Federata e Tenisit Shpërthen Kufijtë e Izolimit

Federata Ndërkombëtare e Tenisit (ITF) ka akredituar lojtarët kosovarë që të marrin pjesë në turnetë ndërkombëtarë me flamurin e kësaj federate. edhe pse tenistët kosovarë do të kenë mundësi pjesmarrjeje në garat e zhvilluara jashtë vendit, Kosovës nuk i jepet e drejta për të organizuar turne ndërkombëtarë.

Federata e Tenisit të Kosovës, para dy ditësh ka thyer pjesërisht izolimin ndërkombëtar të “sportit të bardhë” për kosovarët, edhe pse shtetet lidere të këtij sporti Serbia, Spanja e Rusia, jo vetëm nuk e njohin, por edhe e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës të shpallur në 2008-ën.

“Qe katër vjet, çdo ditë kemi kërkuar pranimin e federatës në “Europe Tenis”, duke dashur që të jemi pjesë e kësaj familjjeje, megjithatë pengesë kryesore kanë qenë tri shtete lidere në tenisin botëror: Serbia, Rusia dhe Spanja”- thotë Shkëlzen Domi, kryetar i Federatës kosovare të Tenisit, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por federata nuk e ka fituar plotësisht betejën e ndërkombëtarizimit, pasi tenistët kosovarë do të garojnë nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit (ITF), ndërsa Kosovës nuk do t’I lejohet organizimi I turneve në këtë sport.

Për të organizuar turne të tillë, Kosova duhet të jetë pjesë e OKB-së dhe e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Për shkak të mosanëtarësimit në këto dy organizata politiko-sportive, Federata e Tenisit do të ketë të drejta të përgjysmuara.

“Edhe përpos përparimit të bërë në këtë sferë, ne akoma nuk do të kemi të drejtë, e as standard, për të organizuar turne ndërkombëtarë”, shton kryetari Domi.

ITF-ja u jep mundësinë lojtarëve nga Kosova që të regjistrohen për një IPIN (Numër Ndërkombëtar Identifikues të Lojtarit) dhe me këtë numër do të garojnë gjatë tërë karrierës së tyre.

Praktikuesit e “sportit mbretëror” në Kosovë  deri tash kanë mundur të përformojnë vetëm në fushat e Republikës së Kosovës dhe përjashtimisht në Republikën e Shqipërisë, gjatë lojërave të organizuara mes saj dhe Kosovës.

Tenistët kosovarë do të jenë të vetmit që do të luajnë me të tjerët pa flamurin e tyre shtetëror. Megjithatë edhe këtë zhvillim kryetari Domi e konsideron pozitiv.

Federate e Tenisit të Kosovës, e themeluar në vitin 1992, ka 300 lojtarë aktivë që u takojnë grup-moshave të ndryshme. Më të vjetrit që luajnë tenis në Kosovë janë të moshës 65 vjeçare.

Kjo federatë gjatë gjithë vitit, përveç në stinën e dimrit, organizon turne nëpër qytete të ndryshme të vendit.

ETIKETA

18 Tetor 2013 - 15:01

Erlina Tafa 18/10/2013 - 15:01
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Federata e Tenisit Shpërthen Kufijtë e Izolimit

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend