Fshati Restelicë në Gorë

Goranët Mes Shqiptarëve e Serbëve

Gora ndodhet në malet e Sharrit, në jugun e thellë të Kosovës. Në këtë zonë krahas shqiptarëve jeton edhe popullata myslimane me prejardhje sllave. Goranët kanë gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre, por kohëve të fundit i janë të nënshtruar presionit të madh të asimilimit.

Për shkak të rrethanave goranët në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar janë futur në konflitin serbo-shqiptar dhe sipas së gjitha gjasave nga zgjidhja e këtij konflikti varet edhe fati i tyre i mëtutjeshëm.

Konflikti serbo-shqiptar ka pasur për pasojë ndarjen në mesin e goranëve, pasi që një pjesë e tyre i kanë pranuar institucionet e Kosovës, kurse pjesa tjetër ka mbetur lojale ndaj Serbisë.

Edhe pse migrimi në malet e Sharrit paraqet mënyrë të jetesës, ai është bërë masiv në njëzet e pesë vjetët e fundit.

Shembulli më i mirë është fshati Vranishtë, i cili ndodhet pesë kilometra nga Dragashi. Ky fshat sipas regjistrimit të vitit 1981 i ka pasur 926 banorë, kurse në vitin 2011 vetëm 352 e në vitin 2016 ky numër ka rënë në më pak se 300.

Shumica e banorëve me mall flet për kohën kur ka pasur punë në kompanitë “Drateks”, “Sharr-Produkt”, “Koritnik” pasi në këtë kohë një numër i madh i banorëve të Vranishtës kanë qenë të punësuar edhe në shërbimet shtetërore.

Sanksionet dhe inflacioni e shkatërruan ekonominë e kësaj ane dhe në këtë kohë grupet e para më të mëdha të goranëve shkuan jashtë vendit.

I tillë është edhe tregimi i Hasim Asllanit, i cili është shpërngulur në Gjermani në vitin 1993.

“Unë kam shkuar në Gjermani kur çdo gjë është ndalur në Serbi. Atëherë kam punuar si taksist dhe ka qenë e vështirë. Nuk ka pasur karburant, pjesë rezervë, kurse ka mbizotëruar edhe inflacioni. Ka qenë keq për jetë. Atëherë jam martuar dhe jam larguar”, flet Asllani.

Në fshat kanë mbetur njerëzit të cilët kanë qenë të punësuar në kompani publike, organe shtetërore dhe vetëqeverisje lokale. Pozita e tyre ka qenë diçka më e mirë, pasi që kanë pasur të ardhura të rregullta.

Gjërat kanë shkuar keq pas bombardimeve të NATO-së në vitin 1999. Pas tërheqjes së ushtrisë së Jugosllavisë dhe MPB-së, më së keqi e kanë pasur goranët në Dragash, ku shumë është dashur t’i shesin shtëpitë dhe lokalet dhe të largohen. Numri i banorëve të Dragashit në mes të viteve 1981 dhe 2011 ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel (1.114 kundrejt 1.098) por popullsia shqiptare në këtë periudhë është dyfishuar.

Në vitet e para pas bombardimit prioritet ka qenë rindërtimi i zonave të cilat janë prekur nga lufta, kështu që rindërtimi i infrastrukturës ka qenë i ngadaltë dhe sporadik. Fshatrat kanë qenë kryesisht pa energji elektrike, kurse rrugët e asfaltuara në gjendje të keqe, sikurse edhe furnizimi me ujë. Privatizimi i kompanive shoqërore nuk ka sjellë ringjalljen e tyre, por kryesisht janë mbyllur. Aktivitetet e ulëta ekonomike kanë pasur për pasojë migrimin e mëtutjeshëm.

“Për ne atëherë në Kosovë nuk ka pasur punë, ka qenë kohë e vështirë. Nuk ka pasur punë as te privati, kurse punën shtetërore ke mundur vetëm ta ëndërrosh”, thotë Amir Danijali, i cili është larguar në Itali në vitin 2004.

Konflikti në mes të serbëve dhe shqiptarëve në Gorë më së shumti është ndjerë në arsim ku momentalisht funksionojnë dy sisteme paralele të arsimit në tri gjuhë. Shkollat në gjuhën shqipe dhe boshnjake mësimin e vijojnë sipas programit shkollor të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, kurse në shkollat në gjuhën serbe mësimi organizohet sipas programit mësimor të Ministrisë së Arsimit të Serbisë. Sipas planit arsimor të Kosovës punojnë 35 shkolla, kurse me plan serb punojnë gjashtë shkolla fillore.

Goranët thonë që në mesin e gjykatësve nuk ka asnjë goran dhe asnjë boshnjak. Në polici nga 50 policë, 13 janë goranë dhe 5 boshnjakë, kurse situata është e ngjashme edhe në shëndetësi dhe vetëqeverisje lokale. Faqja e komunës në internet ka kryesisht informacione në gjuhën shqipe, kurse ato në gjuhën serbe janë të pakta.

Shumica e goranëve ankohen për situatën e keqe të sigurisë duke theksuar si shembull më të mirë plaçkitjet e shumta në fshatrat e Gorës. Interesant është të theksohet që banorët e fshatit Orçushë nga frika e plaçkitësve nga Shqipëria janë kundër ndërtimit të rrugës nga fshati deri në kufi me Shqipërinë. Ata pohojnë se në këtë mënyrë do të lehtësohet prerja ilegale e pyjeve dhe vjedhja e bagëtisë. Duhet përmendur edhe që sipas raportit të cilin Policia e Kosovës ua ka dorëzuar përfaqësueve të Kuvendit Komunal të Dragashit, janë evidentuar 175 vepra penale.

Fshati Vranishtë gjatë gjatë sezonit të verës është nën kufizime, kështu që ujë ka vetëm në orët hershme të mëngjesit. Për shembull, në korrik ka pasur edhe shkyçje të energjisë elektrike për disa orë, për shkak të kinse prishjeve në rrjet. Kurse shumicës u kujtohen edhe punimet në rrugën Dragash – Vranishtë që kanë nisur në fillim të verës kurse është asfaltuar kur ka përfunduar sezoni i pushimeve verore.

Në qershor të këtij viti në Dragash në mënyrë solemne është zbuluar përmendorja e Adem Jasharit, të cilin shqiptarët e konsiderojnë hero, kurse shumë goranë këtë e shohin si provokim.

Ritmi veror dhe ai dimëror i jetës

Jeta në Gorë i ka dy ritme, atë të verës, kur të gjithë kurbetçaret kthehen në vendlindje dhe atë të dimrit kur fshatrat mbesin të zbrazëta.

Ritmi i verës është ai i fejesave, martesave dhe festave, kur Gora më shumë përngjan në nodnjë vend të madh turistik, sesa në një komunë të pazhvilluar. Kjo është edhe koha kur tregohet suksesi personal kryesisht përmes veturave. Në këtë kohë kontraktohen dhe ndërtohen shtëpitë e reja dhe rindërtohen të vjetrat.

Vera është edhe koha kur matet suksesi në mes të goranëve, që është edhe shtytësi kryesor i marrjes së rrugës së migrimit.

Vera e dasmave në Gorë
Vera e dasmave në Gorë

Sipas fjalëve të Uzeir Hamzës, koordinatorit për integrim dhe të drejta të komuniteteve të Komunës së Dragashit, vala e fundit e madhe ka qenë në vitin 2014 kur Gorën e kanë lëshuar më shumë se 40 familje. Jozyrtarisht, në këtë kohë drejt Europës Perëndimore janë nisur edhe shumë familje gorane nga Serbia. Ndaj kësaj vale të migrimit më së shumti ka kontribuuar vendimi i Francës dhe Gjermanisë që Kosovën të shpallin zonë të pasigurtë për pakicat. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës deri në vitin 2011 më shumë se 8000 njerëz nga Komuna e Dragashit jetojnë në vendet tjera. Më së shumti janë larguar në Austri (2.387), Gjermani (1.260) dhe Zvicër (1.067).

Hamza thotë që goranët dhe boshnjakët edhe më tutje largohen jashtë vendit, por që bëhet fjalë për një numër të vogël. Ai thotë që tani problem më i madh është papunësia, e cila është shkaku kryesor i migrimit.

Përsa i përket statusit të të kthyerve në Gorë, ekzistojnë dy kategori. Kategorinë e parë e përbëjnë personat të cilët në Kosovë janë kthyer në bazë të marrëveshjes së riatdhesimit të cilën e ka nënshkruar Qeveria e Kosovës me BE-në. Kufizimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është që qeveria duhet të sigurojë ndihmë për të gjithë ata që janë larguar nga Kosova deri më 28 janar të vitit 2010.

Shumica e goranëve të cilët janë kthyer sipas marrëveshjes së riatdhesimit, Kosovën e kanë lëshuar pas vitit 2010 dhe nuk kanë të drejtë për ndihmë, për këtë arsye këto familje përsëri nisen në rrugë për në Europën Perëndimore dhe e tërë procedura përsëritet, thekson Hamza.

Në pozitë shumë më të mirë janë personat e zhvendosur, përkatësisht të gjithë ata të cilët për shkak të konfliktit e kanë lëshuar Kosovën dhe ndodhen në Serbi. Për këta persona, nëse janë të regjistruar me rregull pranë UNHCR-së, ekzistojnë programe të posaçme. Për këtë kategori të njerëzve, Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim në Dragash ka ndërtuar më shumë se treqind shtëpi në Gorë, kurse me ndihmën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim të Kosovës, një numër i madh shtëpishë është rindërtuar.

Njerëzit e thjeshtë janë mësuar të ballafaqohen me të këqijat dhe problemet e veta. Sikurse çdo kundtjetër flitet për shtrenjtësi, për çmim të energjisë elektrike dhe të shërbimeve komunale, për administratë jo të mirë…

Shumica e goranëve nuk kanë besim te shqiptarët dhe nuk besojnë në asnjë mundësi të marrëveshjes.

“Gora më herët ka qenë më e mirë dhe më e bukur sesa tani, tani nuk ka mundësi për jetesë. Çdo gjë është duke u bërë gjithnjë më keq. Këtu do të duhej të ndërmerrej diçka që të bëhet më mirë. Ne jemi larguar për shkak të punës kurse tani largohemi për shkak të dhunës dhe nuk ka mundësi për kthim. Vështirë që mund të bëhet diçka pasi që nuk ka më njerëz tanë dhe nuk ka më perspektivë”, thotë Hasim Asllani.

Mirëpo, në praktikë, shumica e goranëve kanë marrë dokumentaekosovare. Më të moshuarit se 65 vjeç marrin pensionin bazik të Fondit Pensional të Kosovës, pa marrë parasysh nëse i kanë arritur vitet e punës apo jo. Ndoshta gjëra me interesante është që edhe përkundër sigurisë dhe infrastrukturës së keqe, ende ndërtohet. Dhe njerëzit vendosin që kursimet e veta të fituara me vështirësi t’i investojnë në vendlindje.

goranet

Fshatrat gorane sot më shumë ngjajnë me fshatrat e Serbisë Lindore, me shumëkatëshe të ndërtuara me paratë e fituara jashtë vendit. Mirëpo, sikurse edhe në Serbinë Lindore, këto shtëpi gjatë vitit janë kryesisht të zbrazëta dhe pronarët vijnë vetëm verës, gjatë sezonit të pushimeve verore. Pas kësaj, fshatrat futen në ritëm dimëror, kurse diskurimi për ardhmërinë e Gorës përsëri aktualizohet.

Të punësuarit në institucionet e Republikës së Serbisë besojnë që Serbia do t’i mbrojë goranët. Ata të cilët janë të përfshirë në punën e vetëqeverisjes lokale besojnë që duhet të bisedohet me shqiptarë dhe që marrëveshjet e mëdha do anashkalojnë goranët. Të papunët në këtë rast mendojnë të largohen.

Ekonomia – parakusht për parandalimin e shpërnguljes

Në mediat serbe goranët paraqiten si mburoja e fundit e Serbisë. Politikanët janë mysafirët kryesorë për shëngjergj në Gorë dhe çdoherë ka shumë premtime. Mirëpo, deri më tani pakçka është realizuar.

Kohëve të fundit flitet për kthimin në jetë të komunës së Gorës në kufijtë e vitit 1992, e cila do të përfshihej në Asociacionin e Komunave Serbe. Kërkesa zyrtare në fund të vitit 2015 i është dërguar qeverisë së Kosovës, por tani për tani ende nuk ka informacione se çfarë është duke ngjarë me këtë iniciativë. Kjo është iniciativa e vetme kohëve të fundit rreth së cilës janë dakorduar politikanët goranë dhe boshnjakë në Gorë.

Ajo çfarë i brengos goranët është fati i institucioneve paralele kur të formohet Bashkësia e Komunave Serbe. A do të mbijetojnë ato, apo do të shuhen.

Ka edhe të tillë që besojnë që shqiptarëve u konvenon arsimi paralel, pasi që në këtë mënyrë goranët drejtohen kah Serbia për shkak të kompatibilitetit të programeve arsimore.

Shumica besojnë që shuarja e institucioneve paralele do të krijonte edhe një valë shpërnguljesh. Gjëja e vetme e cila do të mund të ndalonte shpërnguljen e banorëve të Komunës së Dragashit është ekonomia, pasi të gjithë besojnë që krijimi i vendeve të punës do të ndalonte shpërnguljen e mëtutjeshme. Fatkeqësisht, sipas të dhënave të OSBE-së në Komunën e Dragashit ekzistojnë 740 subjekte ekonomike të cilat punësojnë 1.050 persona, kurse me bujqësi merren më shumë se 1.800 amvisëri, të cilat kultivojnë më shumë se 6.000 bagëti të mëdha dhe rreth 13.000 dele. Mirëpo, e tërë kjo është pak për një komunë në të cilën jetojnë 34.000 banorë. Kështu, goranët jetojnë nën hijen e politikës së madhe, përderisa numri i tyre është duke u zvogëluar. Për 30 vjet numri i goranëve në Gorë është përgjysmuar. Sipas regjistrit të vitit 2011, kanë qenë 8.957 goranë dhe 4.100 boshnjakë. Kur këto të dhëna të krahasohen me regjistrimin e vitit 1981, kur në të njëjtën zonë kanë jetuar 15.942 myslimanë, është e qartë që komuniteti goran ka humbur rreth 3.000 njerëz.

Historia e viteve nëntëdhjetë

Ngritja e Sllobodan Millosheviqit dhe tensionet në rritje në Kosovë kanë pasur pasoja edhe për goranët. Në atë kohë anëtarët e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë nga fshatrat gorane i janë bashkuar Partisë Socialiste të Serbisë dhe mes të parëve i kanë përkrahur amendamentet e kushtetutës së Serbisë përmes të cilave është hequr autonomia e Kosovës.

Këto aktivitete kanë shkuar në favor të Millosheviqit, të cilit i janë dashur shembujt pozitiv të qytetarëve lojalë në krahinë. Pasi që në atë kohë në Komunën e Dragashit kanë jetuar rreth 18.000 shqiptarë dhe rreth 16.000 goranë, është marrë vendimi që komuna të ndahet në dy pjesë. Territori i komunës së Dragashit është ndarë ashtu që janë formuar komuna Opojë (me shumicë shqiptare) dhe komuna Gorë (me shumicë gorane). Komuna Opojë është shuar veçse në fund të vitit 1992, kurse territori i saj i është bashkuar Prizrenit.

Në momentin e formimit dhe të ndarjes së komunës, lëvizja politike shqiptare nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës ka qenë e profiluar dhe e fuqishme në qëllimin për të siguruar pavarësi të plotë të Kosovës nga Serbia, përkatësisht për të siguruar barazi me republikat jugosllave. Për këtë arsye banorët e Opojës kanë qenë shumë pasivë, pasi nuk i kanë pranuar vendimet që kanë ardhë nga Serbia. Ndërkaq vendimi për ndarje të komunës në atë moment është arsyetuar me fjalët e sigurimit të komunës edhe për shqiptarët në Opojë, ku ata në fillim të viteve tetëdhjetë dy herë kanë shtruar kërkesë për komunë të ndarë me seli në fshatin Brodosac.

Të gjithë të punësuarit në institucionet publikë të Krahinës së Kosovës në atë kohë është dashur të deklarohen me shkrim që pranojnë masat e Republikës së Serbisë dhe që janë luajalë ndaj Serbisë. Ata të cilët nuk e kanë nënshkruar këtë janë larguar nga puna. Në këtë mënyrë një numër i madh shqiptarësh është larguar nga shërbimi publik. Praktika e tillë ka krijuar atmosferë të keqe në mes të goranëve dhe shqiptarëve, me pasoja katastrofike.

Njëkohësisht, goranët në mediat serbe janë paraqitur si një grup i posaçëm etnik, që nuk u përket as myslimanëve as shqiptarëve dhe e cila ka pika të shumta të përbashkëta me tërësinë kombëtare serbe. Në fokus është para së gjithash festimi i shëngjergjit si festë ortodokse, i cili tek goranët ka një konotacion plotësisht tjetër.

Pas krijim të sistemit shumëpartiak në kushtetutë, në Komunën e Gorës fillon veprimtaria e degës komunale të Partisë për Veprim Demokratik (Stranka Demokratske Akcije). Kjo paraqet fillimin e konfliktit në mes të goranëve. SPS në pushtet bën çdo gjë që anëtarët e SDA të frikësohen dhe të parandalohet bashkëpunimi me shqiptarët e Opojës. Në atë kohë është organizuar edhe sulmi ndaj kolonës së përkrahësve të SDA, të cilët kanë qenë rrugës për në tubimin e partisë në fshatin Restelicë.

Është interesante të theksohet që në atë kohë përfaqësuesit e SPS-së janë ballafaquar edhe me goranët të cilët nuk jetojnë në Gorë: pushtetit lokal i dërgohen letra përmes të cilave “tregohen” goranët të cilët nuk pajtohen me politikat e Sllobodan Millosheviqit.

Në zgjedhjet e mbajtura në vitin 1996, në Komunën e Gorës të drejtë vote kanë pasur më pak se 9.000 banorë, kurse kanë votuar më shumë se 7.000 që është dalje e më shumë se 80 për qind të votuesve. Shumicën absolute në këto zgjedhje e ka fituar Partia Socialiste e Serbisë e cila ka pasur 27 përfaqësues (4.300 vota), kurse e Majta Jugosllave ka pasur diçka më shumë se 1.500 vota. Koalicioni “Zajedno” dhe grupe të qytetarëve në këto zgjedhje kanë marrë rreth 1.000 vota dhe nuk e kanë fituar asnjë mandat përfaqësimi.

Në aspektin ekonomik, situata gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit XX ka qenë shumë e vështirë. Kompanitë shoqërore nga territori i Komunës së Dragashit mbyllen (“Sharr-produkti”, “Drateksi”, “Koritniku”…). Ndërmarrja bujqësore “Sharr-Produkt” nuk arrin që përmes zhvillimit të blegtorisë të sigurojë ekzistencën për banorët e Gorës. Infrastruktura komunale është plotësisht e lënë anash, kurse për investime në ekonomi as që bëhet fjalë. Vetëm të punësuarit në shërbimet shtetërore dhe komunale kanë mundur të llogarisin sadopak në të ardhura të rregullta. Në këtë sektor ka pasur edhe punësime pas largimit të shqiptarëve.

Gora

Radikalizimi i konfliktit në mes të serbëve dhe shqiptarëve nuk ka kaluar në masë të madhe në hapësirën e Komunës së Gorës. Luftimet kryesisht kanë ndodhur në vetë vijën kufitare, në afërsi të pikave ushtarake Kërstec dhe Orçusha. Në territorin e Komunës së Gorës në mes të korrikut 1998 dhe gushtit të vitit 2000 kanë humbur jetën 20 njerëz, 13 shqiptarë, gjashtë serbë dhe një goran.

Pas ardhjes së KFOR-it dhe UNMIK-ut në Kosovë, situata e sigurisë bëhet më e ndërlikuar. Së pari njësitet e Ushtrisë së Jugosllavisë tërhiqen nga kufiri dhe policia nga vetë Dragashi dhe krijohet një vakuum i sigurisë, i cili zgjati deri në ardhjen e trupave të KFOR-it.

Strukturat politike të cilat udhëheqën në Gorë u shpërbënë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës kur filloi tërheqja e forcave të ushtrisë dhe policisë. Funksionarët komunalë dhe policorë ikën me familje në Serbi, kurse shumica e goranëve e menduan atëherë tërheqjen me ushtri në Serbi. Në atë kohë edhe përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë bërë shumë në parandalimin e eksodit, pasi që u kanë garantuar siguri të gjithëve që i kanë dorëzuar armët të cilat i ka lënë Ushtria e Jugosllavisë.

Në mes të korrikut dhe shtatorit të vitit 1999, në Dragash sundojnë formacionet shqiptare, të cilat organizojnë gjykata ad hoc që keqtrajtojnë goranët. Arsyeja kryesore është që goranët si rezervistë kanë qenë të përfshirë në polici dhe Ushtrinë e Jugosllavisë. Patrullat e UÇK-së shpeshherë kanë bastisur shtëpitë e goranëve, para së gjithash në Dragash duke kërkuar armë. Goranët nga fshatrat në këtë periudhë për shkaqe sigurie kryesisht nuk kanë shkuar në Dragash.

Gjendja e sigurisë ka qenë shumë e rëndë deri në vitin 2003, kurse 11 persona me prejardhje nga Gora e kanë humbur jetën ne situata të ndryshme. Në territorin e Komunës së Dragashit janë vrarë tre goranë në këtë periudhë- Mendur Asllani nga Vranishti (10 shkurt 2000), Irfan Rahte nga Dragashi (6 mars 2001) dhe Salidin Mustafa nga Kërsteci i Poshtëm (31 dhjetor 2002). Këto krime deri më sot nuk kanë marrë epilog gjyqësor dhe as që janë zbuluar kryesit e tyre.

Politikisht edhe në këtë periudhë fillojnë të bashkekzistojnë dy realitete, njëri është Komuna Dragash në Dragash dhe tjetri është Komuna Gorë në Krushevc të Serbisë. Të gjithë që kanë dashur të marrin dokumenta serbe është dashur që për certifikata të lindjes të shkojnë në Krushevc, kurse ata që kanë dashur dokumente të UNMIK-ut është dashur të shkojnë në Dragash. Në situatë të tillë fillon krijimi i botëve paralele, në të cilat dikush pranon pushtetin e Serbisë, kurse dikush pushtetin e UNMIK-ut dhe më vonë të Republikës së Kosovës.

Organizimi politik i goranëve brenda Kosovës merr një drejtim të ri, kështu që ndahen dy rryma. E para përfaqëson qëndrimet e politikës zyrtare të Serbisë, ndërsa opsioni i dytë pranon institucionet e Kosovës. Me zgjidhjen e problemeve në mes të serbëve dhe shqiptarëve, ashtu në margjina të këtyre marrëveshjeve janë zgjidhur edhe disa prej problemeve të goranëve.

Organizimi i zgjedhjeve lokale nga ana e UNMIK-ut e ka krijuar një baraspeshë të re të forcave. Kështu, në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2000 partitë shqiptare i kanë fituar më shumë se 10.000 vota, përderisa partitë gorane dhe boshnjake i kanë fituar rreth 3.500 vota. Në zgjedhjet e vitit 2001 partitë shqiptare kanë fituar më shumë se 8.800 vota, përderisa partitë gorane dhe boshnjake rreth 3.200 vota. Zgjedhjet të cilat janë mbajtur në vitin 2002 u kanë sjellë partive gorane dhe boshnjake rreth 3.000 vota, kurse partitë shqiptare kanë pasur diçka më tepër se 8.600 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2013 partitë gorane dhe boshnjake kanë marrë diçka më tepër se 3.900 vota, kurse dy partitë më të mëdha shqiptare i kanë fituar 8.100 vota. Në këto zgjedhje për kryetar të komunës është zgjedhur Salim Jenuzi i Partisë Demokratike të Kosovës.

Konfigurimet politike të goranëve kanë pasur për pasojë edhe ndarjen nacionale, pasi që myslimanët e Gorës tani ndahen në goranë dhe boshnjakë. Arsimi është bërë fushë në të cilën të dy anët tentojnë të tregojnë forcën. Njëri grup refuzon më çdo çmim arsimimin në gjuhën boshnjake, kurse grupi tjetër në mënyrë kategorike refuzon mësimin në gjuhën serbe.

Ajo çfarë është lëvizje inkurajese është fakti që përfaqëuesit e goranëve dhe të boshnjakëve kanë bërë së bashku kërkesë pranë qeverisë në Prishtinë për krijimin e Komunës së Gorës.

A do të fitojë ky propozim përkrahjen dhe në cilin territor do të shtrihej komuna e re mbetet për t’u parë, por megjithatë kjo flet për forcimin e vetëdijes së goranëve dhe boshnjakëve që është koha që të arrijnë të kenë vetëqeverisjen e tyre lokale.

Shkrimi “Goranët në mes të shqiptarëve dhe serbëve”, është krijuar si pjesë e projektit “Njerëz të Vërtetë – Zgjidhje të Vërteta”, i cili është financuar me mjete të BE-së si pjesë e Programit Mediatik 2014. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi ekskluzive e PR agjencisë për ëeb portale Ëeb-Almanah Zlatibor dhe Rrjetit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Europian.