“Gorenje...” Pret Vendimin e Gjykatës për 16.5 Milionë € Kompensim (TV)

“Gorenje Elektromotori”, një shoqëri aksionare gjakovare me rreth 320 punëtorë e që merret me prodhim të motorëve të teknikës së bardhë, do ta marrë vesh këtë muaj rezultatin e padisë së saj për 16.5 milionë euro kompensim nga qeveria e vendit.

Ajo e ka paditur Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2011 për shpërfillje të fakteve, argumenteve dhe ligjit me rastin e shqyrtimit të aplikacionit për ta regjistruar këtë biznes si person juridik.

MTI, përmes Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, është përgjegjëse për të regjistruar bizneset.

Sipas ARBK-së, Gorenje Elektromotori SH.A. ishte regjistruar më 20 qershor 2000 në regjistrimin e përkohshëm sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/8.

Mirëpo, shton ajo, ndërmarrja kishte aplikuar më 14 maj 2003 për riregjistrim.

ARBK thotë se nuk mund ta regjistronte, pasi “ka kërkuar pëlqimin e AKM-së, tani AKP-së”. Ajo nuk kishte marrë përgjigje.
 
“Për mos riregjistrimin e këtij biznesi nga periudha 2003 deri në 2006 nuk është përgjegjëse ARBK , por AKM (AKP)”, i tha koordinatori i agjencisë Mehdi Pllashniku, Gazetës Jeta në Kosovë.

Gorenje ishte një nga shtatë ndërmarrjet gjakovare që i kishin hyrë transformimit në shoqëri aksionare herët gjatë viteve të 90’ta, në kohën kur kryeministër i ish-Jugosllavisë ishte Ante Markoviqi, i njohur për përkrahjen e reformave drejt ekonomisë së tregut.

Gjakovarët pretendonin se rreth 7100 punëtorë të këtyre ndërmarrjeve – të cilët kanë punuar aty prej viteve 1990 deri më 1998 – kishin pronësinë mbi aksionet përkatëse dhe se kjo duhej t’u njihej nga autoritetet vendëse.

Bëhej fjalë për ndërmarrjet “Jatex’, “Emin Duraku”, “Deva”, grupi Metaliku (përfshirë “Metaliku- Ena”), Grupi “Ereniku”, “Ening”, “Dukagjini” dhe “Gorenje”. Ato ishin trajtuar si ndërmarrje me status të paqartë dhe si rast i veçantë që nga fillimi i privatizimit, përkatësisht themelimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) më 2002. 

Një “mision i verifikimit” në terren, i ngarkuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), kishte nxjerrë rezultatet e veta duke thënë se procesi i transformimit të ndërmarrjeve gjakovare nuk ishte i përfunduar përveç në rastet e “Dukagjinit” dhe “Gorenjes” ku 720 përkatësisht 700 punëtorët e ndërmarrjeve janë njohur si aksionarë.

Në një raport të Bordit të AKP-së, i vitit 2008, thuhej se bordi si rrjedhojë kishte hequr dorë nga juridiksioni mbi “Gorenjen” më 2006.

Në vitin 2006 Gjykata Ekonomike e Qarkut në Prishtinë kishte lejuar regjistrimin e saj.

“Në vitin 2007 biznesi Gorenje Elektromotori SH.A. është njoftuar nga AKM  se i është njohur Statusi si SH.A, dhe në vitin 2008 ky biznes regjistrohet si SH.A”, thotë Pllashniku i ARBK-së.

Shqyrtimi kryesor i rastit të kësaj padie u mbajt javën e kaluar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, më 7 maj. Seancat përgatitore ishin përsëritur tri herë për shkak të ndërrimit të gjyqtarëve.

“Gorenje Elektromotori” pretendon se mosregjistrimi në vitet 2003-2006 i është reflektuar në një humbje materiale të madhe, duke dëmtuar kuadrot e ndërmarrjes dhe punën e tyre shumëvjeçare.

Por MTI thotë se, sipas një ekspertize të bërë në shkurt të vitit 2012, dëmi material ndaj ndërmarrjes ishte nivelizuar me zero, me arsyetimin se “Gorenje Elektromotori” ka zhvilluar gjatë gjithë kohës aktivitet ekonomik.

Ajo ka paraqitur dëshmi nga dogana për importimin e mallrave nga ndërmarrja si dhe ka cekur lejet e punës për ndërmarrjen gjakovare, të lëshuara çdo gjashtë muaj nga UNMIK-u.

Agjencioni Kosovar i Privatzimit nuk është përgjigjur deri më tash në pyetjet e gazetës.