Sami Lushtaku e Hashim Thaçi - Foto: Facebook/SamiLushtaku

Heshtja e Kadri Veselit para Sami Lushtakut

Para rreth 2 jave, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli kishte marrë vendim që t’i largojë nga partia personat që kanë aktakuza.

Këtë vendim, Veseli e kishte marrë vetëm 3 ditë pasi që ishte votuar për tu rizgjedhur kryetar i partisë.

“Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, kishte deklaruar Veseli më 19 qershor në konferencë për media.

Mirëpo, kjo po del të jetë veç një kërkesë e Veselit, e cila mbetet nën vullnetin e zyrtarëve që kanë aktakuza, nëse dëshirojnë të lirojnë pozitat e tyre brenda partisë apo jo.

Gazeta Jeta në Kosovë merr vesh se zyrtarisht, PDK, nuk i ka kërkuar asnjërit prej zyrtarëve të partisë të liroj postet.

Në PDK pretendojnë se ky është një vendim që duhet respektuar dhe nuk i komentojnë deklaratat e zyrtarëve të PDK-së.

Gazeta JnK ka provuar të kontaktoj sot zyrtarët e PDK-së për t’i pyetur nëse i kanë kërkuar zyrtarisht largimin nga partia, personave të apostrofuar nga Veseli, por ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë.

Ish kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, tani kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj ka “probleme” me ligjin.

Ndaj tij, rëndojnë dy aktakuza, e para për rastin e njohur si KEK2 për veprën penale të shtytjes në keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa aktakuza tjetër ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja në kohën sa Lushtaku ndodhej në paraburgim në Rastin “Drenica”.

Lushtaku para 8 ditësh, përmes një deklarimi në Facebook, kishte thënë se mandatin e kryetarit të degës, ia marrin ata që e kanë votuar dhe askush tjetër.

Ai kishte bërë edhe akuza të mëdha në drejtim të partisë, duke thënë se janë disa bashkapartiak të tij që kontrollojnë cdo gjë në Kosovë, përfshi drejtësinë, mediat dhe bizneset.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë”, kishte shkruar Lushtaku në Facebook.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 1 javë prej këtij deklarimi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli nuk është deklaruar për media.

Ai nuk iu është përgjigjur akuzave të bashkë partiakut të tij.

Kryetari i Kuvendit nuk ka ftuar asnjë konferencë për media që nga kjo.

KALLXO.com, javën e kaluar ka kontaktuar më shumë se gjysmën e deputetëve të PDK-së për t’i pyetur në lidhje me akuzat e Sami Lushtakut se janë 4-5 persona brenda PDK-së që kanë në dorë drejtësinë, bizneset dhe mediat në Kosovë.

Ata nuk i kishin komentuar këtë deklaratë duke thënë se s’kanë dijeni për çështjen në fjalë.

Disa prej zyrtarëve të PDK-së tashmë e kanë pranuar vendimin e kreut të partisë duke premtuar se do të largohen nga politika deri të merret vendimi përfundimtar nga Gjykatat.

Qemajl Mustafa, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan kishte deklaruar për KALLXO.com se e ka mirëpritur vendimin e Veselit.

“Po, patjetër. Unë e kam mirëpritur shumë këtë vendim të kryetarit, të drejtën me thënë ka qenë vendim i vonuar. Ende nuk e kam pranuar vendimin por e pash në bazë të mediave por të drejtën me thanë është i qëlluar”, kishte deklaruar Mustafa për KALLXO.com.

Një tjetër zyrtar i PDK-së që e kishte pranuar vendimin e Veselit ka qenë edhe ish-kryeministri Agim Çeku.

“Unë jam ushtar dhe vendimet eprore respektohen. Kjo punë është e përfundume nga vendimi i kryetarit të partisë”, kishte deklaruar Çeku për KALLXO.com.

Ndaj Çekut rëndon aktakuza për fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vendimin e kishte pranuar edhe këshilltari i vet Veselit, Njazi Kryeziu, i cili është njëri nga të akuzuarit në rastin “Pronto”.

Ndërsa, Sami Lushtaku e Sokol Bashota që kanë aktakuza nga Prokuroria e Shtetit kanë deklaruar se nuk do të largohen nga partia.

Dytë këta, kanë deklaruar se aktakuzat të cilat i rëndojnë nuk kanë të bëjnë me llojin e aktakuzave për të cilat ka folur kryetari i partisë.

Sami Lushtaku madje kishte akuzuar edhe disa zyrtarë të PDK-së, duke i numëruar 5 prej tyre por pa përmendur emra, që sipas tij kanë në dorë gjithçka në Kosovë. Ai përmes një shkrimi në Facebook kishte kërkuar largimin e tyre nga partia.

Në anën tjetër, ish kryetari i PDK-së, tani kryetar i degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota kishte dekaruar shkurtimisht se vendimi i Kadri Veselit “nuk e kap” atë.

“Nuk jam i dënuar për korrupsion dhe nepotizëm e as për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, https://kallxo.com/sokol-bashota-heziton-te-liroje-pozitat-e-tij-pas-vendimit-te-kadri-veselit/kishte thënë shkurt Bashota për KALLXO.com.

https://kallxo.com/zyrtaret-e-larte-te-pdk-se-me-aktakuza-qe-u-shkarkuan-nga-kadri-veseli/