Graçanica në telashe me borxhet dhe me zbatim të kontratave

Komuna e Gracanicës, buxhetin e saj, e kishte shpenzuar kryesisht në muajin e fundit të vitit, si dhe kishte ngecje në realizim të projekteve kapitale. Madje, kjo komunë e vogël një pjesë të buxhetit ia ka ekzekutuar Ministria e Financave për shkak të shkeljeve vendimeve gjyqësore.

Çështje e rëndësishme është edhe ekzekutimi i buxhetit nga pagesat direkte të Thesarit sipas nenit 39.2 të LMFPP në vlerë 490,852€, për shkak se komuna ka hyrë në obligime pa zotime të mjaftueshme të mjeteve. “ thuhet në raportin e Auditorit të Pasqyrave financiare për komunën e Gracanicës për vitin 2017.

Auditori kishte gjetur shkelje edhe pagesat që ishin bërë. Pagesa për “Pastrimin, mirëmbajtjen e rrugëve” në vlerë 44,799€, sipas auditorit, ishte bërë gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale derisa natyra e shërbimit ishte e mallrave dhe shërbimeve dhe si e tillë ishte buxhetuar. Ndersa në tri pagesa tjera në vlerë 106,282 euro, kodet ekonomike ishin evidentuar gabimisht brenda kategorisë së investimeve kapitale.

Auditori gjen se komuna ka punësuar katër punëtorë për marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedura të rekrutimit.

“Komuna, kishte punësuar katër punëtorë të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta, ku kontrata ju vazhdohet çdo gjashtë muaj. Për më tutje, komuna për këta të punësuar nuk kishte aplikuar procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me aktet e përcaktuara ligjore”, thuhet në raportin e Auditorit.

Në raport thuhet se komuna, kishte lidhur marrëveshjen me KRM “Pastrimi”sh.a, për ofrimin e shërbimeve komunale “Bartja e mbeturinave” si dhe “Mirëmbajtja e higjenës publike”. Sipas marrëveshjes, shpenzimet mujore për kryerjen e këtyre dy shërbimeve arrijnë vlerën 25 mijë e 67 euro. Gjatë testimit të lëndëve, auditori thotë se identifikuam se raporti për shërbimet e kryera ishte i mangët, dhe i hartuar nga një zyrtar për të cilin nuk kishte ndonjë vendim lidhur me mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e marrëveshjes.

Në fushën e investimeve kapitale, auditori thotë se komuna kishte pranuar fatura pa zotim të mjeteve dhe pagesa jo sipas afatit të paraparë.

“Në procesimin e tri pagesave në vlerë prej 154,907€, fillimisht ishin pranuar faturat, ndërkaq më vonë ishte bërë zotimi i mjeteve, kërkesa për shërbime dhe urdhërblerja. Pagesa për “Furnizimin e pajisje mjekësore” në vlerë 36,473€, nuk ishte paguar sipas afatit të paraparë brenda 30 ditëve siç parashihet me rregullën financiare”, thuhet në të gjeturën e auditorit.

Tutje auditoi përmend projektet të cila kanë pas ngecje në realizim të punëve. Te kontrata “Rikonstruktimi i terreneve sportive pranë shkollave në Komunën e Graçanicës” me vlerë 30,626 euro e nënshkruar në muajin gusht 2017, ka ngecje në realizim të punëve.

“Sipas kontratës punët ishin paraparë të fillojnë tri ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe të përfundonin brenda dy muajve. Deri në periudhën e terenit (mars 2018), pas shtatë muajve ishin realizuar vetëm dy situacione, derisa situacioni i tretë ishte në proces. Sipas diskutimeve me menaxherin e kontratës, kjo kishte ndodhur si pasojë e kushteve atmosferike, mirëpo sipas ditarit të punëve, ishte specifikuar se nuk ishte punuar vetëm 14 ditë”, thuhet në raport.

Borxhet që të tjerët i kanë komunës vazhdojnë të rriten përderisa komuna nuk ka vendosur procedura për arkëtimin e tyre.

“Mungesa e një analize për të identifikuar/nxjerrë shkaktarët e mos mbledhjes se të arkëtueshmeve ka rezultuar me një inkasim të dobët të tyre. Po ashtu, në tre raste, është vërejtur se kartelat individuale të tatimpaguesit në sistemin e ProTax-it, nuk ishin azhurnuar me kohë”, thotë auditori.

Adresimi i rekomandimeve të auditorit të dhëna më parë është shoqëruar me mangësi.

“Disa prej rekomandimeve si: mangësitë në prezantimin e pasurisë, mos hartimi i regjistrit të rreziqeve, mos inspektimi i objekteve/lejeve ndërtimore, si dhe rritja e llogarive të arkëtueshme janë të gjetura të përsëritura në raportet e auditimit në vitet e fundit”, thotë auditori.

Edhe auditimi i brendshëm kishte dal me raporte dhe rekomandime, por komuna nuk e kishte marrë edhe aq seriozisht zbatimin e rekomandimeve.

Njësia e Auditimit të Brendshëm në 11 raportet e auditimit kishte dhënë gjithsej 57 rekomandime se si menaxhmenti të përmirësojë funksionimin e kontrollit të brendshëm, por kryetari nuk i kishte marr parasysh. “Niveli i zbatimit të rekomandimeve ishte i ulët. Nga gjithsej rekomandimet e dhëna, tetë ishin zbatuar, 31 ishin në proces të zbatimit ndërsa pjesa tjetër nuk ishin zbatuar. Kjo pasqyron mungesën e fokusit nga menaxhmenti për të siguruar që rekomandimet të zbatohen nga komuna me kohë”, thuhet në raportin e Auditimit për komunën e Graçanicës.

Gjithashtu në raport përmendet se komuna duhet të përmirësohet në kontrolla menaxheriale dhe mungesë të llogaridhënies.

“Rishikimi ynë i kontrolleve menaxheriale të zbatuara në sistemin financiar kryesor të komunës ka nxjerr në pah se angazhimet e përgjithshme të kontrolleve kërkojnë përmirësim, në veçanti në lidhje me realizimin e buxhetit për investime kapitale, regjistrimin dhe raportimin e pasurive si dhe menaxhimin e llogarive të arkëtueshme. Komuna, ende nuk ka hartuar regjistrin e rreziqeve. Ajo, ka marrë iniciativë për të punuar në hartimin e regjistrit të rreziqeve, mirëpo ende nuk ka rezultate/ veprime konkrete. Kjo përbën mungesë të llogaridhënies tek menaxhmenti i lartë lidhur me menaxhimin e rreziqeve”, thuhet në raportin e Auditorit.