Aleksandar Vuçiq mban fjalim në Mitrovicë - Foto: KALLXO.com

Fjalimi i Vuçiqit në Kosovë promovoi një fantazi të rrezikshme

Fjalimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë ngjante me një thirrje për paqe dhe pajtim, por retorika e tij nacionaliste e koduar dhe lavdërimi për Sllobodan Millosheviqin treguan se ëndrra për një “Serbi të madhe” vazhdon.

Mediat serbe e kanë përshkruar fjalimin “historik” të Aleksandër Vuçiqit në Kosovë të dielën si “momentin e tij Gazimestan”, diçka e ngjashme me fjalimin e famshëm të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1989 në vendin e Betejës së shekullit të 14-të të Kosovës, pas së cilës Millosheviqi shkatërroi Jugosllavinë.

Fjalimi i Vuçiqit duhet të ofronte një ton më paqësor dhe pajtues, por, ndërsa arriti ta mbante “të pranueshëm” për një audiencë perëndimore, ai njëkohësisht i qëndroi i vërtetë politikave që ai mbështeti gjatë agresionit të udhëhequr nga Serbia në vitet 1990, kur ai ishte një radikal i ri nacionalist.

Një manipulues politik me përvojë, Vuçiqi arriti ta bënte këtë duke marrë një ton kërcënues në të njëjtën kohë duke dërguar të ashtuquajturat “mesazhe paqeje”, që kënaqën dishepujt e tij nga qeveria dhe partia e tij, të cilët të gjithë vrapuan nëpër media për të thënë se sa i mrekullueshëm ishte fjalimi i presidentit.

Edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar ishin të kënaqur me atë që dëgjuan nga Vuçiqi. Ata e vlerësuan atë, ndoshta sepse të gjithë u ndjenë të lehtësuar sepse nuk e përdori këtë mundësi për të ndezur skenën dhe për t’i bërë thirrje njerëzve të marrin armët.

Por pavarësisht nga lavdërimet dhe vlerësimet pozitive që ai mori, ne e njohim më mirë Vuçiqin dhe e dimë se sado boshe, fjalët e tij ende kanë një fuqi toksike. Kjo është për shkak se ne e kuptojmë që ai flet duke përdorur një gjuhë të koduar që një vesh pa eksperiencë mund ta ngatërrojë me një fjalim normal.

Pra, kur Vuçiq u tha serbëve të Kosovës të cilëve iu drejtua të dielën: “Po, po, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shqiptar dhe unë duhet të flas me të,” ky ishte një pasqyrim i racizmit të lashtë serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sepse shqiptarët nuk janë njerëz që janë “të denjë” për të folur, por që duhet të menaxhohen, qeverisen ose shkatërrohen.

Kjo është arsyeja pse gjuha e Vuçiqit është ende e rrezikshme – ai vazhdon të mbështesë ndarjen dhe paragjykimet duke ushqyer shpresat e rreme nacionaliste mes serbëve. Kjo vlen për serbët kudo, por më e rëndësishmja për ata nga Kosova dhe Bosnja. Ka një arsye të mirë përse Vuçiq nuk u tha serbëve të Kosovës se Prishtina është kryeqyteti i tyre, ashtu siç nuk i ka thënë kurrë serbëve të Bosnjës se Sarajeva është kryeqyteti i tyre.

Vuçiq megjithatë tha se Serbia mori pjesë në luftëra, ndryshe nga qëndrimi zyrtar i Beogradit se ajo nuk ishte përfshirë kurrë drejtpërdrejt në konfliktet e viteve 1990 në Bosnjë dhe Kroaci. Kjo pjesë e fjalimit të tij ishte gjithashtu e maskuar si një mesazh i koduar, kur ai parafrazoi një varg nga një këngë lufte që serbët i këndonin Millosheviqit në Gazimestan në vitin 1989.

Pritja e Vuçiqit në Leshak. Foto: Kallxo.com

Menjëherë pasi tha se “tre luftëra janë përmendur në këngë, por ne kemi pasur edhe disa të tjera”, Vuçiq “e mbuloi” veten duke thënë: “Ky nuk ishte faji ynë, por jo edhe tërësisht i të tjerëve”. Zyrtarisht dhe jo zyrtarisht, ne i ndihmuam vëllezërit tanë – serbët vdiqën për Kninin në Kroaci, për Sarajevën, për Prishtinën.”

Por ajo që ai duhet të kishte thënë është se Serbia përvetësoi Ushtrinë Popullore Jugosllave për të fituar luftëra kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës me ndihmën e njësive paraushtarake dhe policore serbe, së bashku me bandat vullnetare që u bënë pjesë e së njëjtës ushtri, trupat e të cilave kryen qindra krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe iu ngarkuan si detyrë fushata gjenocidit dhe spastrimi etnik.

“Çështje të papërfunduara” nga luftërat e viteve ’90 

Përveç nesh – shumica e qytetarëve serbë që kurrë nuk kanë reshtur së mbështeturi politikat e Millosheviqit dhe pasardhësve të tij – ne kemi BE dhe SHBA-në për të falënderuar për Vuçiqin e sotëm, pasi ata e kanë normalizuar më tej atë, duke e ditur shumë mirë se ku çuan politikat dhe veprimet e tij në të kaluarën dhe me çfarë kostoje.

Programi i Vuçiqit sot është plotësisht në përputhje me politikat e Serbisë të viteve 1990, të cilat synonin të krijonin një “Serbi të Madhe”, e njohur edhe si “Serbia Qiellore” – ideja që të gjithë serbët duhet të jetojnë së bashku në një shtet, e cila ishte e mundur vetëm nëse të gjitha etnitë e tjera do të vriteshin ose dëboheshin nga territori.

Vuçiq vetëm sa e ka denoncuar atë politikë duke thënë: “Puna ime nuk është miti, ëndrra, halucinacionet apo vizioni i shtrembër i Kosovës pa shqiptarë apo Kosovës pa serbë. Puna ime është realiteti. Ajo që është sot, këtu dhe tani, në Kosovën e sotme, në Serbinë e sotme, jo në ndonjë Serbi qiellore. Ne ranë nga ai qiell. Ne ramë dhe u lënduam keq. Kokat tona janë të mbuluara me gjak, krahët tanë janë thyer.”

Por përsëri, Vuçiqi nuk po thoshte të vërtetën. Nuk kishte asnjë “vizion” të Kosovës pa serbë, vetëm atë që ai e mbështeti për kaq shumë kohë – Kosova pa shqiptarë. Për referenca të hollësishme se si do të realizohej ky vizion në Kosovë, lexuesi këshillohet që të konsultohet me programin e Partisë Radikale Serbe gjatë luftërave, kur sekretari i përgjithshëm i saj ishte Aleksandër Vuçiq.

Ajo që Vuçiq duhet të kishte thënë është se ne nuk arritëm të shkatërronim çdo jo-serb që doli në rrugën tonë ndërsa përpiqeshim të krijonim një shtet etnik të pastër, që luftuam kundër të gjithë botës dhe humbëm.

Ai mund të kishte shtuar se sot po vuajmë pasojat e të gjitha mizorive që kemi kryer dhe se ka ardhur koha që ne të pranojmë realitetin e vështirë, të pranojmë të kaluarën tonë të kohës së luftës, të kërkojmë ndjesë dhe të përpiqemi të jetojmë në paqe me pjesën tjetër të botës.

Vuçiqi e di këtë, por faktet nuk e ndalojnë atë që të mos vazhdojë të mbajë shpresat nacionaliste midis serbëve rreth faktit sesi “rrethanat historike” do ta lejojnë Serbinë të bëhet përsëri “e plotë”.

Kjo ide toksike që ka kushtuar kaq shumë jetë – unifikimi i “të gjitha trojeve serbe” në një “Serbi të madhe” dhe të pandashme  – është ajo që Vuçiqi, ashtu si Millosheviqi 30 vjet më parë, u ofroi serbëve të Kosovës.

Ai nuk ofroi paqe me shqiptarët e Kosovës, sepse po ta bënte këtë, ai do të duhej të kërkonte falje për të gjitha krimet e pahijshme kundër popullatës civile të Kosovës.

Ai do të duhej t’u thoshte serbëve të Kosovës që ta kthenin shikimin e tyre nga Prishtina, me mbështetjen e Beogradit, dhe të integroheshin në shoqërinë kosovare – të njëjtën gjë që ai duhet t’i kishte thënë serbëve në Republikën Srpska me shumicë serbe të Bosnjës, por që ai, si çdo tjetër sundues tjetër serb para tij, nuk e ka bërë kurrë.

Fjalimi i Vuçiqit në Kosovë tregoi se projekti “të gjithë serbët në një shtet” mbetet parimi politik kryesor i Serbisë.

Kjo është arsyeja pse Kosova dhe Bosnja janë të pandashme në projektin nacionalist serb; kjo është arsyeja pse të dyja këto “çështje” ende konsiderohen “të pazgjidhura”; kjo është arsyeja pse ne dëgjojmë gjithnjë e më shpesh se Serbia duhet të luftojë në “të dyja frontet”, sepse ato janë të ndërlidhura ngushtë dhe konsiderohen si çështje të papërfunduara nga vitet 1990.

Lavdërim për Millosheviqin, një “lider i madh serb” 

FOTO KALLXO – Aleksandër Vuçiq

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të dështuara për të bashkuar të gjithë serbët në një shtet mbi kufomat e boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve, Vuçiqi u duartrokit se vazhdoi repertorin e zakonshëm “Kosova është Serbi” të hartuar nga elita intelektuale serbe në fillim të viteve 1980.

Duke e ditur mirë se askush nuk guxon ta kritikojë atë pasi në pamje të parë ai duket se tha disa fjalë pajtuese, Vuçiqi iu kthye thelbit të fshehtë të fjalimit të tij ndërsa vlerësoi “lidershipin” e Sllobodan Millosheviqit.

“Millosheviqi ishte një lider i madh serb, qëllimet e të cilit ishin sigurisht për më të mirën, por rezultatet tona ishin shumë të dobëta. Jo sepse ai e donte atë, por sepse dëshirat tona ishin joreale, ndërsa neglizhonim dhe nënvlerësuam interesat dhe aspiratat e kombeve të tjera,” tha ai. “Për shkak të kësaj, paguam çmimin më të madh dhe më të rëndë. Nuk jemi bërë më të mëdhenj.”

Vetëm kjo pjesë e fjalimit të Vuçiqit duhet të kishte alarmuar BE-në dhe Perëndimin në përgjithësi, sepse ajo tregoi ngjyrat e tij të vërteta dhe tregoi se ai po vazhdon të njëjtën linjë të ashpër nacionaliste që shkatërroi miliona jetë.

Fjalimi i tij në Kosovë mund të kishte qenë momenti që ai të ndahej nga politikat që Millosheviqi zbatoi gjatë viteve 1990 dhe që Vuçiçi mbështeti në atë kohë.

Për fat të keq, por jo çuditërisht, ai mbeti ai që ishte gjithmonë, dishepulli dhe pasardhësi i kreut të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli dhe i vetë Millosheviqit; një njeri që nuk tërhoqi kurrë mbrapsht ndonjë gjë që bëri apo tha.

Vuçiqi vazhdoi të fliste të njëjtën gjuhë të ngjashme me referencat e tij mitologjike që janë të njohura për serbët, por që i ngatërrojnë të tjerët. Dhe pavarësisht dekadave të shkatërrimit, ai ia doli mbanë dhe tani po lavdërohet nga të gjitha anët.

Ai nuk kishte para tij një turmë të madhe siç ishin dhjetëra mijëra njerëzit që erdhën për të dëgjuar Millosheviqin që mbante fjalimin e tij në Gazimestan në vitin 1989, por ai mori miratimin e atyre që mbështesniin Millosheviqin atëherë.

Vuçiq në thelb i ftoi serbët e Kosovës – dhe për këtë arsye të gjithë serbët kudo në rajon – të vazhdojnë të ëndërrojnë për një “Serbi të Madhe”, duke i inkurajuar kështu ata që të adhurojnë kriminelët e luftës dhe, në mënyrë të vazhdueshme, të mohojnë krimet që janë vërtetuar nga gjykatat vendase dhe ndërkombëtare.

Mesazhi i tij ishte i qartë – s’kemi asgjë për të cilën të kërkojmë ndjesë apo për të cilën duhet të na vijë turp. Nuk ka asgjë që nuk mund ta durojmë, për sa kohë që qëllimi ynë është ajo që imagjinonte dikur Millosheviqi, një “lider i madh serb”.

Të gjithë e dinim çfarë të prisnim nga fjalimi i Vuçiqit, por ishte vërtet e habitshme ta dëgjoje atë të mbronte aq hapur Millosheviqin dhe trashëgiminë e tij, si edhe të mos dëgjoje ndonjë lloj dënimi nga kushdo që dëgjoi atë që tha ai.

Në mungesë të një dënimi të tillë, një tjetër mundësi u humb nga ata që kishin ndikim te presidentin serb për të ushtruar presion më të fortë ndaj tij që të ulë retorikën ndarëse me të cilën ai dikur frymëzoi shumë njerëz që të merrnin armët dhe të shkonin në luftë.

Milos Ciric është një politolog, edukator, mësues dhe aktivist serb i të drejtave të njeriut. Ai ka diplomë në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Beogradit, master në Politikë Kulturore nga Universiteti i Arteve, Beograd, dhe Lumiere University Lion 2, Francë, dhe master në Studimet e Medias nga The New School University, Nju Jork.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.