Gëzuar ditën e izolimit!

Kur më 9 maj 1950 ministri i jashtëm francez Robert Schuman shpalosi platformën e tij për një komunitet të përbashkët evropian, nuk do ta ketë menduar se kjo datë do të bëhej festë zyrtare në një shtet qytetarëve të të cilit nuk i lejohet lëvizja e lirë në vendet e Evropës. Nëntë maji apo Dita e Evropës është festë zyrtare vetëm në Kosovë.

Ngarendjes së Kosovës për të shfaqur një identitet evropian mund të ja kaloj për nga absurditeti vetëm ngarendja e maqedonasve për të shfaqur identitetin e tyre me anë të statujave anë e mbanë vendit. Duke dashur që të shpërfaqim një identitet të veçantë të shtetit të ri të Kosovës, simbolet e shtetit u dizajnuan që t’i përngjanin atyre të Bashkimit Evropian.

Flamuri i Kosovës mban ngjyrat dhe yjet e flamurit të Evropës së bashkuar. Himni i ri pa tekst u quajt “Evropa”. Listës së festave zyrtare iu shtua “9 maji” apo Dita e Evropës. Fushata e parë e institucioneve të pavarura të Kosovës  për të promovuar shtetin e ri u quajt “Kosova – evropianët e rinj”. U mbajtën fushata zgjedhore e u lidhën koalicione qeverisëse me moton “Për Kosovën Europiane”. Madje, edhe fushatat zgjedhore në komuna ishin ‘evropiane’. Kësisoj, me moton “Për Prizrenin Europian”, u zgjodh kryetar komune Ramadan Muja, i cili tërë mandatin e tij përkundër asaj se kishte një vendim gjykate i cili e kishte gjetur atë fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Nën moton “Për Skenderajn Europian”, u zgjodh kryetar komune Sami Lushtaku, ani pse fushatën dhe tërë mandatin e kaloi në paraburgim, si i dyshuar për krime lufte.

E ideuar si ditë e integrimi dhe një jete të re, tani kjo ditë është shndërruar në një ditë absurdi. Sot, për të dhjetin vit me radhë, Kosova ka festë. Institucionet publike dhe private duhet të pushojnë nga puna dhe t’i bashkohen festës për Ditën e Evropës. Edhe pse 98.8% e qytetarëve nuk kanë vizituar asnjë vend të BE në vitet e fundit, ata duhet të festojnë Ditën e Evropës ngase ashtu është vendosur në Ligjin për festat zyrtare.

Përderisa me 9 maj 2009 Kosova po festonte për herë të parë Ditën e Evropës, në nëntor të po atij viti 16 persona humbën jetën në ujërat e ftohta të lumit Tisa në përpjekje për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian. Për dhjetë vjet festë të Ditës së Evropës, azil në Evropë kanë kërkuar rreth 200 mijë kosovarë, apo 11% e popullsisë. Përderisa në sheshin kryesor të Prishtinës, Komisioni Evropian dhe institucionet e Kosovës organizojnë festë për Ditën e Evropës, para ambasadave të vendeve të zonës Schengen presin me mijëra qytetarë për tu pajisur me viza pune, viza turistike apo viza për udhëtime zyrtare.

Tani, proces më i lehtë po duket shembja e statujave maqedonase në Shkup për shkak të negociatave për emrin e ri të Maqedonisë, se sa ndryshimi i Ligjit për festat zyrtare në Kosovë. Edhe pse ekziston një nismë e kamotshme për të ndryshuar Ligjin për festat zyrtare, kjo nismë është bllokuar për shkak se kërkon të votohet me shumicën e dyfishtë në Kuvend, e votën e tyre e kanë kushtëzuar gati të gjitha komunitetet duke kërkuar përfshirjen e festave të tyre kombëtare si festa zyrtare në ligjin e ri.

Përkundër asaj se kosovarët janë më të izoluarit të Evropë dhe të fundit sa i përket rrugës së anëtarësimit, ata besojnë se do të anëtarësohen më së shpejti në BE. Ky besim i pa bazuar vjen si rezultat i një edukimi të dobët, propagandës së vazhduar të partive politike dhe premtimeve të shpeshta të institucioneve të BE.

Integrimi i Kosovës në BE është rruga e vetme. Por kjo nuk do të bëhet asnjëherë duke pushuar në Ditën e Evropës duke festuar festën e atyre që nuk e festojnë atë e duke u munduar të tregojmë se sa evropianë jemi. Integrimi në BE nuk do të ndodhë me fushata e politikanë të cilët garojnë nën moton “Për Kosovën Europiane”, gjersa të njëjtit janë përgjegjës për korrupsionin endemik.

Në një faqe interneti ku shpjegohet historiku dhe mënyra e festimit të Ditës së Evropës, jepen udhëzime se si të kremtohet kjo festë: “nëse jetoni në një vend anëtar, ju mund të vizitoni institucionet e Bashkimit Evropian; kurse nëse jetoni jashtë vendeve anëtare, ju prapë mund të festoni ngase në thelb Dita e Evropës është ditë që simbolizon paqen dhe unitetin, dhe nuk ju duhet të jeni në BE për të festuar atë”. Por, aty nuk thuhet asgjë se si mund të festojnë këtë festë “paqeje e uniteti” qytetarët e një vendi të cilëve u mohohet shtetësia nga pesë venet anëtare të BE dhe janë të vetmit të cilëve u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë?