FH: Neni 37 të Hiqet, 38-shi të Rishikohet

Neni 37 i propozuar i Kodit, i cili mund të lejojë ndjekjen penale të redaktorëve, gazetarëve dhe pronarëve për vepra papërcaktuara, të kryera nëpërmjet mediave, përbën një kërcënim ogurzi për lirinë e shprehjes dhe mund të inkurajojë në masë të gjerë autocensurën, thuhet në një komunikatë të organizatës me seli në Washington.

“Ai duhet të hiqet plotësisht, në përputhje me nenin 19 të Konventës Ndërkombëtare të OKB-së mbi të Drejtat Civile dhe Politike dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat pohojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, pa ndërhyrje nga autoritetet publike”.

Neni 38 rregullon rastet në të cilat gazetarët mund të detyrohen me ligj që të zbulojnë burimet e tyre të informacionit. Freedom House pajtohet me rekomandimet e shoqërisë civile dhe organizatat monitoruese të mediave në Kosovë se neni është përmbledhur shumë gjerësisht në gjendjen e tanishme, dhe duhet të rishikohet – më mirë se të hiqet, në përputhje me  “Rekomandimin 1950” të Këshillin e Evropës, për të kufizuar zbulimi i burimeve të detyruar në “rrethana të jashtëzakonshme, kur interesat vitale publike ose individuale janë në rrezik dhe mund të përforcohen bindshëm”.

“Heqja e nenit 38 do të jetë një pengesë e rëndësishme për mediat dhe klimën politike në Kosovë, një vend që ende lufton për të kapërcyer paqëndrueshmërinë dhe padrejtësinë,” tha Karin Deutsch Karlekar, drejtoreshë e projektit vjetor të Freedom House, Raporti i Lirisë së Shtypit.

“Sigurimi se gazetarët janë të lirë nga përgjegjësia për të hetuar çështje të tilla të ndjeshme si korrupsioni, mashtrimi zgjedhor dhe aspekte të tjera të sjelljes së qeverisë, pa frikën e reprezaljeve ligjore janë jetike për të siguruar se vendi mbetet në një kurs pozitiv demokratik”, ka thënë ajo.

Vlerësimi i mediave të pavarura në Kosovë është dukshëm nën mesataren e Evropës Qendrore dhe vendeve Euroaziatike, të monitoruara në një hulumtim të Freedom House, “Vendet në Tranzicion 2012”. Ndërsa kushtetuta mbron liritë e mediave, ato nuk janë të mbrojtura gjithmonë në praktikë, dhe gazetarët vazhdojnë të përballen me presion politik dhe ngacmim.

Kosova është e vlerësuar si pjesërisht e lirë në hulumtimet e Freedom House, “Liria në Botë 2012 dhe “Liria e Shtypit 2012”.

Një ditë më herët, edhe Unioni i Transmetuesve Europianë (EBU) ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të braktisë ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, sepse kjo do të mund të rrezikonte lirinë e medias. Drejtoresha Ingrid Deltenre tha se në vend se të hiqet neni 38 nga Kodi Penal, Parlamenti duhet të forcojë mbrojtjen e medias, edhe më tej, me miratimin e standardeve dhe rekomandimeve të Këshillit të Evropës, si dhe praktikave më të mira të vendeve evropiane.