Kryetarët e komunave të zgjedhur pa balotazh. Foto: Kallxo.com

Fituesit e Komunave Kanë Premtuar Më Shumë Gra në Krye të Drejtorive

Edhe pse në shumë raste nuk respektohet Ligji për Barazi Gjinore për përfaqësim të barabartë në institucione vendimmarrëse prapëseprapë, bazuar në premtimet e marra, numri i tyre do të jetë më i madh.

Drenasi do të jetë komuna që do të ketë edhe më tutje 50 për qind të drejtorive të udhëhequra nga gratë. Në komunën e Lipjanit, Skenderajt dhe Hanit të Elezit nuk dihet saktësisht numri i drejtorive që do të drejtohen nga gratë. Në Komunën e Fushë Kosovës, Pejës, Junikut dhe Vitisë është premtuar se numri i grave drejtoresha do të rritet këtë mandat. Kurse në komunën e Deçanit nuk është premtuar rritje të numrit të drejtorive të cilat do të drejtohen nga gratë . Dy kanë qenë në mandatin e kaluar dhe dy janë premtuar edhe këtë mandat.

Ligji për Barazi Gjinore të Kosovës i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2015 obligon që të ketë përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha institucionet përfshirë edhe ato vendimmarrëse.

“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse” thuhet në nenin 6 pika 8 e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës.

Edhe Avokati i Popullit e konsideron veprim të domosdoshëm, dhënien e mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi çfarëdo baze, në listat e kandidatëve dhe në procesin zgjedhor si tërësi.

Avokati i Popullit para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit ka dalë me një deklaratë ku është shprehur se pret nga subjektet politike që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, ashtu siç edhe nga KQZ, që të respektojnë parimin e barazisë ku sigurohet përfaqësim prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini, duke siguruar kështu respektimin e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Siç ka thënë edhe Avokati i Popullit edhe Kushtetuta e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore të demokracisë.

“Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore” thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Jeta Xharra, moderatorja e debateve parazgjedhore komunale në çdo debat e ka parashtruar pyetjen se nga sa drejtoresha do t’i kenë kandidatët për kryetar komune në qeverisjen e tyre komunale, duke ua kujtuar vazhdimisht deklaratën e Avokatit të Popullit.

Pas daljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 22 tetorit, KALLXO.com i ka nxjerrë deklaratat e kandidatëve për kryetar komune që kanë fituar pa balotazh, për t’jua kujtuar atyre se nga sa drejtoresha i kanë premtuar ata publikisht në “Debat Përnime”. Kjo i ofron KALLXO.com mundësi që pas formimit të qeverive komunale t’i vërtetojë këto deklarata dhe me anë të Krypometrit.

Komuna e Deçanit

Bashkim Ramosaj, kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Deçanit tashmë ka marrë besimin e 64,36% ose 10 mijë e 302 qytetarëve të Deçanit.

Ai në debatin për komunën e Deçanit ka premtuar se dy drejtori të udhëhequra nga femrat janë të sigurta në mandatin e tij.

Në mandatin e kaluar nga gjithsej 11 drejtori sa janë të komunën e Deçanit vetëm dy kanë qenë të udhëhequra nga gratë.

Komuna e Drenasit

Ramiz Lladrovci do të jetë kryetar i Drenasit edhe për katër vite të tjera pasi në zgjedhjet e  22 tetorit ai ka dalë fitues me 58.99 për qind ose 13 mijë e 683 vota.

Në Komunën e Drenasit zgjedhjet e fundit për kryetar komune janë mbajtur në fund të vitit të kaluar, ku fitues pati dalë Ramiz Lladrovci.

Në mandatin e tij ai ka emëruar pesë drejtoresha edhe pse i kishte premtuar 3 ose 4 drejtoresha në qeverisjen, duke respektuar kështu Ligjin për Barazi Gjinore.

Ai në ‘Debat Pernime’ ka premtuar që edhe në këtë mandat në ekipin e tij do të jenë 5 drejtoresha.

Komuna e Fushë Kosovës

Edhe në komunën e Fushë Kosovës kryetari i Komunës është zgjedhur qysh në raundin e parë të zgjedhjeve.

Burim Berisha nga radhët e LDK-së ka dalë fitues me 9682 ose 63.87 për qind të votave.

Në debatin për komunën e Fushë Kosovës ai ka premtuar që nga 10 drejtori sa i ka nën udhëheqje 4 prej tyre do të drejtohen nga gratë. Berisha në mandatin e kaluar kishte emëruar 3 gra për udhëheqjen e drejtorive në Fushë Kosovë.

Komuna e Lipjanit

Imri Ahmeti nga LDK ka dalë fitues në zgjedhjet lokale të 22 tetorit në komunën e Lipjanit duke fituar 16 mijë e 828 ose 59.78 për qind të votave. Në ‘Debat Pernime’ ai nuk ka premtuar një numër specifik të drejtoreshave që do t’i ketë në qeverisjen e tij komunale.

“Do të ketë përfaqësim po nuk po du me specifiku numerikisht”, ka thënë Ahmeti.

Në mandatin e kaluar qeverisës Imri Ahmeti nga 11 drejtori sa ishin gjithsej nuk kishte emëruar asnjë grua në drejtimin e tyre.

Komuna e Pejës  

Edhe Peja është ndër komunat ku kryetari është zgjedhur pa pasur nevojë të shkohet në balotazh. Gazmend Muhaxheri nga LDK ka marrë besimin e 21 mijë e 568 ose 50,31 për qind të qytetarëve të Pejës.

Gazmend Muhaxheri në mandatin e kaluar kishte emëruar vetëm një drejtoreshë në ekipin e tij udhëheqës.

Në ‘Debat Përnime’ ai ka premtuar se numri drejtoreshave këtë mandat do të rritet.

“Besoj që numri i tyre ka me shku prej 3 deri në 5 edhe nënkryetarja e komunës do të jetë femër” ka shtuar Muhaxheri.

Komuna e Skenderajt  

Komuna e Skenderajt do të ketë kryetar Bekim Jasharin, i cili garoi si kandidat i pavarur por mori mbështetjen e PDK-së. Jashari në zgjedhjet e 22 tetorit si kandidat i pavarur ka arritur të fitoj 13 mijë e 681  ose 85,66 për qind të votave.

Jashari nuk ka qenë pjesë e debatit për komunën e Skenderajt me arsyetimin se ai nuk është politikan, kështu që edhe numrin e drejtoreshave të cilat do t’i emërojë Jashari nuk e dimë.

Por kundërkandidatët e tij, Hysni Mehani nga VV, Isa Fejzullahu nga LDK dhe Musa Dervishaj nga AKR patën premtuar se në qeverisjen e tyre gjysma e drejtorive do t’i takonin grave.

Komuna e Vitisë

Qytetarët e komunës së Vitisë për të dytin mandat radhazi ia ka besuar Sokol Halitit nga LDK. Ai në këto zgjedhje ka arritur të fitoj pa balotazh me 10 mijë e 764 ose 52,22 për qind të votave, duke lënë prapa Salih Salihun nga VV, Besim Halimin nga PDK dhe Faruk Nurën nga AAK.

Haliti ka premtuar që këtë mandat ai do e rris numrin e drejtorive të udhëhequra nga gratë.

“Unë besoj që deri në 40 për qind” ka theksuar Haliti.

Në mandatin e kaluar në komunën e Vitisë vetëm Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport dhe Drejtoria për Kadastër, Pronë dhe Gjeodezi janë udhëhequr prej grave nga 10 drejtori sa ishin gjithsej.

Komuna e Junikut

Edhe Agron Kuçi nga radhët AAK-së do të vazhdoj të jetë krye të komunës së Junikut edhe për një mandat tjetër. Ai në zgjedhjet e 22 tetorit ka dalë si më i votuari me 1 mijë e 442 vota ose 58,40 për qind.

Në mandatin e kaluar Kuçi në krye të drejtorive kishte emëruar vetëm dy gra nga shtatë drejtori sa janë gjithsej në komunën e Junikut.

Ai në ‘Debat Pernime’ është përgjigjur se ky numër do të rritet në këtë mandat.

“Mendoj që minimumi do të jenë tri e mbi” ka thënë Kuçi.

Agron Kuçi ka dalë fitues përpara Tahir Isufajt, Sylë Gaxherrit e Fatos Shalës të cilët po ashtu kishin premtuar se do t’ua besonin grave timonin e 50 për qind të drejtorive në Junik.

Komuna e Hanit të Elezit

Kandidati i pavarur, Rufki Suma për të tretin mandat me radhë është zgjedhur kryetar i Hanit të Elezit.

Me 22 tetor ai ka dalë fitues me 2823 ose 57,32 për qind të votave duke lënë prapa Florim Shkretën e PDK-së dhe kandidaten nga radhët e LDK-së Hyrijete Isufi.

Kur është pyetur ai për numrin e drejtorive drejtimin e të cilave do ua besoj grave ai ka thënë se nuk mund të garantoj  një numër të saktë.

“Nuk mund të garantoj po sa do të kemi mundësi do të marrim”, ka thënë Suma.