Rexhep Tajip Erdogan. Foto Anadolu Agency Kayhan Ozer

Grindja Gjermano-Turke Kërcënon Rolin e BE-së në Ballkan

Përshkallëzimi i krizës mes Turqisë dhe Gjermanisë mund ta shtyjë Turqinë të bëhet një faktor i paqëndrueshmërisë në Ballkan, duke i detyruar bashkësitë e fuqishme myslimane në rajon të zgjedhin midis besnikërisë së tyre ndaj BE-së dhe Turqisë, thonë ekspertët.

Turqia mund të afrohet me Rusinë, gjë që do të shqetësonte ekuilibrin gjeostrategjik në Ballkan ose mund të fillojë të përdorë refugjatët si një kërcënim në bisedimet me udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit.

Secili kurs mund të destabilizojë Ballkanin dhe të rrezikojë aspiratat e këtyre vendeve për anëtarësim në BE dhe NATO, thonë ekspertët.

Kriza që zien prej kohësh me Gjermaninë mori një kthesë të re përkeqësimi në javët e fundit në prag të zgjedhjeve në Gjermani.

Në fund të gushtit, Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel e akuzoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan se nuk i mori seriozisht bisedimet për pranim në BE dhe tha se Turqia nuk do të ishte kurrë anëtare e BE-së për sa kohë që drejtohej nga Erdogan.

Më herët, Erdogan u bëri thirrje turqve etnikë në Gjermani që të mos votojnë për partitë kryesore – Social Demokratët, SDP, ose Kristian Demokratët e Angela Merkelit, CDU, në zgjedhjet e 17 shtatorit.

“Mos e mbështesni CDU-në, SPD-në apo të Gjelbrit. Ata janë të gjithë armiq të Turqisë “, deklaroi Erdogan pas namazit të së premtes në Stamboll më 18 gusht.

Ai i akuzoi partitë se ishin “armiq të Turqisë” gjatë garës elektorale.

“Nuk do të tolerojmë asnjë ndërhyrje”, iu përgjigj Merkel Turqisë gjatë një fushate në qytetin perëndimor Herford, ndërsa Ministri i Jashtëm Gabriel e përshkroi deklaratën e Erdogan si ndërhyrje “të paprecedent” në sovranitetin e Gjermanisë.

Përveç kësaj, daljes së saj televizive të dielën, Merkel tha se “Turqia nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së”, duke shtuar se ajo do të arrijë një qëndrim të përbashkët me kolegët e saj në Bashkimin Europian për t’i dhënë fund bisedimeve në vazhdim për pranimin.

Marrëdhëniet midis dy partnerëve të mëdhenj tregtarë dhe aleatëve të NATO-s janë tensionuar që nga grushti i dështuar i shtetit vitin e kaluar.

Që atëherë, regjimi i Erdoganit ka shkarkuar ose pezulluar më shumë se 160,000 njerëz nga postet dhe ka arrestuar më shumë se 60,000 persona.

Këtu përfshihen disa shtetas gjermanë. Sipas gazetës gjermane Heilbronner Stimme më 25 gusht, bazuar në burimet e Ministrisë së Jashtme gjermane, 10 shtetas gjermanë, përfshirë korrespondentin gjerman të Die Ëelt, Deniz Yucel dhe aktivistin e të drejtave të njeriut Peter Steudtner, u arrestuan në Turqi pas grushtit të dështuar të shtetit.

Ndërkohë që grindja e Berlinit me Turqinë, një lojtare kyçe në Lindjen e Mesme, shqetëson BE-në dhe NATO-n, ajo mund të ketë pasoja negative edhe për Ballkanin, thonë ekspertët.

“Kriza nuk është vetëm midis Gjermanisë dhe Turqisë. Është një krizë europiane që do të ketë pasoja të caktuara për Ballkanin,” tha për BIRN një ekspert i politikës së jashtme turke në kushte anonimiteti për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Kriza pritet të përkeqësohet:

Angela Merkel. Foto: Anadolu Agency/Maurizio Gambarini

Grindja diplomatike është rezultat i drejtpërdrejtë i grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar dhe reagimit të qeverisë së Erdoganit ndaj saj.

Në sytë e Gjermanisë, Erdogan ka përdorur grushtin si një pretekst për të shuar të gjithë zërat kritikë të brendshëm.

“Sipas Gjermanisë, Erdogan është një udhëheqës autoritar, rrënjët e të cilit janë në islamin politik dhe i cili akuzon Gjermaninë për ndjenja anti-turke dhe anti-myslimane”, shtoi i njëjti ekspert.

Në prill, votuesit turq mbështetën me rezultat të ngushtë kërkesën e Erdogan për më shumë fuqi përmes nje referendumi të diskutueshëm.

Para referendumit, autoritetet gjermane e zemëruan Erdoganin duke mos lejuar politikanë turq në favor të tij të flisnin në tubimet që donin të organizonin në Gjermani.

Në përgjigje, Erdogani i krahasoi autoritetet gjermane me regjimin nazist të Hitlerit dhe më vonë i ndaloi ligjvënësit gjermanë të vizitonin trupat e tyre në Turqi, në mënyrë që Gjermania t’i zhvendoste ato në Jordani.

Që nga deklaratat më të fundit të Erdoganit, Merkel ka dorëzuar një nga paralajmërimet e saj më të ashpra ndaj Ankarasë, duke përjashtuar zgjerimin e BE-së për të përfshirë edhe Turqinë dhe çdo bashkim doganor me të.

I njëjti ekspert i cituar më lart tha se kriza mes Gjermanisë dhe Turqisë ka gjasa të vazhdojë, pasi situata politike midis Turqisë, Gjermanisë dhe BE-së nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm.

Ai tha se druhej se kriza BE-Turqi në fakt do të përshkallëzojë për shkak të problemeve të brendshme dhe të jashtme në rritje të BE-së, përfshirë largimin e planifikuar të Britanisë së Madhe në vitin 2019, kërcënimet terroriste dhe luftën e vazhdueshme në Siri.

“BE përballet me largimin e një vendi anëtar [Britanisë] dhe tani Turqia… nuk vepron si një vend kandidat për në BE; kjo është një përvojë për herë të parë për BE-së”, tha ai.

“Nga ana tjetër, Erdogan e ka pozicionuar Turqinë kundër BE-së dhe vlerave të saj”, shtoi ai.

Ankaraja mund të prishë rendin në Ballkan

Dimitar Bechev, anëtar i lartë jorezident në Këshillin Atlantik një organizatë analistësh si dhe drejtor i Institutit të Politikave Europiane në Sofje, tha për BIRN se ndërsa Turqia nuk mund të prishë politikat e përgjithshme të BE-së në Ballkan, ajo mund të luajë një rol ngatërrestari.

Turqia mund të ndërhyjë më fuqishëm në Bosnjën e ndarë etnikisht, për shembull, duke përkeqësuar konfliktin ekzistues ndërmjet serbëve të Bosnjës dhe Sarajevës.

Grindjet e Erdoganit me Gjermaninë dhe BE-në mund të pengojnë imazhin e BE-së në Bosnje dhe në vende të tjera me një popullsi të konsiderueshme myslimane, tha Bechev.

Turqia tashmë është bërë një lojtar i rëndësishëm në Ballkan gjatë dekadës së fundit dhe ka krijuar lidhje më të ngushta ekonomike dhe kulturore me të gjitha vendet atje.

Imazhi i Turqisë është veçanërisht më i fuqishëm midis myslimanëve të Ballkanit dhe liderëve të tyre.

Megjithatë, Bechev tha se Ballkani për momentin nuk ishte prioritet për Turqinë. “Vëmendja e Turqisë është e drejtuar nga lufta në Siri dhe ndaj ngjarjeve në atdhe. Politikat në Europën Juglindore janë shumë poshtë listës së detyrave,” shtoi ai.

Sipas Bechev, as presidenti i Kosovës Hashim Thaçi as anëtari i presidencës boshnjake Bakir Izetbegoviç nuk janë shumë të vëmendshëm ndaj Erdoganit, pasi kanë çështjet e tyre të brendshme.

Ndërkohë, DOST, partia turke e mbështetur nga Erdogani në Bullgari dhe BESA, një parti shqiptare në Maqedoni, e cila njihet se është e afërt me Erdoganin, nuk janë lojtarë të rëndësishëm lokalë.

Bechev tha se BE-ja mbetet opsioni i vetëm afatgjatë për shtetet e Ballkanit.

“As Rusia dhe as Turqia nuk janë konkurrente të plota ndaj BE. Ata nuk kanë shumë për të ofruar – siç mund të jetë aksesi në treg, para dhe kapital politik. Por të dyja kanë mundësi të luajnë rolin e ngatërrestarit, të cilin Rusia e ka treguar në vitet e fundit,” përfundoi ai.

Një eksperte turke e marrëdhënieve BE-Turqi tha për BIRN në kushte anonimiteti se Ankaraja mund të përdorte frustrimin e Ballkanit për ritmin e ngadaltë të integrimit dhe pranimit në BE.

“Tani procesi i zgjerimit do të marrë më shumë kohë… dhe askush nuk e di kur do të përfundojë,” tha ajo.

Në këtë situatë, ku shpresat ballkanike e zgjerimit të BE-së vazhdojnë të dobësohen për shkak të problemeve të vetë BE-së, Turqia ka mundësi të pengojë këto marrëdhënie.

“Nëse Turqia humb lidhjet e saj me BE-në, Erdogan mund të përpiqet të përdorë ndikimin e vet në Ballkan, për të treguar fuqinë e tij dhe për të provuar se Turqia është një vend i rëndësishëm”.

“Në këtë rast, Ballkani do të jetë një shesh lojërash për Erdoganin dhe Turqia mund të ndjekë një politikë të jashtme agresive kundër BE-së në Ballkan,” tha ajo.

Për shembull, shtoi ajo, “Erdogani mund të përdorë krizën e refugjatëve kundër BE-së në Ballkan dhe t’i detyrojë vendet e Ballkanit të punojnë me të, pasi refugjatët duhet të kalojnë në Ballkan për të shkuar në Europë”.

E njëjta eksperte tha se, në zënkën e vet me BE-në dhe Gjermaninë, Erdogani do të përdorte gjithashtu ndikimin e tij te krerët dhe komunitetet myslimane në rajonin e Ballkanit.

“Erdogan ka marrëdhënie të mira me krerët e tjerë si Aleksandër Vuçiç në Serbi dhe ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski. Ata mund të mos kenë shumë gjëra të përbashkëta, por mund të punojnë së bashku kur shohin një interes të përbashkët, si te kriza e refugjatëve, apo për përfitime ekonomike ose politike. Për shembull, Serbia dhe Turqia vazhdojnë të përmirësojnë tregtinë mes tyre përkundër deklaratave të tyre kontradiktore,” tha ajo.

Ekspertja shtoi se nëse Erdogan punon me liderë të tjerë autoritarë që kanë të njëjtin interes si ai në një lloj “ligji autoritar”,  ky do të ishte një lajm i keq për BE në Ballkan.

Ajo shtoi se çdo përshkallëzim i krizës turko-gjermane mund të afrojë Turqinë dhe Rusinë, duke ndryshuar balancën e pushtetit në rajon.

“Turqia dhe Rusia bashkëpunojnë kur shohin një interes të përbashkët… dhe Rusia është përpjekur tashmë të dëmtojë BE-në [në Ballkan] dhe mund të ndihmojë Erdoganin nëse ai vendos të luajë rolin e ngatërrestarit në rajon”, tha ajo.

“Rusia po e luan rolin e ngatërrestarit tani dhe mund të luajë rolin edhe më të mirë dhe në mënyrë më efektive me Turqinë. Në këtë rast, mund të presim që reformat dhe integrimet në BE të ngadalësohen, demokracitë liberale të dobësohen dhe ndjenjat anti-BE në rajon të rriten”.

Ajo përfundoi me një paralajmërim se kriza turke ka potencialin të jetë “një provë e madhe për BE-në”, të cilën ajo duhet të kalojë. “Përndryshe, integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor do të dështojë.”