Gabimet në Përkthim Shtyjnë Seancën e Policëve

Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ishte caktuar mbajtja e seancës kundër të akuzuarve për shpërthimin e para gjashtë vjetëve në lokalin Sekiraqa.

Aktakuza ngarkon Bejtullah Mehmetin, Luan Qerkinin, Bekim Sumën, Fadil Sadikun, Nysret Cenan, Afet Dalloshin Arbresh Dalipin  e Mehmet Mehmetin për vendosjen e mjetit shpërthyes në këtë lokal, në vitin 2007.

Tetë të akuzuarit në seancën e 9 dhjetorit kur u ishte lexuar aktakuza i thanë gjykatës se “ndihen plotësisht të pafajshëm”.

Po në atë seancë Prokurorja Bamieh kishte bërë disa përmirësime teknike të aktakuzës, dhe kishte paralajmëruar se do ta zgjerojë aktakuzën për Arbresh Dalipin e Mehmet Mehmetin, të cilët sipas saj do të akuzoheshin edhe për vrasje.

Por prokurorja nuk mundi ta bëjë këtë të mërkurën e pesë shkurtit, për shkak të gabimeve të shumta që u hasën në përkthimin shqip të aktakuzës së re.

Për arsye të mospërputhjes së versionit shqip dhe anglisht të aktakuzës, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi shtyrjen e seancës, një gjë që u miratua nga gjykata.

Gjyqtarja e rastit Anna Adamska Galant ,shtyu seancën për datën 14 shkurt, duke theksuar se prokurorja duhet t’ua tërheqë vërejtjen përkthyesve të prokurorisë për lapsuset e bëra.

Lidhur me këtë rast në paraburgim gjenden edhe Nysret Cena dhe Luan Qerkini, të cilëve së bashku me Afet Dalloshin, Gjykata e Apelit më 30 nëntor iu caktoi paraburgimin. Të tjerëve të pandehur, po atë ditë, e njëjta gjykatë, ua caktoi masën e arrestit shtëpiak.

Eksplozivi kishte shpërthyer më 27 shtator 2007 në lokalin “Sekiraqa”, që ndodhet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, duke vrarë Naim Muratin e Pleurat Sllamnikun.

Shpërthimi atëkohë plagosi edhe njëmbëdhjetë veta: Xhelal Sinanin, Vigan Zenelin, Liridon Nishevcin, Gëzim Sylën, Esat Nishevcin, Naim Hysenin, Fadil Berishën, Luan Kadriun, Shkëlqim Sylën, Milot Kadriun dhe Teuta Kadriun.

Dyshimet për kryerjen e veprave penale rëndojnë mbi policët Bejtullah Mehmeti (1979), Luan Qerkini (1977), Bekim Suma (1970), Fadil Sadiku (1979), ish policët Arbresh Dalipi (1981) e Mehmet Mehmeti (1975), ish pjesëtarin e TMK-së, Nusret Cenën (1975) dhe Afet Dalloshin (1978).

Lidhur me shpërthimin në fjalë, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, që në këtë aktakuzë janë dëshmitarë, në shtator të vitit 2009, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim për veprat penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Ndërsa, Nysret Cena atëherë ishte liruar nga akuzat.

Hasani e Qerimi edhe nga Gjykata Supreme e kanë të konfirmuar dënimin dhe janë në vuajtje të tij.

Shpërthimi në kafenenë “Sekiraqa” kishte ndodhur rreth një muaj pas vrasjes së policit Triumf Riza, ndërsa policia atëkohë besonte se përgjegjës për vrasjen e tij ishte një bashkëpunëtor i afërt i Sekiraqës.

Sipas aktakuzës, Riza me Sekiraqën kanë pasur një marrëdhënie të acaruar për shkak të trekëndëshit të dashurisë me këngëtaren Adelina Ismajli.

Sekiraqa është duke u gjykuar për sulm ndaj personit zyrtar të kryer në vitin 2005,  në kohën kur po e vuan një tjetër dënim prej 2 vjetësh në burgun e Dubravës për veprën e njëjtë të kryer në vitin 2007, pas dorëzimit të tij te EULEX-i, tetorin e vitit të kaluar.