Gjorce Stavreski, regjisor nga Shkupi. Foto: BIRN

Gjorce Stavreski: Filmat historikë nuk do të jenë e ardhmja ime

Regjisori i ri, komedia e zezë me titull ‘Përbërësi i Fshehtë’’ e të cilit, u kthye në një nga filmat më të vlerësuar të kritikës ndër vite në Maqedoni, thotë se është e tashmja dhe jo e shkuara ajo që e frymëzon.

Pas shfaqjeve në skenë më 23, në festivalet e filmit mbarë rruzullin, dy prej tyre të vlerësuara maksimalisht dhe pas marrjes së nëntë çmimeve ndërkombëtare, ‘’Përbërësi i Fshehtë’’ i Gjorce Stavreskit këtë muaj e përmbushi suksesin me një shfaqje të hapur në skenë përballë mijëra njerëzve në parkun qendror të Shkupit.

Shfaqja e hapur e kësaj ‘’perle të çiltër tragjikomike’’, siç e quajti reporteri i Hollywood, ishte arsyeja kryesore e bisedës me të riun regjisor-shkrimtar të Shkupit, për të cilin prodhimi i filmave nuk ishte zgjedhja e tij e parë për karrierë.

Stavreski fillimisht u regjistrua në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Shkupit, ku pavarësisht se ishte një student i pazakontë, tha se rrethanat e dëshpëruan, si shumë nga kolegët e tij ku shumica prej tyre kërkonin të diplomoheshin dhe punësoheshin në teknologjinë informatike.

‘’Nuk kishte idealizëm mes njerëzve ndërsa unë jam idealist. Nëse do të isha regjistruar në matematikë apo fizikë, do i kisha përfunduar studimet. E kam përballuar stresin në fakultet duke luajtur në një grup të muzikës punk’’, kujtoi ai.

Ishte shoku i tij i grupit ai që fillimisht i sugjeroi Stavreskit të ndërronte fakultetin në atë të Arteve Dramatike. Ai e ndoqi këshillën e tij edhe pse nuk ishte aq i ithtar i filmave asokohe. Më shumë tërhiqej pas letërsisë dhe filozofisë. ‘’Çdo gjë ndodhi në një mënyrë të çuditshme’’, tha ai, për në fillesën e karrierës së tij.

I motivuar prej sistemit shëndetësor të tmerrshëm në Maqedoni:

Një nga temat qendrore në Përbërësi i Fshehtë është sistemi shëndetësor famëkeq, jofunksional në Maqedoni. Ky subjekt është përgatitur për vite me radhë në mendjen e tij.

‘’Është e paparë që filmi arriti kaq sukses në një sërë fushash. Është një pako e plotë’’, tha ai. ‘’Shkoi mirë si me kritikët ashtu edhe me audiencën, gjë që vështirë se arrihet me ndonjë vepër arti’’.

‘’Isha kaq i rraskapitur në fund të krijimit të filmit, do të isha i kënaqur të merrja pjesë në disa nga festivalet me vlerësimet më të larta, gjë që ndodhi në Talin në Estoni’’.

Shfaqja në festivalin estonez tërhoqi komente pozitive, gjë që e ngriti audiencën e filmit.

Siç e ndërmendi Stavreski, një nga tre kritikët më të mirë të filmit, Jessica Kiang, nga Variety, e pa filmin në festivalin e Talinit.

Njerëzit e pranishëm në audiencë i thanë që pas skenës së fundit të filmit ajo u ngrit në këmbë dhe duartrokiti.

‘’Nuk e keni idenë çfarë lloj suksesi është ky! Jessica Kiang ose shkruan për filma që vërtet i pëlqen, ose ‘i gjuan me gurë’, tha ai.

‘’Na u bë e ditur se ajo e kishte pëlqyer ‘Përbërësi i Fshehtë’ dhe u prezantuam shkurtimisht me të, para se të arratiseshim; pasi kishim frikë mos themi ndonjë broçkull dhe t’ia shkatërrojmë përshtypjet’’, shtoi Stavreski duke qeshur.

‘’Ajo shkroi një koment brilant, që ishte një motiv i pabesueshëm’’, shtoi Stavreski.

Varësisht se përdorimi dhe perceptimi i marijuanës përbëjnë temën më goditëse të filmit, autori tha se ajo çka e bënte Përbërësin e Fshehtë të pranueshëm mbarë botën janë dy tema të ndryshme: dashuria në familje, e sjellë përmes marrëdhënies baba e bir dhe sistemi shëndetësor në shkërmoqje e sipër i Maqedonisë.

Të dyja këto janë autobiografike. Stavreski e përjetoi fillimisht rrëmujën në sistemin shëndetësor të vendit kur kishte probleme të rënda me stomakun.

‘’Ishte një përvojë brutale. Gjithçka funksionon përmes lidhjeve ose pritjeve të gjata. Nuk ka lojë të drejtë në sistemin tonë shëndetësor’’, kujtoi ai.

Me anë të aspektit tjetër, dashurisë në familje, Stavreski zbuloi se mori frymëzim nga marrëdhënia e tij me të ëmën.

‘’Marrëdhënia baba-e-bir në film është shumë e ngjashme me atë mes meje dhe nënës sime. Ka pasur mosmarrëveshje por dashuria gjithnjë ish aty’’.

‘’Është dashuri veçanërisht Ballkanike apo ndoshta Mesdhetare, e cila gjendet edhe në Itali. Prindi do të të shohë tek rritesh dhe mëvetësohesh nga njëra anë, por nga ana tjetër nuk shkëputet dot prej teje’’.

Tema e marijuanës së përdorur në Maqedoni ndërkohë ngelet përçarëse.

Në njërën anë, mund të përfundosh në burg, bashkë me përdhunues dhe vrasës. Në tjetrën, të dhënat e dyshimta në internet ushqejnë fantazi për një eliksir gati magjik që kuron çdo sëmundje.

‘’Kam menduar shumë për këtë subjekt dhe kam qenë tejet i kujdesshëm për të arritur ekuilibrin në këtë çështje. I kam përshkruar të dy skajet, por ishte me rëndësi që unë të qëndroja në mes dhe përkrah mjekësisë dhe shkencës’’, tha ai.

Stavreski thotë se kjo është edhe arsyeja pse personazhi kryesor, pranë përfundimit të filmit e cilëson se po i jep marijuanë të atit, i cili ka kancer, për ta ndihmuar për t’ia hequr dhimbjet, jo për ta kuruar.

Stavreski tha se mjekët e përgëzuan në përpjekjet e tij për t’i përshkruar çështjet me saktësi. Megjithëse, disa përdorues dhe mbështetës të përdorimit të ligjshëm të marijuanës në Maqedoni fillimisht u prekën, duke thënë që filmi ka krijuar një reklamë të keqe duke futur kanabisin në të njëjtën shportë me barnat e rreme.

‘’Gjithsesi, filmi ishte një reklamë e mirë për marijuanën, Përmes humorit, kjo temë kapi audiencat më të vjetra të cilat kanë ardhur në përfundimin se nuk është një tabu’’, tha Stavreski.

Mëvetësia nga politika ishte çelës për sukses:

Kineastët maqedonas kanë pasur shumë mundësi të shihnin filma me temë historike, sidomos rreth revolucionarët e periudhës Osmane.

Stavreski përfundimisht nuk do të bëjë një tjetër film të atij lloji, sidoqoftë.

‘’Pse kinematografia vendore është kaq e fiksuar pas historisë së shkuar?’’ pyetet ai.

‘’Po supozoj se shumë mendojnë që është receta e suksesit, përbërësi i fshehtë që bota do ta shohë në filmat tanë’’, përgjigjet ai.

‘’Duket që vetëm temat historike janë prezent në shtetin tonë jofunksional. Doja të bëja një film që trajton të tashmen. Kjo gjë është në trend kinematografik tek fqinjët tanë po ashtu, si në Rumani dhe Bullgari’’, tha ai.

‘’E dini çfarë thuhet: çka është e mirë për jetën nuk është për filmin dhe anasjelltas. Në këtë kuadër, kemi shumë tema nga të cilat mund të marrim frymëzim. Korrupsioni? Hah! Është një ‘modus operandi’ këtu’’, tha ai.

Ai thotë se mëvetësia e tij ishte çelësi për suksesin e filmit, në një shtet të vogël, ku fondet për filma varen nga buxheti i shtetit, ‘’I kam zgjedhur aktorët duke i marrë në provë, pa ndërhyrjen e kurrkujt’’.

Ai po ashtu tha se askush nuk e priste që filmi të arrinte kaq sukses dhe politikanët fatmirësisht i janë shmangur dhe nuk janë përpjekur të ‘fusin duart’ dhe ta përshtatin.

‘’Disi u shkoi nën radarin e tyre. Isha shumë i lumtur që e shmanga afrinë me sistemin e mëhershëm (qeveria e udhëhequr nga partia e djathtë VMRO DPMNE), pavarësisht se kish tentativa për caktimin e një takimi me ministrin e atëhershëm të kulturës, ose me kryeministrin Nikola Gruevski’’, përmendi ai.

‘’Shpresoj do t’ia arrij ta mbaj atë distancë dhe mëvetësi sepse filmi duhet të ketë prirje kritike’’.

Duke pasur në mend që filmi i tij i parë i mori shtatë vite, Stavreski tanimë përballet me një vendim të vështirë për të dytin.

‘’Sigurisht nuk ka për të pasur një ‘Përbërësi i Fshehtë 2’. Mbase do xhiroj një film të ngjashëm, një vazhdim me kuptim metaforik, një film me të njëjtën shije. Kam zhvilluar disa histori dhe fatmirësisht u bënë para suksesit tim, sepse tani është më e vështirë. Disa nga këto histori janë poezia e Përbërësit të Fshehtë; janë pjesë e imja’’.

Pavarësisht këmbënguljes që një regjisor filmi nuk duhet të vendosë kurrë qëndrimet e tij vetjake në qendër të filmit, Stavreski ishte në prag të shkeljes së këtij rregulli të pashkruar në filmin e tij suke e shprehur kritikën e tij të hapur ndaj ri-ngritjes masive që kryeqytetit, sponsorizuar nga qeveria, të quajtur ‘’Shkupi 2014’’ – gjë që mori breshëri kundërshtish për koston e tij të lartë prej 600 milion eurosh dhe për frymëzimin artistik të dyshimtë.

‘’Nëse bën një film të keq, pavarësisht kostos, e lë mbas dhe vazhdon tutje’’, tha ai.

‘’Po çfarë të bësh me Shkupin 2014? E shmang sheshin kryesor të Shkupit, që ishte pjesë e ri-ngritjes, nuk mund ta shoh atë banjë të shtruar, të madhe. Nuk mund t’ia shpjegoj miqve të mi jashtë prandaj përdor humorin’’, tha ai.

Ai parapëlqen pjesët e vjetra moderniste të Shkupit, të cilat nuk u prekën për vite dhe iu përngjajnë ‘’një Tokio-je të shkërmoqur’’, mbi ‘’kitsch-in’’ që solli ‘’Shkup 2014-ta’’.

Një gjë është e sigurt në Maqedoni – ajo që asgjë nuk është e sigurt, thotë ai.

Ai nuk është ende i sigurt nëse ndryshimi i pushtetit dhe rënia e qeverisë autoritare vitin e kaluar do i ndryshojë gjërat për mirë.

Ai gjithashtu e kritikon qeverinë e re të udhëhequr nga socialdemokratët për prerjen e fondeve për filmat.

‘’Qeveria e kaluar, me të gjitha të metat e saj, vazhdimisht i ka rritur fondet për filmat. Nuk e di kush ishte aq i dhënë pas filmave – mbase Nikola Gruevski!’’