Një vajzë duke pastruar xhamat e një automjeti në Prishtinë. Foto: REL

Fëmijët, viktima të kushteve të punës

Kushtet e vështira ekonomike në familjet kosovare çojnë deri te detyrimi i punësimit të fëmijëve nën moshën 18 vjeçare në Kosovë, për ta mbajtur ekzistencën e familjeve të tyre.

Seldin Alija, 17 vjeçar nga komuna e Prizrenit, muaj më parë ka vdekur në vendin e tij të punës, pasi që makineritë ku ai punonte e lënduan shumë.

Babai i të ndjerit, Semir Alija, për shkak të kushteve të vështira ekonomike është detyruar që ta dërgojë djalin e tij për të punuar, në mënyrë që t’ia dalin ta sigurojnë mbijetesën. Ai nuk e dinte se në çfarë kushtesh punonte djali i tij dhe as që është interesuar këtë. Në ditën kur ka ndodhur vdekja e të birit, ai ishte edhe vet në punë.

“Unë nuk e di se si ka ndodhur ngjarja saktësisht. Kam qenë në punë, m’ka thirrë ni shok edhe m’ka vetë a kam ni që n’fabrikë ka ndodhur diçka e keqe, ai m’ka thirrë se e ka dit qe djali jem punon aty”, ka thënë Alija.

Në Kosovë kushtet e punës në të cilat punojnë të rinjtë kosovarë janë tejet të vështira. Sipas raportit të UNICEF-it të publikuar vitin e kaluar për punën e fëmijëve në Kosovë, puna e fëmijëve në Kosovë është “e toleruar dhe e pranuar gjerësisht”.

Nuk ka të dhëna administrative të konsoliduara në dispozion rreth shkallës së shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve në Kosovë. Megjithatë, sipas MICS, 2013-14, 8% e fëmijëve të moshës 5-11 vjeç, 14% e fëmijëve të moshës 12-14 vjeç, dhe 26% të fëmijëve të moshës 15-17 vjeç janë të angazhuar në aktivitete ekonomike. Shtatëmbëdhjetë përqind e tyre janë fëmijë të komunitetit rom, ashkalin dhe egjiptas të cilët janë të përfshirë në punën e fëmijëve, krahasuar me 11% të totalit në popullatës së përgjithshme.

Kurse, babai i tashmë të ndjerit Seldin Alija, i cili ka vdekur në vendin e punës, nuk ka ngritur fare padi ndaj kompanisë ku punonte djali i tij

“Ai nuk është fajtor, ai ka dasht me m’ndihmu, ai ma ka zgjatur dorën, e nuk e ka ditë që djali jem ka me vdekë. Ai m‘i ka dhan 30 mijë euro, ai ato pare i ka vendosë në bankë, ai me vetëdëshirë do të ma ndërtojë gjithashtu një shpi edhe bunar. Tash para disa dite m’ka ble dru për dimër. Ai ka dalë shumë fer. Sa i përket punës me gjykatë, unë kam dhanë një deklaratë veç në prokurori, nuk kam dashtë me ngrit padi ose dicka kundër drejtorit të fabrikës, ai m’ka ndihmu boll”, ka thënë Alija.

Për këtë rast, prokuroria e shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të kësaj fabrike, por vet Semir Alija, nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

“Sa i përket anës time, unë nuk du me ngrit padi, por nëse shteti don me paditë unë nuk jam kundër sepse ligjet duhet me u zbatu”, ka thënë Alija.

Kosova deri më tani nuk ka ligj të posaçëm për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Këtë vit komisioni për të drejtat e njeriut në parlamentin e Kosovës kanë nisur hartimin e një projektligji për mbrojtjen e fëmijëve.

Duda Balje, kryetare e Komisionit Parlamentar për të drejta të njeriut në ka pohuar se janë duke punuar në hartimin e ligjit të ri për mbrojtjen e fëmijëve.

“Ne me këtë ligjin e ri do ta parashohim se si m‘i mbrojtë fëmijët. Ata që nuk do ta respektojnë këtë ligj, do të dënohen, dënimet do të jenë prej financiarisht deri te mbyllje e ndërmarrjes. Gjithashtu një problem që e kemi me këtë ligj është kategorizimi i punëve për fëmijë nën moshën 18 vjet. Nuk mundemi me kategorizu sepse është shumë e vështirë me caktu çfarë pune mujn me e ba fëmijët”, ka thënë Balje.

Sipas saj, fëmijët në Kosovë keqtrajtohen shumë, por fatkeqësisht ata nuk mund të ndryshojnë asgjë.

Kurse, rrjeti i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve KOMF disa herë kanë dërguar udhëzime dhe propozime në qeveri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, mirëpo deri më tani nuk kanë hasur në mirëkuptim.

 

Autorët Vjosa Çerkini, Haris Alija janë bursistë të grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).