Garanci për Investitorët Austriakë

Qeveria e Kosovës ka dërguar një thirrje sot tek investitorët e mundshëm Austriakë për të investuar pas ratifikimit të marrëveshjes me shtetin nordik duke ofruar garanci të mjaftueshme për investitorët Austriakë.

Ministrja e integrimit Europian, Vlora Çitaku dhe sekretari i shtetit në ministrinë federale të Austrisë, Wolfgang Waldner i kanë hapur rrugë sot investimeve Austriake me garanci më të forta që do t’i mbrojnë interesat e tyre nga pengesat për punë.

“Rëndësia e kësaj marrëveshjeje qëndron në faktin se do t’i ofrojë garancione të mjaftueshme investitorëve të jashtëm se investimet e tyre do te mbrohen nga pengesat të cilat nuk janë të bazuara në zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë siq janë p.sh. sundimi i ligjit, pengesat e ndryshme administrative etj..” thuhet në kumtesën për shtyp të ministrisë të integrimeve.

Pas këtij bashkëpunimi me Austriakë, qeveria e Kosovës pret të nënshkruajë marrëveshje edhe me shtete tjera, duke u dëshmuar se është një vend me potencial investues. 

Po ashtu, qeveria pret se me këtë dhe marrëveshjet e tjera të tilla, do të  kontribojë në krijimin e mundësive të punësimit dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për qytetarët tanë. 

“Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, parasheh promovimin dhe pranimin e investimeve, trajtimin e investimeve të huaja, mjedisin dhe forcën e punës, shpronësimin dhe kompensimin, si dhe transparencën e plotë në të gjitha investimet që pritet të realizohen në një të ardhme të afërt,” thuhet në kumtesë. 

Sipas, agjencisë për promovimin e investimeve përbrenda qeverisë, në Kosovë janë 91 kompani nga Austria që operojnë në Kosovë.

Ndër më të njohurat është banka Raiffesien. Ka edhe kompani që mbulojnë sigurimet shëndetësore, separacione, fabrika të ujit, përpunim i letrës, metaleve, ndërtimtari, hotelieri, tregti dhe telekomunikim.