Frika e ‘panevojshme’ e opozitës

Mungesa e votave dhe frika nga dështimi ka bërë që opozita kosovare të mos bëjë hap drejt rrëzimit të qeverisë. Frika nga rrëzimi mungon te kreu i qeverisë, ndërsa momentumi dhe procedurat ligjore të punës së Kuvendit mund të jenë në favor të opozitës për të jetësuar paralajmërimet.

Pa i bërë dy vjet në krye të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, është përballur me dëshira të vazhdueshme për ‘lëkundjen e karriges së tij’.

Rrëzimi i qeverisë u diskutua shpesh në hollet e Kuvendit e në studio televizive por një mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie nuk erdhi asnjëherë në Kuvend, megjithë insistimin e opozitës se do ta arrijnë rrëzimin.

Sa herë që është pyetur nga mediat në lidhje me “kërcënimet” e opozitës, ai i ka pasur përgjigjet “në xhep”.

“Shkuarja në zgjedhje është demokratike”, “Kur të jenë votat”, kanë qenë dy prej përgjigjeve që më së shumti i ka dhënë Haradinaj i përballur me pyetjet për idenë e rrëzimit.

Së fundmi, Haradinaj insistoi se nuk ka frikë nga largimi prej postit dhe se ‘do të ikte i lumtur’.

“Kush është në pushtet, tutet që po e rrëzojnë. Unë e bëjë një përjashtim në këtë rast. Kur kam qenë në opozitë kogja të mirë e kam pasë jetën, rehat jam kanë, prej që jam në punë, kam ngarkesa shumë, kam punë shumë. Mendojmë edhe për atë (rrëzimin), por punët nuk i ndalim”, tha Haradinaj.

“Nëse nuk janë 61 vota, vazhdon debati i përditshëm, por na duhet të punojmë. S’mundemi me i prit deri t’i bëjnë 61 vota”, kishte thënë tutje Haradinaj.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Kuvendit  ka përcaktuar se për të thirrur një seancë me pikë të rendit të ditës mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, duhet të bëhen bashkë së paku 40 deputetë apo një e treta e numrit të përgjithshëm.

Kërkesa e tyre shkon në Kryesi të Kuvendit dhe pastaj kalon në votim në seancë.

“Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme”, thuhet në pikën 5 të nenin 100 të Kushtetutës së Kosovës.

Në rast se një mocion potencial i opozitës dështon, atëherë 90 ditë Qeveria do ta bëjë gjumin e qetë.

Mirëpo, situata aktuale mund të jetë e favorshme për opozitën. Nëse opozita do të dërgonte kërkesën për mocion gjatë ditëve në vazhdim dhe nuk do t’i arrin votat e mjaftueshme për rrëzim të Qeverisë, ata nuk do të humbin shumë.

Puna e legjislativit ndahet në dy sesione brenda vitit dhe pushon dy herë brenda vitit. Në kohën e ndërrimit të motmoteve dhe gjatë pushimeve të verës, mirëpo datat nuk janë të përcaktuara me rregulloren e Kuvendit.

Regullorja e Kuvendit e specifikon se Kuvendi i kthehet sesionit vjeshtor të punës në mes të shtatorit apo të hënën e dytë të muajit shtator.

Në rast të dështimit të mocionit, opozita mund të ftojë një mocion tjetër në mes të muajit tetor apo vetëm 4 javë pas kthimit në Parlament.

Ndërsa për datën e saktë të shkuarjes në pushim e vendosin grupet parlamentare në konsultim me kryetarin e Kuvendit.

Politologu dhe Sociologu, Shkodran Ramadani në një përgjigje dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se në rast se opozita e provon mocionin, “gjasat për t’i dështuar janë më të mëdha se sa ato për sukses”.

“Ekziston një rrezik që ky mocion të arrijë të kundërtën e efektit të dëshiruar. Nga rrëzimi i Qeverisë mund të përfundohet në konsolidim të Qeverisë dhe përforcim të legjitimitetit të saj. Dështimi i mocionit nënkupton që pa kaluar 90 ditë nuk mund të parashtrohet mocioni tjetër. Kjo do të ishte e barabartë me zgjatje të jetës së kësaj Qeverie dhe do ta stabilizonte atë edhe për së paku disa muaj”, tha Ramadani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Loja me numra brenda Kuvendit

Askush nga akterët politikë ende nuk ka bërë hapa konkret drejt votës së mosbesimit. Debati i gjatë për mbledhjen e nënshkrimeve po vazhdon tash e sa muaj.

Të tri partitë opozitare, Vetëvendosje, LDK e PSD deklarohen se janë pro rrëzimit të Qeverisë dhe dhënies së nënshkrimeve për thirrjen e mocionit ndaj Qeverisë.

Ndonëse vullneti verbalisht ekziston Kryesia e Kuvendit asnjëherë deri më tani nuk ka pranuar 41 emra e mbiemra të deputetëve me nënshkrimet e tyre që kërkojnë seancë për të votuar rrëzimin e Qeverisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë e konfirmoi se LDK-ja do t’i jap nënshkrimet për ngritjen e mocionit “vetëm atëherë kur t’i sigurojnë 61 vota”

“Mocioni do të ngritët sapo të sigurojmë mbështetjen e nevojshme prej së paku 61 votave”, tha Hoti për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mirëpo, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu javën e kaluar, i kishte “bërë” presion qasjes së LDK-së për “61 votat e siguruara”.

“Lëvizja Vetëvendosje është që qysh nesër të dorëzohet mocioni për rrëzimin e Qeverisë, pavarësisht faktit se a i kemi apo jo 61 firma (nënshkrime) të vendosura në mocionin për rrëzimin e Qeverisë, sepse nuk mund të vazhdohet tutje në këto rrethana”, kishte deklaruar më 2 korrik të këtij viti, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Mirëpo, nënshkrimet nuk janë dhënë ende dhe kërkesa nuk është dorëzuar në kryesi.

Hoti, shpreson edhe në një situatë tjetër. Ai kërkon nga Haradinaj që t’i kërkojë Kuvendit ta “shkarkojë atë nga detyra”.

“Por, një kryeministër i përgjegjshëm do të kërkonte vetë nga Kuvendi të votojë mocionin e votëbesimit për Qeverinë”, tha në mes tjerash Hoti për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kështu kishte vepruar Hashim Thaçi në 2014 kur kishte qenë Kryeministër i vendit.

Kuvendi i Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

Momentalisht, më shumë në vota janë partitë opozitare se sa ato në pozitë. Koalicioni qeverisës numëron 51 deputetë. PDK (22), AAK (12), Nisma (8), Grupit 6+ (6) dhe tre deputetët pa grup parlamentar, Islam Pacolli, Labinot Tahiri dhe Slobodan Petroviq. Kjo për shkak se partneri i koalicionit qeverisës, Lista Serbe është larguar nga koalicioni që disa muaj për shkak të vënies së taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, partitë opozitare numërojnë 56 deputetë. LDK (25), Vetëvendosje (19) dhe PSD (12).

Partitë opozitare kanë deklaruar se “nuk dëshirojnë ta rrëzojnë Qeverinë me ndihmën e Beogradit (Listës Serbe)”.

Në anën tjetër, politologu Shkodran Ramadani ka renditur disa arsye se pse nuk mund të ketë rrëzim të Qeverisë në këtë kohë dhe pse opozita “nuk rrezikon për të provuar mocionin”, ndonëse ata e flasin në vazhdimësi.

Sipas tij, fakti që nuk janë 61 vota është sfida kryesore. Për ta kompletuar mozaikun e 61 votave, opozitës i duhet të peshkojë në koalicionin e Qeverisës.

Ramadani përmend edhe mosdisponimin e faktorit ndërkombëtar për t’u mbajtur zgjedhjet në këtë kohë.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk është shumë pro zgjedhjeve në këtë kohë për shkak të dialogut. Ndërkombëtarët e dinë se dialogu nuk është shumë temë popullore dhe nuk duan që atë ta bëjnë temë të debateve të zjarrta elektorale. Kjo situatë ofron një stabilitet të përkohshëm”, tha Ramadani për Gazetën JnK.

Në lidhje me debatin “shterpë për kompletimin e votave të mjaftueshme, Ramadani thotë se në fakt asnjëra nga partitë opozitare nuk janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje.

“LDK-ja është në proces të brendshëm zgjedhor dhe ende nuk e din se si do të shpërndajë postet drejtuese brenda partisë dhe në institucione. VV-ja ende është duke e rimarrë veten pas ndarjes, ndërkohë që PSD-ja është duke i konsoliduar radhët. Nuk duket si momenti më i favorshëm për ta”, thotë tutje Ramadani.

Historia e mocioneve

Mocionet në Kosovë i kemi parë në çdo legjislaturë. Asnjë kryeministër dhe asnjë qeveri nuk kishte arritur ta përfundonte mandatin 4 vjeçar.

Të gjitha qeveritë kishin pasur jetë më të shkurtër sesa mandati i paraparë në Kushtetutë.

E gjithë kjo për shkak të raporteve ndërmjet partnerëve të koalicionit, që zakonisht janë më shumë se dy parti.

Që nga shpallja e Pavarësisë, Haradinaj është kryeministri i katërt në detyrë.

Që nga 2008, në Kuvendin e Kosovës kanë ndodhur dy mocione të votëbesimit dhe një vetë shpërndarje e Kuvendit.

Hashim Thaçi me dy mandate si kryeministër, asnjërin të përfunduar të plotë dhe Isa Mustafa me një të tillë janë kryeministrat që nuk kanë arritur ta përfundojnë si të plotë mandatin e tyre si Kryeministër.

Thaçi për herë të parë u zgjodh në 2007, pas një koalicioni të madh me LDK-në. Ai u rizgjodh përsëri në 2010, ku në 2014, pak muaj para se të përfundonte mandati kishte kërkuar votëbesim ndaj tij, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Isa Mustafa duke dalë nga salla e Kuvendit. Foto: Atdhe Mulla

Isa Mustafa u zgjodh ryetar i Kuvendit në fund të 2014, pas një pritje prej gati 6 muajsh.

Ai qëndroi në detyrën e Kryeministrit për gati 2 vite e gjysmë, kur ndaj tij u ngrit një mocion mosbesimi nga opozita e atëhershme, VV, AAK dhe Nisma dhe që u mbështet nga partneri, PDK-ja.

Historia e qeverive të papërfunduara të Kosovës