Grabitja akademike, abuzimi me normë në UP (II)

Fakulteti i Mjekësisë është i vetmi ku profesorët në marrëdhënie të rregullt kanë më pak orë ligjëratash në javë, sesa parasheh norma. Në njësitë e tjera akademike, stafi i rregullt rrit të ardhurat mbi pagën bazë, duke mbajtur edhe orë mbi normë.

Për këtë, por edhe për motive të tjera, në jo pak raste fshihen normat.

Bahri Prebreza është doktor shkence që nga 2014-a dhe tek prillin e sivjetmë i ka shpërthyer barrierat e vëna rrugës për t’u bërë profesor në një departament që po i mbyllen programet, si pasojë e mungesës së kuadrove.

Prebreza ka qenë asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) që nga viti 1996. Ai nuk ka qenë prej studentëve të dobët. Afër 10-s e ka mesataren në studimet bazë dhe në ato master. Ndërkaq, ka më shumë se katër vjet prej kur ka doktoruar në tezën “Mbitensionet atmosferike dhe ndikimi i tyre në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës”.

Dy profesorë që kanë doktoruar jashtë vendit, kanë treguar në kushte anonimiteti se si Prebreza është midis shumë viktimash të profesorëve të vjetër që rezistojnë të krijojnë hapësirë për kuadrot e rinj.

Prebreza nuk ka dashur të flasë për historinë e tij. Ai fare shkurt ka treguar vetëm për motivin që e ka shtyrë të aplikojë në konkursin e fundit, ani se kishte dështuar në të mëhershmit.

“Ajo që kisha dashur të theksoj në këtë rast është se unë jam kthyer staf i rregullt në FIEK, në drejtimin e Elektroenergjetikës, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë në këtë departament sa u përket kapaciteteve me staf mësimdhënës dhe vazhdimit të Drejtimit të Elektroenergjetikës në FIEK, si një prej drejtimeve shumë të rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh kërkesat e mëdha të tregut për inxhinierë të Elektroenergjetikës, për shkak të projekteve të mëdha në sektorin e energjisë”, thotë ai.

Prebreza tek tani “ka përfituar”, kur fakulteti ka ndjerë pasojat e një politike të moçme që lidhet me normat. I janë mbyllur disa programe.

Norma të lira për lëndët bazë të këtij departamenti nuk ishin shpallur, ani se, bazuar në të dhënat që gazetës ia ka vënë në dispozicion Rektorati, FIEK gjatë vitit akademik 2017/2018 kishte vetëm 20 profesorë, 12 asistentë dhe një ligjërues, e të cilët bashkërisht kanë mbajtur edhe orët e tri normave të lira për profesorë dhe 5 të tjerave për asistentë.

Në të njëjtin vit akademik, FIEK-u kishte si bashkëpunëtorë të jashtëm më shumë në numër sesa staf të rregullt. Ishin lidhur kontrata angazhimi me 37 persona, prej të cilëve 12 ishin angazhuar si mësimdhënës, një si lektor dhe 23 si asistentë, ndërkaq pozita e një të angazhuari ishte e papërcaktuar dhe as emri nuk i figuronte, por vetëm ngarkesa e orëve. Orët e ushtrimeve të mbuluara nga stafi i angazhuar bëjnë 18 norma asistentësh, kurse ato të ligjëratave 6 norma profesorësh.

Enver Hamiti është dekan në FIEK. Ai thotë se në njësinë akademike që e drejton, ka kohë që përballen me mungesë të theksuar të kuadrove akademike në marrëdhënie të rregullt pune, jo veç në fushën e Elektroenergjetikës, por edhe në programin e Elektronikës dhe të Robotikës, si dhe të Automatikës së Kompjuterizuar.

Megjithëkëtë, ai nuk e pranon se situata në të cilën ndodhet fakulteti, është pasojë e rezistencës së brendshme për t’u hapur ndaj kuadrove të rinj.

“Me qëllim që programet e studimeve të jenë në përputhje me trendët e kohës, spektri i tyre është shumë i pasur me lëndë mësimore dhe rrjedhimisht sfidat për sigurim të kuadrit mësimor janë shumë të mëdha. Kjo është shprehur në veçanti në programin e Elektroenergjetikës, për të cilën ne nuk kemi arritur të bëjmë zgjidhjen e duhur, për shkak të mungesës së kuadrove të kualifikuara në përputhje me bazën e nevojshme ligjore, si dhe mungesës së vullnetit të një numri të tyre që t`i bashkëngjiten FIEK-ut, në cilësi të stafit të rregullt”, ka thënë dekani Hamiti. “Absolutisht nuk bëhet fjalë për asnjë veprim jo të arsyeshëm, e aq më pak të bëhet fjalë për abuzim”.

Pozita për familjarë

Profesorë që kanë folur në kushte anonimiteti, kanë treguar se në jo pak raste fshihen normat dhe në konkurse nuk shpallen pozita të lira për to, me qëllimin për t’i ruajtur vendet e punës për familjarë e të afërm të grupeve me ndikim nëpër fakultete. Në të tilla rrethana, pozitat shpallen të lira, vetëm kur të preferuarit e këtyre grupeve mbërrijnë kriteret statutare, të nevojshme për t’u zgjedhur në pozitën që e synojnë.

Juridiku është një nga fakultetet më të mëdha për sa i takon numrit të studentëve. Vetëm në konkursin e shpallur në fillimvit dhe akoma të papërmbyllur, në këtë njësi akademike i ishin rrekur garës për t’u bërë pjesë e stafit të rregullt, edhe familjarë dhe të afërm të pesë profesorëve.

Haxhi Gashi është dekan në këtë fakultet. Ai i ishte drejtuar rektorit Dema, për ta vënë në dijeni me realitetin.

“Në këtë konkurs kanë konkurruar shumë kandidatë me lidhje të ndryshme familjare dhe lidhje të tjera shoqërore-kolegiale”, thuhet në letrën e dekanit. “Në fakultet kemi pasur dhe ende kemi heqje dorë të anëtarëve të Komisioneve (Vlerësuese v.j.) për shkak të mundësive të ndikimit dhe të konfliktit të interesit”.

Zgjedhja e ndonjërit nuk është bërë, meqë në tri raste konkursi është rishpallur, e në dy të tjera janë zgjedhur kandidatë që nuk kanë pasur lidhje familjare me profesorët.

Kësaj i ka paraprirë një zhvillim tjetër. Fenomeni e kishte marrë edhe vëmendjen e Avokatit të Popullit, prandaj në gjysmën e marsit të sivjetmë, ky institucion e ka nxjerrë një opinion, në lidhje me “parandalimin e nepotizmit” në UP dhe ka kërkuar nga menaxhmenti që t’i përmbahet disa rekomandimeve për ta evituar këtë dukuri në konkursin për personelin akademik që atëkohë ishte në zhvillim.

Duke u thirrur në këtë opinion, por edhe në “shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me fenomenin e nepotizmit në zgjedhjen e personelit akademik”, në muajin maj Këshilli i Etikës i UP-së ka nxjerrë një udhëzues për standardet dhe parimet etike të këtij universiteti, në lidhje me shmangien e nepotizmit dhe parandalimin e konfliktit të interesit në procedurat e zgjedhjes së trupës akademike.

“Anëtarët e personelit akademik që janë në marrëdhënie familjare apo afërsie me kandidatët për t’u zgjedhur në pozitat e reja (punësim për herë të parë) brenda të njëjtit fakultet, nuk mund të marrin pjesë si anëtarë të komisioneve vlerësuese në nivel të fakultetit, nuk mund të marrin pjesë dhe të votojnë në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit, nuk mund të jenë pjesë e komisioneve për ankesa dhe komisione të tjera ku trajtohen aplikacionet e kandidatëve të përfshirë në konkurs”, thuhet në pikën e tetë të këtij udhëzuesi. “Gjithashtu, në lidhje me të njëjtin proces, këta anëtarë të personelit akademik nuk mund të marrin pjesë as në mbledhjet dhe komisionet në nivel të organeve të tjera të universitetit, ku trajtohen aplikacionet e kandidatëve me të cilët janë në marrëdhënie familjare ose afërsie tjetër”.

Fshehja e normave nuk përbën një fenomen që nuk është i njohur nga menaxhmenti i UP-së. Rektori Dema në fillimvit ua kishte adresuar një shkresë dekanëve, përmbajtja e së cilës flet shumë për këtë problem.

“Fakultetet duhet të dërgojnë kërkesë për shpalljen e të gjitha pozitave për të cilat ekziston fondi i orëve në përputhje me paragrafin 7 të nenit 10 të Rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik”, thuhet në pikën e tretë të shkresës së rektorit, e cila mban datën 12 mars. “Nëse fakultetet nuk i dërgojnë propozimet si në paragrafin 3 të kësaj shkrese, Universiteti i Prishtinës nuk mund të shpallë konkurs për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm për ato pozita dhe nuk mund të lejojë angazhimin e personelit të rregullt pa thirrjen përkatëse akademike për mbulimin e atyre pozitave”.

Haxhi Gashi i Juridikut thotë të jetë përpjekur që t’i reduktojë mbinormat maksimalisht, duke angazhuar edhe mësimdhënësin e dytë për çdo lëndë, veçanërisht për lëndët obliguese. Sipas tij, një proces i këtillë nuk ka qenë i kollajshëm.

“Kemi bërë përpjekje që të eliminojmë monopolin për lëndë dhe norma si dhe i kemi shpallur në konkurs, edhe pse në disa raste nuk ka qenë e lehtë marrja e vendimeve për të shpallë konkurse të reja, qoftë për mësimdhënës ashtu edhe për asistentë”, ka treguar dekani Gashi. “Megjithatë, edhe me gjithë këto veprime ka hapësirë edhe për kuadro të rinj”.

Hapësira për jokompetentët

Mungesa e rekrutimit të të rinjve ka lënë boshllëk të madh në UP.

Në nivel universiteti, në vitin e shkuar akademik diku 950 orë ligjërata në secilën javë janë mbajtur nga staf i jashtëm, trupë kjo që e përbëjnë kryesisht persona pa gradë akademike dhe të kontraktuar pa kaluar në komisionet recensuese. Sikur UP-ja të ndiqte politikën që kjo ngarkesë orësh të mbahej nga staf në marrëdhënie të rregullt pune, atëherë do të kishte hapësirë për rekrutimin edhe të 158 profesorëve të rinj.

ORCA është një organizatë joqeveritare e fokusuar në arsimin e lartë. Në tetor ajo e ka publikuar një analizë rreth mbajtjes së ligjëratave në UP nga stafi pa titull akademik të profesorit. Mbështetur në të, 177 persona ligjërojnë 544 lëndë duke ushtruar kompetenca profesoriale pa kaluar nëpër procedurat e parapara statutare për titull profesorial.

“Prej të gjithë personave të angazhuar si bashkëpunëtorë të jashtëm, 63 nuk kanë titull akademik të profesorit dhe ligjërojnë 166 lëndë. 11 nga këta bashkëpunëtorë kanë vetëm gradën master dhe ligjërojnë në 30 lëndë”, është një nga gjetjet që përmban analiza. “18 persona me gradën shkencore të masterit, në kundërshtim me Statutin ligjërojnë në 34 lëndë në nivelin master. Ky është numri më shqetësues i përfshirjes inkompetente akademike të stafit, e cila është edhe e ndaluar me Statutin e Universitetit të Prishtinës”.

Shumë nga dekanët e kontaktuar nga gazeta, kanë bërë me gisht në Rektorat, kur janë pyetur për numrin e madh të stafit të angazhuar jashtë universitetit. Argumenti që kanë përdorur, është se propozimet që i dërgojnë për shpallje konkursesh për profesorë të rinj, nuk miratohen nën arsyen se mungon buxheti.

Këtë e ka thënë edhe dekani i Juridikut, por edhe ai i Bujqësisë, Skënder Kaçiu.

Po kështu, edhe prodekanja e Filozofikut, Hasnije Ilazi.

“Fakulteti Filozofik në vazhdimësi ka bërë kërkesë për shpalljen e vendeve të reja të punës për personelin e rregullt, gjë që është refuzuar nga Rektorati, me arsyetim se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për hapjen e vendeve të reja të punës”, thotë prodekanja Ilazi. “Kjo është arsyeja pse një numër i konsiderueshëm i lëndëve mbulohen nga bashkëpunëtorët e jashtëm”.

UP-ja thuajse të tërë stafin e angazhuar e ka vendor. Por është një fakultet që ka marrë iniciativën për të ftuar edhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë.

But Dedaj është dekan në Ekonomik, një prej dy fakulteteve që kanë më së shumti studentë. Ai me mburrje tregon se njësia akademike që e drejton, është duke punuar që normat e lira t’i plotësojë me profesorë vizitorë nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Fakultetit Ekonomik, me vota unanime është mbështetur propozimi që të angazhohen në mësimdhënie 22 profesorë ndërkombëtarë”, thotë dekani Dedaj, i cili ia ka prezantuar gazetës listën e tyre, sikurse edhe emrat e pesë të tjerëve të angazhuar më herët. “Gjithsesi, kjo listë do të zgjerohet në të ardhmen. Prandaj, angazhimi edhe në të ardhmen do të jetë për të pasur më shumë profesorë vizitorë nga vendet e BE-së dhe më gjerë”.

Ministria e Financave e ka përgatitur buxhetin për vitin e ardhshëm, dhe në këtë institucion nuk kanë thënë se UP-ja ka kufizime në numrin e të punësuarve, çfarë është arsyetimi formal i autoriteteve, kur flasin për shkallën e ulët të rekrutimit të stafit të ri.

Universiteti i Prishtinës figuron si organizatë e veçantë buxhetore në Buxhetin e Shtetit. Bazuar në projeksionet për 2019-n, ky institucion do t’i ketë 2.081 të punësuar dhe 21.2 milionë euro janë paraparë për kategorinë “Paga dhe mëditje”.

Goditje për fakultetet

Stafi jo i rregullt nuk merret në konsideratë nga Agjencia e Akreditimit, kur ajo i akrediton programet e studimit. Në 2014-n, kur ky institucion i kishte dhënë notë kaluese UP-së, kishte listuar edhe një rekomandim në lidhje me stafin.

“Duhet të hapen pozicione të reja, veçanërisht për promovimin e shkencëtarëve të rinj”, thuhet në raportin e nxjerrë katër vjet më parë. “Personeli shtesë duhet të caktohet kryesisht në ato programe studimi ku ka nevojë, në përputhje me numrin e studentëve”.

Nuk ishte marrë seriozisht rekomandimi.

Shumë fakultete kanë përjetuar trandje sivjet. Shkaku i mungesës së kuadrit, Agjencia ua ka revokuar akreditimin 15 programeve.

Elektroenergjetika është një nga to dhe vetëm pasi vitin e shkuar i është pamundësuar të rekrutojë studentë për nivelin master, është zgjedhur si profesor, Bahri Prebreza, ani se prej katër vitesh ai është doktor shkence. Ka munguar rekrutimi i të rinjve, ani se, që nga viti 2012, janë pensionuar 6 mësimdhënës të profilizuar në elektroenergjetikë.

Një vit më parë FIEK-ut i ishin pezulluar tri programe studimi, ndërsa në qershorin e sivjetmë Agjencia ia ka hequr masën e pezullimit vetëm Elektronikës, por krahas Elektroenergjetikës, ia ka revokuar akreditimin edhe Automatikës së Kompjuterizuar dhe Robotikës.

“Bazuar në të dhënat e prezantuara nga ky fakultet…, konfirmohet se për këto dy programe të studimit nuk kanë asnjë staf akademik si bartës të programeve të cekura më lart”, thuhet midis tjerash në vendimin e Agjencisë.

Për arsye të njëjta, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike i është revokuar akreditimi programit Termoenergjetikë dhe Termoteknikë, i dizajnuar për nivelin bachelor, si dhe dy programeve të tjera të masterit: Konstruksione dhe Mekanizim, si dhe Termoenergjetikë dhe Termoteknikë.

Edhe në Fakultetin e Filologjisë u është vënë dryni tri programeve. Kanë pësuar Gjuha dhe Letërsia Frënge, si dhe Gazetaria dhe Marrëdhënia me Publikun, të dyja këto programe masteri, kurse është revokuar akreditimi edhe për programin e doktoratës Gazetari dhe Shkenca të Komunikimit.

Në Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinës i është tërhequr akreditimi programit Master në Shëndetin Publik.

Shkaku i mungesës së profesorëve, Ekonomikut i është mbyllur programi i masterit Ndërmarrësi dhe Zhvillim Ekonomik Lokal, dhe ai i doktoratës Ekonomik.

Dekani i këtij fakulteti, But Dedaj, ka shprehur besimin se një shkallë më e madhe decentralizimi, do ta zbuste një prej problemeve të mëdha që e ka UP-ja.

“Problemi i normave do të jetë prezent, derisa të jetë kjo formë e organizimit në UP. Duhet të bartën më shumë kompetenca në nivel të njësive akademike, si dhe të kërkohet llogaridhënia”, ka thënë dekani Dedaj. “Me një formë të re të organizimit në UP, do të tejkalohen disa probleme që janë shtruar si pyetje tuaja, krahas që për drejtuesit në nivel të njësive akademike, do të ketë më shumë hapësirë për punë kreative dhe zhvillim të njësive që ata i udhëheqin”.

Akreditimi iu është revokuar edhe katër programeve të Fakultetit të Edukimit, në të cilin fakultet Gëzim Hodolli nuk ka mundur të bëhet profesor shkaku se anëtarët e komisionit recensues e kishin refuzuar dhe i kishin mbajtur për vete si mbinormë orët e lëndëve për të cilat ai kishte aplikuar. Të katër programet ishin të masterit profesional: Mësimdhënie në Matematikë, Mësimdhënie në Shkencat Natyrore, Mësimdhënie në Shkencat Sociale dhe Mësimdhënie në Teknologji dhe TIK.

Hodolli ligjëron në një kolegj privat, por ai thotë të mos e ketë ndërmend të dorëzohet në mësymjen për t’u bërë profesor i universitetit më të madh publik, pavarësisht pengesave të vëna në fakultet. Ai ka marrë kurajë, edhe kur ka parë në videoxhirime diskutimin që në Senat ishte bërë për të. Dhe, nëse vjen puna për gjykatë, ai këmbëngul se nuk do të tërhiqet nga beteja gjyqësore, edhe nëse ndërkohë UP-ja e bën pjesë të stafit të rregullt akademik.

“Aktualisht kam drejtuar ankesë në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa, si niveli i fundit i ankimimit në UP. Nëse eventualisht do të pranoj vlerësim negativ, do t’i vazhdoj procedurat me ankimim në Inspektoratin e Arsimit dhe pastaj do t’i drejtohem edhe gjykatës. Por besoj fuqishëm se nuk do të ketë nevojë për një gjë të këtillë, sepse nga videoincizimi i mbledhjes së Senatit, vërehet se të gjithë senatorët mbetën të habitur me vlerësimin e Komisionit Vlerësues dhe Këshillit të Fakultetit. Edhe vetë rektori, prorektori dhe sekretari i UP-së dëshmuan se i plotësoj kushtet e parapara me Statut”, thotë Hodolli. “Unë sot nuk mund ta kuptoj se si është mbi Senatin një Komision prej tre profesorësh, të cilët nuk më japin recension pozitiv vetëm e vetëm se duan t’i mbajnë si mbinormë orët e lëndëve për të cilat kisha aplikuar”.

Në vitin e shkuar akademik diku 950 orë ligjërata në secilën javë janë mbajtur nga staf i jashtëm, trupë kjo që e përbëjnë kryesisht persona pa gradë akademike dhe të kontraktuar pa kaluar në komisionet recensuese. Sikur UP-ja të ndiqte politikën që kjo ngarkesë orësh të mbahej nga staf në marrëdhënie të rregullt pune, atëherë do të kishte hapësirë për rekrutimin edhe të 158 profesorëve të rinj.

Profesori i Mjekësisë, Dyshime për Avancim me Plagjiaturë e Falsifikim

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.