Fundi pa lavdi

Shpresat ishin më të mëdha dhe pritjet më të ngrohta se temperaturat e dhjetorit të vitit 2008 kur Bashkimi Europian, pas muajsh vonesa, vendosi në Kosovë një mision për sundim të ligjit.

Kosova sapo kishte shpallur pavarësinë dhe nuk kishte kapacitetet e saj të nevojshme, sidomos në sistemin gjyqësor dhe atë të sigurisë për të cilën garantonte prania e NATO-s në vend.

Për më tepër, BE frikësohej se shteti i ri rrezikonte të kapej nga një elitë e papërgjegjshme politike dhe e biznesit, fijet e së cilës ndërlidheshin diku me strukturat kriminale në Kosovë.

Për të shmangur këtë, me synimin të ndihmojë Kosovën në ngritjen e një sistemi të sundimit të ligjit, BE vendosi në Kosovë EULEX-in, misionin e vet më të madh që operonte ndonjëherë.

Afër 2500 zyrtarë, përfshirë gjykatës, prokurorë, policë e doganierë duhej të trashëgonin punën e zbehtë të UNMIK-ut, misionit të OKB-së që kishte administruar me Kosovën që nga qershori i vitit 1999.

I pranishëm në çdo segment kyç të vendit përfshirë edhe kufijtë e Kosovës, flamuri blu i BE-së u vendos më në fund me bekimin e Beogradit, që përmes fuqisë politike të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk lejonte vendosjen e misionit pa i vënë njëlloj ombrelle të ‘selisë së qelqtë’.

EULEX konsiderohej një test i rëndësishëm për BE-në, meqë UNMIK-u me OKB-në kishte dështuar pothuaj në gjithçka që kishte marrë përsipër ta kryente duke filluar nga administrimi i territorit që i ishte besuar, hetimi dhe dënimi i krimeve të luftës, luftimi i korrupsionit e relaksimi i raporteve të tensionuara ndëretnike në një shoqëri të sapodalë nga lufta.

Mbi të gjitha misioni i OKB-së që kishte lehtësuar procesin e negociatave për statusin final të Kosovës kritikohej se kishte mundësuar një “paqe me çdo kusht” duke i lënë të lirë njerëzit e fuqishëm të veprojnë në këmbim të një stabiliteti në sipërfaqe.

Në duart e misionit europian u lanë problemet që përbënin çështjet serioze përfshi hetimet për krimet e luftës, vrasjet e motivuara politikisht, zbardhja e fatit të të zhdukurve, luftimi i krimit dhe korrupsionit të profilit të lartë dhe masat për të frenuar trafikimin me njerëz dhe narkotikë.

Për të njëjtat çështje EULEX kishte trashëguar nga misioni i OKB-së goxha shumë dosje të pazgjidhura me vite e tani disa nga to po i lë në duart e vendorëve, e shumë tjera po i bart në Hagë, ty ku është vendosur selia e një gjykate të re për hetimin dhe gjykimin e disa krimeve të pretenduara se janë kryer nga ish drejtues të UÇK-së në kohën e luftës dhe muajt e parë të pasluftës në Kosovë.

Një dekadë pas, dosjet e pakryera vetëm sa janë shtuar në numër dhe volumi i tyre do të bartet në dollapët e sistemit vendor të drejtësisë.

Rrëfimi për një sistem të drejtësisë në Kosovë që duhet të ndryshohet në embrion është pothuajse i njëjtë gati si dy dekada më herët kur sistemi gjyqësor i ndërtuar nga OKB-së ishte i humbur nga përdorimi paralel i dy palë procedurash ligjore, atyre të ish Jugosllavisë dhe rregulloreve të reja.

Në shifra, EULEX-i ka zgjidhur pak raste të krimit të organizuar e korrupsionit të nivelit të lartë si dhe krimeve të luftës që nuk lënë shenjë në ecjen e Kosovës për një dekadë. Krimi e korrupsioni mbesin endemik në vend me një kulturë të pandryshuar të mosndëshkueshmërisë.

Me gjithë fuqinë e kompetencave ekzekutive për një dekadë, misioni është shquar për paaftësi dhe mungesë të vullnetit të qindra prokurorëve e gjykatësve jo vetëm ndërkombëtarë, por edhe vendorë. Duke shmangur ballafaqimin me detyrat e vështira, prokurorëve dhe gjykatësve vendorë u përshtatej t’i dërgonin rastet e rënda te kolegët e tyre ndërkombëtarë.

Imazhi i misionit është zbehur edhe nga problemet në strukturë dhe akuza për korrupsion brenda vetes.

Në vitin 2014, një prokurore britanike (Maria Bamieh) që denoncoi pazare brenda EULEX-it pohoi se Shërbimi i Jashtëm Europian i sugjeroi të mbyllë njërin sy ndaj pretendimet për bashkëpunim mes zyrtarëve të misionit dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë. Ajo pretendonte se një gjykatës italian (Franceso Florit) mori 300 mijë euro në këmbim të lirimit të një të akuzuari për vrasje.

Maria Bamieh, ish-prokurore e EULEX

Pasi misioni u trondit në themel, BE dërgoi një ekip hetuesish për të shikuar në këto aludime, por hetimet thanë se pretendimet e ngritura nuk qëndrojnë.

Akuza të njëjta u përsëriten edhe tri vjet më vonë kur një gjykatës britanik (Malcolm Simmons) akuzoi misionin për korrupsion, por këto akuza nuk morën fort jehonë meqë BE zbuloi se ai vetë ishte nën hetime. Më vonë doli se Simmons nuk kishte bërë asnjë ditë pune si gjykatës në vendin e tij të lindjes, Britaninë e Madhe, gjë që nxjerr dyshime edhe për sigurinë e cilësisë së stafit të përzgjedhur për të shërbyer në mision.

Derisa BE me zë të lartë kërkon rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në profil të lartë, në regjistrat aktual misionit të saj nuk i faturohet asnjë rast i dënimit i atyre që vetë misioni preferonte t’i quante “peshqit e mëdhenj”.

Në shumë raste, të dyshuarit e arrestuar apo hetuar me pompozitet, kanë fituar pafajësinë nga vetë gjykatës ndërkombëtarë ndërsa misionit i krijuan imazhin e një “lavatriqeje” që pastron figurat e njollosura në opinion.

Vdekja, frikësimi dhe tërheqja e dëshmitarëve në shumë procese gjyqësore, sidomos atyre për krime lufte, gjithashtu u bënë simbol i paaftësisë së misionit për të ndërtuar besimin e njerëzve për të bashkëpunuar me drejtësinë.

“Problemi më i madh ishte marrja e dëshmive dhe dëshmitarët si dhe mospasja e një kodi penal të duhur… EULEX nuk ka qenë për arrestimin e njerëzve, ne kemi ardhur këtu për ndërtimin e sundimit të ligjit. Arrestimet ishin çështje sekondare”, ka thënë së fundmi shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, për Reuters.

Alexandra Papadopoulou, shefe e EULEX. Foto: Facebook

Një dekadë pas shpresat e kosovarëve kanë shijen e zhgënjimit dhe pritjet duken gati surreale në ëndrrën e vënies së drejtësisë në vend.

Një nëpunës i BE-së në Kosovë, Andrea Capussela, një kohë të gjatë kishte bërë thirrje për t’i dhënë fund këtij misioni.

“Misioni tani po e dëmton Kosovën dhe në mënyrë indirekte interesat e BE-së, kështu që duhet të tërhiqet”, kishte thënë ai para dy viteve.

Kur e kishte marrë fjalën në një konferencë në Sarajevë në vitin 2013, kreu i atëhershëm i Divizionit Ekzekutiv në EULEX, Mats Mattson, kishte thënë diçka që brenda Kosovës nuk është dëgjuar asnjëherë nga një zyrtar i misionit: “Një problem i veçantë në Kosovë janë klanet, ose ato që të tjerët i quajnë ‘familje të mëdha’. Kjo është, si të thuash, të gjithë të afërmit, kushërinj, dhe kushërinj të kushërinjve, e kështu me radhë. Kontrolli i tyre është më i fuqishëm se ai i administratës në Kosovë ndaj njerëzve. Kjo ‘familje e madhe’ ka ndikim të madh në problemet madhore të sundimit të ligjit në Kosovë dhe këto janë korrupsioni, krimi i organizuar dhe krimet e luftës, të gjitha këto të ndërlidhura”.

Që atëherë, këto ‘familje të mëdha’ kanë mundur të bëhen familje edhe më të mëdha në betejën e tyre për të zaptuar.

Për 10 vjet qëndrimi në Kosovë, EULEX nuk mundi t’ia gjejë asnjëherë fijet ndonjërës prej tyre.