“Fillimi i Madh” i Sali Berishës

Para disa ditësh, fill mbas premierës së shfaqjes “Edipi Mbret” të Teatrit Kombëtar në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha postoi në profilin e tij në facebook një mesazh entuziast. Mesazhi i tij përfundonte me fjalë pompoze: “…Inaugurim dinjitoz i një bashkimi të gjenisë skenike të kombit tonë. Urime fillim i madh!”. Reagimet e lexuesve pas këtij komenti të kryeministrit Berisha ishin të shumta dhe gjithfare. Afërmendsh, shumica e tyre ishin pozitive dhe ngrenin në qiell figurën e “prijësit” (e her “Mbretit”) Berisha. I thurnin lavde dijes së tij të gjerë dhe entuziazmoheshin për këtë fitore “të madhe teatrore”. Tek- tuk, gjendeshin edhe mesazhe jashtë “temës”, si puna e njërit që po i kërkonte Berishës shtrimin me asfalt të rrugës së fshatit Kepenek të Tropojës.

Nga ky mesazh i Berishës, s’kisha se si të mos entuziazmohesha edhe unë. Por shkurt, shumë shkurt. Sikur kur zgjohesh nga një ëndërr e mirë e cila do të kishe dashur të zgjaste më shumë, por që nuk zgjatet, këputet diku në gjysmë, ose në fillim fare. Dhe pasi të jesh zgjuar, realiteti të godet si një dush i ftohtë. 

Realizimi i shfaqjes “Edipi Mbret” është dhe duhet të konsiderohet si sukses. Nuk e kam parë shfaqjen dhe nuk mund të gjykoj kualitetin e saj, por kur them sukses, e kam fjalën para së gjithash për idenë e bashkëpunimit të dy teatrove dhe angazhimin në shfaqje të një kaste artistësh profesionistë nga Kosova dhe Shqipëria.

Por, ajo që ndoshta nuk e di kryeministri Sali Berisha (por që do të duhej ta dinte), e ndoshta nuk e di as shumica e publikut, është se teatri në Shqipëri sot është teatri më i varfër në Europë. Më i varfëri dhe më i pazhvilluari në regjion po se po. I varfër dhe i pazhvilluar edhe estetikisht e edhe teknikisht. Dhe ky moszhvillim vjen, në radhë të parë, falë “gjeniut” të Qeverisë aktuale shqiptare, e cila ka zbatuar dhe vazhdon të zbatojë politika kulturore të cilat janë anakronike janë jo-konform nevojave të publikut dhe jo-stimuluese për krijuesit.

Përrallat komiko-patriotike për “gjenitë krijues të kombit tonë”, “për teatrin tonë që po lulëzon” dhe për “sukseset tona në botë”, prandaj, më neveritin. Sepse, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, gjendja e teatrove është në nivel skandaloz.

Ndërkohë që teatrot publike grithin muajt, duke prodhuar ndonjë shfaqje tek-tuk, e më shumë duke improvizuar, në Shqipëri, sot, nuk gjen as edhe një teatër a kompani të pavarur teatrore. Mungesa e ndërmarrjeve kulturore të pavarura është fenomen vetëm i shoqërive totalitare dhe i atyre shoqërive me vetëdije të ulët kulturore.

Më e mjerë ndërsa paraqitet gjendja në qytetet tjera të Shqipërisë. Korça, Shkodra, Fieri, Vlora, mezi ia dalin të prodhojnë nga një apo dy shfaqje të vogla në vit. E qebesa, pokështu ngjashëm ndodhë edhe me teatrot e qyteteve në Kosovë – në Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj e Gjilan.

“Fillimi i madh” i Berishës, prandaj, s’është veçse një gogësimë politike, brenda atij diskursit folkloriko-patriotik, që ka filluar të acarohet tash në prag të zgjedhjeve në Shqipëri. E, çuditërisht, shpesh këto vitet e fundit kam dëgjuar për “fillime” që me entuziazëm proklamojnë bashkimin tonë kulturor. Gati, çdo ministër i ri kulture që ka ardhur, në Shqipëri e Kosovë, ka nënshkruar nga një memorandum bashkëpunimi kulturor. E rezultati ka qenë një hiç. Një “fillim i madh” sa një gogël. Ndonjë projekt bashkëpunimi tek-tuk, asgjë më shumë.

“Gjeniu” i politikës, Berisha, me politikat e tija të “shkëlqyeshme” kulturore, ia ka dalë që në mënyrë barbare të ndërpresë financimin e t’ua pamundësojë mbajtjen edhe atyre pak aktiviteteve kulturore ndërkombëtare që, sado kudo, në të rrallë, i bënin artistët e huaj të kthenin kryet kah Shqipëria. Nuk mbahet më në Shqipëri festivali ndërkombëtar i teatrove në Butrint, e mbahet me zor (duke shtyrë borxhet nga viti në vit) festivali i dancit bashkëkohor “Albania Dance Meeting” i Gjergj Prevazit. Edhe festivali që organizon Adonis Filipi ne Fier me sa e di unë, mezi ia del të mbijetojë, duke u “arnuar” nga edicioni në edicion. Ja, këto janë “fillimet e mëdha” të Sali Berishës në teatër. Ja, ky është peizazhi kulturor, mbi të cilin Berisha uron për një “fillim të madh”.

Një bashkim kulturor kombëtar do të mund të bëhet vetëm atëherë kur menyja kulturore në Kosovë dhe në Shqipëri do të jetë më e zgjeruar. Me fjalë të tjera, kur të ketë prodhimtari më të shumtë kulturore. Sepse, cinikët do të konstatonin me të drejtë: dy gjëra inekzistente nuk mund të bashkohen, sepse bashkimi i hiçit me hiçin prodhon një hiç.