Ilustrim

Grabitja akademike, abuzimi me normë në UP

Gëzim Hodolli e kishte ditur saktësisht motivin nga i cili ishin udhëhequr tre anëtarë të një komisioni recensues, kur muaj më parë ia kishin mohuar mundësinë për t’u zgjedhur profesor i fizikës. Konsideronte se po pengohej, ngaqë dy nga ta donin t’i ruanin për vete si mbinormë orët për të cilat ishte shpallur konkursi.

Për t’u zgjedhur në gradën akademike profesor asistent për lëndë nga fusha e fizikës që duhej të ligjëroheshin në Fakultetin e Edukimit, Hodolli përmbushte të gjitha kriteret që i përmban Statuti i Universitetit të Prishtinës (UP). Vetë Komisioni recensues e kishte pranuar se, për të marrë këtë gradë, posedonte mjaftueshëm edhe punime shkencore në revista me faktor impakti. Por nuk e kishin propozuar, nën arsyen se ishte “inxhinier i fizikës”, titull i fituar me rastin e diplomimit në studimet bazë. Kësisoj, Komisioni kishte relativizuar fushën në të cilën ai kishte realizuar studimet e mëpastajme – të magjistraturës dhe të doktoratës.

Kur Hodolli i është ankuar për këtë Këshillit të Fakultetit, ka përmendur motivin, pas të cilit qëndronte vlerësimi negativ që profesorët recensentë i kishin dhënë.

“Në ankesën time kam potencuar se Komisioni vlerësues ka konflikt interesi në këtë çështje. Profesori Zeqir Shaqiri, por edhe profesori Zahadin Shemsedini, në vitet e kaluara i kanë mbajtur orët mësimore për të cilat kam aplikuar. Kjo u vërtetua, sepse nëse e shikoni orarin aktual të ligjëratave të Fakultetit të Edukimit, do t’i gjeni emrat e anëtarëve të komisionit, të cilët më shkruan recension negativ”, thotë Hodolli, teksa mban në dorë si dëshmi kopjen e ankesës. “Pra, po të isha zgjedhur unë mësimdhënës për lëndët në fjalë, të dy profesorët nuk do t’i gëzonin pagesat shtesë për orët mbi normë”.

Koha i ka dhënë të drejtë. Viti i ri akademik ka nisur më 1 tetor dhe Fakulteti i Edukimit ka publikuar edhe orarin e ligjëratave për semestrin dimëror.

Profesori Zahadin Shemsedini ka mbërritur moshën e pensionimit, por në mungesë të një profesori të ri, në semestrin që prej më shumë se një muaji ka nisur, ai mban orët e dy lëndëve obligative, për të cilat kishte konkurruar Hodolli: dy orë ligjërata dhe dy të tjera ushtrime të lëndës “Mësimdhënia dhe të nxënit e Fizikës I”, si dhe dy orë ligjërata e një ushtrime të lëndës “Vlerësimi i të nxënit në lëndën e fizikës”. Kësisoj, duke qenë në pension, me to ka tejkaluar normën e një profesori në marrëdhënie të rregullt.

Në këtë semestër, profesori Zeqir Shaqiri nuk ka ndonjë orë mbinormë për ndonjë nga lëndët për të cilat ishte shpallur konkursi. Të tilla nga lëndë zgjedhore pritet t’i marrë në semestrin veror.

Asnjëri nga dy profesorët nuk i ka kthyer gazetës përgjigje në pyetjet që u janë dërguar përkitazi me këtë rast. Por informatat janë konfirmuar në Fakultetin e Edukimit.

Ethem Çeku është dekan në këtë njësi akademike. Ai tregon se kush do të jenë bartës të lëndëve, për të cilat ishte shpallur konkursi.

“Orët po vazhdojnë t’i mbajnë të njëjtit profesorë sikurse vitin e kaluar, pasi që nuk arritëm dot ta zgjedhim një mësimdhënës të ri”, thotë dekani Çeku. “Bazuar në nevojat tona, ne shpallëm konkursin, por recensentët, Këshilli i Fakultetit dhe Senati nuk dhanë mendim pozitiv për asnjërin kandidat”.

Pengimi për përfitim

Hodolli është vetëm një nga shumë viktimat e një fenomeni të përhapur prej vitesh në universitetin më të madh publik dhe më të vjetër të Kosovës – fshehjes së normave për qëllime përfitimi.

“Norma” në UP, sipas rregullave në fuqi, nënkupton 6 orë ligjëratash në javë për një profesor dhe 10 orë ushtrimesh në javë për një asistent.

Në mungesë kuadri, stafi në marrëdhënie të rregullt pune, në shumë fakultete, gati i ka dyfishuar pagat, duke marrë orë përtej normës. Kjo ka çuar në situatën kur ekzistenca e shumë programeve është vënë në pikëpyetje, shkaku që për akreditimin e secilit kërkohet të ketë së paku tre profesorë në marrëdhënie të rregullt pune. Për të njëjtën arsye, vetëm sivjet, katër programeve në Edukim iu është revokuar akreditimi.

Në vitin akademik 2017/2018, në Edukim janë mbajtur mesatarisht 490 orë ligjërata në javë, në secilin prej semestrave. Kur kjo pjesëtohet me 6, sa është numri i orëve të një norme profesori, atëherë del se ky fakultet ka fond ligjëratash për 82 profesorë. Por i kishte në marrëdhënie të rregullt pune vetëm 34 dhe, bazuar në këtë numër orësh, fakulteti ka nevojë edhe për 48 profesorë të rinj.

Thuajse të gjithë profesorët realizonin mbinormën e plotë, e cila ka vlerë monetare mbi 600 euro në muaj, meqë një orë ligjëratash paguhet 25 euro.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga pasqyrat e ngarkesës së personelit të rregullt akademik, me normë dhe mbinormë, e në të cilat menaxhmenti i UP-së i ka siguruar qasje gazetës.

Mbështetur në kalkulimet e bëra nga të dhënat që këto pasqyra përmbajnë, në nivel universiteti mesatarisht 5.750 orë ligjëratash mbahen secilën javë. Nga rreth 480 profesorë në marrëdhënie të rregullt, mbulohen diku 4.700 orë ligjërata. Kur numri i këtyre orëve pjesëtohet me numrin e profesorëve në marrëdhënie të rregullt pune, del që, përpos normës për të cilën paguhen mesatarisht 1.283 euro, profesorët mesatarisht mbajnë edhe nga 3.8 orë të tjera në javë, të cilat në fund të muajit ua sigurojnë edhe nga 400 euro shtesë, përtej pagës.

Në total, vetëm mbinorma e profesorëve të rregullt, pa përfshirë edhe asistentët, i kushton buxhetit të UP-së rreth 1.4 milionë euro në vit. Kjo shumë do të mbulonte koston vjetore për punësimin e 103 mësimdhënësve të rinj me thirrje akademike profesor asistent, nisur nga fakti se paga e personelit me këtë gradë është 1.137,14 euro.

Në Fakultetin e Filologjisë, orët e gati një norme shtesë i siguron secili nga anëtarët e trupës së rregullt akademike. Përgjatë dy semestrave të shkuar, mesatarisht në javë janë mbajtur 462 orë ligjërata nga stafi i rregullt. Fakulteti ka pasur vetëm 41 profesorë përgjatë kësaj kohe. Kësisoj, secili nga ta mesatarisht ka pasur edhe nga 5.2 orë në javë si mbinormë.

Profesorëve jo rrallë herë iu ndahen orët shtesë për lëndë, materia e të cilave nuk është e përafërt me fushën në të cilën kanë specializuar.

Lindita Rugova është dekane në Filologji. Ajo ka treguar se edhe autoritetet shtetërore janë të interesuara që stafi i rregullt të marrë orë shtesë, përtej atyre për të cilat është kontraktuar.

“Sa u përket mbinormave të profesorëve, ato diskutohen brenda departamenteve nga vetë personeli i departamentit. Zakonisht për mbinormë merren lëndë të fushave të përafërta ose lëndë zgjedhore, që i përshtaten fushës së specializimit të një mësimdhënësi”, thotë dekanja Rugova. “Viteve të fundit kemi qenë të inkurajuar që në favor të kursimit të arkës shtetërore, shtetit i vinte më lehtë të lejonte mbinorma se të punësonte personel të ri. Arsyeja e vetme: mbinorma nuk e kalon numrin e 6 të orëve për një profesor dhe paguhet vetëm 7 muaj gjatë vitit kalendarik, ndërkaq një vend i ri kushtonte dyfish më shumë”.

Kësisoj, nëpërmjet kësaj forme, nga buxheti i shtetit harxhohet më pak për orët që ligjërohen, por, nga kjo politikë profesorët në marrëdhënie të rregullt sigurojnë diku edhe rreth gjysmë rroge më shumë, secilin muaj.

Përpos motivit që lidhet me xhepin, në fakultete të ndryshme në UP përmendin edhe dy motive të tjera nga të cilat udhëhiqen grupe profesorësh, drejtues të departamenteve apo edhe të njësive akademike kur pengojnë kandidatët që përmbushin kushtet për t’u zgjedhur e edhe kur nuk kërkojnë që normat e lira të shpallen në konkurset periodike të universitetit: njëri ka të bëjë me ruajtjen e vendeve për persona të caktuar, e tjetri për t’i mbajtur të angazhuar persona të lidhur me “të fuqishmit” e fakulteteve, marrëdhënie kjo që nuk kërkon përmbushjen e të gjitha kritereve statutare që janë për personelin e rregullt.

Shpikja e orëve

Së fundmi është vërejtur edhe një formë tjetër abuzimi – ajo e cenimit të normave të stafit në marrëdhënie pune, për llogari të avancimit të njerëzve me pushtet.

Kjo politikë më së shumti është parë në Mjekësi, në konkursin e fundit. Nëpërmjet saj, stafit të rregullt iu janë grabitur orë dhe janë përcjellë tek të rinjtë. Gazeta ka identifikuar dy raste, kur përfitues të kësaj forme abuzimi janë njerëz me sfond politik.

Orari i vitit të shkuar akademik tregon se profesorët e katedrës së Mjekësisë interne kishin mbajtur mesatarisht nga 2.71 orë ligjëratash në javë. Kësisoj, me to nuk e plotësonin as gjysmën e normës, për të cilën janë të kontraktuar. Kishin mbajtur edhe disa ushtrime, por edhe me to asnjëri nuk ishte ngarkuar me më shumë se 6 orë.

Megjithëkëtë, me propozim të Fakultetit të Mjekësisë, në prill Rektorati i UP-së kishte shpallur edhe një pozitë të lirë për një mësimdhënës për katër lëndë që mbuloheshin nga profesorët e së njëjtës katedër.

Kjo nën arsyen se një mësimdhënës dilte në pension.

Në fund të marsit, Këshilli Drejtues kishte miratuar disa ndryshime në Rregulloren për të ardhurat personale. Ndryshimet kishin prekur nenin 8. Ato saktësonin rrethanën kur mund të shpallej një pozitë e lirë profesori.

“Kusht për shpalljen e konkursit për mësimdhënës është plotësimi i normës prej 6 orëve të ligjëratave në secilin semestër ose së paku tri (3) orë të ligjëratave nga lëndët obligative, dhe pjesa tjetër e orëve të ligjëratave nga lëndët zgjedhore për secilin semestër”, thuhet në paragrafin e parë të nenit të ndryshuar. “Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, në Fakultetin e Mjekësisë lejohet shpallja e konkursit për mësimdhënës nëse ekzistojnë së paku tri (3) orë ligjërata nga lëndët obliguese dhe pjesa tjetër e orëve të ligjëratave nga lëndët zgjedhore, ose deri në gjashtë (6) orë nga praktika klinike për secilin semestër”, vijohet në paragrafin e radhës.

Bazuar në këtë, për t’u shpallur një vend i ri i punës për lëndët që janë nën kupolën e Internos, profesorët në marrëdhënie të rregullt aty duhej të kishin nga 6 orë ligjërata në javë, dhe të tepronin së paku 3 orë nga lëndët obliguese. Kthyer në numra, Katedra duhej të kishte së paku 33 orë ligjërata në javë në secilin semestër, për tu shpallur konkursi i ri. Por, ka vetëm 22 sosh në këtë semestër, e disa më pak në semestrin tjetër – rreth 17 orë.

Gani Bajraktari është profesor në Interno dhe ka rekordin në kuadër të UP-së për nga numri i citimeve që i janë bërë punimeve shkencore të tij. Për pesë vjet rresht ishte shef katedre.

Ai ndodhet në “luftë” me menaxhmentin e Fakultetit, por edhe të Universitetit, prej kur i janë cenuar orët, nëpërmjet zgjedhjes së një profesori të ri për katër lëndë që i mbulonin profesorët e internos.

Kur ishte shpërfillur kërkesa e tij për ta anuluar këtë pozitë të shpallur në konkurs, profesori Bajraktari i ishte drejtuar Inspektoratit të Arsimit. Ky institucion kishte konstatuar mungesën e normës dhe kishte thënë se kjo pikë e konkursit duhej të pezullohej. UP-ja nuk e kishte anuluar.

Rektori Marjan Dema kishte ndërmarrë një veprim tjetër. E kishte dërguar Auditorin e Brendshëm në Mjekësi, për të parë nëse qëndronin pretendimet e Bajraktarit. Auditori kishte konstatuar se kishte orë mjaftueshëm, sa për t’u shpallur ajo pozitë e re profesori.

Kësisoj, procedurat kishin vazhduar dhe Katedra është bërë me edhe një profesor.

Bajraktari e ka kallëzuar penalisht rektorin Dema dhe dekanen Suzana Manxhuka, e më pastaj edhe ka bërë padi, meqë nuk kishin vepruar konform vendimit të Inspektoratit të Arsimit. E, rektori e ka denoncuar Bajraktarin në Këshillin Etik të UP-së, duke aluduar se profesori ka bërë kallëzim të rrejshëm, meqë, Auditori i Brendshëm i UP-së ka gjetur se ka fond të mjaftueshëm orësh për të shpallur konkurs edhe për një mësimdhënës në Katedrën e Mjekësisë interne.

Në një deklaratë adresuar Këshillit të Etikës, e të cilën e ka siguruar gazeta, Bajraktari ka demantuar përmbajtjen e raportit të auditimit. Veçmas është ndalur tek orët, meqë në raportin e auditorit ishte theksuar se në vitin e shkuar akademik, profesorët, mesatarisht në dy semestra, kishin këtë ngarkesë: njëri 6.1 orë, tjetri 5.6 orë, një tjetër 5.9 orë; një profesor tjetër 5.7 orë dhe dy të tjerë nga 4.6 orë.

Të pavërtetë e ka quajtur këtë gjetje, sepse Auditori i UP-së nuk i kishte prezantuar vetëm orët e ligjëratave siç kërkon Rregullorja, por edhe ato të ushtrimeve.

“Menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë qëllimisht, me dashje dhe me paramendim, ka llogaritur këto orë vetëm si numër orësh, duke futur aty orë ushtrimesh në vend të orëve të ligjëratave”, ka shkruar Bajraktari. “Pra, jo vetëm që kemi të bëjmë me mashtrimin e bërë nga menaxhmenti i Fakultetit për shpallje konkursi pa pasur orë (duke abuzuar kështu me fondet publike), por tashmë kemi edhe një raport auditori me karakter mashtrues, manipulues, të bërë më qëllim, me dashje dhe me paramendim, për përfitime të të tjerëve, e që për rrjedhojë ka dëmtimin e buxhetit të taksapaguesve”.

Mbështetur në orarin e ligjëratave, fondi total i orëve për vitin akademik 2017/2018 ishte 570 orë për të gjitha lëndët që është e ngarkuar Katedra. Ky numër është fiks dhe buron nga planprogramet. Kur ai pjesëtohet me 30 javë sa ka një vit akademik dhe kur shuma e fituar pjesëtohet me 7 mësimdhënësit që punonin në Katedër, i bie që në vitin e shkuar akademik profesorët e Internos kanë pasur mesatarisht 2.7 orë ligjërata në javë, as sa gjysma e normës së precizuar në kontratë.

Në vitin e ri akademik është i njëjti planprogram, i njëjti numër i studentëve dhe i njëjti fond i orëve. Një profesor ka shkuar në pension. Por, një i ri është zgjedhur – është Aurora Bakalli, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës.

Kur është pyetur nëse ka pasur normë të lirë konform rregulloreve në fuqi, për pozitën e re të profesorit ku është zgjedhur, Bakalli ka thënë të jetë jashtë kompetencave të saj për të folur për këtë. Ajo ka theksuar se e ka parë konkursin dhe e ka shfrytëzuar të drejtën e konkurrimit.

“Unë nuk jam e informuar për tërë orarin vjetor, prandaj kjo pyetje duhet adresuar kompetentëve për orar, në mënyrë që përgjigjen ta keni të saktë. Atë që di të ju them është se për këto 3 ditë pune prej se kam pranuar thirrjen e re, kam mbajtur 10 orë ligjërata për lëndë obliguese dhe 12 orë ushtrime klinike”, ka theksuar ajo, pa treguar nëse këto janë orë të grumbulluara që është dashur t’i mbajë që nga fillimi i vitit akademik. “Nuk besoj se pozita ime e ish-deputetes ka ndikuar në përzgjedhjen time në këtë pozitë, përkundrazi thellësisht jam e bindur se janë vlerësuar mundi dhe puna ime e përkushtuar mbi 10-vjeçare në fushën e shkencës, e kurorëzuar me numër të konsiderueshëm publikimesh, që më vete paraqesin mirënjohje për sakrificën e një punëtori shkencor”.

Gazeta ka adresuar disa pyetje në Rektorat, në lidhje edhe me këtë rast. Asnjë nga anëtarët e menaxhmentit të UP-së vetë nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje, por kanë përcjellë versionin që menaxhmenti i Mjekësisë ka dhënë.

Sefedin Muçaj është prodekan për mësim në këtë njësi akademike dhe ai ka dhënë një arsye për pozitat e reja të profesorëve që ishin shpallur në konkursin e fundit.

“Për shkak të specifikave të Fakultetit të Mjekësisë, është bërë kërkesa në Këshillin Drejtues të UP-së që të ketë parasysh uljen rapide të numrit të profesorëve për të gjitha lëndët e Fakultetit të Mjekësisë nëpër vite”, ka thënë Muçaj. “Këshilli Drejtues – UP ‘Hasan Prishtina’ ka aprovuar kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë që orët e praktikes klinike për lëndët klinike të parapara në vitin e gjashtë, duhet të mbahen strikt nga profesorët”, është arsyetuar ai.

Edhe në raportin e auditimit është theksuar çështja e orëve të praktikës klinike, kur është arsyetuar zgjedhja e profesoreshës Bakalli. Ato nuk ishin mbajtur deri tash nga profesorët.

Në deklaratën adresuar Këshillit të Etikës, profesori Bajraktari ka dhënë kundërpërgjigje edhe për këtë arsyetim.

“Në qoftë se menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë tenton të manipulojë ‘nxjerrjen’ e fondit të mjaftueshëm të ligjëratave, duke i shndërruar praktikat klinike për studentët e vitit të gjashtë, të cilët deri në vitin shkollor 2022-2023 do të mësojnë me syllabuset e planprogramit të Fakultetit të Mjekësisë të vitit 2010… atëherë e vërteta është një dhe e vetme edhe në këtë rast: Në këto praktika klinike nuk ka asnjë orë ligjërata; të gjitha orët janë ushtrime”, thuhet në përgjigjen e profesorit Bajraktari.

Dëmtimi i buxhetit

Ky nuk përbën një rast të izoluar në Mjekësi.

Në muajin mars, pasi ishte shpallur konkursi për kuadrin e ri akademik, profesoresha Mimoza Basholli-Salihu i kishte shkruar rektorit Dema, por edhe dekanes Manxhuka. Të dy i kishte informuar se në propozimin për staf akademik, në Degën e Farmacisë në njërën nga pozitat e reja të kërkuara ishin përfshirë edhe dy orë nga lënda “Teknologji Farmaceutike I”, për të cilën ajo ishte zgjedhur profesor asistent që në shtator të 2016-s. Me vendim të Senatit, Basholli-Salihu ishte zgjedhur bartëse për lëndën obliguese “Teknologji farmaceutike I”, ngarkesa e së cilës është 2 orë ligjërata në semestrin e shtatë dhe dy të tjera në të tetin, si dhe për lëndën “Teknologji Farmaceutike II”, tri orë të së cilës i ligjëronte në semestrin e nëntë. Kësisoj, me kontratë i ishin ndarë shtatë orë ligjëratash për lëndë obliguese, në dy semestra.

“Nëse kjo lëndë (respektivisht këto 2 orë) përfshihen në konkurs, më ulet fondi i orëve në 5 orë obliguese për dy semestrat, respektivisht në 41 për qind të normës, nën minimumin prej 50 për qind orë obliguese, të paraparë me rregulloret në fuqi”, thuhet në shkresën e kësaj profesoreshe. “Shpresoj që të merrni në konsideratë këtë njoftim dhe kjo çështje të zgjidhet në mënyrë më të mirë të mundshme”.

Edhe ajo më kot kishte shkruar. S’e kishte dëgjuar kurrkush. Konkursi ishte shpallur konform propozimit, ndërsa një mësimdhënës është pranuar, duke ia cenuar kështu normën profesoreshës Basholli-Salihu.

Dashnor Nebija, mësimdhënës po në Farmaci, kishte reaguar pas konkursit. Edhe atij i është cenuar norma. Ai ka ngritur zërin gjatë procesit të konkursit, por nuk ka pranuar të flasë, kur gazeta e ka kontaktuar.

Milaim Sejdini është profesor në Stomatologji. Edhe këtij i janë “grabitur” orët për llogari të një asistenteje me fuqi politike. Nëpërmjet konkursit është avancuar në profesoreshë Albena Reshitaj, këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila gjatë këtij mandati qeverisës kishte për rreth një vit edhe postin e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sejdini dy herë i kishte shkruar dekanes Manxhuka, me kërkesën për ta korrigjuar konkursin, e një herë autoriteteve në Rektorat, por është shpërfillur.

Kjo pozitë ishte shpallur, ani se në vitin e shkuar akademik Sejdini e kishte plotësuar normën në semestrin dimëror me katër orë ligjëratash të lëndës Ortodonci klinike që ua ligjëronte dy grupeve të studentëve, si dhe me një orë ligjëratë e një tjetër seminar të lëndës Etika mjekësore. Fiks gjashtë orë i mbërrinte edhe në semestrin veror, me dy orë ligjërata të lëndës Ortodonci klinike, dy orë ligjërata të Ortodoncisë paraklinike dhe me dy orë ushtrime.

Në semestrin që tash ka nisur, profesori Sejdini i ka dy orë mangu, ndërsa në atë të ardhshmin do t’i ketë vetëm dy sosh në javë, sa një e treta e normës.

Reshitaj nuk ka treguar sa orë ligjëratash mban tash dhe as sa do t’i ketë në semestrin e ardhshëm. Për këto çështje, por edhe për atë nëse ka pasur nevojë ose jo të shpallej konkursi për pozitën e profesorit të ri ku është zgjedhur, ka thënë se duhet pyetur Fakulteti. Ndërkaq, e ka mohuar se e ka përdorur pushtetin, për t’u bërë profesoreshë në lëndët për të cilat mungon fondi i orëve.

“Unë kam konkurruar në një konkurs të hapur të Universitetit të Prishtinës, sipas standardeve dhe meqë i kam plotësuar kushtet jam avancuar”, thotë Reshitaj. “Absolutisht nuk ka ndikuar angazhimi im politik në avancimin tim”.

Profesori i Mjekësisë, Dyshime për Avancim me Plagjiaturë e Falsifikim

Në vitin akademik 2017/2018 Fakulteti i Mjekësisë i ka pasur të punësuar 93 profesorë në marrëdhënie të rregullt, nga grada profesor asistent, deri tek ajo profesor i rregullt. Por në këtë vit Fakulteti ka pasur orë ligjëratash vetëm sa për 72 norma profesori. Kësisoj, me mbajtjen e ushtrimeve profesorët kanë mbuluar 21 normat e ligjëratave, sa është dallimi në këtë rast. Nga aplikimi i kësaj politike rekrutimi, në secilin vit buxheti i UP-së dëmtohet në shumën prej 170 mijë eurosh vetëm nga Fakulteti i Mjekësisë

Kjo formë rekrutimi e mësimdhënësve universitarë është në kundërshtim me atë çfarë rektori Dema iu kishte shkruar dekanëve, në shkresën kur i kishte informuar se po shpallej konkursi. Rektori e dinte se abuzohej me konkurs. Prandaj, ua kishte tërhequr vërejtjen drejtuesve të fakulteteve.

“Në secilin rast, shpallja e pozitave të reja mund të lejohet vetëm nëse plotësohet fondi i nevojshëm i orëve i paraparë në paragrafin 7 të nenit 10 të Rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik”, thuhet në shkresën e rektorit Dema, të cilën e ka siguruar gazeta. “Rrezikimi i normës së stafit të rregullt me qëllim të krijimit të normës së nevojshme për shpalljen e pozitave të reja përbën shkelje të rëndë të detyrave të punës”. Punësimi i një profesori pa pasur fond orësh për ligjërata, ka implikime në kuletën e universitetit.

Në nivel universiteti mesatarisht 5.750 orë ligjëratash mbahen secilën javë. Nga rreth 480 profesorë në marrëdhënie të rregullt, mbulohen diku 4.700 orë ligjërata. Kur numri i këtyre orëve pjesëtohet me numrin e profesorëve në marrëdhënie të rregullt pune, del që, përpos normës për të cilën e marrin pagën e rregullt, profesorët mesatarisht mbajnë edhe nga 3.8 orë të tjera në javë, të cilat në fund të muajit ua sigurojnë edhe nga 400 euro shtesë, përtej pagës. Në total, vetëm mbinorma e profesorëve të rregullt, pa përfshirë edhe asistentët, i kushton buxhetit të UP-së rreth 1.4 milionë euro në vit. Kjo shumë do të mbulonte koston vjetore për punësimin e 103 mësimdhënësve të rinj me thirrje akademike profesor asistent, nisur nga fakti se paga e personelit me këtë gradë është 1.137,14 euro.

Në mungesë orësh të ligjëratave, profesorët e rinj, por edhe ata që ishin zgjedhur vite më parë, do të detyrohen të mbajnë ushtrime për të plotësuar fondin që e parasheh kontrata. Meqenëse ky fond për profesorët është 6 orë në javë, ndërsa për asistentët është 10 orë në javë, mbajta e 6 orëve ushtrime nga një mësimdhënës nënkupton 60-përqindëshin e normës së një asistenti.

Në këtë rast, dëmtimin e buxhetit e shpjegon ky kalkulim që e ka bërë profesori Gani Bajraktari: 60 për qind e pagës së një asistenti i cili ka pagë 772.50 euro është 463.50 euro, ndërsa 100 për qind e pagës së një mësimdhënësi me gradën Profesor Asistent është 1.137,14 euro. Kur 6 orë ushtrimesh mbahen nga një profesor, në vend se nga një asistent, atëherë buxheti për një muaj dëmtohet për 673.64 euro. Dhe, meqë një Profesor Asistent zgjidhet në atë thirrje për një periudhë 4-vjeçare, përkatësisht për 48 muaj, atëherë dëmi financiar mbërrin në 32.334,72 euro.

Dëmi i kësaj natyre është shumëfish më i madh, nëse kalkulohet totali i orëve të ushtrimeve që në Mjekësi mbahen nga profesorët të cilët nuk kanë orë ligjëratash për ta plotësuar normën.

Sipas pasqyrës zyrtare të ngarkesës së mësimdhënësve me ligjërata e ushtrime, të cilën e ka vënë në dispozicion Rektorati i UP-së, në vitin akademik 2017/2018 Fakulteti i Mjekësisë i ka pasur të punësuar 93 profesorë në marrëdhënie të rregullt, nga grada Profesor Asistent, deri tek ajo Profesor i Rregullt. Por, në këtë vit Fakulteti ka pasur orë ligjëratash vetëm sa për 72 norma profesori.

Kësisoj, me mbajtjen e ushtrimeve profesorët kanë mbuluar 21 normat e ligjëratave, sa është dallimi në këtë rast. Kalkulimi sipas metodologjisë së përdorur nga profesori Bajraktari zbulon dëm buxhetor të madh. Nga aplikimi i kësaj politike rekrutimi, në secilin vit buxheti i UP-së dëmtohet në shumën prej 170 mijë eurosh, vetëm nga Fakulteti i Mjekësisë.

Në Rektorat nuk e kanë marrë në trajtim një analizë të këtillë të dëmtimit të buxhetit. Madje, nuk kanë ofruar as të dhëna të përmbledhura për shumën që secilin vit nxirret nga kuleta e UP-së dhe shkon si mbinormë tek stafi i rregullt.

Myrvete Badivuku është prorektore për buxhet dhe ka thënë se një raport që përmban të tilla të dhëna, do të përgatitet në ditët në vijim dhe do t’i ofrohet edhe Këshillit Drejtues të UP-së.

(Nesër, pjesa e dytë e stories: Si bëhet fshehja e normave dhe kush përfiton nga kjo? Nëpërmjet çfarë mësimdhënësish jokompetentë dhe që rekrutohen në mënyrë jashtëstatutare, mbahen orët e normave që fshihen? Sa programeve të studimit në nivel universiteti iu është vënë dryni vetëm sivjet, si pasojë e politikës së rekrutimit të stafit akademik?)

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.