Foto: Facebook

Gjetje skandaloze nga auditori në ndërmarrjen e Komunës së Prishtinës

Ndërmarrja Publike ‘Hortikultura’ nuk ka paraqitur një pasqyrë të vërtetë financiare për vitin 2017, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit. Një numër të madh shkeljesh që janë gjetur nga Auditori brenda kësaj ndërmarrje duke përfshirë keqmenaxhim të parasë publike, janë bazë e opinionit të kundër. Hortikultura është ndërmarrje Publike Komunale ku aksionar është Komuna e Prishtinës.

“Pasqyrat vjetore financiare për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017 nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ndërmarrje publike që deri më tani është audituar nga Auditor privat.

Auditori ka gjetur se kjo ndërmarrje i ka ndërruar numrat e financave për t’i barazuar numrat në kontabilitet. Fitimet e mbajtura reale ishin për 28 mijë e 418 euro më të ulëta se sa ato që prezantuara në Pasqyrat Financiare Vjetore.

“Shuma e fitimeve të mbajtura e prezantuar në PFV-të e vitit 2017, krahasuar me shumën e prezantuar në PFV-të e vitit 2016 ishte mbivlerësuar për 5,408€. Ndërsa, në shënimet kontabël saldo e kësaj llogarie ishte 172,299€ respektivisht 28,418€ më pak se sa vlera e prezantuar në PFV. Një mbivlerësim i tillë ishte bërë me qëllim të barazimit të pasqyrës së pozitës financiare”, thuhet në raportin e Auditimit.

Auditori ka gjetur se kjo ndërmarrje i ka realizuar vetëm 41% e të hyrave të planifikuara për vitin 2017. Ky realizim prej 59% më pak se shuma e planifikuar, sipas Auditorit ishte për shkak të kërkesës së ulët për shërbime nga Komuna e Prishtinës.

Një ndër pikat e këtij raporti thotë se një donacion mbi gjysmë milioni euro që i ishte dhënë kësaj ndërmarrje nga Komuna e Prishtinës nuk figuron nëpër regjistrat e saj.

“Pasuritë në vlerë prej 512,772 euro të cilat ndërmarrja i ka pranuar si donacion nga Komuna e Prishtinës nuk janë të regjistruara fare në regjistrat e kontabilitetit të ndërmarrjes dhe për më tepër nuk posedojnë një marrëveshje ku do të specifikohen të drejtat dhe obligimet e të dyja palëve. Më tej, nuk ka rregullore të brendshme për menaxhimin e pasurive jo qarkulluese dhe nuk kishte caktuar një zyrtar për menaxhimin e pasurive”, gjeti auditori.

Përveç kësaj, kjo ndërmarrje gjatë vitit 2017 ishte pa bord të Drejtorëve dhe si pasojë Kryeshefi Ekzekutiv, Zyrtari Kryesor Financiar dhe i Thesarit, Sekretari Korporativ dhe Auditori i Brendshëm po punojnë me kontrata të skaduara që nga viti 2015.

‘Sipas Ligjit të Punës, kontratat me afate të caktuara, kanë të përcaktuara afatin kohor të marrëdhënies së punës. Gjatë testimeve tona kemi vërejtur se kontratat e katër zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes: Kryeshefit Ekzekutive, Zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit, Sekretarit Korporativ dhe Auditorit të Brendshëm nga viti 2015 u kishte skaduar kontrata dhe ata vazhdojnë të ushtrojnë punën e tyre. Mos ripërtërija e kontratave të këtyre zyrtarëve ka ndodhur për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve”, thuhet në raport.

Ngjashëm, Zyrtari i Prokurimit të kësaj ndërmarrje po punon pa kontratë që nga viti 2010.

“Ne kemi vërejtur se Zyrtari i Prokurimit nuk ka kontratë që nga viti 2010, por vetëm një vendim i cili nuk ka afat kohorë. Po ashtu në vendim thuhet, se ky vendim është bazë për lidhjen e kontratës, mirëpo akti i themelimit të marrëveshjes kontraktuale nuk ka ndodhur. Kjo për shkak se menaxhmenti i Ndërmarrjes e ka konsideruar të mjaftueshëm vetëm vendimin”, ka gjetur auditori.

Sipas raportit mungesa e kontratës së zyrtarit rrezikon që të mos respektohet korniza ligjore në fuqi, madje juridikisht mund të kontestohen edhe kontratat të cilat i nënshkruan ky zyrtar në emër të Ndërmarrjes.

Kjo ndërmarrje ka pësuar edhe humbje financiare në vlerë prej 500 euro nga përmbaruesi  për shkak të vonesës së pagesës.

“Hortikultura nuk kishte arritur të përmbush me kohë obligimet ndaj furnitorit në vlerë prej 2,590€. Për shkak të vonesës në pagesë (tre muaj), furnitori kishte aplikuar procedurën përmbarimore me qëllim të inkasimit të mjeteve. Kjo i ka shkaktuar ndërmarrjes shpenzime shtesë të përmbarimit në vlerë prej 500€”, thuhet në raport.

“Sipas opinionit tonë, për shkak të efekteve të çështjeve të përshkruara në paragrafin për Bazën për Opinion të Kundërt, pasqyrat vjetore financiare për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017 nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet material”, thuhet në raport.

Tek prokurimi, Auditori ka gjetur edhe shkelje tjera.

“Me vendimin e datës 11.08.2017 për Komisionin e hapjes së ofertave për Furnizim me Fara të Luleve, Troset dhe Substrat, ishin caktuar 3 anëtarë të komisionit për hapjen e ofertave për tenderin përkatës. Gjatë ekzaminimit kemi vërejtur se në procesverbalin e hapjes së ofertave ishte nënshkruar vetëm njëri nga anëtarët e komisionit si dhe nga vet zyrtari i prokurimit, i cili nuk ishte i caktuar në komisionin për hapjen e ofertave”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori thotë se mungesa e zyrtarëve përgjegjës në komisionin e hapjes dhe pjesëmarrja e zyrtarit të prokurimit në komision pa qenë i paracaktuar shkakton mos pajtueshmëri me Ligjin e Prokurim Publik.