Shkupi. Foto: Blerina Rogova- Gaxha

Fytyra e Re e Shkupit

Autobusi nga Prishtina për në Shkup ecën ngadalë. Udhëtimin e bën akoma më të gjatë trafiku i ngarkuar në Ferizaj. Makineritë po ndërtojnë autostradën ndërmjet dy kryeqyteteve, por deri te finalizimi i saj qytetarët obligohen të ecin rrugës së vjetër, e cila është e gjatë. Pamja e kufirit të tregon se ajo vijë i ndan dy shtete me ekonomi në zhvillim. Kufij të vegjël. Policë që hyjnë e dalin nga autobusi duke kërkuar pasaportat apo letërnjoftime, për të kaluar matanë. Policët kufitarë të Maqedonisë mund të përgjigjen edhe në gjuhën shqipe, pasi tashmë policia e Maqedonisë në radhët e veta ka edhe shqiptarë. Udhëtarët e mërzitur zbresin e tymosin cigare; ndërrojnë tek-tuk ca llafe herë në shqip, herë në turqisht, herë në maqedonisht.

Nuk kalojnë shumë kilometra nga kufiri, kur përpara nis ngadalë të shfaqet Shkupi, kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë. Zëri i shterur i shoferit e ndërpret përpjekjen e qytetit. “Kush do të zbresë për në Sistinë?”. Disa udhëtarë zbresin në spitalin ku ia mësyjnë kosovarët. Kërkimi i shërimit jashtë kufijve të Kosovës është bërë model për shkak të gjendjes së vështirë dhe të papërmirësueshme të shëndetësisë. Autobusi vazhdon tutje për në qytet. Afrohet pazarit të zhurmshëm. “Kush do të zbresë në Bit Pazar?”, pyet shoferi. Shumica e udhëtarëve ndalen aty, në tregun e vjetër mes zhurmës e tollovisë. Në fund, pas gati tri orëve që nga nisja në Prishtinë, arrijmë në stacionin e autobusëve në Shkup.

Për vend parkimin e taksistëve, shoferi i Autobusit ka një përgjigje interesante. “Qe ta thërras unë një se këtu të rrjepin”. Jo rastësisht taksisti i rekomanduar është një shqiptar i Shkupit. Bilalli, që punon taksist, thotë se është banor i lagjes shqiptare Saraj. Menjëherë hyn në muhabet dhe nis e rrëfehet për hallet e shqiptarëve.

“Për ne shqiptarët nuk po bëhet asgjë. Gjithçka ka mbetur siç ka qenë, papunësia e varfëria mbizotërojnë. Jeta e shqiptarëve është plot paradokse këtu”, thotë Bilalli.

Para mbërritjes në qendër, rrugët dhe godinat e qytetit të Shkupit janë një mbetje e kohës së komunizmit, të ngjashme me ato të qyteteve të rajonit. Një ndërtesë e madhe si ajo e Postës dhe Tekomunikacionit që ndodhet në Prishtinë, dhe të ngjashme si në Lubjanë apo në Podgoricë, rrinë në këmbë edhe në Shkup. Këto rrugë duken të vjetra. Muzikantë me kitare ose fizarmonikë kanë zënë vend qosheve të tyre me një kuti a pjatëz për monedhat. Kalimtarët duken të pandjeshëm ndaj këngëve dhe zërit të tyre.

Zemra e ‘artificiale’ e Shkupit

Përgjatë lumit Vardar drejt zemrës së Shkupit, qendra e qytetit shkëlqen me një pamje pompoze, neoklasike dhe të shtrenjtë. Një qytet i transformuar, mes shijes kiç dhe përgjasimit artificial të lashtësisë, nga një qoshk i harruar i Europës u kthye në një qytet që vuri dorën fort mbi historinë.

Projekti “Shkupi 2014”, i financuar nga Qeveria e Gruevskit (2006-2016), e që akoma nuk është finalizuar, ka shpallur zyrtarisht qëllimin e krijimit të kryeqytetit me një hijeshi më klasike, dhe jo zyrtarisht ‘forcimin’ e identitetit nacional.

Blerim Reka, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë dhe ish-ambasador i Maqedonisë në Bruksel, thotë se zyrtarët maqedonas fillimisht nuk u treguan patriotë të flaktë, por projekti “Shkupi 2014” ishte instrument hipnotizues i masave me fantazmën e maqedonasve antik, si inkubator elektoral për fitoren në të gjitha zgjedhjet e dekadës së fundit.

“Krijimi i identitetit të ri maqedonas, ishte instrumenti kyç për mbajtjen aq të gjatë të pushtetit nga qeveria e kaluar. Fillimisht duke mbetur jashtë proceseve integruese euro-atlantike, sepse dihej se Greqia nuk do e pranonte një ri-definim të tillë identitar: pra kalimin nga rrënjët sllave, tek ato antike. Duke llogaritur në një bllokadë të paevitueshme dhjetë vjeçare nga fqinji i saj jugor, elita shtetërore maqedonase në dekadën e fundit krijoi kështu një alibi “patriotike” për ngecjen integruese para elektoratit të brendshëm. Me mbetjen jashtë radarit monitorues të Brukselit, qeverisja e kaluar e kishte të papenguar qeverisjen- pa asfarë llogaridhënie”, ka thënë Reka.

Përpjekja për ‘nacionalizmin e vonuar” siç e kanë quajtur kritikët projektin e “Shkupi 2014” kishte një kosto shumë të lartë për një shtet në zhvillim që kishte nevoja tjera bazike për jetën e qytetarëve.

“Kjo shumë varësisht se kë e pyet”, thotë një inxhinier maqedonas, i cili punon në një firmë private ndërtimtarie.

Ai pohon se Maqedonia ka mijëra gropa nëpër rrugët e saj, e në vend se të rregullohen ato e të investohet në infrastrukturë, “qeveria ka shpenzuar shumë për egon e saj nacionaliste dhe për pikë politike”.

Nga pamja, i tërë projekti urban i Shkupit e ka transformuar këtë qytet, qoftë kjo për ta theksuar më shumë identitetin nacional, qoftë për tërheqjen e turistëve, e qoftë për interesat e ngushta të liderëve dhe partive. Për inxhinierin, me kthimin në antikitet, qeveria e Gruevskit ka pasur një qëllim: “Obsesioni me identitetin nacional është bërë vetëm për qëllime të ulëta politike dhe shpenzimi i milionave në këto sheshe është vetëm tendencë e largimit të vëmendjes nga nevojat esenciale të popullit”.

Për njohësin e marrëdhënieve politike, Blerim Rekën, ndërtimi i përmendore gjithnjë është shfrytëzuar si kod manipules i regjimeve diktatoriale, me qëllim mbajtjen e masave në delirium nacionalist.

“Se sa jo-reale është pamja e Shkupit 2014 flet vet kontraditka midis botës reale (në të cilën jetojnë qytetarët e rëndomtë) dhe asaj ideale (që projektohej me barokun e fasadave). Nëse për asgjë tjetër, së paku “Bell epoque” e lavdishme evropiane, asesi nuk përputhet me skamjen sociale post-komuniste të qytetarëve të vendit që prinë me papunësi dhe me largim jashtë shtetit”, thotë Reka.

Rikthimi i Aleksandrit

Drejt një identiteti më të vjetër se ai sllav, qendra e qytetit e rindërtuar me një ngjasim artificial të lashtësisë, me kopjen e pallateve të arkitekturës klasike, kolonat dhe mbivënien e figurave të historisë maqedonase, duket si një spektakël befasues.

Kryeprotagonisti i këtij spektakli është heroi i antikitetit Aleksandri i Madh. Me projektin “Shkupi 2014” Aleksandri është ‘rikthyer’ fuqishëm në Maqedoni e re (që kontestohet nga Greqia), në kryeqytet e në zemrën e tij. Një ndër figurat ‘përçarëse’ mes Republikës së Maqedonisë dhe fqinjit të saj, Greqisë, Aleksandri i Madh rri hijerëndë në një statujë me gjatësinë e plotë prej 22 metrash.

“Një përpjekje për ta uzurpuar historinë greke” e quajti vendosjen e Aleksandrit apo Lekës së Madh në Shkup, një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë në ditët kur nisi projekti në vitin 2011.

Statuja formalisht është titulluar “Kalorësi trim”, me heroin me kalë dhe shpatën ngritur përpjetë, ai duket sikur vëzhgon kryeqytetin maqedon, i rrethuar me ushtarë të armatosur, luanë dhe shatërvan. Ndryshe nga Aleksandri, që rri në kalë, i ati i tij, Filipi II, mbret i Maqedonisë së lashtë rri në këmbë pak më tutje në një statujë bronzi akoma më të lartë, prej 29 metrash. At e bir, dy figurat historike, kanë “prekur në tel” Greqinë, meqë të dy konsiderohen heronj grekë. Zyrtarët grekë e dënuan si provokuese dhe reaksionare vendosjen e statujës gjigante të Aleksandrit të Madh në qendër të Shkupit.

Po projektuesit kanë shkuar edhe më tej, aty afër është edhe monumenti i Justinianit të Madh, ulur në fron, apo Justinianit të shenjtë sipas Kishës ortodokse, edhe Samueli, Cari i Bullgarisë në fronin e tij; protagonistë të së shkuarës maqedonase.

Asnjë nga këto nuk ishte aty 7 vjet më parë. Një lashtësi e tillë artificiale e krijuar vetëm në pak kohë, e për të cilën janë shpenzuar miliona, të bën të pyesësh se çfarë do të ndodhte nëse çdo shtet do të ndërtonte apo rindërtonte në një hapësirë kaq të vogël pjesën më të rëndësishme të historisë së vet, me luftërat, luftëtarët, dijetarët dhe intelektualët.  “E di si më ngjan Shkupi i ri, thotë një vizitore nga Shqipëria, derisa fotografon sheshin- si ato qytezat e aktrimit në Hollywood, ku gjithçka është e vendosur në pak metra katror, si skenë filmi”.

Përmendorja e Nënës tereze në Shkup. Foto: Blerina Rogova- Gaxha

Vladimiri, pensionist nga Shkupi, thotë se skulpturat dhe monumentet në Sheshin Maqedon janë të jashtëzakonshme.

“Por populli s’ka bukë, e ndërkohë që shteti na ndërton vetëm sheshe. Perfekt është gjithçka!”, ai vazhdon të flasë e buzëqesh me ironi, derisa kërkon t’i nxjerr një foto përpara monumentit kryesor në shesh. “Më nxjerr në foto mua bashkë me Aleksandrin”.

Burri në pension thotë se ia vret kujtesën gjithë ky ndryshim dinamik dhe se kamja që duket nga sheshi, është mashtrim i realitetit të popullit.”

Shqiptarët anonimë

Nga Shkupi i pak viteve më parë në Shkupin e sotëm, duket sikur udhëheqësia maqedonase është përpjekur shumë të rrëfejë për heronjtë e saj. Por në këtë imazh mungon identiteti shqiptar.

Projekti është kritikuar pikërisht edhe për arsyen se e lë anonime historinë shqiptare, në vendin në të cilin rreth 25% e popullsisë janë shqiptarë, më shumë se gjysmë milioni, duke përbërë minoritetin më të madh etnik.

Profesori Blerim Reka shton se me ndërtimin e vetëm përmendoreve maqedonase, duke i përjashtuar shqiptarët- qeveria e kaluar për një dekadë e kishte të sigurt votën nga elektorati maqedonas, në emër të dominimit ndaj shqiptarëve.

“Një analizë e thjeshtë do të nxirrte dëmet e mëdha që ka shkaktuar ky projekt në buxhetin e Republikës së Maqedonisë, bllokimin e integrimit të vendit në NATO dhe BE dhe nxitjen e  urrejtjes ndër-etnike, shkaku i hiperbolizimit të çdo gjëje maqedonase dhe mohimit të çdo gjëje shqiptare”, thotë profesori Reka.

Një përmendore e Skënderbeut dhe një shesh me emrin e heroit kombëtar rri përtej Urës së Gurit në lagjen Çair. Po një tjetër shqiptare, më e re se Skënderbeu, është kthyer në pikë referimi në Shkup. Shtëpia ku u lind humanistja dhe nobelistja, Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu, është kthyer në Memorial, shumë te kërkuar nga vizitorët. Godina që zë vend në rrugën qendrore, përballë kafeterive e fast food-eve të shumta, e modifikuar dhe moderne, ruan reliket e shenjëtores dhe karakterin sakral.

Nga qendra, që i ngjan një gruaje të mbytur në makiazh, në Çarshinë e vjetër, një nga pjesët më piktoreske, duket se zemra e qytetit rreh ndryshe, në mënyrën e saj origjinale e të thjeshtë, pa glamur e pompozitet.

Shtrirë në lindje të lumit Vardar, me rrugët e dyqanet e arkitekturës otomane, kjo pjesë e ka ruajtur historinë në mënyrë origjinale. E dukshme që aty nuk ka pasur asnjë rol përpjekja për të forcuar identitetin “e kërcënuar” maqedonas. Në një gjallëri gjuhësh, përzier mes shqipes, turqishtes e maqedonishtes, në një gjallëri erërash nga qebapët, e deri te ëmbëlsirat, Çarshia e vjetër, ruan pa mburrje vjetërsinë prej qindra vjetësh.

Nga rindërtimi marramendës në qytetin e ri te gjurmët e kulturës otomane në qytetin e vjetër, në gjurmët e komunizmit si kohë që rri pezull në mes, Shkupi rrëfen një histori të përzier urbane. Një qytet kaq afër tokës kosovare, por njëkohësisht shumë larg.