Ilustrimi: Flickr

Gazetarët e 1 apo 2 Prillit?

Në kohën ku pranimi i informatës varet nga aktiviteti i lexuesve dhe algoritmet e paraprogramuara, diskutimi se kush është i besueshëm dhe kujt duhet t’i besohet është tema e diskutimit në secilën tavolinë të profesionistëve medialë.

Bashkë me diskutimet vijnë edhe idetë e propozimet se si duhet zgjidhur problemet, si duhet ndaluar lajmet e rreme e si duhet të mbrohet shoqëria  e individët nga shpifjet e fyerjet të cilat po bëhen më të vrazhda çdo ditë që vjen.

Sfida është edhe më e rëndë për të gjithë ne që jemi rritur në një ambient shoqëror ku fjala që është thënë me vend ka pasur peshë e po plakemi në një rreth ku çdokush thotë çka t’i teket pa ndier fije përgjegjësie.

Sot me rrjetet sociale e portalet me e pa adresë, çdo informacion është i kontestueshëm ndërsa vet lexuesi e ka të vështirë të saktësoj se kujt duhet t’i besojë.

Zgjidhjet të cilat propozohen janë interesante por vështirë të realizueshme. Praktika si ato të Turqisë të cilat synojnë mbylljen e portaleve që japin informacione të kontestueshme janë të rrezikshme.

Dilema në mes profesionistëve është në atë se cili do jetë mekanizmi i cili do ta kishte të drejtën të vlerësonte se një portal apo media e keqpërdori lirinë e fjalës dhe duhet mbyllur.

Normalisht që praktika të tilla të vendeve totalitariste nuk duhet të gjejnë vend në vendin tonë.

Por a mund të lejojmë edhe më tutje që “prostitutat mediale” të lejohen në vazhdimësi të shpifin e fyejnë, ta keqpërdorin hapësirën e t’i përdorin mediat për shantazhe e presione nga më të ulëtat.

Është e sigurt që të gjithë janë të mendimit që kjo duhet ndalur e lexuesi duhet të ruhet nga informacionet e pasakta e dezinforumuese.

Në këtë situatë kaotike, Këshilli i Mediave të Shkruara duhet të vazhdojë me reformën dhe tentativën për të vendosur zbatimin e Kodit të Etikës në media.

KMShK duhet të nisë të jetë më i ashpër ndërsa është gjykata ajo e cila duhet të nisë t’i gjykojë çështjet dhe paditë për shpifje të cilat me vite të tëra presin në sirtarë për t’u gjykuar. Natyra e këtyre lëndëve duhet të jetë urgjente për arsyen e vetme, rreziku shoqëror është i madh.

Në debatin i cili po vazhdon të zhvillohet gjatë tërë kohës e veçanërisht në muajin prill ku diskutimi për 1 prillin ditën e rrenave dhe 2 prillin ditën e vërtetimit të fakteve “fact checkingut”, shtrohet pyetja se çka mund të bëjnë gazetarët për ta luftuar lajmin e rremë?

Dilema e parë të cilën secili duhet ta zgjidhë është se cila do jetë festa zyrtare të cilën gazetari do ta shënojë. Përcaktimi varet nga ajo çka është raportuar gjatë tërë vitit.

Për ata që e shënojnë 2 prillin sfida më e rëndë në këtë rast është raportimi apo më mirë të themi njoftimi i publikut me lajmet dhe prapaskenat e lajmeve të pavërteta.

Në ambientin e vrazhdë për gazetarët do jetë bukur sfiduese të raportojnë për kolegët e tyre “Rrenca” e më e vështirë do jetë të thyejnë tabunë që gazetarët nuk raportojnë për gazetarët.

Personalisht nuk e kam të vështirë t’ju them se ambienti ka rezervuar një befasi për të gjithë ata që tentojnë të raportojnë se kolegët gazetarë kanë keqpërdorur detyrën. Në ambientin ku ligji zbatohet me vështirësi lehtë mund të shndërrohesh viktimë e gazetarëve për të cilët raporton.

E rëndësishme është që të përcaktohemi nëse dëshirojmë të jemi gazetarë të 1 apo 2 Prillit.