Qeveria e Kosovës - Foto: ZKM

Historia e eliminimit të kandidatëve nga gara për kryesues të ZRRE-së

Qeveria e Kosovës është përfshirë në skandalin e eliminimit të kandidatëve për kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Nga kjo garë është eliminuar në mënyrë tinëzare edhe kandidati më i poentuar.

Në korrik të këtij viti, kabineti qeveritar votoi raportin e komisionit vlerësues në të cilin ishin 4 emra për kryesues të Bordit të ZRRE-së, të cilët më pas do t’i procedoheshin Kuvendit për votim.

Por, pak ditë më pas, kur vendimi u shtyp, Kryeministri Haradinaj nënshkroi diçka tjetër. Dy emra ishin hequr në mënyrë të dyshimtë nga lista, dhe shefi i qeverisë i procedoi Kuvendit vetëm dy emrat e mbetur.

Për pozitën e kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, në mbledhjen e qeverisë ishte votuar raporti me 4 emra: Petrit Pepaj, Bekim Jakupi, Fadil Ismajli dhe Përparim Kabashi. Dy të fundit ishin hequr në mënyrë të dyshimtë nga lista, ani pse ishin votuar në mbledhjen e Qeverisë.

Gazeta JnK kishte shkruar në gusht për heqjen e dyshimtë të dy emrave nga lista. Pas raportimit të Gazetës, Komisionit për Zhvillim Ekonomik e kishte kthyer propozimin e qeverisë me dy emra duke kërkuar sqarime për heqjen e dy kandidatëve nga lista.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se dikush ia ka ndërruar vendimin e Qeverisë, por ka hezituar t’ia përmendë emrin.

“Ku me i gjet ata (persona që i kanë largu dy persona nga lista)”, ka thënë Haradinaj. “Unë kam deklaruar në paraqitjen publike që janë katër kandidatë, po në disa raste kam dëgjuar që është praktikë që nuk qohen 4 kandidatë për një vend, por është praktikë që shkojnë dy”, tha Haradinaj.

Misteri i eliminimit të konkurrentëve

Haradinaj nuk ka treguar se kush i ka hequr emrat nga lista.

‘Mua nuk m’kujtohet që i kam hjekë unë’, ka thënë Haradinaj kur është pyetur nëse ka qenë vendim i tij që të hiqen dy emra nga lista. Në pyetjen pasuese se kush ia ka hequr emrat nga vendimi i marrë më 24 korrik, Kryeministri ka thënë se “Dikush po, dikush po”.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Fitim Krasniqi, i cili nuk kishte pranuar të flasë para kamerës në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’, por në një përgjigje të dërguar në mënyrë elektronike ai nuk jep përgjigje në pyetjen se kush i dorëzon vendimet për nënshkrim te Kryeministri, por flet për rrugën para marrjes së vendimit.

“Në pajtim me nenin 36 të Rregullores së Punës së Qeverisë, draftet e vendimeve përgatiten nga propozuesi, pas konsultimit me Zyrën Ligjore, Zyrën për Planifikim Strategjik, Zyrën për Komunikim, nga Sekretariati Koordinues i Qeverisë përmes Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit dërgohen në Kabinetin e Kryeministrit për konsultim përfundimtar dhe nënshkrim nga kryeministri i Republikës së Kosovës, thuhet në përgjigjen e dhënë në emër të sekretarit Fitim Krasniqi.

“Drejtësia në Kosovë”, ka dërguar pyetje shtesë për të marrë përgjigje për gjithë rrugën që duhet ndjekur nga marrja e një vendimi deri te shtypja e tij në letër dhe nënshkrimi nga Kryeministri, por Zyra e Sekretarit dhe ajo e Kryeministrit nuk e kanë parë të arsyeshme të japin sqarime shtesë.

Pasi këta emra u shkuan deputetëve, çështja u ri aktualizua në tetor. Deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, kishin pyetur Zyrën e Kryeministrit, se pse nuk janë në listë Fadil Ismajli e Përparim Kabashi.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj në lidhje me ndryshimin e vendimit të Qeverisë, ka thënë se është bërë një pështjellim dhe se ai do të korrigjohet.

“Unë personalisht kam kontaktuar me zyrën e ZKM dhe duhet se është bërë një pështjellim dhe nga 4 emrat e votuar në qeveri kanë mbërri në komision vetëm 2 dhe besoj që qeveria brenda ditës së sotme ta korrigjojë këtë gabim dhe do të japë sqarim në formën e shkruar”, ka thënë ai.

Deputetja e Alternativës dhe anëtarja e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, Mimoza Kusari Lila e ka komentuar skandalin e heqjes së dy emrave nga vendimi i Qeverisë.

Sipas saj, kjo vepër duhet të hetohet dhe të sanksionet për falsifikim të dokumentit dhe vendimit të Qeverisë.

“Kjo është papërgjegjësi, kërkon edhe hetim por edhe sanksionim zyrtar për këdo që e ka bërë, por nëse është përpjekje politike, është përpjekje e ulët që të falsifikohen dokumentet dhe vendimet e Qeverisë dhe të vihen në lajthitje deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Mimoza Kusari Lila për emisionin Drejtësia në Kosovë.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami vlerëson se heqja e dy emrave nga lista e kandidatëve për kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë përveç që është shkelje procedurale, thotë se është edhe shkelje ligjore.

“E kemi marrë një përgjigje, e cila nuk ka qenë aspak e kënaqshme, Kryeministri në përgjigjen e tij me shkrim herën e kaluar thotë që ka punu sipas ligjit, por në fakt nuk është aspak sipas ligjit. Kjo, besoj është shkelje ligjore dhe procedurale sepse 4 kandidatë votohen në Qeveri, ndërkohë Kuvendit i përcjellën vetëm 2 kandidatë”, ka thënë deputetja Bajrami për emisionin Drejtësia në Kosovë.

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu e cilëson arbitrare qasjen e Qeverisë për t’i larguar 2 emra nga lista për kryesues të bordit të ZRRE-së.

Sejdiu thotë se për këtë çështje i kanë shkruar Zyrës së Kryeministrit, nga të cilët edhe kanë marrë përgjigje.

“I kemi shkru letër, kemi marrë përgjigje, e cila thirret në një ligj, i cili thotë që Qeveria obligohet t’i dërgoj Kuvendit minimalisht 2 persona për votë, pra ata thirren në këtë “minimalisht 2 persona” dhe i lejojnë vetës një qasje arbitrare për heqjen e personave më meritor”, ka thënë për Drejtësia në Kosovë, deputeti i PSD-së, Dardan Sedjiu.

Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation/KOSID ka thënë se për këtë çështje dikush duhet të hetohet dhe të marrë përgjegjësi.

“Ne si hulumtues e kemi shumë problem që pa ndonjë shpjegim, vendimi i shtypur është ndryshe e vendimi i marrë në mbledhje është ndryshe, është një problematikë shumë e madhe dhe për këtë dikush duhet të marrë përgjegjësi”, tha Gojani.

Sipas saj, bordi i ZRRE-së, asnjëherë deri më tani s’ka qenë më i politizuar.

Gojani në mes tjerash thotë se ky bord ka shumë kompetenca dhe vendos për shumë çështje në vendin tonë, andaj duhet bërë kujdes që në këto pozita të zgjidhen persona kredibil e të pavarur.

“Është shumë e rëndësishme që këta persona të jenë kredibil e të pavarur si dhe kjo agjenci të jetë e pavarur, sepse përveç që i caktojnë tarifat e energjisë, ky bord i jep edhe licencat për kompanitë që investojnë në prodhimin e energjisë elektrike dhe ajo që ua miraton të hyrat maksimale, kompanisë që tashmë është e privatizuar, KEDS”, tha në mes tjerash Gojani.

Më 16 tetor, ministri Valdrin Lluka në mbledhjen e Qeverisë propozoi që të shtohen dy kandidatët, Fadil Ismajli dhe Përparim Kabashi, të cilët ishin hequr në mënyrë misterioze nga lista, ani pse të njëjtit ishin votuar edhe në mbledhjen e 24 korrikut.

Ambasada Britanike, e cila ka marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ka thënë për emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ se ata kanë rekomanduar tre kandidatë për këtë pozitë.

“Ambasada Britanike përmes partnerit implementues ka qenë e përfshirë në procesin rekrutues për kryesues të bordit të ZRrE-së. Partneri implementues i ka rekomanduar Qeverisë tre kandidatë që kanë dalë si më të suksesshëm në procesin intervistues. Të gjithë këta kandidatë kanë treguar përgatitje të mjaftueshme profesionale për pozitën e lartpërmendur”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Hulumtimin e plotë të ‘Drejtësia në Kosovë’ për këtë rast mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

 

.

25 Tetor 2018 - 15:36

Taulant Osmani, Erjonë Popova 25/10/2018 - 15:36
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend