Ilaçet po zhduken nga farmacitë e Bullgarisë për shkak se tregtarët i marrin për t'i shitur jashtë vendit. Foto: Iliana Kirilova

Fitime Paralele: Tregtarët Bullgarë të Ilaçeve Mjekësore

Nadia Miteva ka legen dhe gjunjë artificialë. Telat ngjiten përgjatë shtyllës së saj kurrizore për të stabilizuar kockat e qafës. Kur ajo flet, shtyp një buton të kuq në fytin e saj, të instaluar gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në kordat e zërit të kryer së fundmi.

“Është dëm anësor nga sëmundja e reumatizmës,” thotë ajo.

Për Mitevën, e cila drejton një qendër komunitare në fshatin Sladun në jug të Bullgarisë, pranë qytezës së Svilengradit, vetëm një gjë e mban artritin remautoid të saj të papërkeqësuar: një dozë e përjavshme ilaçesh imunosupresive e quajtur RoActemra.

Pa të, ajo bie në agoni.

“Dhimbja të shqyen nga brenda,” thotë Miteva, 44 vjeç. “Në disa raste do të shkulësh lëkurën nga trupi.”

Gjatë këtij viti në dy raste, problemet e furnizimit bënë që ajo të mos ishte në gjendje të merrte RoActemrën në farmacinë më të afërt që e mban si ilaç, farmaci që gjendet 80 kilometra me autobus më larg në qytezën provinciale të Haskovos.

Zakonisht farmacisë i nevojiten 24 orë për të marrë ilaçin. Por për 43 ditë në pranverë dhe 36 ditë në fundin e verës, porositë nuk mbërritën. Ajo nuk kishte çfarë të bënte tjetër veçse të priste pranë telefonit dhe të duronte.

Miteva nuk ishte e vetmja të cilës iu ndërpre mjekimi. Sipas Shoqatës së Sëmundjes së Reumatizmës, mungesa e RoActemrës goditi farmacitë edhe në qytezat jugore, përfshirë Dimitrogradin, Stara Zagorën, Kazanlakun dhe Panugiurishten.

“Disa njerëz vazhdimisht hasin telashe për të gjetur ilaçin,” thotë Boryana Boteva, presidente e shoqatës që mbështet 30 mijë njerëz që vuajnë nga sëmundjet e reumatizmës nëpër të gjithë Bullgarinë.

RoActemra është vetëm një nga dhjetëra ilaçe për të cilët, ekspertët e shëndetësisë thonë se po zhduken nga raftet e farmacive në Bullgari për shkak të sekserëve që i përdorin ato për t’i shitur në vende të tjera të BE-së për përfitim.

Shpërndarës të tillë janë tregtarë ilaçesh të një lloji të veçantë. Ata specializohen në prodhime farmaceutike të patentuara, duke shfrytëzuar ndryshimet në çmime nga një vend në tjetrin. Nën rregullat e BE-së për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, kjo është tërësisht e ligjshme.

E njohur si “tregtia paralele”, kjo funksionin në këtë mënyrë:

Shpërndarësit e autorizuar importojnë ilaçe nga prodhuesit shumëkombësh të ilaçeve në vende të tilla si Bullgaria, Greqia apo Portugalia, ku këto ilaçe kanë çmime relativisht të lira në përputhje me limitet e vendosura nga autoritetet kombëtare.

Pastaj ata eksportojnë disa nga ilaçet – zakonisht rreth 10 për qind – në vende si Gjermania, Britania apo Holanda, ku ilaçet kushtojnë shumë më tepër.

Shpërndarësit i ripaketojnë ilaçet me etiketa në gjuhën e tregut të ri, i sheshin me çmime më të larta dhe fusin në xhep diferencën.

Më shumë se 320 shpërndarës janë autorizuar të kryejnë tregti paralele nga Agjencia Bullgare e Ilaçeve, BDA.

Ndërsa shumë vende kanë masa për të parandaluar mungesën e ilaçeve në shtëpi për shkak të tregtarëve paralelë që eksportojnë në vendet e tjera të BE-së, Bullgaria ka kontrollet më të pamjaftueshme në Europë, thonë ekspertët.

Një investigim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative zbuloi se çrregullime të mëtejshme ndodhin në hijen e tregut paralel të ilaçeve të Bullgarisë për shkak se mashtrimet dhe vjedhjet gllabërojnë një pjesë të furnizimeve.

Nga farmacistët pa skrupuj te kriminelët që i afrohen grupimeve mbështetëse në internet për të blerë ilaçe, BIRN zbuloi aktivitetin e lulëzuar nën rrogoz i cili thith ilaçet nga sistemi i kujdesit shëndetësor.

Ndërkohë, zyrtarët e shtetit thonë se spitalet mund të jenë duke falsifikuar të dhënat për të inflacionuar sasinë e ilaçeve të nevojshme për trajtimet e kushtueshme, duke krijuar një surplus ilaçesh të shtrenjta të cilat më pas mund të rishiten.

Autoritetet thonë se ilaçet e vjedhura përmes mashtrimeve të tjera është pothuajse e sigurt se rishiten jashtë vendit.

Nadia Miteva qëndron jashtë një spitali në qytetin e Plovdivit në jug të Bullgarisë. Një mungesë ilaçesh për të trajtuar artritin reumatoid e la atë në agoni më herët këtë vit. Foto: Dimitar Iliev

Eksportuesit po tallen me ne’

Mbrojtësit e tregtisë paralele e shohin këtë si një mënyrë që sistemi shëndetësor të ulë kostot. Në Gjermani, farmacive u kërkohet ligjërisht të marrin së paku pesë për qind të stokut të vet përmes importeve paralele.

Nuk janë vetëm vendet e pasura që përfitojnë. Në Bullgari, tri shpërndarës janë të autorizuar nga BDA të importojnë rreth 40 ilaçe nga vendet ku çmimet janë më të lira, përfshirë Rumaninë, Greqinë, Hungarinë, Italinë, Republikën Çeke, Letoninë dhe Lituaninë.

“Kjo ndihmon procesin e rregullimit të çmimeve në tregun e BE-së për produkte farmaceutike origjinale,” tha Daniela Daritkova, kryetare e komisionit të shëndetësisë në parlamentin e Bullgarisë.

Dimitar Petrov, zëvendësdrejtor në Fondin Kombëtar të Sigurimit Shëndetësor, NHIF, qarkullimi në tregun paralel të ilaçeve në Bullgari ishte rreth 153 milionë euro në vitin 2016.

Gjermania është shënjestra kryesore për eksportuesit në tregun e ligjshëm të BE-së, i cili vlerësohet në total rreth pesë miliardë euro në vit, sipas një analize sektoriale të kryer nga konsulentët Birgli nga Zvicra në vitin 2013.

Kjo nuk është surprizë nëse shohim se një pako RoActemra 162 mg kushton në sistemin shëndetësor gjerman 1,782 euro, gati 70 për qind më shumë se sa në Bullgari.

Ndërsa eksportet paralele përbëjnë 10 për qind të aktivitetit në tregun farmaceutik të Bullgarisë, disa ilaçe të caktuara janë kaq të kërkuara sa 50 për qind e stokut dërgohet jashtë vendit, sipas një analize të brendshme të Ministrisë së Shëndetësisë së cituar nga zëdhënësi i ministrisë.

RoActemra është një nga këto ilaçe, tha për BIRN zëdhënësi.

‘Ne kemi nevojë që shteti të rregullojë tregtinë në mënyrë proporcionale për të mbrojtur nevojat tona shëndetësore’

Atanas Koundourdjiev, ish-zëvendës ministër i shëndetësisë

Pyetur mbi mungesën e RoActemrës në rastin e Nadia Mitevës, kryesekretari e BDA Svetlin Spirov tha: “Ne nuk mund të jemi të sigurt nëse të njëjtat ampula përfunduan diku në tregtinë paralele. Një sasi me një numër identifikimi mund të përmbajë deri në 100,000 ampula. Rrjedhimisht një ampulë e vetme nuk është e mundur të gjurmohet. Kjo mund të zgjidhet në rast se çdo paku do të kishte një kod me të dhëna matricë.”

Advokuesit për transparencë mendojnë se një sistem gjurmimi në kohë reale është i nevojshëm për të parandaluar mungesën e ilaçeve dhe për të nxjerrë jashtë loje tregtinë e paligjshme në Bullgari. Ata kërkojnë gjithashtu që autoritetet të kenë fuqi më të mëdha për të kontrolluar eksportet.

“Ne kemi nevojë që shteti të rregullojë tregtinë në mënyrë proporcionale me mbrojtjen e nevojave tona shëndetësore,” thotë Atanas Koundourdjiev, ish-zëvendës ministër i shëndetësisë.

Në vitin 2014, një ligj i ri i lejoi BDA-së të bllokojë çdo eksport paralel në rast se e shihte atë si problematik, por gjykata kushtetuese vendosi se ligji binde ndesh me parimet e BE-së për liri të tregtisë.

Një ish-zyrtar i lartë i ministrisë së shëndetësisë, i cili refuzoi të identifikohej, tha se vendimi erdhi pas lobimit nga shpërndarësit.

Shpërndarësve sërish u kërkohet të njoftojnë BDA-në për synimin e tyre për të eksportuar ilaçe, një muaj para se të nisin eksportin, por gjithçka që agjencia mund të bëjë është vetëm të monitorojë këtë tregti. Dhe edhe kjo është e vështirë nëse shohim volumin e stërmadh të njoftimeve që mbingarkojnë sistemin.

“Ne jemi të pashpresë,” tha Spirov i BDA-së. “Eksportuesit thjesht po na tallin.”

Mes korrikut 2016 dhe korrikut 2017, shpërndarësit informuan BDA-në për synimin e tyre për të eksportuar 78,220 pako me RoActemra 162 mg.

Kjo është një shifër shumë më e lartë se sa 6,000 pakot që Bullgaria importoi nga Roche, prodhuesi i këtij ilaçi, gjatë të njëjtës periudhë, sipas të dhënave nga ky prodhues ilaçesh.

Boryana Marinkova, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Bullgare për Zhvillimin e Tregtisë Paralele të Ilaçeve, një organizatë e industrisë, tha se mospërputhja është shkaktuar nga fakti që shpërndarësit dorëzojnë njoftime të veçanta për synimin për te eksportuar në disa vende të BE-së njëherësh për çdo sasi ilaçesh, pavarësisht nëse i eksportojnë apo jo me të vërtetë.

“Këto 78,000 aplikime janë vetëm shuma teknike e synimeve të shumta,” tha ajo. “Kjo shifër nuk mund të shihet si eksport i ndodhur.”

Një klient paguan për ilaçe në një farmaci në Sofie. Foto: Iliana Kirilova

‘Tregti ilegale e gjithëpërhapur’

Legjislacioni i ri mund t’i jepje BDA-së dhëmbë për të kafshuar. Përveç lejimit të agjencisë për të ndaluar eksportet në rrethana të caktuara, amendimet e ligjit mund të sillnin penalitete për keqbërje në përputhje me standardet e BE-së.

Për shkak se NHIF mbulon koston e ilaçeve me recetë, është ilegale për farmacitë apo individët që të rishesin këto ilaçe pas te shpërndarësit.

Tregtia paralele e paligjshme në ilaçe në rastin e Bullgarisë është rreth 50 milionë euro në vit, tha zëvendësdrejtori i NHIF, Petrov.

Gjobat për shkeljen e ligjit janë 1,500 euro për shkeljen e parë, 2,500 euro për më pas. Në Portugali, gjobat për shkeljet janë 30,000 dhe 50 mijë euro.

Sipas ligjit të ri, farmacitë mund të gjobiteshin me deri 25,000 euro për shitjen e ilaçeve pas te distributorët ndërsa tregtarët paralelë mund të gjobiteshin me 50,000 euro për eksporte të paligjshme.

Gjithsesi, Shoqata Bullgare për Zhvillimin e Tregtisë Paralele të Ilaçeve tha se legjislacioni i ri ishte i panevojshëm.

“Kuadri ligjor ekzistues ofron mekanizma të mjaftueshëm dhe mjete për kontroll,” tha drejtoresha ekzekutive Marinonkova.

Ajo nxiti ministrinë e shëndetësisë, autoritetet fiskale dhe BDA të përforcojnë zbatimin e ligjeve ekzistuese përmes auditeve të rregullta të shitësve me shumicë dhe farmacive.

Pyetur mbi problemin e mungesës së ilaçeve të shkaktuara nga tregtia paralele, Marinkova tha: “Ligji përcakton qartë se shitësit me shumicë janë të detyruar të mbulojnë kërkesën e tregut vendës dhe vetëm pasi të plotësojnë nevojat kombëtare mund të eksportojnë sasitë e tepërta të produkteve mjekësore.”

Ryshfete dhe incentiva

Burime nga ministria e Shëndetësisë e Bullgarisë, Fondi Kombëtar i Sigurimeve Shëndetësore dhe spitalet në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri përshkruan mashtrimet përmes të cilave tregtarët thuhet se bashkëpunojnë me shpërndarësit dhe mjekët për të rritur shitjet e ilaçeve përmes përfitimeve në tregtinë paralele.

Sipas burimeve, të cilat refuzuan të identifikohen, kjo është mënyra se si funksionon.

Disa agjentë të paskrupuj vendës të prodhuesve ndërkombëtarë të ilaçeve janë të etur të rrisin penetrimin e tregut prej tyre dhe rrjedhimisht bashkohen me shpërndarësit për të dhënë ryshfet te mjekët me qëllim që këta të fundit të japin në recetë ilaçet e tyre në vend të produkteve rivale.

Shpërndarësit janë të lumtur të paguajnë faturën për këto ryshfete për shkak se e shohin këtë si shans për të thithur më shumë biznes për prodhuesit përkatës të ilaçeve dhe për të hyrë në listën e tyre të shpërndarësve të parapëlqyer.

Për të çliruar para për sekserët, shpërndarësit ekzagjerojnë shitjet e brendshme të ilaçeve në deklaratat e tyre për konsulentë të pavarur që japin analiza tregu. Ndërkohë, ata zhvendosin një pjesë të fitimeve nga tregtia paralele te një qyp sekret parash.

Agjentët vendës plotësojnë mashtrimin duke raportuar shitje të falsifikuara brenda vendit se zyrat e tyre qëndrore, në mënyrë që prodhuesit e ilaçeve të mos dinë gjë.

“Për shembull, nga 1o00 pako të importuara në Bullgari, 50 mund të shkojnë për rieksport,” tha një burim. “Nga këto 50 [të shitura jashtë vendit] 30 për qind të fitimeve u rikthehen mjekëve të caktuar [si ryshfet].”

Rezultati është që më shumë ilaçe rieksportohen në realitet nga sa raportohet në dokumente, duke shkaktuar në disa raste mungesa.

“Po, kam dëgjuar për skema të tilla,” tha Decho Dechev, drejtor i spitalit St Ivan Rilsky në Sofie, i cili nuk është i implikuar në asnjë keqbërje.

BIRN zbuloi shumë prova të shitjeve ilegale te distributorët nga farmacitë.

Të dhëna nga faturat e Agjencisë për të Ardhura të siguruara nga BIRN treguan se gjashtë shpërndarës blenë ilaçe me vlerë 2.2 milionë euro nga farmacitë mes muajve prill dhe gusht 2015.

Megjithëse shitjet ishin të kundërligjshme, farmacitë sërish deklaruan të ardhura nga transaksionet te autoritetet fiskale, duke sugjeruar se ata mund të jenë më të frikësuar nga taksambledhësit se sa nga BDA.

Sipas të dhënave të faturave, një kompani e quajtur Falcons 2000, e cila është regjistruar në qytezën e vogël Slivnitsa në perëndim dhe që ka nën pronësi disa farmaci të vogla, shiti 368,000 euro ilaçe te një shpërndarës i quajtur Chirita.

Falcons 2000 refuzoi të komentojë.

Pyetur mbi blerjet e paligjshme, pronari i Chirita, Amir Mohamed al Husaini konfirmoi transaksionet dhe i justifikoi ato me parimin se ata bënin një vendim të arsyeshëm biznesi.

“Farmacitë mund t’i blejnë këto ilaçe drejtpërsëdrejti nga prodhuesi në një fushatë promocioni, me ulje deri në 30 për qind,” tha pronari i Chirita Amir Mohamed për BIRN. “Një marrëveshje dyqan-me-dyqan [prodhues-me-shpërndarës] nuk mund të sigurojë një çmim të tillë të ulët.”

Në fillim të dhjetorit, policia arrestoi al Husainin dhe gjashtë të tjerë nën dyshimin e evazionit fiskal, pastrimit të parave dhe blerjes së paligjshme të ilaçeve për tregti paralele, sipas Ivan Geshev, kreut të zyrës së prokurorisë speciale në Sofie.

Më 11 dhjetor, Zyra e Prokurorit Special ngriti akuzë ndaj Al Husainit dhe pesë të tjerëve të arrestuar si pjesë e një grupi kriminal të akuzuar. Një i shtatë u akuzua për pastrim parash.

Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë për të Ardhura tregojnë se një kompani e quajtur HG-Hristo Jelev, e cila ka një farmaci në qytezën malore Kotel në Bullgarinë qendrore, shiti 114,000 euro ilaçe te shpërndarësi MN 2011, i regjistruar në Asenovgrad, mes prillit dhe gushtit 2015.

Pronari i farmacisë Hristo Jelev pranoi se shitjet mund të ishin kundër ligjit por tha se fakti që ai pagoi taksat për to tregonte se nuk kishte bërë asgjë të keqe.

“Unë nuk kam kapital qarkullues dhe këto pagesa janë financim i parapaguar për furnizime të ardhshme,” i tha ai BIRN.

Shpërndarësi MN 2011 refuzoi të komentojë.

‘Fondi Kombëtar i Sigurimeve Shëndetësore nuk mund të përballet me mafien farmaceutike’

Ilko Semerdjiev, ish Ministër i Shëndetësisë

BDA ka pak fuqi për të ndaluar transaksionet e paligjjshme.

“Më 2016, agjencia kreu rreth 40 kontrolle në farmaci, që të gjitha të planifikuara paraprakisht, asnjëra në përgjigje të alarmeve në kohë reale,” tha ish zëvendësministri i shëndetësisë Koundourdjiev.

Qëllimi i kontrolleve të tilla ishte që të shihej nëse farmacitë kishin dokumentacionin e saktë për stoqet e ilaçeve të tyre, tha ai.

Por persona me njohuri nga kjo industri thonë se shumë nga shitjet e ilaçeve të prodhuesit bëhen tërësisht nën rrogoz, me asnjë dokument shoqërues.

“Nuk ka nevojë as për të parë te inventarët,” tha drejtori i marketingut të njërit prej shpërndarësve më të mëdhenj të Bullgarisë, i cili refuzoi të identifikohej. “Tregtia ilegale është gjithkund përreth nesh.”

Ai tha se kriminelë të organizuar ishin pjesë e skemës, duke blerë ilaçe pa recetë nga farmacitë dhe duke i shitur ato pas drejtpërsëdrejti te shpërndarësit.

Për shembull, rrjete të caktuara farmacish në Sofie dhe në qytetin jugor Plovdiv rregullisht japin 15 për qind ulje te “djemtë e zgjuar” me pamje të egër, të cilët vijnë me lista të shkruara me dorë për ilaçe, tha ai.

Tregtia e paligjshme në ilaçe është edhe gjithkund nëpër internet. Faqet me njoftime reklamash, forume mbi shëndetësinë dhe media sociale mbartin plot njoftime që nxisin pacientë me receta të shesin ilaçe të shumëkërkuara.

Kiril Yordanov, autor i një postimi të tillë, tha se ishte i gatshëm të paguante 990 euro për një ilaç të quajtur Humira dhe për trajtime të tjera për artritin remaudoid. Humira zakonisht kushton 820 euro në Bullgari dhe 1,878 euro në Gjermani.

Në prill, BIRN e telefonoi atë dhe pretendoi se ishte i interesuar në shitjen e një pakoje ilaçesh të quajtur Enbrel.

Yordanov u shpreh i interesuar për biznes. Ai foli për numrin e pakos dhe për datën e skadencës. Ai theksoi rëndësinë që paketimi të qe i padëmtuar dhe pa asnjë njollë.

BIRN e telefonoi atë sërish në mes të korrikut, këtë herë pa u shtirur, për ta pyetur se pse po blinte ilaçe.

“I blej ilaçet për vete sepse nuk plotësoj kriteret e komisionit,” tha Yordanov, duke iu referuar një paneli ekspertësh mjekësorë të cilët miratojnë trajtimet e kushtueshme për pacientë si Nadia Miteva.

BIRN zbuloi se bashkëshortja e Yordanov, Yordanka Ilieva Barzakova-Yordanova, është farmaciste e regjistrit të degës së Plovdivit për Bashkimin e Farmacistëve Bullgarë.

Më 2015 dhe 2016, ajo punoi për një shpërndarës, Agilis Pharma në Plovdiv, e cila eksportoi 30.8 milionë euro ilaçe në vendet e BE-së mes janarit 2015 dhe majit 2017, sipas shifrave të Agjencisë Kombëtare të të Ardhurave.

Më 2017, ajoi filloi të punojë për Mylan NV, një kompani farmaceutike globale e cila prodhon dhe shpërndan ilaçe gjenerike dhe ilaçe me patentë.

BIRN kontaktoi Barzakova-Yordanova dhe e pyeti nëse bashkëshorti i saj e ka furnizuar me ilaçe të siguruara përmes blerjeve në internet për eksport përmes Agilis Pharma, Mylan apo shpërndarësve të tjerë. Ajo refuzoi të komentojë.

Agilis Pharma dhe Mylan refuzuan gjithashtu të komentojnë kur u pyetën nëse Barzakova-Yordanova e pati furnizuar apo jo me ilaçe për eksport apo rishitje.

Stafi në Spitalin Shën Gjergj në Plovdiv peshojnë ilaçet e shtrenjta të kancerit. Foto: Dimitar Iliev

Një çështje peshe

Trajtimet e kancerit janë ilaçet më të kushtueshme. Ato përbënin 50 për qind të shpenzimeve të NHIF, ose rreth 153 milionë euro vitin e kaluar. Kjo shifër është pesë herë më e lartë se sa fondi i shpenzimeve për ilaçe të kancerit në vitin 2000, sipas Jeni Adarska, kreut të Shoqatës së Pacientëve me Sëmundje Onkologjike.

Rritja reflekton shtimin e normave të kancerit në të gjithë botën – por NHIF dyshon se kjo është ushqyer gjithashtu edhe nga vjedhjet nëpër spitale.

Një burim i lartë te fondi tha se së paku tetë spitale mendohet se kanë manipuluar të dhënat e pacientëve në mënyrë që të porosisin më shumë ilaçe nga sa kërkohet, supozohet për të shitur tepricat te tregtarët paralelë.

Në fillim të vitit 2017, NHIF filloi kontrolle të befasishme në departamentet e onkologjisë.

“Ekspertët e fondit hynë si një skuadër policore dhe filluan të masin peshën e çdo pacienti në onkologjik,” tha Lucia Dobreva, ish-drejtore në Uni Hospital, një spital i ri privat luksi në Panagiurishte.

Uni Hospital nuk u gjet në faj për asgjë.

Masat parandaluese në Portugali

Për shkak se ka çmime relativisht të ulëta ilaçesh, Portugalia është një eksportues i madh i ilaçeve të patentuara, përfshirë ilaçet e kancerit. Por qeveria ka vendosur masa të forta për të monitoruar stoqet dhe për të parandaluar mungesat.

Një sistem elektronik gjurmimi në kohë reale ndihmon agjencinë e ministrisë së shëndetësisë për kontrollin e furnizimeve me ilaçe, INFARMED, të gjurmojë ilaçet në çdo hallkë të udhëtimit të tyre nga prodhuesit te pacientët.

Një databazë e quajtur Sistemi i Informacionit për Teknologjinë e Vlerësimit Shëndetësor, SIATS, ofron njoftime në kohë reale të çdo mungese, duke i lejuar autoritetet të pezullojnë eksportet te vendet e tjera të BE-së në rast se nevojat vendëse nuk janë mbuluar.

Ndërkohë, një sistem i ndarjes së informacionit i quajtur Via Verde [Rruga e Gjelbër] i lë përdoruesit të lidhin pikat në mënyrë elektronike nga receta te porosia që farmacia jep për shpërndarësin deri te prodhuesi. Kjo e bën pothuajse të pamundur që ilaçet të devijohen drejt tregtisë paralele të paligjshme.

Sistemi elektronik i gjurmimit solli rënie me gati 15% të mungesave të ilaçeve më 2016, sipas Humberto Martins, një nga drejtorët e Shoqatës Kombëtare të Farmacive në Portugali.

Departamentet e onkologjisë nëpër spitale kanë gjithashtu procedura strikte për t’u siguruar se çdo miligram mjekimi të kushtueshëm për kancerin të raportohet saktë.

Një farmacist përgatit shishkat me ilaçet e kimioterapisë në Institutin Portuges të Onkologjisë në Lisbonë. Foto: Dimitar Iliev

Në Institutin e Onkologjisë së Portugalisë, departamenti i farmaceutikës mban mjekime për kancerin me vlerë rreth 3 milionë euro, sipas drejtorit të departamentit Antonio Gouveia.

Në një laborator të shkallës së lartë, farmacistë me dorashka, maska dhe veshje të posaçme mbrojtëse peshojnë dozat për trajtimin e kancerit nëpër shishka, me kujdes për të mos shpërdoruar asnjë miligram ndërsa shkrijnë pluhur në lëng.

Kamerat monitorojnë hapësirën brenda dhe jashtë magazinës, ku dy frigoriferë të stërmëdhenj mbajnë ilaçet e kimioterapisë nën kontroll të rreptë të temperaturës: 2-8 gradë Celsius.

Spitalet në Portugali i blejnë ilaçet përmes një procesi tenderues transparent.

“Unë blej dhe shpërndaj te pacientët ilaçe të onkologjisë me vlerë 36 milionë euro në vit,” thotë Gouveia.

Në Bullgari, tenderi bëhet nga shpërndarësit dhe nuk ka tavan se sa para mund të alokohet për të nga Fondi Kombëtar i Sigurimit Shëndetësor, NHIF, i cili i rimburson shpërndarësit në masën 100 për qind të çmimit të ilaçeve të onkologjikut.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se kjo i bën ilaçet e kancerit veçanërisht joshëse për tregtarët e tregtisë paralele.

Për të kuptuar se çfarë po synonin të gjenin ekspertët, është e rëndësishme të dihet se mjekët vendosin se sa ilaç kimioteraupik duhet t’i japin një pacienti në varësi të peshës trupore të tij. Sa më i rëndë të jetë pacienti, aq më shumë mjekim ka nevojë.

Rezultatet e zbuluara nga kontrollet e papritura qenë surprizë.

“Kishte spitale ku pesha mesatare e pacientëve ishte 108-110 kilogramë,” tha Petrov.

Kjo është shumë më e lartë se sa pesha mesatare për burrat dhe gratë në Bullgari, e cila ishte 72.5 kg në vitin 2016, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave.

Supozimi është që mjekët mund të ishin duke shtuar peshën e pacientëve për të justifikuar porositë e tepërta, tha Petrov. Sapo peshohen dozat e sakta, sasitë e tepërta mund të vihen mënjanë me qetësi.

Vetëm një person është dënuar për vjedhjen e ilaçeve të onkologjikut nga një spital.

Petia Kocheva, kryefarmaciste në spitalin Marko Markov në qytetin e Varnës në Detin e Zi, u shpall fajtore vitin e kaluar për vjedhjen e 39 shishkave me Herceptinë, të përdorura për trajtimin e kancerit të gjirit, në një rast që ministri i shëndetësisë së asaj kohe, Petar Moskov, e përshkroi si “moralisht shumë më të ulët se sa trafikimi i drogës”.

Një gjykatë në Varna e dënoi atë me katër vite e gjysmë burg por një gjykatë rajonale më vonë e pezulloi vuajtjen e dënimit.

Gjykata e Varnës konkludoi se ajo thjesht mori shishkat me vlerë 22,000 euro nga farmacia e spitalit. Prokuroria tha se Kocheva e dinte se departamenti i onkologjikut kishte shishka të padokumentuara të ilaçit në frigoriferët e tyre – kështu që mendoi se krimi do të kalonte pa u vënë re.

Prokuroria thirri një patologe, Dobrinka Radoinova, për opinion eksperti në çështjen e shishkave ekstra.

Patologia analizoi historinë mjekësore të 75 pacientëve me kancer gjiri në këtë spital, duke krahasuar se sa shumë Herceptin u ishte administruar atyre me sasinë e ilaçit të paguar nga NHIF.

Ajo doli në konkluzionin se kishte një disbalancë të madhe mes të dyjave – e mjaftueshme për të mbushur 76 shishka me Herceptinë, me vlerë 42,700 euro.

Kontaktuar nga B IRN, Vasil Popov, drejtor i onkologjikut në spitalin Mark Markov, mohoi çdo keqbërje nga ana e tij dhe e departamentit të tij.

‘Moralisht shumë më i ulët se sa trafiku i drogës’

Petar Moskov, ish-ministër i Shëndetësisë

Çuditë statistikore janë shkak për alarm për zyrtarët e shëndetësisë në Bullgari, të cilët përpiqen të mbrojnë xhepat e publikut nga mashtrimet.

Ilko Semerdjiev, i cili mbajti shkurtimisht postin e ministrit të shëndetësisë nga janari deri në mars të këtij viti, foli ashpër në një postim të vetin në Facebook në korrik.

“NHIF nuk mund të përballet me mafien e ilaçeve,” shkroi ai. “Shpenzimet e tepruara mbi ilaçet e rimbursuara janë vetëm një pjesë e saj. Pjesa tjetër është ri-eksporti jashtë vendit. Kështu ne kemi fitime të dyfishta dhe trifishta – nga ilaçet e paguara nga shteti dhe nga rishitja fitimprurëse e tyre në BE.”

Zëvendës ministrja e Shëndetësisë Lidia Neicheva tha në një takim me bordin mbikëqyrës të NHIF-së në fund të tetorit se tregtia paralele po i kushton shtetit shtrenjtë ndërkohë që fondi vuan për të plotësuar mungesat.

“Një arsye për shpenzimet e tepërta në ilaçe është rieksporti i tyre,” tha Meicheva, sipas transkriptit të takimit të publikuar nga NHIF. “Kjo është arsyeja dhe ne të gjithë e dimë atë. Nëse tregtia paralele ‘e shëndetshme’ është në rendin e 10 për qind, në rastin e Bullgarisë shkon deri në 50 për qind.”

Në tetor, tri hajdutë me maska thyen një magazinë në Sofie, e cila i përket shpërndarësit gjerman të ilaçeve Phoenix. Pavarësisht se aty gjendeshin ilaçe të shumta, përfshirë morfinë, ata vodhën vetëm ilaçe të onkologjisë, raportoi media vendëse.

Drejtori ekzekutiv i Phoenix Yulian Nedelchev refuzoi të komentojë por BDA i tha BIRN se ilaçet e vjedhura kishin vlerë 600 mijë euro.

“Ka dy mundësi,” tha sekretari i përgjithshëm i BDA. “Njëra është që këto ilaçe përfunduan në tregtinë paralele, por ka pak gjasa që një spital në BE të mund t’i blejë ato në këtë mënyrë. Një tjetër është që ato përfunduan në spitalet bullgare dhe u shkëmbyen për ilaçe me numra të vjetër sasish, të cilat mundet që më pas të rieskportohen.”

Në shkurt, drejtoresha e  BDA Asena Stoimenova përshkroi pasojat e këqija të tregtisë paralele para komisionit parlamentar të shëndetësisë.

“Bullgaria nuk është vendi i parë që përballet me problemin e mungesave, por është i fundit që nuk e ka zgjidhur atë,” tha ai.

Dimitar Iliev është një gazetar nga Sofje që ka fituar çmime, i njohur për investigime mbi krimin e organizuar. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.