Historia e qeverive të papërfunduara të Kosovës

Që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka pasur 4 qeveri të ndryshme me 3 kryeministra.

Asnjë prej këtyre Qeverive nuk ka arritur ta çojë mandatin deri në fund, pasi që ose janë larguar me mocion mosbesimi ndaj vetes, siç kishte bërë Thaçi dikur, ose për shkak të humbjes së shumicës në Kuvend, ose përmes mocionit të mosbesimit nga opozita.

Hashim Thaçi me dy mandate si kryeministër dhe Isa Mustafa me një të tillë janë kryeministrat që nuk kanë arritur ta përfundojnë si të plotë mandatin e tyre si Kryeministër.

Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër për herë të parë në 2007, përmes një koalicioni të madh me LDK-në.

Ky koalicion në atë kohë me Hashim Thaçin kryeministër, Jakup Krasniqit kryetar Kuvendi dhe Fatmir Sejdiun president të shtetit, i la në opozitë AKR-në, AAK-në dhe LDD-në.

Por Thaçi nuk arriti ta çojë mandatin deri në fund dhe në 2010 vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Deri te zgjedhjet erdhi pasi që Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të vendit për shkak të opinionit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti nuk mund të ketë rol edhe në parti politike. Sejdiu përveç presidentit të vendit kishte qenë edhe kryetar i LDK-së, por paraprakisht e kishte ngrirë postin partiak, sado që ky akt nuk kishte mjaftuar në gjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhjet e 2010 e nxjerrën përsëri Hashim Thaçin dhe PDK-në të parën nga partitë politike në Kosovë me 32 deputetë, ndërsa LDK-në me 29.

Thaçi ishte bërë bashkë në 2010 me AKR-në e Behgjet Pacollit, të cilit ia premtoi postin e Presidentit. Por Pacolli e mbajti këtë post vetëm një muaj për shkak se në këtë rast ndërhyri Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar si jo kushtetuese mënyrën e zgjedhjes së tij në Kuvend.

Kjo pastaj solli një shtrëngim duarsh në mes të përfaqësuesve më të lartë politikë e ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell, të cilët hapën zarfin e shumëfolur, prej së cilit Atifete Jahjaga u zgjodh presidente. Ajo mbetet presidentja e vetme e pas pavarësisë që e çoi mandatin 5 vjeçar deri në fund. Të paktën deri tash.

Përveç AKR-së, Thaçi ishte bërë bashkë edhe me disa parti tjera të vogla dhe me listën Rugova që në atë kohë kishin garuar fillimisht në një listë të përbashkët me AAK-në.

Qeveria Thaçi II zgjati deri në 2014, para se Thaçi ta dërgonte personalisht vendin në zgjedhje, pasi që atij i kishte dështuar nisma për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Thaçi e kishte dërguar vendin në zgjedhje pak muaj para se atij t’i përfundonte mandati i plotë si Kryeministër.

Në zgjedhjet e 2014 edhe pse PDK doli e para, Hashim Thaçit iu deshën mbi 6 muaj që ta thyejë bllokun opozitar që ishte krijuar ndaj tij. Fillimisht asnjë nga partitë tjera nuk pranonte të hynte në koalicion qeverisës më PDK-në. LDK, VV, AAK dhe Nisma kishin krijuar një bllok dhe njiheshin VLAN. Mirëpo pas 6 muajve, Hashim Thaçi e shkëputi L-në nga VLAN duke e marrë LDK-në në Qeveri dhe duke krijuar njërën nga Qeveritë me numrin më të madh të deputetëve.

Kjo marrëveshje politike e bëri Hashim Thaçin fillimisht ministër të jashtëm e më pas president, atëherë kur Jahjagës i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit, në prill të vitit 2016. LDK kishte pranuar që ta merrte postin e Qeverisë ndërsa kusht e kishin pasur që pas përfundimit të mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga, LDK ta votonte Hashim Thaçin për pasues të saj.

Rreth 1 vit më vonë, prej kur Thaçi u zgjodh President Republike, PDK-ja mbështeti mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë duke e rrëzuar Isa Mustafën nga pozita e Kryeministrit pas gati 2 vjet e gjysmë në pushtet.

https://kallxo.com/kuvendi-rrezoi-qeverine-mustafa/

As Qeveria e tretë e pasluftës nuk arriti ta çojë mandatin 4 vjeçar deri në fund.

Ndërsa sot, kur Ramush Haradinaj sapo ka hyrë në vitin e dytë të qeverisjes, kabineti i tij po rrezikon të rrëzohet.

Presidenti Hashim Thaçi, ish kryetar i PDK-së, dje haptazi e “kërcënoi” Haradinajt me zgjedhje të reja.

Këto dy figura të vjetra në skenën politike kosovare kanë që një kohë që zhvillojnë luftë deklaratash në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Thaçi si një gardian i idesë së korrigjimit të kufirit, dhe Haradinaj si një nga kundërshtuesit më të mëdhenj të kësaj ideje.

Mirëpo si duket, dje Presidentit iu sos durimi dhe përmes konferencës për media, ia bëri me dije Haradinajt se askush nuk e ka të sigurt pozitën e tij. Ai madje e quajti Haradinajn si kryeministër joserioz.

Kjo sipas njohësve të zhvillimeve politike në vend është një mesazh për zgjedhje të reja.

https://kallxo.com/thaci-i-pergjigjet-haradinajt-korrigjoji-deklaratat/