Gruaja e deputetit të AAK-së punësohet në ndërmarrje publike

Gruaja e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj është punësuar si koordinatore juridike në kompaninë regjionale të mbeturinave “Pastrimi”.

Hateme Demaliaj është punësuar në pozitën e koordinatores juridike në këtë kompani në dhjetor të vitit të kaluar.

Kontrata është nënshkruar më 14 dhjetor të vitit të kaluar dhe përfundon me 10 pril të këtij viti.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë deputeti Demaliaj në një prononcim për KALLXO.com

Sipas tij, punësimi i saj nuk është mundësuar nga ndikimi politik i AAK-së.

“Po është e punësuar. Kjo s’ka të bëjë asgjë me Aleancën. Gruaja ime është e punësuar, kontratën e ka të nënshkruar prej ish-drejtorit, ka kontratë pune me të, nga dikush që është i afërt me LDK-në bile, se u ba politike kjo”, tha për KALLXO.com, deputeti Shkumbin Demaliaj.

Paga e Hateme Demaliaj është 439 euro plus 2.5 euro për shujtë ditore për ushqim.

Kontrata është e nënshkruar nga ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrje Feim Salihu.

Kontrata e punës së Hateme Demaliajt Foto: KALLXO.com