Hani i Rrënuar, Aktakuza dhe Darka e ‘Mistershme’

Hani i familjes Mullafazliu, një prej objekteve të rralla në Prizren, kaloi më 2 gusht të këtij viti në pronësi të një biznesmeni të shitjes së tekstilit.

Tri ditë më vonë u rrënua.

Arben Berisha, pronar i butikut “Beni”, në Prizren thotë se kishte leje për ta rrënuar.
 
 “Kam blerë vend që ka kushtuar 500 mijë euro. Kush kishte me marrë kësi vendi pa pasur dokumente,” thotë Berisha.

As gjoba e shqiptuar nga Inspektorati Komunal nuk e ka bindur Berishën se rrënimin e ka bërë kundërligjshëm.

“Inspektorati kanë ardhë edhe ma kanë lëshu një gjobë prej 500 eurosh të cilën e kam pagu, ngase në momentin e prishjes nuk e kam poseduar lejepëlqimin nga Drejtoria e Inspektoratit, e kam pas vetëm atë të ministries,” thotë Berisha.

Ministria e Kulturës mohon se ka dhënë leje për rrënimin e Hanit të Familjes Mullafazliu.
 “MKRS respektivisht Komisioni per  Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave dhe Projekteve Restauruese –Konservuese të Trashëgimisë Kulturore nuk ka dhënë lejepëlqim për rrënimin e Hanit dhe as që është në mandatin e komisionit dhënia e lejeve apo pëlqimeve për rrënim,” tha Aliu nga MKRS.

Aliu thotë se ky komision ka bërë vetëm vlerësimin e gjendjes së objektit dhe ka rekomanduar që çdo veprim të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Ne nuk jemi përgjegjës për dhënie të lejeve për rrënime,” thotë Aliu.

Komisioni konkludoi se 80 për qind e ndërtesës ka pësuar dëme të pakthyeshme dhe se në rast restaurimi vetëm 20 për qind od të jetë origjinale, ndërsa pjesa tjetër duhet të riindërtohet.

Ngjashëm thotë edhe Samir Hoxha, nga Qendra Regjionale e Trashegimisë Kulturore në Prizren.
Hoxha thotë se kanë dalë në terren pas kërkesës për rrënim të bërë nga familja Mullafazliu.

“QRTK-ja e Prizrenit përmes raportit ka paraqitur gjendjen reale të ndërtesës, mundësitë dhe problematikën. Ky raport është diskutuar edhe në Komision, po i njëjti nuk ka mandat dhënien e lejeve apo pëlqimeve për rrënim,” tha Hoxha.

Hoxha konfirmoi se Hani i Familjes Mullafazliu ka qenë në listën e ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

“Hani dhe shtëpia e familjes Mullafazliu ka qenë në listën e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit (kategoria “objekte banimi” nr. 13),” thotë Hoxha.

Por Nizam Mullafazliu, njëri nga trashëgimtarët e kësaj familjeje tha se ky objekt asnjëherë nuk ka qenë nën mbrojtje si objekt i trashëgimisë kulturore.

Objekti, sipas tij, ka rrezikuar jetën e pronarëve dhe kalimtarëve.

“Objekti ka qenë gjysmë i rrënuar me vite, pa kurrfarë vlere arkitektonike, thjesht shtalla, tavanë për sanë dhe 3 dhoma të fjetjes. Përndryshe në Prizren janë rrënuar shumë objekte me vlerë, por askush nuk ka reaguar sepse kanë qenë të ‘fortë’, por këtu i kanë gjetur të butit,” tha Mullafazliu.

Ai thotë se kishte dashur t’ia shiste komunës objektin, por ideja e tij nuk ishte mbështetur nga autoritetet komunale.

Pas refuzimit kishte vrapuar për të nxjerrë leje për rrënimin e shtëpisë.

“Ne bëmë kërkesë në Drejtorinë e Urbanizmit, ata na udhëzuan të kërkojmë leje nga Enti i Mbrojtjes së Monumenteve, pastaj këta na drejtuan të kërkojmë leje nga Ministria e Kulturës dhe komisioni miratoi kërkesën…në ndërkohe e shitëm patundshmërinë dhe dokumentet i dorëzuam pronarit të ri, më tutje vazhduan ata vetë,” thotë Mullafazliu.

Për rrënimin e Hanit të Familjes Mullafazliu, reagim të menjëhershëm pati shoqëria civile.

Organizata joqeveritare  “Ec ma ndryshe”, rrënimin e këtij objekti e quajti dështim i radhës i institucioneve në mbrojtjen e trashëgimisë së Prizrenit.

Ai thotë se investuesi nuk e posedon lejen e rrënimit nga Drejtoria e Urbanizmit.

“Kemi bërë të ditur se institucionet edhe tri javë pas rrënimit nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim ligjor lidhur me këtë rast,” thotë Hajrulla Çeku nga “Ec ma Ndryshe”, kur pyetet për hapat që ka ndërmarrë kjo organizatë joqeveritare.

Aktakuza

Rrënimi i këtij objekti i ka kushtuar Arben Berishës me deponim të kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Kallëzimin penal e ka deponuar më 1 shtator  2015 Drejtoria komunale e Inspeksionit.

Kryeinspektori komunal Bedri Bytyqi konfirmoi se më 6 gusht të këtij viti i kanë shqiptuar Berishës  dënimin me gjobë  në vlerë prej 500 eurosh.

Bytyqi tha se ndëshkimi është bërë bazuar në Udhëzimin Administrativ 20/2013 për shkak të mosprezantimit të dokumenteve në vend punishte.

Ai i referohet mungesës së lejes për rrënim.

Edhe Nijazi Kryeziu, drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren, thotë se objekti i Hanit nuk ka pasur leje për rrënim.

Përveç kallëzimit penal të autoriteteve komunale edhe Prokuroria e Prizrenit konfirmoi se ka lëvizur drejt zbardhjes së këtij rasti.

Sylë Hoxha, kryeprokuror në Prizren, i deklaroi Gazetës Jeta në Kosovë se më 31 gusht ka autorizuar policinë për të mbledhur informata lidhur me këtë rast.

Ndërsa një ditë më vonë është pranuar kallëzimi penal nga Inspeksioni Komunal kundër të dyshuarit Arben Berisha, për shkak të veprës penale dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paatorizuar e monumenteve, ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”.

Hetimet e autorizuara nga Hoxha kanë rezultuar me ngritje të aktakuzës.

“Prokurori i çështjes pas shqyrtimit të hollësishëm të shkresave përcjellëse të  lëndës dhe provave të bashkëngjitura me datë 04.09.2015, është ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren kundër të dyshuarit Arben Berisha për veprën e cekur më lartë,” konfirmoi Hoxha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Fotoja e diskutuar

Një ditë para se objekti të rrënohej më 6 gusht, kishte ndodhur që biznesmeni Arben Berisha dhe kryeinspektori Bedri Bytyqi të darkonin së bashku.
 
Takimi kishte ndodhur më 5 gusht.

Biznesmeni Berisha e konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se ka darkuar me kryeinspektorin një natë para se ta rrënonte objektin. Thotë se ka shoqëri qe 20 vjet me kryeinspektorin.

“Atë natë që kemi dalë në foto, kemi ba muhabet shoqëror. Mirëpo në ndërkohë ia kam përmend që kam ble vend dhe kam me e rrënu. Bedriu më ka thënë ‘bëni dokumentet gati edhe nuk ke me pasë problem’. Asgjë nuk më ka premtuar, edhe pse më ka shok dhe nuk ka vazhduar më tutje,” thotë Berisha.

Takimin në darkë e konfirmoi edhe kryeinspektori Bytyqi. Edhe ai ngjashëm si Berisha thotë se kanë miqësi të vjetër mes vete.

Bytyqi thotë se shqiptimi i gjobës dhe ngritja e kallëzimit penal ndaj Berishës dëshmojnë objektivitetin e tij në ushtrimin e pozitës zyrtare.

“Sa i përket fotos e cila ka qarkulluar në rrjetet sociale është e vërtet[ se qytetarin në fjalë e kam mik të vjetër si plot qytetarë të Prizrenit dhe foto nuk ka asgjë të përbashkët me objektin të cilin e ka blerë pala dhe punës zyrtare të cilën e ushtroj unë si zyrtar i Komunës së Prizrenit,” thotë ai.

Derisa Berisha thotë se i ka treguar kryeinspektorit se do ta rrënojë objektin, tjetër gjë thotë Bytyqi.

Kryeinspektori Bytyqi deklaron se nuk kanë biseduar lidhur me objektin në fjalë dhe këtë mund ta dëshmojnë edhe miqtë tjerë që kanë qenë presentë në takim.