Kultivues dredhëzash në Slivovë - Foto: REL/AFP

Fermeri i dosave aplikon për pemishte të dredhëzave

Raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i procesit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë” tregon se ka mangësi në mënyrën e menaxhimit të dhënies së granteve dhe subvencioneve për fermerët dhe agrobizneset si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

Edhe pse janë hartuar strategji dhe programe dhe për çdo vit ndahen rreth 48 milionë euro nga buxheti i vendit për të mbështetur këtë sektor, nuk janë arritur rezultatet e synuara. 

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, mënyra se si monitorohen rezultatet e arritura nga financimet publike ka rezultuar me mangësi dhe nuk dëshmon që forma aktuale e mbështetjes financiare për fermerët dhe agrobizneset është adekuate.

Auditimi ka nxjerrë në pah se ka projekte të investuara që nuk janë aktive e që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në moszhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e punësimit.

Auditori ka gjetur se koordinimi ndërmjet Ministrisë dhe komunave rreth mbështetjes së sektorit të bujqësisë nuk është i mirë, pasi ka raste që fermerët për qëllime të njëjta kanë përfituar edhe nga Ministria edhe nga komuna. Madje, në Komunën e Prishtinës janë dhënë fonde për kultura të njëjta me ato të Ministrisë. Komuna e Ferizajt nuk bën shpallje publike për ofrimin e mbështetjes financiare dhe në disa raste janë bërë pa vendime paraprake.

Po ashtu është gjetur se komunat nuk kryejnë kontrolle pas dhënies së granteve apo subvencioneve dhe si pasojë nuk kanë informata nëse kanë ndikuar në përmirësimin e sektorit të bujqësisë apo nëse fondet janë përdorur për qëllimin për të cilin janë dhënë.

Mangësitë në procedurat e ndarjes së granteve  

Ministria në baza vjetore ka ofruar/planifikuar mesatarisht 21.631 milionë euro në vit për grante duke mbështetur agrobiznese dhe fermerë në kultura të ndryshme bujqësore dhe infrastrukturë ekzistuese apo në ndërtim të tërësishëm.

Për vitin 2018, vlera e planifikuar për grante ka qenë 27 milionë euro. Prej tyre, 19 milionë euro kanë qenë për programin vjetor ndërsa, 8 milionë janë për programet e veçanta për ‘Zona rurale më pak të zhvilluara’ dhe ‘Infrastruktura rurale’. Përderisa, buxheti i aprovuar për grante ishte 21.5 milionë euro.

Në kuadër të “Programit të veçantë”, në bazë të vlerësimit të dosjes është gjetur se në një rast aplikuesi ka poseduar pula dhe dosa ndërsa ka aplikuar për ndërtim të stallës dhe blerjen e viçave, rasti tjetër aplikuesi ka poseduar dosa ndërsa, ka aplikuar për ngritjen e pemishtes me dredhëza dhe dhomës ftohëse.

“Në bazë të kësaj del se vlerësimi nuk ka qenë adekuat pasi që në dokumentin e vlerësimit janë vendosur më shumë kritere se sa në UA 09/2018 i publikuar dhe në bazë të të cilit kanë aplikuar edhe fermerët”, thuhet në raportin e auditimit.

Për programin e veçantë, masa “Zona rurale më pak të zhvilluara”, janë miratuar afro 2 milionë euro për përfituesit. Përfituesit mund të përfitojnë deri në 70 mijë euro për projekt. Prej tyre 80% mbështetet nga Ministria dhe mjetet financiare jepen 50% si paradhënie (avance), pas nënshkrimit të kontratës me kusht të sigurimit të garancisë bankare.

Në 10 mostrat e testuara në vlerë totale prej 373 mijë euro nga projektet e miratuara nga kjo masë, është gjetur se përfituesit nuk kanë ofruar garancinë bankare me rastin e nënshkrimit të kontratës në të cilin parashihet paradhënia prej 50%.

“Garancia bankare ofron siguri për zbatimin e kontratës për fondet e përfituara”, potencohet në raport.

Përfituesit e masës “Infrastrukturë rurale” në programin e veçantë në vlerë prej 4 milionë euro, janë biznese me veprimtari primare të fushave jo bujqësore, mirëpo për këtë kanë bërë marrëveshje për konzorcium me kompani tjera që janë të fushës së bujqësisë. Sipas raportit, njëra prej tyre nuk ka fare aktivitete (primare dhe sekondare) që ndërlidhen me sektorin e bujqësisë.

“Andaj, është e pasigurt nëse bartësit e projekteve mund të ndikojnë në një zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e bujqësisë”, thuhet në raportin e auditimit.

Tejkalimi i buxhetit vjetor për subvencione

Ministria në baza vjetore për subvencione aprovon rreth 27 milionë euro duke mbuluar kultura të ndryshme. Sipas raportit të ZKA-së, Ministria aprovon subvencione më tepër se sa planifikon. Tejkalimi mesatar vjetor është 3 milionë euro.

“Kjo ndodhë për shkak se të gjithë aplikuesit për subvencione që plotësojnë kriteret kualifikohen për përfitim të fondeve”, thuhet në raport.

Auditori ka vërejtur se ka raste që kriteret në program nuk janë të njëjta me ato në Udhëzimit Administrativ. Në UA ka kriter shtesë ku kërkohet që aplikuesi të jetë i regjistruar në regjistrin e fermës, apo një dispozitë që përjashton vaksinimin e kafshëve të importuara nga BE pas përfundimit të vaksinimit kundër sëmundjes së gungoles.

Më tutje në raport thuhet se, një tjetër kriter që mungon në program është që fermerët aplikues për kungull duhet të kenë kontratë të noterizuar për shitjen e kungullit me ndonjë nga kompanitë që merren me shitjen/tregtimin e tyre, e që kanë së paku pesë pika tregtare.

“Në bazë të intervistës me zyrtarët përgjegjës bazë për vlerësimin e aplikacioneve është udhëzimi administrativ ndërsa fermerët bazohen në kërkesat që dalin nga programi i shpallur. Sikurse edhe tek grantet, kjo mund të ndikoj në mos përmbushjen e kritereve të parapara dhe si pasojë fermerët mund mos përfitojnë mbështetjen për të cilën kanë aplikuar”, theksohet në raport.

Dështimi i procesit të kontrollit të subvencioneve dhe granteve

Në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë është i vendosur departamenti për kontrolle. Në kuadër të këtij departamenti janë shtatë qendra regjionale që bëjnë kontrolle në terren. Procesi i kontrolleve për grante është i ndarë në dy faza, në fazën e vlerësimit preliminar që bëhet nga Departamenti për miratim brenda AZhB-së dhe faza e dytë është pas përfundimit të projektit përkatësisht në fazën kur aprovohen pagesat për investimin e bërë që bëhen nga departamenti për aprovimin e pagesave.

Në bazë të Ligjit për Zhvillim Rural dhe UA përkatës, kontrollet ex-post bëhen së paku një herë në pesë vite për të verifikuar vazhdimin e aktivitetit nga përfituesi.

Nga vëzhgimi i Auditoritm është vërejtur se në pesë raste ka munguar logo që identifikon investimin e mbështetur nga Ministria. Tri prej tyre, kanë përfunduar ndërtimet por nuk kanë qenë aktive sipas parashikimit në projekt. Mbështetja nga Ministria për këto ishte me vlerë prej 1.1 milionë euro.

Në këto tri projekte-biznese ishte parashikuar të punësohen nëntë persona dhe të hyrat mesatare janë parashikuar 200 mijë euro në vit. Po ashtu në raport thuhet se, nuk i kanë përdorur pajisjet solare dhe pajisjet tjera që i kanë përfituar nga projekti.

“Në një rast pajisjet e financuara nga Ministria nuk ishin në objekt”, theksohet në raportin e ZKA-së.

Sipas raportit, në këto raste, përfituesit nuk kanë përmbushur detyrimet e parapara me kontratën e përfitimit ndërsa Agjencia ka dështuar në kontrollet e saj.

“Synimi i dhënies së granteve do të zbehet pasi që këta përfitues nuk ndikojnë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Për më shumë, nëse kontrollet bëhen vetëm vitin e fundit të paraparë në ligj, atëherë Departamenti do të marr rolin e ndëshkuesit dhe jo t’i edukoj dhe stimuloj përfituesit për obligimet dhe synimet e mbështetjes financiare”, potencohet në raport.

Problemet në dhënien e granteve dhe subvencioneve në nivel komunal

Krahas nivelit qendror, edhe komunat ofrojnë grante dhe subvencione për sektorin e bujqësisë.

Prishtina deri në vitin 2018 ka mbështetur dhe financuar fermerët pa ndonjë rregullore apo strategji për këtë sektor. Në gusht të vitit 2018, është hartuar një rregullore ku përcaktohet mënyra e menaxhimit të dhënies së granteve dhe subvencioneve.

Komuna e Prishtinës për tri vitet e fundit ka financuar mbi 1.2 milionë euro në sektorin e bujqësisë. Mbështetja është bërë kryesisht për lopë, dele, shpezë, bletari, sistem ujitje, serra, mjedra, dredhëza, fruta (goji berri), bimë aromatike (kopër), përkrahje në certifikim për prodhues organik.

Prizreni ka programin komunal për zhvillim të bujqësisë dhe një rregullore të përgjithshme ku është përfshirë edhe bujqësia. Mirëpo në raport thuhet se programi nuk është i miratuar në Kuvendin Komunal dhe nuk është i nënshkruar rrjedhimisht nuk është bërë dokument i obliguar për përdorim. Ndërsa, rregullorja nuk ka ndonjë specifikë/rregullim që do t’i ndihmonte departamentit të bujqësisë për procedurat në ndarjen e granteve dhe subvencioneve.

Komuna e Prizrenit në vitet 2016, 2017 dhe 2018 ka investuar mbi 2 milionë euro në sektorin e bujqësisë. Në dy vitet e fundit ka mbështetur fermerët për: furnizim me farë gruri, furnizim më farë misri, ndërtimi i serrave me participim, ndërtimi i stallave për bagëti të imta dhe për lopë qumështore me participim, furnizim me multikultivator dhe mjete të imta bujqësore, furnizimi i blegtorëve me lopë qumështore, ngritja e 3 hektarëve me pemë arrore me participim, ngritja e 4 hektarëve me pemë të imta; mjedër dhe dredhëz.

Në raport thuhet se Ferizaj nuk ka rregullore ku përcaktohet mënyra e menaxhimit të dhënies së granteve dhe subvencioneve. Po ashtu, nuk ka strategji që do të duhej ndërtuar mbi bazën e analizave për sektorin e bujqësisë, duke përfshirë edhe kulturat me interes.

Për tri vitet e fundit ka financuar rreth 1.4 milionë euro në sektorin e bujqësisë dhe kryesisht në makina mjelëse, mjedra, dredhëza, serra, arra, bletë, farë misri dhe kamatë mbi kredinë e marrë nga fermerët.

“Mbështetja bëhet në formë ad-hoc pa ndonjë plan apo analizë të mirëfilltë”, potencohet në raport.

Nga analizimi i mostrave të përfituesve të granteve/subvencioneve, Auditori ka vërejtur se Komuna nuk bën shpallje publike në ueb-faqen zyrtare apo forma tjera të informimit për dhënien e granteve dhe subvencioneve në mënyrë që t’i jepet mundësia e aplikimit të gjithë fermerëve.

Në shumicën e rasteve përdoren aplikacionet që plotësojnë fermerët për aplikim për subvencione në nivelin qendror. Në raport thuhet se Komuna këtë mbështetje financiare e bën para procesit të dhënies së granteve apo subvencioneve në Ministri dhe nuk ka ndonjë informacion kthyes nëse këta fermerë kanë përfituar në Ministri.

“Kriteret e vendosura nga komuna në vendimet për mbështetje të fermerëve janë të përgjithshme, nuk janë të matshme dhe specifike. Si pasojë edhe vlerësimi nuk mund të jetë adekuat për përfituesit që përfitojnë nga komuna”, thuhet në raportin e hartuar nga ZKA.

Ndër kriteret e vendosura janë “të ketë interesim për kultivim të mjedrës” apo “të jetë i hapur t’i pranoj dhe zbatoj praktikat e mira në rritjen e bletëve”.

“Këto kritere janë të hershme për t’u vlerësuar dhe nuk i japin siguri komunës nëse përfituesi do t’i zbatoj dhe si të tilla janë të pa matshme”, vazhdon raporti i Auditorit.

Mbështetja e dyfishtë nga Ministria dhe Komunat

Auditori ka gjetur se koordimi ndërmjet Ministrisë dhe Komunave rreth mbështetjes së sektorit të bujqësisë nuk është i mirë, pasi ka raste që fermerët për qëllime të njëjta kanë përfituar edhe nga Ministria edhe nga Komuna.

“Ministria duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm me komunat për të evituar përfituesit nga të dy nivelet për masën/planin e njëjtë”, thuhet në raportin e auditimit.

Megjithatë, gjatë auditimit është gjetur se në Komunën e Prishtinës kanë ndodhur përfitime të dyfishta të mbështetjes financiare. Kjo për shkak se Komuna ka caktuar kriteret e njëjta sikurse AZhB tek lopët qumështore, delet dhe dhitë, si dhe për grurin.

Ndërsa, në tri komunat (Prishtinë, Prizren, Ferizaj) është vërejtur se një ndër kriteret kryesore kanë dokumentin e aplikimit të fermerit në subvencione të nivelit qendror.

“Marrë parasysh se komuna nuk ka të dhëna për gjendjen pas procesit të aplikimit mund të rrezikoj në mbështetje të fermerëve që nuk kanë qenë legjitim për përfitimin në komunë”, theksohet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e saj, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, në radhë të parë Zyra e Kryeministrit dhe MBPZHR të sigurojnë një menaxhim të duhur për të siguruar që fondet publike për sektorin e bujqësisë të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale ekonomike dhe rritje të punësimit.