e Stuart për ushtrim të profesionit.

Pas dorëheqjes së tij, ai gjeti punë në një firmë private të avokatisë në fushën e padive civile, të cilën punë e humbi bashkë me licencën e tij.

“Isha i zhgënjyer që u detyruam ta humbim,” tha David Brand, partner në Firmën Long Island të cilës i ishte bashkuar Stuart. “Në të vërtetë ai ishte avokat i mirë dhe efektiv.”

Në mars të vitit 2010, shkalla e apelit në Nju Jork refuzoi aplikacionin e Stuart për ripërtëritje të licencës së tij të avokatisë, duke theksuar se ai “nuk demonstron përshtatshmërinë dhe karakterin e nevojshëm për të punuar si profesionist në drejtësi.”

Stuart, i cili ende ka licencë aktive të avokatisë të shtetit Nju Xhersi, sot punën si mësimdhënës i matematikës në Shkollën e Mesme Profesionale dhe Teknike të Queens.

Johnson, i cili ende vazhdon të jetë i mbyllur pjesërisht për shkak të Stuart, thotë se i vije keq për ish prokurorin.

“Do të doja që ai vetëm të ishte mbushur mend, por ai nuk është dashur ta paguajë këtë me tërë karrierën e tij,” tha Johnson në lidhje me ashpërsinë e dënimit disiplinor të Stuart. “Duhet të mbajmë standard të lartë. Të mos i vëmë njerëzit në kurth… nëse ka dëshmi të pafajësisë së një njeriu, të hulumtohet ajo…  Ata e dinë kur diçka nuk është në rregull.”

Rigjykimi:

Eugene Reibstein, ndihmësprokurore e qarkut në Queens e cila kishte gjykuar dhjetëra vrasje dhe vepra të rënda, është ngarkuar me përgatitjen e aktakuzës së dytë kundër Johnson në korrik të vitit 2003.

Reibstein vizitoi Hanley në burg dhe arriti të sigurojë tërheqë mbrapshtë deklaratën e tij të kaluar për tërheqje mbrapsht. Përkundër deklaratës së dhënë nën betim në të cilën thoshte se kishte gënjyer në gjykimin e parë, Hanley e paraqiti të njëjtën deklaratë edhe në gjykimin e dytë.

Megjithatë, këtë herë avokati i Johnson arriti ta sjellë Knight në karrigen e dëshmitarit. Ajo deklaroi se Johnson nuk mund të ishte përgjegjës për veprën sepse ishte shumë i vogël në shtat sesa njeriu që e kishte parë atë natë. Gjithashtu, ajo i qëndroi besnike deklaratave të saj të mëhershme nën betim se Hanley, dëshmitari i pretenduar, kishte qenë duke fjetur në shtëpinë e saj në kohën e qitjes. Ramdass, e dashura e Hanley në atë kohë, deklaroi se aji në fakt ishte duke fjetur me Hanley gjatë kohës së qitjes.

Kjo nuk mjaftoi. Reibstein tha se Knight dhe Ramdass gënjenin.

Përfundimisht, ishte nëna e Vann, Mary Puryear, ajo që zhvendosi balancën e gjykimit. 

Një storie në të përditshmen New York Daily News përshkroi se juria ishte “shtangur” kur Puryear, e ëma e Vann, dha deklaratën e saj nga karroca për invalidë dhe me lot në sy përshkruante se si Vann i kishte thënë “Nënë, më qëlluan. Ishte Tyronne.’”

Johnson edhe një herë u shpall i fajshëm dhe u dënua me burgim prej 20 vitesh deri në burgim të përjetshëm.

Çështjet kontroverse nuk këtë rast nuk ndalen me kaq.

Pas gjykimit, nëpunësi ligjor i gjyqtarit Rios i dërgoi një letër Komisionit Shtetëror të Nju Jorkut për Mirësjellje Gjyqësore, duke e akuzuar atë për anim të prokurorisë në diskutime private gjatë gjykimit të dytë.

Avokatët e Johnson kërkuan gjykim tjetër. Në seancë, Rios pranoi se kishte folur me Reibstein në zyrën e tij, por tha se nuk mbante mend hollësitë e bisedës.

Gjyqtari i Gjykatës Supreme në Brooklyn, Matthew D’Emic, vendosi që përderisa biseda “ishte futur në hapësira të papërshtatshmërisë,” ajo nuk ka paragjykuar aktgjykimin kundër Johnson.

Tani 36 vjeç, Johnson kaloi 13 vitet e fundit prapa grilave. Avokatët e tij pretendojnë se kurrë nuk gëzuan gjykim të drejtë. Tani kanë parashtruar ankesë në gjykatë federale për t’u lejuar një tjetër gjykim.

“Nuk po bëhet më lehtë,” tha Johnson në një intervistë në Sing Sing vitin e kaluar. “E shoh nënën si plaket. I shoh fëmijët sa rriten. Marrëdhënien zbehen. Njerëzit vdesin. Gjërat vetëm sa bëhen më të vështira. Biri im ishte pesë vjeç kur më futën në burg. Të premten mbushi 17 vjeç.”

Nëse do të ketë të drejtë për lirim me kusht, data më e hershme e lirimit të Johnson do të jetë më 2020. Por, për t’u kualifikuar, të burgosurit duhet të kenë shprehur keqardhje për krimet e tyre. Ai thotë se kurrë nuk do ta bëjë atë.

“Kurrë nuk do të pranojë diçka në të cilën nuk pasur fare gisht.”

Shkrimi i plotë në gjuhën angleze mund të lexohet këtu.