Fotografitë e Kosovës së pasluftës, në ekspozitën e Beogradit

Një ekspozitë e imazheve të pasluftës të fotografit Willem Poelstra synon të ndryshojë qëndrimin e njerëzve ndaj viktimave serbe dhe shqiptare të konfliktit.

Ekspozita, e titulluar “Për Hanën, Tregime të së Ardhmes nga e Kaluara”, e cila vazhdon deri të premten në UK Parobrod në Beograd, e ka marrë emrin nga një libër fotografik me të njëjtin titull nga Willem Poelstra, fotograf holandez që kaloi pesë vjet në Kosovë duke fotografuar dhe duke bërë kronika të historive të viktimave të luftës.

Imazhet e Poelstrës tregojnë dëmin e shkaktuar nga lufta e Kosovës në një përpjekje për t’i bërë serbët dhe shqiptarët e Kosovës të kuptojnë më mirë perspektivat e njëri-tjetrit.

Ekspozita tashmë është shfaqur në Prishtinë, ku u vendosën postera të mëdhenj të fotografive të Poelstrës para ndërtesës së parlamentit.

Por Beogradi nuk ishte po aq i hapur ndaj punës së Poelstrës; UK Parobrod ishte vendi i vetëm që kuratorja dhe producentja Ana Dragiç mund të gjente që do ta lejonte atë të shfaqte ekspozitën. “Të gjithëve iu duk shumë interesante ideja, por askush nuk donte të ishte partner,” tha Dragiç, e cila bashkëpunoi për ekspozitën me Fondacionin Forhanna nga Amsterdami.

Ajo tha gjithashtu se ndërsa organizonte ekspozitën, gjithnjë kishte “një rrezik të madh që ajo do të censurohej, do të vandalizohej, se nuk do të lejohej vetëm minutën e fundit”.

Viktimat e luftës të përshkruara në ekspozitë, të cilat janë të shpërndara në dy katet e ndërtesës, përfshijnë të mbijetuar të masakrave dhe bombardimeve, çifte ndëretnike dhe njerëz familjarët e të cilëve rezultojnë ende të zhdukur që nga lufta.

Ka edhe imazhe të njerëzve që u bënë prostituta dhe të varur nga droga pas luftës. Në një fotografi shfaqet një çift rom-serb me përshkrimin “I rrahur nga nacionalistët se dilte me një vajzë serbe”.

Foto: Mina Dragic.

Poelstra, djali i një gruaje hebreje dhe një holandezi i cili punoi për një kompani gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vuri serisë së fotografive emrin e nënës së tij.

Ai tha për BIRN në 2016 se pas vdekjes së prindërve të tij, ai gjeti një kuti me dokumente dhe informacione që tregonin se sa e vështirë e kishte pasur familja hebreje e nënës së tij Hanës që të pranonte se kishte zgjedhur të martohej me dikë që kishte punuar për gjermanët – diçka për të cilën prindërit e tij nuk flisnin kurrë.

Por Poelstra tha se duke folur për të kaluarën ishte e vetmja mënyrë – në Kosovë po ashtu edhe në Holandë pas Luftës së Dytë Botërore – për t’u përballur me të.

“Nëse doni të bëni hapa përpara, ju duhet ta diskutoni këtë, duhet të flisni për këtë. Edhe pse ndoshta kjo s’është diçka e këndshme për të gjithë, mendoj se kështu mund të arrijmë pajtimin,” tha ai.

“Çdo gjë mund të jetë provokuese”

Foto: Mina Dragic.

Gjatë ekspozitës, revista serbe e fotografisë Grain organizoi një debat më 29 qershor, në të cilin fotografët serbë diskutuan për problemet në fotografimin në Kosovë.

Në zemër të këtij diskutimi ishte çështja nëse nevojitej një i huaj për të treguar historinë, duke qenë se identiteti holandez i Poelstrës e distanconte atë nga tema, e bënte më të lehtë për të që të paraqitej si neutral.

Fotografët serbë u përballën me shumë më tepër sfida, tabu dhe pritshmëri të qenësishme në punën e tyre në Kosovë, pasi ata qëndronin midis dëshirës së tyre personale për të profilizuar Kosovën në mënyrë të ekuilibruar, ndërkohë që ndihen në presion nga shoqëria serbe për t’u përqendruar te pikëllimi dhe vuajtjet që duruan serbët si rezultat i konfliktit.

Gjatë kurimit të ekspozitës, Dragiç synonte të ndiqte vizionin e Poelstrës ndërsa gjithashtu “butësisht” tregoi dëmin e luftës për ta bërë atë të pranueshëm për serbët, por pranoi se perceptimi i publikut serb ishte jashtë kontrollit të saj.

“Çdo gjë mund të jetë provokuese për dikë që e kërkon atë,” tha ajo.

Ajo i referohej një serie fotografish që tregonin monumente bashkëkohore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ndërsa këto mund t’i mërzisin serbët, në murin e kundërt në ekspozitë kishte një sërë fotografish që përshkruanin shtëpitë e braktisura serbe në Kosovë.

Dragiç u pajtua me panelistët në debat se do të duhen shumë më tepër vite që njerëzit të jenë plotësisht të hapur për të diskutuar për luftën në Kosovë.

“Do të duhen shumë vite që njerëzit të jenë vërtet të hapur për të kuptuar tjetrin,” tha Dragiç. “Është një sfidë e vërtetë. Të gjitha këto projekte janë ende në fillim, edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga lufta. Ngjan ende si një plagë e re dhe politikanët vazhdojnë t’i shtojnë dru zjarrit me fjalimet e tyre.”

Megjithatë, ajo tha se shpreson që ekspozita e Poelstrës të motivojë fotografët e rinj serbë dhe shqiptarë të Kosovës që të kërkojnë neutralitet dhe ndjeshmëri në punën e tyre.

“Fotografët mund të bëjnë shumë për të kontribuar në këtë diskutim,” shpjegoi ajo. “Duhet të jetë gjithashtu një motiv që fotografët e rinj në Serbi dhe Kosovë të marrin kontekstin e konfliktit. Dhe nëse ata nuk i mbështesin si duhet, ata prapë mund të bëjnë diçka vetë.”