Një grumbullues skrapi endet përmes një deponie në Kosovën lindore. Foto nga Arben Llapashtica

Gjuetarët e mbeturinave: grumbulluesit e shfrytëzuar të skrapit në Kosovë

Skrapi për riciklim është eksporti më i madh i Kosovës. Kjo është një industri 40 milionë euroshe e ngritur në kurriz të minoriteteve të margjinalizuara dhe fëmijëve.

 

Dymbëdhjetëvjeçarja Resmija është tepër e shkurtër për të arritur mbeturinat kështu që ajo ngjitet mbi kazan dhe hyn brenda në të.

Pasi shqyen qeset me mbeturina shtëpiake dhe me ushqime që po kalben, ajo nxjerr mënjanë çdo gjë me vlerë: shishe plastike, kanaçe pijesh joalkoolike, kabllo elektrike. Të gjitha çohen te një karrocë druri që shtyhet nga xhaxhai i saj.

Të dy kanë dalë që herët në mëngjes për të gërmuar mbeturinat e të tjerëve në rrugët e Fushë-Kosovës/Kosovo Polje, një qytezë në jug të Prishtinës e njohur si qendra e industrisë së riciklimit në Kosovë.

“Mund të fitoj gjashtë apo shtatë euro në ditë,” thotë Resmija, me krenari. Ajo ka flokë të zinj të shkurtër dhe një bluzë të hirtë me rozë ku shkruhet “Love Fashion” – “Dashuro modën”.

Për mijëra punëtorë informalë në tregtinë në lulëzim të materialeve të riciklueshme në Kosovë, pak euro është gjithçka që ata presin të fitojnë nga një ditë e gjatë pune nëpër kazanët e mbeturinave apo fushat e plehrave.

Ata shesin metalin, plastikën, najlonin dhe letrën që  rikuperojnë nga mbeturinat tek tregtarët ndërmjetës në pikat e grumbullimit të lagjeve, ku materialet klasifikohen para se të rishiten te kompanitë për eksport. Kosova nuk ka program publik të riciklimit. Ajo çfarë shpëtohet nga kazanët e plehrave përfundon e ripërdorur në produkte të ndryshme në të gjithë botën: materialet sintetike përdoren për veshje, shishet plastike për arka plastike, skrapi për hekur ndërtimi. Çdo gjë nga polietileni deri te hekuri i derdhur apo aliazhi i çelikut është material i kërkuar.

Kjo është një industri që mesatarisht qarkullon më shumë se 40 milionë euro në vit dhe skrapet metalike për riciklim përbëjnë eksportin më të madh të Kosovës, sipas të dhënave të doganave të marra nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN.

Është një industri e ndërtuar në kurriz të komuniteteve shumë të varfra – veçanërisht komuniteteve të margjinalizuara rom, ashkali dhe egjiptas.

Diskriminimi, analfabetizmi, papunësia dhe siguria shoqërore e kufizuar do të thotë se grumbulluesit e skrapit kanë pak mundësi të tjera përveç punës së rrezikshme dhe të pistë.

Dhe njësoj si Resmija, shumë fëmijë janë të detyruar të ndërpresin shkollimin.

Elizabeth Gowing, drejtuese e The Ideas Partnership, një organizate për të drejtat e minoriteteve me bazë në Prishtinë, e përshkroi tregtinë e skrapit si një rreth vicioz që zë në kurth njerëzit gjeneratë pas gjenerate.

“Prindër të paarsimuar dalin në kontejnerë për të nxjerrë jetesën ndërsa fëmijët e tyre mbeten të paarsimuar kështu që i njëjti fat i pret edhe ata,” tha ajo.

Hilmi Jashari, Avokati i Popullit i Kosovës tha se vuajtjet e fëmijëve që mbledhin mbeturina përbëjnë sfida të shumëfishta për të drejtat e njeriut.

“Ata jetojnë në kushte të papranueshme fizike, shoqërore dhe psikologjike,” tha ai për BIRN. “Ata nuk shkojnë në shkollë dhe shpesh janë viktima të formave të ndryshme të dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit.”

Ai shtoi : “Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për të trajtuar këtë problem.”

Rreziqe në punë

Ndërsa dita zbardh në shtëpitë e varfra të lagjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në qytezën e Fushë Kosovës, puna e përditshme fillon.

Burra, gra, djem dhe vajza dalin në rrugë me thasë të zbrazët. Disa shtyjnë karroca dore apo qerre të improvizuara. Disa kanë biçikleta të lidhur me rimorkio ose minitraktorë.

Ata shkojnë në vendet që e dinë se ka plehra të pasurish. Kazanë pranë blloqeve të pallateve në Prishtinë, gjashtë kilometra në veri. Bakri, alumini dhe bateritë janë gjetje me leverdi.

Vahide Dibrani, nëna e tre fëmijëve, ka një traktor me të cilin udhëton bashkë me bashkëshortin e saj ndërsa djali tetëvjeçar kujdeset në shtëpi për motrat më të vogla. Disa ditë janë më të mira se të tjerat. Gjetjet e sotme përfshijnë qilima të vjetër dhe një kukull plastike.

“Ti mbush një nga këto thasët e mëdhenj dhe merr pesë apo gjashtë euro,” tha ajo. “Çfarë mund të bësh me kaq para?”.

Një minitraktor tërheq ngarkesën me materiale të riciklueshme në Prishtinë, e cila do të shitet te një nga pikat e grumbullimit. Foto by Arben Llapashtica

 

Dibrani kishte një të gërvishtur në ballë nga një aksident i kohëve të fundit. Ajo ishte zgjatur tepër për të kapur shishet plastike dhe grumbujt e najlonit aq sa kishte rënë brenda në kazan. Këto janë telashet e zakonshme të kësaj pune.

Mustafa Bajrami, një burrë në të pesëdhjetat me mjekër të thinjur ka grumbulluar skrap që prej 30 vjetësh ndërsa tregon një plagë në dorën e tij të djathtë.

Ai u lëndua kur po gërmonte në plehra për kanaçe. Një gastare ia preu gishtin e madh. Ai e lidhi me lecka derisa plaga u shërua duke lënë pas një shenjë të thellë.

Por këto konsiderohen si probleme të vogla në këtë punë.

Vitin e kaluar, Elbasan Isufi, 24 vjeç, vdiq pasi u godit nga një buldozer ndërsa grumbullonte fshehurazi mbeturina në një deponi në lindje të Kosovës, raportoi media vendëse.

Në Fushë-Kosovë, një fëmijë rom shtatëvjeçar, Driton Jashari, u kafshua për vdekje nga një qen derisa grumbullonte kanaçe në vitin 2014.

Në anën tjetër të kufirit në Shqipëri, mediat kanë raportuar tragjedi të ngjashme.

Në korrik, Dashamir Jahja, 22, dhe Drilon Lamaj, 27, vdiqën pas rrëzimit të një muri përderisa ata po grumbullonin skrap në ish-fabrikën e superfosfatit në Laç.

Një vit më herët, një buldozer vrau 17-vjeçarin Ardit Gjoklaj në deponinë e Sharrës në Tiranë.

Pastaj janë edhe rreziqet për sëmundje.

“Nëse punon gjithë ditën në plehra, vështirë se mund të ruash shëndetin,” thotë Driton Kovaqi, një grumbullues nga qyteti i Podujevës/Besianës në veri-lindje të Kosovës.

Një herë në muaj, Kovaqi ndërpret punën në kërkimin e vendgrumbullimit të mbeturinave për veshje dhe mobile për të shkuar në spital për transfuzion gjaku për të trajtuar sëmundje të mëlçisë, thotë ai.

Shumica e grumbulluesve të skrapit punojnë me orë të gjata pa pajisje ndërsa lëvizin me duar çdo gjë, nga pelenat e përdorura te hekurishtet e ndryshkura apo mishi i kalbur.

Dile Rrusta, mjeke e përgjithshme e interesuar për shëndetin publik në qytezën e Drenasit në qendër të Kosovës, tha se grumbulluesit e mbeturinave rrezikohen nga infeksionet, përfshirë ato të gastroenteritit, tifos, salmonelës apo kolerës.

“Kazanët e plehrave frekuentohen nga insektet që ushqehen me mbeturina dhe përhapin infeksionet përreth,” tha ajo. “Për më tepër, këto insekte lëshojnë larvat e veta aty.”

Ekspertët thonë se nuk janë vetëm mbledhësit ata që rrezikojnë. Edhe familjet e tyre janë vulnerabël veçanërisht për shkak se në vendbanimet e të varfërve ka pak ujë të rrjedhshëm.

“Rreth një e treta e grave rome lindin fëmijët e tyre në shtëpi,” tha Gowing nga Idea Partnership. “Imagjinoni se si një burrë që sapo ka ardhur nga kazani [i mbeturinave] ndërsa bashkëshortja e tij lind në të njëjtën dhomë, në një shtëpi të vogël ku çdo gjë ndodh në të njëjtën hapësirë. Nuk është çudi që të ndodhin infeksione.”

Ministria e Punës dhe Mirëqenies nuk iu përgjigj kërkesave për intervistë apo pyetjeve me email mbi kushtet e punës së grumbulluesve të mbeturinave.

Një fëmijë mbledh plastikë në Fushë-Kosovë. Foto nga Arben Llapashtica

 

Operatorë të paqëndrueshëm

Në një parcelë toke të zbrazët të rrethuar nga një mur me tulla betoni në zemër të lagjes mebanorë romë, ashkali dhe egjiptas në Fushë-Kosovë, grumbulluesit e skrapit po shisnin atë që kishin grumbulluar atë ditë për ca euro dhe ca cent.

Një tregtar godiste një makinë llogaritëse me butona të mëdhenj rozë dhe shënonte shumat në një bllok shënimesh. Një tjetër burrë drejtonte një makineri që shërbente për të ngjeshur shishet plastike.

Pikat e grumbullimit si kjo janë të palicencuara – dhe për rrjedhojë të paligjshme.

Sipas ligjit Për Mbetjet në Kosovë, penalizimet për menaxhimin e mjediseve të mbeturinave pa licencë përfshijnë gjoba deri në 500 mijë euro.

Çdokush i përfshirë në transaksione refuzoi të komentojë por grumbulluesit thonë se një kilogram hekur zakonisht shitet për 16 centë ndërsa një kilogram plastikë për 12 cent. Kanaçet shiten për katër centë për kilogram.

Ricikluesit e mbeturinave thonë se pikat e palicencuara të grumbullimit nëpër Fushë-Kosovë janë të vetmet në vend që drejtohen nga persona nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas përbëjnë 2 për qind të popullsisë së Kosovës – afërsisht 36,000 njerëz, sipas regjistrimit të vitit 2011.

Një vrojtim mbi bashkësitë e margjinalizuara rome i kryer vitin e kaluar nga Programi i OKB-së për Zhvillimin, UNDP, gjeti se 78 për qind e romëve nuk kishin punësim formal, arsim apo trajnim. Kjo krahasohet me 47 për qind të popullsisë jo-rome. Shifra ishte më e lartë për gratë e reja rome – 88 për qind.

Ndërkohë, vetëm 10 për qind e romëve mbi 16 vjeç kishin sigurime shëndetësore.

Deri në maj, rreth 2,600 familje rome, ashkali dhe egjiptase merrnin ndihmë ekonomike që varion nga 60 deri në 180 euro në muaj, në varësi të numrit të anëtarëve të familjeve, sipas shifrave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Të gjitha këto tregojnë se familjet rome, ashkali dhe egjiptase kanë pak ose aspak siguri sociale duke e bërë punësimin informal në riciklimin e mbeturinave mjetin e vetëm të mbijetesës, thonë aktivistët e të drejtave.

Fëmijët shpesh ndihmojnë, megjithëse puna e fëmijëve nën 15 vjeç është ilegale.

“Dështimi i institucioneve tona për të ndërmarrë masat e duhura për të ndaluar praktikën e vazhduar të përdorimit të punës së fëmijëve në grumbullimin e mbeturinave përbën një dhunim të drejtpërdrejtë të të drejtave të fëmijëve për të mos u shfrytëzuar, për të drejtën e tyre për t’u arsimuar dhe të drejtën për siguri shoqërore,” thotë Rina Kika, avokate e të drejtave të njeriut me bazë në Prishtinë.

Derisa sheshin atë që mbledhin ditë pas dite te pikat e grumbullimit – pa kontrata apo siguri në punë – ricikluesit e të gjitha moshave janë në mëshirë të operatorëve hileqarë.

“Ata i ndryshojnë çmimet çdo ditë,” thotë Egzoni, një adoleshent nga lagjja Dardania e Prishtinës, i cili ka kërkuar për mbeturina që kur e la shkollën fillore në moshën tetëvjeçare. Me një kapele bejsbolli dhe atlete Nike, ai refuzoi të japë emrin e plotë.

Njëzet e tre biznese janë licencuar për grumbullimin dhe përpunimin e skrapit në Kosovë, sipas Ministrisë së Mjedisit.

Një zëdhënës i ministrisë i tha BIRN se ministriaka identifikuar 58 pika të paligjshme grumbullimi në të gjithë vendin dhe i ka dërguar operatorët në gjykatë.

Burrat po klasifikojnë plastikën në një pikë grumbullimi në Fushë Kosovë. Foto nga Arben Llapashtica

Biznes në lulëzim

Pavarësisht se si mblidhet, shumica e mbeturinave përfundon te kompanitë e eksportit të etura për të përfituar nga një tregti ndërkombëtare riciklimi në lulëzim – veçanërisht sa i përket metaleve.

“Eksportet e metaleve bazë të papërpunuara dhe produkteve minerare janë eksportet kryesore të Kosovës dhe përbëjnë deri 55 për qind të të gjitha eksporteve sipas shifrave të vitit 2017,” thotë Zef Dedaj, kreu i divizionit të politikave tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në një intervistë për BIRN në Prishtinë.

Dedaj pranoi se një pjesë e materialit të eksportuar vjen nga pika grumbullimi të paregjistruara dhe nga biznesi me grumbulluesit individualë të rrugës.

“Ne kemi parë oborre shtëpish që përdoren për të grumbulluar skrap,” tha ai.

Shishe plastike të shtypura presin të transportohen te një kompani përpunimi mbetjesh për eksport. Foto nga Arben Llapashtica

 

Të dhënat e doganave të siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë përmasat e industrisë së skrapit në Kosovë.

Mes viteve 2010 dhe 2017, vendi eksportoi pothuajse 820 mijë tonë mbeturina – më së shumti metale dhe plastikë – me vlerë mesatare prej 43 milionë eurosh në vit.

Konsumatorët më të mëdhenj të mbeturinave të Kosovës janë Shqipëria, Maqedonia, Italia, India dhe Turqia.

 

Të dhënat e doganës nuk përfshijnë emrat e kompanive eksportuese për shkak të rregullave mbi sekretin tregtar, por një investigim i vitit 2015 nga Preportr, një publikim i Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese, identifikoi më shumë se 60 kompani me aktivitet eksportin e mbetjeve.

Kompania më e madhe quhet Nderimi, e cila eksportoi gati 22 milionë euro mbetje mes viteve 2010 dhe 2015, sipas të dhënave të doganave të cituara nga Preportr.

Nderimi nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për intervistë, por një zëdhënës konfirmoi në telefon se kompania blen mbetje si nga grumbulluesit individualë ashtu edhe nga pikat e grumbullimit.

Sipas faqes së internetit të Nderimi, kompania shet skrap për Kurum International, një prodhues çeliku dhe hekuri për ndërtim në Shqipëri. Kurum nuk iu përgjigj pyetjeve për intervistë mbi përdorimin e skrapit nga Kosova.

 

Në të gjithë Ballkanin, ekspertët thonë se më të varfrit e të varfërve punojnë në grumbullimin e skrapit, me rregulla të pakta dhe me shfrytëzim të gjithëpërhapur të ushqyer nga varfëria.

Në Maqedoni, një studim i kohëve të fundit nga organizata jofitimprurëse Maqedonia Pa Plehra, vlerësoi se deri në 5 mijë grumbullues informalë të plastikës, letrës dhe materialeve të tjera trajtojnë rreth 80 për qind të të gjitha mbetjeve të riciklueshme.

Por Kosova ka rol më të madh në termat e furnizimit të skrapit në tregun ndërkombëtar të riciklimit.

Vitin e kaluar, Kosova eksportoi gjashtë herë më shumë skrap se sa Shqipëria fqinje – 108 mijë tonë përkundrejt 18 mijë tonëve, sipas të dhënave të doganave të Shqipërisë.

Një djalë po mbledh kabllo kompjuterësh të hedhur. Foto nga Arben Llapashtica

 

 Jeta në deponi

Jo të gjithë ata që gërmojnë në vendgrumbullimet e plehrave të Kosovës vijnë nga minoritetet e margjinalizuara.

Rreth një e treta e popullsisë së Kosovës jeton nën vijën e varfërisë, duke mbijetuar me më pak se një euro e 72 cent në ditë, sipas statistikave të qeverisë të vitit 2016. Disa prej tyre mbështeten te riciklimi për të mbijetuar.

Rreth 10 minuta larg qytezës së Gjilanit në Kosovën lindore, duzina me njerëz gërmojnë në vendin e grumbullimit të mbeturinave, i cili është sa dy fusha futbolli bashkë.

Ata janë shqiptarë nga fshatrat përreth, sipas Abdullah Haxhiut, drejtor të kompanisë publike që menaxhon deponinë, Kompania e Menaxhimit të Deponive të Kosovës.

Një buldozer shtyn mbeturinat në deponinë e Gjilanit në Kosovën lindore. Foto nga Arben Llapashtica

 

Ndërsa ajri ishte i rëndë mbi një det me mbeturina nën diellin e mesditës, era e keqe të mbyste. Në vende të ndryshme kishte oxhaqe që dilnin nga dheu. Ato janë instaluar për të lejuar çlirimin e gazit metan nga nëntoka në mënyrë që të shmanget rreziku i shpërthimeve.

Të gjithë grumbulluesit e skrapit që kërkonin në deponi ishin burra apo djem që kishin çarë gardhin rrethues duke injoruar tabelat që njoftojnë ndalimin e hyrjes. Një pasdreke, BIRN numëroi rreth 80 njerëz që punonin në deponi.

Ndërsa kamionët e shkarkimit mbërrinin me mbeturina, grumbulluesit përlesheshin për të qenë sa më pranë mbetjeve të freskëta. Nga larg disa fëmijë dukeshin aq të vegjël sasiluetat e tyre mesi dalloheshin nën rrezet e diellit që përplaseshin në xham dhe metal.

Haxhiu tha se ai ishte përpjekur vazhdimisht të mbante grumbulluesit larg, duke kërkuar ndihmën e policisë, ministrisë së mjedisit dhe autoriteteve vendore – por pa sukses.

“Për shkak se institucionet e tjera nuk veprojnë, ne duhet të vijojmë punën pavarësisht rreziqeve [për njerëzit] më deponinë e Gjilanit,” tha ai.

Policia e Gjilanit tha se kishte bërë 11 referime për aktivitetin e paligjshëm në deponi nga të cilat pesë i ishin përcjellë me procedime.

Ismet Hashani, një oficer policie në Gjilan tha se policia kishte identifikuar “një pikë grumbullimi mbetjesh të ndryshme” 200 metra larg vendit të depozitimit dhe kishte dorëzuar një raport te autoritetet e komunës “për shkak se ajo operonte pa dokumente të vlefshme”.

“Në lidhje me të njëjtën pikë, njësitë e stacionit policor të Gjilanit kanë marrë shumë ankesa nga njerëzit që banojnë në zonë për shkak të erës së keqe nga mbeturinat dhe pamjes së pakëndshme,” tha ai.

Jashtë derës kryesore të landfillit, BIRN pa grumbulluesit të zënë me punë në një zonë të improvizuar klasifikimi. Të tjerë hanin ose pushonin në çadra të improvizuara.

“Punë të lehtë nuk ka, por kjo është më e keqja,” tha Salihu, 54 vjeç, derisa ndante mbetjet e grumbulluara atë ditë: shishet e plastikës, kartonin, dhe veshjet veç e veç.

Si të gjithë punonjësit informalë në deponi, ai refuzoi të japë emrin e plotë. Disa kishin frikë se mos ngacmoheshin nga policia. Të tjerë kishin siklet për shkak të stigmës.

“Kur dal për kafe me shokët nuk i them se çfarë pune bëj,” tha një adoleshent.

Një kamion jeshil mbërriti te pika e ndarjes dhe burrat filluan të ngarkojnë me kujdes thasët me materiale të riciklueshme. Paratë ndërruan duar dhe kamioni u largua.

Të ndara: pirgje me materjale të riciklueshme gjenden gati për t’u ngarkuar në zonën e klasifikimit pranë Deponisë të Gjilanit. Foto Nga Arben Llapashtica

 

Shumë grumbullues mbeturinash thonë se ata ëndërrojnë të ikin jashtë vendit për të nisur një jetë të re larg erës së qelbur të mbeturinave. Por për të emigruar duhen para – dhe paratë e pakta që fitojnë nuk mjaftojnë as për të vënë bukë në tavolinë.

“Është pikërisht mungesa e mirëqenies sociale që detyron këta njerëz të shkojnë në deponi çdo ditë dhe të rrezikojnë jetën në përpjekje për të mbuluar nevojat e tyre bazë,” thotë avokatja Kika.

“Unë besoj se lejimi i grumbullimit të mbeturinave në një mënyrë të pakontrolluar dhe pa mbikëqyrje e pa asnjë masë mbrojtëse për të siguruar kushte shëndetësore për ata që mbledhin mbetje, është një dhunim i vazhduar i të drejtave të njeriut dhe një dështim për të mbrojtur dhe siguruar të drejtat e grumbulluesve të mbeturinave në deponi.”

Gowing nga The Ideas Partnership tha se njerëzit që rraskapiten duke grumbulluar mbeturina duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si të gjithë të tjerët pasi ofrojnë një shërbim publik me rëndësi të madhe.

“Fakti është që ricikluesit informalë janë ata që na shërbejnë ne si qytetarë për shkak se nuk ka riciklim publik në Kosovë, kështu që ata rikuperojnë mbetjet e riciklueshme dhe i kthejnë në gjëra të ripërdorshme,” tha ajo.

Leonida Molliqaj është gazetare e Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese. Redaktimi u bë nga Timothy Large. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.