Donald Trump, majtas, mbërrin për të mbajtur fjalimin e fitores të mërkurën në Nju Jork. Nga e majta, Trump, djali i tij Barron, bashkëshortja Melania, Jared Kushner, dhe Ivanka Trump. (AP Photo/ Evan Vuçi)

Fitorja e Trump, Ballkani mes Festës dhe Vajtimit

Serbi – mirëpritet fundi i ‘epokës Clinton’

Si shumë presidentë dhe kryeministra të tjerë në Ballkan, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq nxitoi të uronte të mërkurën Donald Trumpin për fitoren e tij surprizë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“Lidershipi që keni treguar gjatë fushatës përfaqëson vullnetin e fortë që është i nevojshëm jo vetëm për shtetasit amerikanë, por për të gjithë botën”, mendohet të ketë qenë mesazhi i kryeministrit serb për presidentin amerikan sipas zyrës së tij.

Vuçiq, i cili ka bërë përpjekje për të balancuar bashkëpunimin me BE-në dhe SHBA-në përkundrejt lidhjeve historike me Rusinë, tha se ai shpresonte që Serbia të vazhdonte zhvillimin e marrëdhënies së saj me Shtetet e Bashkuara.

Partitë serbe të krahut të djathtë e festuan fitoren e Trumpit më haptazi, si një fitore edhe për ikonën e tyre, presidentin rus Vladimir Putin.

Partia Radikale Serbe, SRS, një parti ultranacionaliste e festoi fitoren e Trumpit si një ide paraprake të asaj që mund të ndodhë në Serbi.

“Mbrëmë patë që mund të ndodhë në Amerikë, mund të ndodhë gjithashtu në Serbi”, tha kryetari i SRS, Vojisllav Sheshel, duke promovuar kandidaturën e tij për presidencën serbe në vitin 2017.

Ai vuri në lojë reagimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili tha se i vinte keq që “një mike e madhe e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, Hillary Clinton, nuk ia doli…”.

“Në djall të shkojë, miku ynë (Trump) ia doli”, tha Sheshel.

Mali i Zi, forcat proruse marrin zemër

Festime të ngjashme ndodhën edhe në Malin e Zi fqinj, ku përçarjet e brendshme janë të ashpra mes forcave properëndimore dhe atyre proruse.

Grupet dhe mediat proserbe dhe proruse festuan fitoren e Trumpit.

Në një postim në rrjetet sociale, një nga liderët prorus të Frontit Demokratik në opozitë, Slaven Radunoviq tha se Trump fitoi përkundrejt çdo gjase dhe mundi establishmentin.

Marko Milaçiq, lideri i Lëvizjes Malazeze për Pavarësi tha se ai nuk ishte i kënaqur nga fitorja e Trumpit aq sa kënaqej nga mundja e kundërshtarëve të tij, establishmentit amerikan dhe Clinton.

Shqipëria – mbështetja për Clinton tashmë një pengesë

Shumë shqiptarë mbështetën fuqishëm kandidaten Hillary Clinton, kryesisht për shkak të ndërhyrjes së presidentit Clinton në zgjidhjen e luftës në Kosovë në vitin 1999.

Ata mbështetën fuqishëm Hillaryn gjatë fushatës së saj zgjedhore, por tani kjo u kthye në një situatë të sikletshme.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u komentua gjerësisht nga media ndërkombëtare në prill kur tha në një intervistë në CNN se “larg qoftë” që Trump të bëhet presidenti i ardhshëm amerikan.

“Do ta dëmtonte Amerikën shumë dhe do të dëmtonte gjithashtu edhe botën demokratike”, tha Rama në atë intervistë.

Të mërkurën, Ramës iu desh të uronte Trumpin – megjithëse në rrjetet sociale – duke theksuar se ishte i sigurt që marrëdhënia e Shqipërisë me SHBA-në vetëm sa do të forcohej.

Por ai gjithashtu pranoi se i vinte keq për mundjen e Clintonit.

“Një mike e madhe e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, Hillary Clinton, nuk ia doli dot të bëhet Presidentja e parë grua në historinë e Shteteve të Bashkuara”, shkroi ai.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës Lulzim Basha tha se fitorja e Trumpit jepte një mesazh të fortë për demokracinë.

Pavarësisht simpatisë dhe mbështetjes për Clintonin, analistët shqiptarë nuk besojnë se presidenca e Trumpit do të ndikojë drejtpërdrejt te Shqipëria.

Kosova – shpresa për mosndryshim të aleancës amerikane

Politikanët në Kosovë e përmbajtën veten përballë aleates së patundur amerikane të Kosovës, Hillary Clinton.

Behgjet Pacolli, kreu i Aleancës Kosova së Re, tha: “Besoj se shqiptarët pavarësisht fituesit do të mbështesin vullnetin e popullit amerikan. Urime!”

Presidenti Hashim Thaçi e uroi formalisht Trumpin në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës.

“Duke ditur rolin drejtues të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, jam i bindur se presidenti i sapozgjedhur, me përgjegjësinë më të lartë do të zgjidhë në shkallë globale shumë sfida”, shkroi ai.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Ramush Haradinaj tha se ai ishte i bindur se SHBA-ja do të mbetej një partner strategjik për Kosovën dhe Ballkanin.

Rumania – e shqetësuar për të ardhmen e NATO-s

Si një anëtare e vendosur e NATO-s dhe BE-së, Rumania është e shqetësuar rreth një ndryshimi të mundshëm të politikës amerikane përkundrejt BE-së, NATO-s dhe Rusisë nën administratën Trump.

Presidenti Klaus Iohannis të mërkurën dërgoi një letër urimi për Trump, duke theksuar se Rumania dhe SHBA kanë një marrëdhënie solide dhe se partneriteti i tyre është një element kyç në përcaktimin e rolit të Rumanisë si anëtare në NATO dhe në BE.

Shumë analistë u shprehën se ka pak gjasa që të shihet një ndryshim në politikën e jashtme të SHBA-së në kuptimin afatshkurtër, por sipas tyre është shqetësuese që Trump dhe skuadra e tij mund të dobësojnë përfshirjen e SHBA-së në NATO apo mbështetjen për BE-në në politikat kundrejt Rusisë.

Kroacia – shqetësime për izolimin amerikan

Në Kroaci, Cody McClain Brown, një profesor amerikan në Fakultetin e Shkencave Politike tha për BIRN se fitorja e Trumpit me gjasë nuk do të ndryshonte ndonjë gjë të madhe në nivel bilateral mes SHBA-së dhe Kroacisë.

“Jam paksa nervoz në lidhje me pikëpamjet e Trumpit për Evropën dhe veçanërisht NATO-n; kjo mund të lejojë influenca të tjera rajonale në si ruse apo turke në Ballkan. Kjo mund ta destabilizojë rajonin”, tha ai.

Duke pranuar përpjekjet e Rusisë për ndikim në zgjedhjet e Malit të Zi, ai tha se “për të kundërshtuar ndikimin rus në rajon, duhet të ekzistojë një marrëdhënie e fortë mes Evropës dhe SHBA-së”.

Por Brown shtoi se Trump do ta ndryshojë pozicionin e tij sapo të bëhet president dhe të “shohë realitetet e botës”.

Ai përfundoi se ndërsa thirrja e Trump për më pak pushtime ushtarake mund të jetë diçka e mirë, gjithashtu mund të çojë në një lloj izolimi amerikan, që është diçka e keqe për SHBA-në dhe për botën.

Bullgaria – shumë e zënë me zgjedhjet e saj

Politikanët bullgarë duken shumë të preokupuar me zgjedhjet presidenciale të 13 nëntorit në vend për të komentuar menjëherë për fitoren e Trumpit.

Kryeministri Boyko Borissov të mërkurën tha vetëm: “Le të urojmë presidentin e ri amerikan”.

Disa deputetë thanë se nuk do të kishte pasoja serioze për Bullgarinë nga ndryshimi i pushtetit në SHBA.

Maqedonia – nuk do të ketë ndryshim në politikë

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, tha se politika amerikane kundrejt vendit të përçarë nuk do të ndryshojë.

Duke folur në Shkup, Baily tha se SHBA do të mbetet e angazhuar për stabilitetin maqedonas dhe rrugën në BE.

Politikanët maqedonas që përgatiten për një betejë të madhe më 11 dhjetor e uruan gjithashtu presidentin e ri të SHBA.

“Nuk mund të them që nuk më vjen keq që nuk fitoi një grua. Por zgjedhjet në SHBA kanë treguar se edhe mbështetja më e madhe mediatike nuk mjafton kur shtetasit duan ndryshime”, tha zv.kryetarja e Social-Demokratëve në opozitë, Radmila Shekerinska.

Bosnja – Serbët të gëzuar, boshnjakët më të kujdesshëm

Kryetari i Presidencës Boshnjake, Bakir Izetbegoviq, e uroi Trumpin të mërkurën duke shprehur shpresën se bashkëpunimi mes Bosnjes dhe SHBA-së do të vazhdojë.

“Ne jemi aleatë dhe ata (amerikanët) na mbështetën fuqishëm në krijimin e paqes, stabilizimit dhe në rrugën tonë drejt anëtarësisë në NATO”, citoi media të ketë thënë Izetbegoviq nga Brukseli.

Ndërkohë, në entitetin e dominuar nga serbët në Bosnjë, Republika Srpska, analistët thanë se zgjedhja e Trumpit mund të lehtësojë presionin ndërkombëtar mbi serbët në përgjithësi.