Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Formësimi dhe riformësimi i identitetit të Kosovës

Konteksti i politizuar i Kosovës përsëri po përballet me një valë të debateve etnike dhe nacionale në dritën e çështjes së “korrigjimit të kufirit” me Serbinë.

E propozuar së fundmi, ideja bazohet në premisën që një shkëmbim tokash me bazë etnike midis dy vendeve do të shihte zonat serbe të banuara në Kosovën e veriut të bashkoheshin me Serbinë, ndërsa zonat e banuara me shqiptarë të Serbisë jugore do të bashkoheshin me Kosovën.

Efektet politike janë analizuar mirë, por pak është thënë për atë se si një recetë e tillë do të ndikonte tek ata që kanë më shumë rëndësi – njerëzit.

Si një psikologe sociale, besoj se këtu qëndron esenca e çështjes, pasi është pikërisht në mesin e njerëzve pika ku vazhdojnë vështirësitë pas konfliktit.

Derisa liderët politikë mund ta shohin një zgjidhje të tillë të shpejtë si tërheqëse, ata duhet të marrin në konsideratë kostot që kjo ka në procesin e pajtimit në një afat më të gjatë.

Cilat janë ato? Së pari, diskurset që përqendrohen në përshtatjen e kufirit në vija etnike rrezikojnë të dëmtojnë tashmë marrëdhëniet e brishta ndëretnike midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Duke i trajtuar njerëzit ekskluzivisht si anëtarë të bashkësive etnike, ata janë të privuar nga ndjenja e përkatësisë qytetare. Kjo gjë përforcon kufijtë e grupit, duke sugjeruar që shqiptarët dhe serbët si grupe etnike kanë dallime të papajtueshme që mund të zgjidhen vetëm nëse vihen linja të pastra etnike mes tyre.

Të dala nga faktorë socio-politikë, kufijtë e grupeve janë të rëndësishme; ata luajnë një rol qendror në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë veten dhe të tjerët, dhe se si sillen ata me njëri-tjetrin. Ata ofrojnë një përvojë psikologjike përmes së cilës kategorizohet dhe trajtohet bota sociale.

Për shembull, kur përkatësia etnike spikatet (ose aktivizohet) në një mjedis të caktuar shoqëror, ajo krijon një tablo në bazë të së cilës njerëzit kategorizohen në terma “ne” (grupi) ose “ata” (jashtë-grupi).

Dëshmitë në Kosovë tregojnë se për shqiptarët dhe serbët, përkatësia etnike përbën një formë dominuese përmes së cilës ngriten kufijtë e grupeve.

Pra, për një shqiptar etnik apo serb etnik në kontekstin kosovar, tipari kryesor përcaktues me të cilin perceptohet dhe vlerësohet “tjetri” mbështetet në atë se çfarë përkatësie etnike ka “tjetri”.

Sa më të forta që janë këto lente etnike, aq më negative janë qëndrimet ndaj grupeve të tjera etnike, aq më pak njerëzit mbështesin politikat anti-diskriminuese, dhe aq më pak ata janë të gatshëm të fillojnë të kenë kontakt ndëretnik me anëtarët jashtë grupit.

Kjo nuk do të thotë që të kesh një botëkuptim që është etnikisht i nuancuar, është i gabuar. Mirëpo, politizimi dhe institucionalizimi i përkatësisë etnike në një mjedis tashmë negativ ndëretnik siç është ky i joni, është i gabuar.

Jo vetëm që etnia është një filtër i rëndësishëm shoqëror në kontekstin ndërgrupor të Kosovës, por është gjithashtu një identitet thelbësor.

Kjo është ajo që pohoi një serb i ri në Mitrovicën e Veriut, duke diskutuar identitetin e tij etnik: “Faktin se unë jam serb nuk mund ta ndryshoj, edhe nëse do të doja. Unë kam lindur një serb dhe kjo është ajo”, tha ai.

Po kështu, në kryeqytet, në Prishtinë, një pjesëmarrës shqiptar konkludoi në mënyrë të ngjashme se identiteti (shqiptar) “është i rëndësishëm. A mund të ndryshosh gjenetikisht veten? … Jo nuk mundesh sepse nuk mund të ndryshosh gjenetikisht faktin se je shqiptar”, tha ai.

Ky konceptualizëm primordial i identitetit etnik nënkupton që anëtarët e grupeve etnike nuk mund të ndryshojnë dhe përjashtojnë mundësinë që identitetet grupore, duke përfshirë edhe ato etnike, janë socialisht të formësuara.

Perceptimi i identitetit etnik në terma fiks sugjeron si në vijim: Nëse shqiptarët ose serbët trashëgojnë ‘gjene’ të tyre shqiptare apo serbe dhe secili e percepton grupin tjetër etnik si të ligë dhe të pabesë, atëherë kjo ligësi e perceptuar e grupit “tjetër” do të jetë gjithmonë prezente.

T’u thuhet njerëzve që kanë koncepte të tilla të thella të rrënjosura për identitetin që një ndryshim i kufirit duhet të ndodhë në baza etnike, sinjalizon që grupet etnike kurrë nuk do të mësojnë të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin dhe se të gjithë jemi më mirë nëse vendosemi të jetojmë me llojin tonë.

Mbi të gjitha, një gjë e tillë e përcakton identitetin etnik si diçka që njerëzit duhet ta mbrojnë dhe gabimisht e kërcënon në një mjedis tashmë kërcënues identitar.

Një identitet i kërcënuar i bën njerëzit që të krijojnë një lidhje edhe më të fortë me të dhe një identifikim më i fortë (etnik) paraqet bazë për trajtimin potencial negativ të të tjerëve përgjatë vijave etnike.

Në vend të përforcimit të këtij cikli, udhëheqja politike duhet të pranojë dhe të njohë etninë si një identitet të vlefshëm për njerëzit. Duhet të tregojë se është në rregull të jesh një serb, shqiptar, turk ose boshnjak në Kosovë dhe se të gjitha grupet janë qytetarë të barabartë të këtij vendi.

Krijimi i kufijve nacional përgjatë vijave etnike bën të kundërtën. Ajo e  bënë kurban etninë.

Së dyti, paraqitja e çështjes kufitare Kosovë-Serbi përgjatë vijave etnike, jo vetëm që pakëson përpjekjet e bëra gjatë dy dekadave të fundit për të përmirësuar marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, por largon shpresën se një identitet funksional qytetar kosovar do të zhvillohet ndonjëherë.

Nëse qytetarët vazhdojnë të trajtohen vetëm në bazë të linjave etnike, pse duhet të shqetësohen për të parë përtej këtyre linjave?

Është e qartë se identiteti qytetar (nacional) në Kosovë ka kufizime dhe nuk është ende identiteti gjithëpërfshirës multietnik që ishte parashikuar në vitin 2008.

Disa nga studimet tona tregojnë se shumica shqiptare e sheh identitetin kosovar si një formë tjetër të identitetit të tyre etnik shqiptar, që përfaqëson fuqishëm vetëm grupin e tyre etnik dhe përjashton serbët.

Për serbët, të cilët mendojnë se identiteti kosovar nuk përfshin apo nuk i  përfaqëson edhe ata, identiteti kosovar paraqet një platformë të paqartë me të cilën ata do të mund të identifikoheshin potencialisht.

Përkundër këtyre kufizimeve, megjithatë, dëshmitë sugjerojnë se kur shqiptarët janë në gjendje të perceptojnë identitetin kosovar në kushte më gjithëpërfshirëse dhe të tillë që i përfshinë të gjitha grupet etnike që jetojnë në Kosovë e jo vetëm shqiptarët, identifikimi me këtë identitet i përmirëson perceptimet e tyre për serbët.

Në anën tjetër, edhe pse serbët tregojnë identifikim të dobët me identitetin kosovar, kur kjo ndodhë, vlerësimet e tyre për shqiptarët gjithashtu përmirësohen.

Megjithëse i kufizuar në formën e tij aktuale, identiteti i ri kosovar ka potencial për të funksionuar nëse bëhen përpjekje për ta zhvilluar atë në terme gjithëpërfshirëse.

Së treti, në vend që të luajë kartën etnike, udhëheqësia politike duhet të ofrojë diskurse që ndihmojnë në zhvillimin e kësaj gjithëpërfshirjeje të identitetit kosovar e jo të përforcojë formën ekzistuese përjashtuese të tij.

Ndryshe nga vendet e tjera në rajon, ku përkatësia qytetare ka ekzistuar për një kohë më të gjatë, ne kemi një mundësi të pashembullt që të ndikojmë në mënyrën se si zhvillohet identiteti kosovar dhe udhëheqja politike duhet të luajë një rol të dobishëm në këtë drejtim.

Një fokus në ndërtimin e mureve simbolike etnike përgjatë kufirit tërheq vëmendjen nga ku vëmendja duhet të jetë: në shembjen e mureve ndëretnike që tashmë ekzistojnë brenda vendit.

Edhepse kanë kaluar dy dekada që nga përfundimi i konfliktit, shqiptarët dhe serbët ende jetojnë të ndarë dhe vazhdojnë të zhvillojnë universe paralele ndërmjet tyre.

Të rinjtë, të lindur dhe të rritur pas konfliktit, perceptojnë se marrëdhëniet ndëretnike janë të tensionuara. Hendeku etnik po zgjerohet pasi ky grup i qytetarëve ka pak ose aspak ndërveprim dhe nuk mund të flasë më gjuhën e grupit tjetër etnik. Nga 50 e deri në 70 për qind e të rinjve shqiptarë në dy mostra të ndara në Prishtinë dhe Mitrovicë thonë se nuk kanë pasur kurrë kontakt me ndonjë serb.

Mund ta imagjinoni se çfarë lloj qëndrimesh zhvillojnë të rinjtë nëse gjithçka që ata dinë rreth “të tjerëve” vije nga historitë e luftërave, rrëfimet e njëanshme politike dhe mediat.

Mungesa e  kontaktit ndëretnik paraqet një oqean në të cilin paragjykimet sa shkojnë e rriten sepse njerëzit nuk kanë mundësi që të vënë në pikëpyetje besimet e tyre negative për të “të tjerët”.

Udhëheqësia politike e Kosovës ka nevojë që të dalë nga paradoksi ku pretendon se aspiron në një bashkim evropian pa kufij, por flet për kufijtë në një mënyrë të dëmshme; ku kërkon integrimin evropian por krijon ndarje mes grupeve etnike brenda vendit.

Udhëheqësia ka nevojë që të ndihmojë t’i largojë muret që janë krijuar brenda vendit, dhe jo të krijojë mure të reja me çështjen e kufijve në baza etnike. Ajo duhet t’i bëjë njerëzit të ndjehen të sigurt për atë që janë, dhe jo t’i kërcënojë ata edhe me një sfidë tjetër identitare.

Udhëheqësia  ka nevojë që të vlerësojë dallimet etnike, por në të njëjtën kohë të nxjerrë në pah ngjashmëritë që grupet etnike i kanë si qytetarë të këtij vendi.

Armiqësia  ekzistuese mes shqiptarëve dhe serbëve nuk ka nevojë që të zmadhohet politikisht si një gjendje e përjetshme që nuk mund të ndryshohet, sepse mundet.

Ne kemi nevojë për një agjendë që sheh përpara, që nuk bazohet në rregullime të shpejta politike por që adreson shqetësimet dhe nevojat e njerëzve.

Debati rreth kufijve me jashtë duhet të zhvendoset për kufijtë ndërgrupor brenda.

Këta të fundit mund të jetë kufi më pak të dukshëm, por janë shumë më qenësorë në domethënien që kanë për njerëzit e Kosovës dhe për cilësinë e jetës së tyre.

 

Edona Maloku është psikologe duke specializuar në çështje të identitet dhe marrëdhënieve ndërgrupore. Ajo është hulumtuese e Utrecht Group dhe identity Lab në Holandë dhe ligjëruese e psikologjisë në RIT Kosovo (A.U.K.).

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.