Goli Otoku

Goli Otoku: ‘Kampi i djerrë’ i Jugosllavisë për stalinistët

Libri i historianit kroat Martin Previsiç mbi kampin e burgimit të Goli Otokut të viteve 1950 eksploron metodat brutale të përdorura nga regjimi jugosllav pasi u nda nga Bashkimi Sovjetik dhe pasi druhej se ishte nën kërcënimin e armiqve stalinistë brenda vendit.

 

“Historia ka treguar se konfliktet më të pamëshirshme nuk janë zhvilluar midis grupeve të ndryshme ideologjike, por brenda tyre,” është fjalia e parë dhe thelbi i librit të sapo publikuar të Martin Previsiç, Historia e Goli Otokut (Ishulli i djerrë), rreth kapit jugosllav të burgimit i cili ndodhej në një ishull të braktisur në bregun verior të Kroacisë.

Goli Otoku funksionoi si një kamp burgimi midis 1949 dhe 1956. Ai u hap vitin pas Kominform (Byroja e Informacionit Komunist, ose IB-ja), një organizatë e dominuar nga sovjetikët që përfshinte të gjitha shtetet komuniste dhe socialiste europiane në atë kohë, miratoi një rezolutë që përjashtoi Partinë Komuniste Jugosllave (Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë) për shkak se në vend kishte “elementë nacionalistë”.

Ndarja midis presidentit jugosllav Josip Broz Tito dhe udhëheqësit sovjetik Jozef Stalin shkaktoi marrëdhënie të këqija midis Jugosllavisë dhe BRSS deri në vitin 1955.

Me ndarjen, Jugosllavia së shpejti nisi arrestimet masive dhe burgosjen e përkrahësve të perceptuar dhe të vërtetë të Stalinit. Rreth 13,000 nga këta njerëz, të njohur gjerësisht si “IB-sa”, u mbajtën në kampin e Goli Otokut gjatë viteve që ai qe funksional.

“Në atë pikë, Jugosllavia ishte me të vërtetë e vetme, në prag të luftës me bllokun sovjetik dhe kjo krijoi një lloj paniku se stalinistët apo IB-sat janë kudo, se ata do të rrëzojnë qeverinë dhe kështu të gjitha mjetet për t’i trajtuar ata kishin shumë gjasa të miratoheshin,” tha për BIRN Previsiç, një historian 34 vjeçar nga Zagrebi që po kryen studimet Stanford University në SHBA.

Disa njerëz u dërguan në kamp thjesht sepse kishin mosmarrëveshje private me zyrtarë jugosllavë me ndikim ose ishin viktima të luftës për pushtet brenda Lidhjes së Komunistëve për poste shtetërore, shtoi ai.

Midis të burgosurve të Goli Otokut, kishte njerëz që kishin qenë heronj të Luftës së Dytë Botërore ose kishin qenë të burgosur në kampet naziste dhe fashiste të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, vuri në dukje Previsiç.

“Thjesht mund ta imagjinoni se sa shkatërruese ishte për këta njerëz të përfundonin nëpër kampe për herë të dytë në jetën e tyre,” tha ai.

“Papritur, Stalini nuk ishte i mirë”

Martin Previsiç

Në arkivat shtetërore në Zagreb dhe Beograd, Previsiç kontrolloi dosje personale të IB-save që u krijuan nga Administrata Jugosllave e Sigurimit Shtetëror, më mirë e njohur si UDBA, e cila drejtonte kampin e Goli Otokut.

Që kur dosjet UDBA-s u bënë më të hapura për publikun gjatë viteve të fundit, ai qe në gjendje të rindërtonte se cilët ishin IB-sat.

“I kam kushtuar një kapitull të tërë për të shpjeguar se kush ishin IB-sat. Edhe pse të gjithë e kanë të njohur termin IB-sa, të rrallë janë ata që mund t’i definojnë ata. Sipas hulumtimit tim, ishte një grup shumë i ndryshëm njerëzish,” tha ai.

“Patjetër që kishit stalinistë të devotshëm që besuan te Stalini dhe e mbështetën atë në ndarjen me Titon. Megjithatë, nga ana tjetër, të gjithë ishin pas Stalinit deri në ndarje. Disa njerëz ishin thjesht konfuzë, pasi Jugosllavia u stalinizua shumë midis viteve 1945 dhe 1948 dhe tani, papritmas, njerëzve u thuhet se Stalini nuk është i mirë,” shtoi ai.

Previsiç tha se disa njerëz që thanë publikisht se ishin dakord me disa pika në rezolutën që dëbonte Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë nga Kominformi, u dërguan madje në Goli Otok.

Ai shpjegoi se fillimisht u interesua për temën e Goli Otokut sepse ishte gjerësisht e pa hulumtuar dhe shumë pak ishte shkruar për të, përveç dëshmive personale dhe romaneve që filluan të shfaqen në vitet 1980 në Jugosllavi.

Megjithatë, pas rënies së Jugosllavisë, historianët nuk ishin shumë të interesuar për kampin, sepse “ndër të tjera, ishte e vështirë ose e pamundur që viktimat ose autorët të etiketoheshin etnikisht – të dy vinin nga të gjitha grupet e ndryshme etnike të Jugosllavisë. Kjo mungesë interesi ishte e lidhur me faktin se komunistët po burgosnin komunistët, shtoi Previsiç.

Përveç gërmimit në arkivat, ai foli me rreth 30 ish të burgosur të kampit.

“Disa prej tyre flisnin shumë, ndërsa disa ishin të heshtur. Disa kaluan deri në detaje, ndërsa disa të tjerë folën përciptazi. Me disa, u desh pak kohë për të fituar besimin e tyre, me disa të tjerë madje m’u desh të dehesha për t’u lidhur,” kujton ai.

Rreth gjysma e njerëzve që intervistoi vdiqën para botimit të librit.

Goli Otoku

Në kamp, mbi 300 të burgosur humbën jetën gjatë shtatë viteve kur ai ishte i hapur, duke vdekur nga shkaqe të ndryshme – ekzekutime, vrasje nga të burgosurit e tjerë, pasojat e punës së rëndë, tifoja dhe sëmundje të tjera.

Edhe pse nuk kishte ndonjë numër të madh rojesh që ruanin të ndaluarit, administrata e kampit i caktonte të burgosurit të abuzonin me njëri-tjetrin fizikisht.

“Në fakt, kjo s’është diçka e re në histori. Kjo metodë ekzistonte edhe në kampet naziste të përqendrimit dhe në gulagun sovjetik. Megjithatë, arsyetimi ishte i ndryshëm. Në rastin e Goli Otokut, UDBA e bëri sepse ishte e përshtatshme për të mbajtur duart e veta të pastra, me pak fjalë,” shpjegoi Previsiç.

Pavarësisht nga brutaliteti i punës së përditshme të rëndë në kushte ekstreme të motit dhe rrahjet nga të burgosurit e tjerë, administratorët e kampit gjithashtu kërkuan “t’i riedukonin politikisht” të burgosurit.

“Ata donin të bindnin të burgosurit se Jugosllavia nuk është si fashistët dhe nazistët, që hapnin kampe për të torturuar dhe më pas për të vrarë njerëz. Ata pohonin – ky ishte shpjegimi zyrtar – se ata do të ri-edukonin të burgosurit, do t’i bindnin ata se gaboheshin,” tha Previsiç.

“Në realitet, i nënshtroheshe keqtrajtimeve fizike derisa të pranoje se “Titoja kishte të drejtë” ose diçka e ngjashme,” shtoi ai.

Ai tha se nuk ishte i sigurt se sa e sinqertë ishte dëshira për të riedukuar të burgosurit, ose nëse ishte cinizëm i thjeshtë i ftohtë, por ai mendon se taktikat e administratorëve të kampit më së miri përshkruhen si “metoda brutale staliniste për të bindur me dhunë fizike”.

“Shumë të burgosur besonin te Jugosllavia”

Në libër, Previsiç gjithashtu hulumton jetën kulturore të të burgosurve, duke përfshirë shfaqjet teatrore dhe koncerte që u organizuan në kamp. Ai thekson se kjo nuk lehtësoi vuajtjet e shkaktuara nga puna dhe brutaliteti i përditshëm, por vë në dukje se administrata e kampit e synonte këtë si një mënyrë argëtimi për të burgosurit dhe rojet.

“Gjithashtu, kultura ka këtë element të ideologjisë dhe vepron si riedukim politik,” shtoi ai.

Pasi të burgosurit u liruan nga Goli Otoku, shumica e tyre u përballën me vështirësi të tjera edhe jashtë.

“Një pjesë e madhe e tyre u izoluan në një farë mënyre nga shoqëria. Ata e kishin të vështirë të gjenin një punë, të tjerët nuk donin të shoqëroheshin me ta sepse e dinin që ata kishin qenë në një lloj burgu,” tha Previsiç.

“Në një farë mase regjimi jugosllav diskreditoi veten përmes Goli Otokut dhe shkatërroi jetët e njerëzve, shumë prej të cilëve luftuan dhe besonin në atë vend,” shtoi ai.

Previsiç tha se përballë kërcënimit sovjetik pas ndarjes me Stalinin në vitet 1950, regjimi jugosllav donte të izolonte ata që ai pretendonte se ishin armiq të mundshëm të rrezikshëm të shtetit. Megjithatë, trajtimi i ashpër i armiqve të tij të dyshuar shkoi shumë më tepër të qenit thjesht një izolim.

“Për hir të argumentit, le të themi se të gjithë stalinistët e vërtetë duhet të ishin izoluar dhe të internuar në Goli Otok për disa vite. Por edhe atëherë, do të pyesja: ‘Po dhuna dhe trajtimi brutal? Po ato?”, tha ai. “Kjo nuk mund të falet apo minimizohet në asnjë mënyrë.”