Gjykata Speciale e Kosovës mbron dëshmitarët e frikësuar nga kanosja

 

Një makinë me targën pothuajse të mbuluar me baltë pret në krye të rrugës, ndërsa njerëzit brenda sigurohen që gazetari që po vjen të flasë me dëshmitarin është i njëjti person që rregulloi takimin dhe se ata po udhëtojnë me makinën që thanë se do të përdornin.

Këto masa paraprake janë vetëm disa nga masat mbrojtëse që po përdoren për të garantuar sigurinë e dëshmitarit i cili sapo ka depozituar dëshminë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me bazë në Hagë, e cila po heton krimet e luftës dhe ato të pasluftës.

“Masat e sigurisë janë rritur për shkak të arsyeve të sigurisë. Unë nuk kam pranuar të zhvendosem nga vendi. Por ata, prokurorët, duan të sigurohen se gjithçka është nën kontroll,” thotë dëshmitari për BIRN.

Këto masa të rritura sigurie përfshijnë shumë masa të tjera që dëshmitari refuzon t’i tregojë. Deri më tani, gjithçka po shkon pa probleme: “Ata (prokurorët) duket se janë seriozë. Le të shohim,” thotë dëshmitari.

Dëshmitari pretendon se është torturuar nga dy figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, se ishte një kundërshtar politik. BIRN nuk mund të japë më shumë hollësi rreth rastit për arsye sigurie.

Siguria e dëshmitarëve ishte një nga çështjet kryesore pse Dhomat e Specializuara të Kosovës, të mandatuara për të ndjekur penalisht krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së midis viteve 1998 dhe 2000, u vendosën jashtë vendit, në Hagë.

Vështirësitë në mbrojtjen e dëshmitarëve pasojnë përpjekjet e nga ana e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, në Hagë dhe nga misionet ndërkombëtare në Kosovë – Misioni i OKB-së në Kosovë UNMIK dhe misioni i sundimit të BE-së EULEX – për të dënuar ish-anëtarë të UÇK-së të akuzuar për kryerjen e krimeve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Në gjyqin e Gjykatës së Hagës të ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj dhe dy të pandehurve të tjerë, prokuroria pretendoi se dëshmitarët ishin kërcënuar që të mos dëshmonin para gjykatës. Një dëshmitar në gjyq, Shefqet Kabashi, u dënua për shpërfillje në vitin 2011 për “ndërhyrje me dashje dhe me dëshirë” në administrimin e drejtësisë duke refuzuar ose duke mos iu përgjigjur pyetjeve në gjykatë.

Një burrë tjetër, Bajrush Morina, u dënua për presion ndaj një dëshmitari të mbrojtur për të mos dëshmuar për prokurorinë në gjyqin e Haradinajt, ndërsa një i tretë, Beqa Beqaj, u dënua për ndërhyrje te dy dëshmitarë në rastin kundër një ish-figure të lartë të UÇK-së, Fatmir Limaj. Të dy, Haradinaj dhe Limaj, u liruan nga akuzat për krime lufte.

Carla Del Ponte, e cila ishte kryeprokurore e ICTY-së nga viti 1999 deri në vitin 2007, shkroi në librin e saj Madame Prosecutor se “dëshmitarët në gjyqet e Kosovës në ICTY kishin aq shumë frikë dhe ishin kanosur aq shumë, saqë druheshin të flisnin edhe për praninë e UÇK-së në disa zona, pa përmendur krimet aktuale”.

Në një përpjekje për të trajtuar problemin, BE dhe SHBA më pas kërkuan krijimin e një gjykate të re jashtë Kosovës, ku gjykimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë shumë të papëlqyeshme. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por kanë staf ndërkombëtar.

Kanosje dhe kërcënime me vdekje

 

Kastriot Imeri, i biri i një politikani të Kosovës të vrarë pas luftës. Foto: BIRN.

Një atmosferë frike ende mbizotëron në Kosovë, ku thuhet se dëshmitarë të krimeve të luftës janë vrarë, kërcënuar, kanosur dhe janë shtyrë të ndryshojnë dëshmitë e tyre fillestare.

Ata që dëshmojnë kundër ish-guerrilasve shpesh shihen si tradhtarë të kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së për çlirimin nga represioni serb. Themelimi i Dhomave të Specializuara dhe miratimi i gjykatës së re nga parlamenti i Kosovës u arrit vetëm nën presionin ndërkombëtar, mes protestave të veteranëve të luftës dhe përpjekjeve nga deputetët për të hedhur poshtë themelimin e gjykatës.

Përveç frikës së izolimit social, një numër ish-komandantësh të UÇK-së tani mbajnë poste të larta politike në vend – një fakt që mund t’i bëjë dëshmitarët të ngurojnë akoma më shumë për të dëshmuar.

Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se mbështetja e dëshmitarëve para, gjatë dhe pas dëshmisë është e “një rëndësie parësore”.

“Ne do të sigurojmë mbrojtjen e dëshmitarëve duke përfshirë sigurinë e tyre, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, duke u siguruar që dëshmitarët të informohen dhe mbështeten në mënyrë adekuate para, gjatë dhe pas dëshmisë së tyre,” thanë në një përgjigje me shkrim për BIRN Dhomat e Specializuara.

Masat mbrojtëse përfshijnë rregulla të posaçme të gjykatës për marrjen në pyetje të dëshmitarëve gjatë dëshmisë së tyre, si edhe masa për garantimin e sigurisë së tyre personale.

Dëshmitarëve mund t’u jepen pseudonime, zërat e tyre mund të maskohen gjatë dhënies së dëshmisë dhe dokumentet gjyqësore me informacione që mund t’i identifikojnë ata mund të mbahen konfidenciale.

“Masa speciale mund të merren edhe për të lehtësuar dëshminë e dëshmitarëve të traumatizuar ose të brishtë, siç janë viktimat e dhunës seksuale, dëshmitarët e moshuar ose ata nën moshën 18 vjeçare,” tha Dhoma e Specializuar.

Maxine Marcus, drejtoreshë e Klinikës së Drejtësisë Tranzicionale dhe një ish-prokurore e ICTY, tha se dëshmia e dëshmitarëve do të jetë vendimtare dhe se paketa e masave mbrojtëse duhet të jetë e sofistikuar.

“Sipas përvojës time, dëshmitë e dëshmitarëve okularë mund të jenë dëshmi të forta dhe bindëse dhe mungesa e provave fizike, mjekësore apo të mjekësisë ligjore nuk duhet të pengojë dënimet efikase dhe të drejta,” tha Marcus për BIRN.

Ashtu si Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, gjykata e re do të mbështetet shumë në bashkëpunimin e shteteve për të zhvendosur dëshmitarët jashtë Kosovës në një përpjekje për të garantuar sigurinë e tyre.

Por dëshmitarët e cënueshëm dhe të afërmit e viktimave të luftës janë skeptikë për aftësinë e këtyre vendeve për t’u siguruar atyre mbrojtje të plotë.

Kastriot Imeri, i biri i Haki Imerit, një anëtar i Partisë Lidhje Demokratike e Kosovës, LDK, i cili u vra në zonën e Drenicës në nëntor 1999, tha se gjatë gjyqeve të mbajtura nën patronazhin e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, dëshmitarët u vranë, u kanosën ose “u blenë” në këmbim të dhënies së dëshmive që ndihmuan në shfajësimin e të pandehurve.

“Druhem se 20 vjet më vonë, dëshmitarët dhe viktimat ende do të hezitojnë të bëjnë para dhe të ndihmojnë drejtësinë,” tha Imeri për BIRN.

Megjithatë, ai beson se gjykata e re po ndërmerr një qasje ndryshe për çështjen.

“Unë besoj se Dhomat e Specializuara po u japin shumë më tepër përparësi mbrojtjes së dëshmitarëve,” tha ai.

“Askush nuk mund të jetë totalisht anonim”

Gjyqtari austriak Frank Hopfel, një profesor në Universitetin e Vjenës, i cili shërbeu në panelin gjykues të Haradinajt në gjykatën e OKB-së në Hagë, mendon se gjykata e re ka dy avantazhe dhe disa pengesa.

“Është më e sigurt, por e komplikuar dhe e vështirë për dëshmitarët që të udhëtojnë në Hagë. Ata do të kenë nevojë për një njësi të mirë mbështetëse, duke përfshirë psikologë,” tha Hopfel për BIRN.

Dhomat e Specializuara thanë se do t’u japin informacione të plota dëshmitarëve për rolin dhe përgjegjësitë e tyre, me qëllim që t’i përgatisin ata për gjithë përvojën e dëshmisë, për të menaxhuar pritshmëritë dhe për të parandaluar zhgënjimin e tyre.

“Dëshmitarët do të informohen dhe do të priten nga një ekip profesional i cili do të ofrojë ndihmë administrative dhe logjistike. Dhomat e Specializuara të Kosovës do t’i ndihmojnë gjithashtu dëshmitarët në marrjen e ndihmës mjekësore, psikologjike dhe të tjera të përshtatshme para, gjatë dhe pas dëshmisë,” thanë Dhomat e Specializuara.

Hopfel tha se në përgjithësi ai miraton paketën e masave mbrojtëse që gjykata e re do të zbatojë. Por ai nuk pajtohet me lidhjen e njëanshme me video që lejon dëshmitarin të shohë sallën e gjyqit, por nuk lejon që njerëzit në sallën e gjyqit ta shohin dëshmitarin.

“Dëshmitari gjithmonë duhet ta shohë gjyqtarin në st. Kjo e ndihmon gjyqtarin të besojë atë që thotë dëshmitari,” shprehet ai.

Hopfel paralajmëroi gjithashtu se mbrojtja e plotë e identitetit ishte e pamundur, duke thënë se “asnjë nga dëshmitarët nuk do të gëzojë anonimitet total, duke pasur parasysh se të pandehurit kanë të drejtë të dinë se kush po dëshmon kundër tyre dhe të përgatisin një marrje në pyetje të dëshmitarit me avokatët e tyre mbrojtës”.

Kushdo që është i përfshirë në kanosjen e dëshmitarëve ose në përpjekjet për t’i diskredituar ata do të ndiqet penalisht, Dhomat e Specializuara thanë: “Aktet e kanosjes së dëshmitarëve ose të njerëzve të afërt me ta do të dënohen si një vepër e veçantë penale si dhe zbulimi i informacionit që vë në rrezik sigurinë e dëshmitarit të mbrojtur mund të ndëshkohet rëndë.”

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk pranoi të jepte ndonjë informacion në lidhje me rolin e saj në transferimin, zhvendosjen dhe mbështetjen financiare të dëshmitarëve.

Në shtëpi në Kosovë, dëshmitari që ka depozituar dëshminë dhe tani mbështetet në masat mbrojtëse të zgjeruara të gjykatës së re, i tregon gazetarit të BIRN gjurmë plagësh në këmbë që iu shkaktuan atij gjatë torturave rreth dy dekada më parë.

“Ne nuk e dimë se si do të funksionojë me Dhomat e Specializuara,” thotë dëshmitari, përpara se të përfundojë: “Kemi nevojë vetëm të shohim më në fund drejtësi. Një drejtësi kuptimplotë.”