Kryetari i Istogut Haki Rugova | Foto: Atdhe Mulla

Favoret e Komunës së Istogut për Kompaninë e Kryetarit Rugova

Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova bashkë me vëllezërit e tij, në vitin 2003-2004 me kompaninë e tyre “Macon”, kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronën komunale. Sipas të dhënave në kohën kur Komuna e Istogut dha leje të rrënoheshin dy objektet ekzistuese dhe të ndërtohej objekti shtatëkatësh, Haki Rugova mbante pozitën e kryeshefit ekzekutiv në Komunën e Istogut. Kryeshefi ekzekutiv i Komunës në atë kohë kishte kompetenca të gjera.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, edhe pse objekti i familjes Rugova është ndërtuar në pronën e komunës, komuna aty nuk e ka në pronësi asnjë banesë.

Përveç ndërtimit në tokën e komunës, kompania “Macon”, pronë e vëllezërve Rugova ka marrë edhe disa tenderë në komunën e cila që nga viti 2010 qeveriset nga Haki Rugova.

“Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kryetari Haki Rugova në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion për gjashtë vjet ka deklaruar se ka aksione në kompaninë “Macon”, së cilës i ka dhënë tender që arrin vlerën e qindra mijëra eurove.

“Unë nuk jam pronar në ‘Macon’, s`kam asnjë aksion, prej momentit që kam kandiduar si kryetar komune, unë s`kam aksione”, ka deklaruar Rugova.

Kur ai është pyetur se aksionet e tij në këtë kompani edhe pasi e ka pranuar detyrën e kryetarit, pra pas vitit 2010 i ka të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsion, ai sërish e ka mohuar.

Kur është ballafaquar me dëshmi se ai në formularët në AKK figuron aksionar i 15 % të aksioneve, Rugova e ka bërë fajtor AKK-në. Në fakt, ai në deklarimin e vitit 2016 ka shkruar se këto aksione i ka që nga viti 2000.

“Shans  s`ka, tashti ajo punë nuk po më kujtohet, por unë nuk kam pasur, nuk kam kurrfarë të hyra nga kjo kompani për vite të tëra. Të dhënat në antikorrupsion sigurisht që unë vetë i deklaroj, por s`jam aksionar në kompani. Mund të shihet në Administratë Tatimore lirisht se kush janë pronarët, aty janë dy bashkëpronarë, nuk ka të tretë. Ka vite që nuk jam. Ajo mund të me ketë rrëshqitur prej atyre deklarimeve të mëhershme që i kam bërë”, ka deklaruar ai.

Vëllai i kryetarit të Komunës së Istogut Ganiu, thotë se pronar në “Macon” nuk është Haki Rugova. Megjithatë, ai ka thënë se ndodh që do t’ia japë edhe 20 për qind të aksioneve të kësaj kompanie kryetarit të Komunës së Istogut.

“Në dokumentacionin e firmës, firma është e përbërë prej dy pjesëtarëve, jam unë edhe është Ismeti, Hakia nuk figuron si bashkëpronar i firmës. Aksionet çka ka, çka i jap unë vëllait tim- ajo është çështje imja. Bën vaki edhe më shumë i jap, jo 15 por 20 për qind, sepse e kam vëlla”, ka deklaruar Gani Rugova, vëllai i kryetarit .

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, kryetari Haki Rugova e pranon se objekti  nga firma e familjes së tij “Macon” është i ndërtuar në pronën komunale. Por ai ka deklaruar se para se të ndërtohej ai objekt, kompania “Macon” kishte blerë mbi 50 % të dy objekteve ekzistuese nga pronarët legjitimë. Po ashtu thotë se në atë kohë ishte marrë pëlqimi nga pronarët dhe leja në komunë për rrënimin e tyre e pastaj leja për ndërtimin e objekti shtatëkatësh në pronë të komunës.

“Kanë pas mundësi me e ble, biznes është ajo e kanë ble edhe ka funksionuar, nuk është i vetmi rast ai, ka edhe plot raste tjera. Fillimisht është marrë leja për rrënimin e tyre, pastaj leja e ndërtimit. Ato objekte janë blerë, toka nuk është blerë se toka është komunale”, ka thënë Rugova.

Ai nuk ka dhënë përgjigje kur është pyetur se sa ka qenë sipërfaqja e objekteve të vjetra që janë rrënuar për t`i hapur rrugë ndërtimit të objektit shumëkatësh nga firma ku ishte aksionar.

“Nuk e di sa ka qenë hapësira, as tash nuk e di sa është hapësira e objektit të ri, është diçka që mund të verifikohet”, ka thënë ai.

Ndërsa vëllai i tij Gani Rugova ka thënë se në vitin 2003 u ka ndihmuar edhe Komuna e Istogut për të marrë lejen për rrënimin, e pastaj ndërtimin e objektit shtatëkatësh në pronën komunale.

“Një pjesë të atyre banesave i kemi blerë, një pjesë tjetër ua kemi kompensuar pronarëve me kontrata me marrëveshje me pëlqimin e dyja palëve. Normal na ka ndihmuar edhe komuna në aspektin, në mundësitë e tyre çfarë i kanë pasur në atë kohë”, ka deklaruar Rugova.

Arif Elshani, asamblist i pavarur në Kuvendin Komunal të Istogut, thotë se objekti është i ndërtuar në pronën komunale dhe se aty ka një uzurpim klasik nga kryetari dhe vëllezërit e tij.

“Aty është një uzurpim klasik,  e kanë uzurpuar pronën komunale dhe ua kanë mohuar qytetarëve, parqet kanë qenë aty dhe sot është objekti, kafiteri aty dhe më nuk ka parqe”, ka thënë asamblisti Elshani.

Florin Dreshaj, asamblist nga LVV thotë se për objektin e ndërtuar nga firma “Macon”, nuk ka marrëveshje për shfrytëzimin e tokës komunale.

“Haki Rugova aty me Firmën “Macon” e ka ndërtuar një objekt shumëkatësh dhe nuk ka kurrfarë marrëveshje me komunën për shfrytëzimin e pronës”, ka deklaruar Dreshaj.

Arben Kabashi nga PDK, thotë se objekti i ri bashkë me hapësirën përreth zë rreth 20 arë të tokës komunale, kurse dy objektet e vjetra nuk kanë pasur më shumë se tre arë hapësirë.

“I ka uzurpuar 20 ari dhe sot e asaj dite nuk e dimë mënyrën se si dhe nuk e dimë as se kush është pronar mirë aty, por thjesht po dihet verbalist se kush është pronar aty”, ka thënë ai.

“Sipërfaqja e përgjithshme e objekteve të vjetra ka qenë 300 m2, kurse objekti ku e ka ndërtuar kryetari i ka zënë më shumë se 1000 m2”, ka thënë asamblisti i AAK-së Prek Preku.

Sipas hulumtimit të transmetuar nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”, favoret e familjes së kryetarit Rugova nuk përfundojnë vetëm më shfrytëzimin e pronës komunale për ndërtimin e një objekti shtatëkatësh në qendër të qytetit të Istogut.

Të gjeturat nga hulumtimi treguan se firma “Macon” pronë e vëllezërve të kryetarit, e ku sipas deklarimit të pasurisë në AKK vetë kryetari posedon 15 % të aksioneve, e të cilat ai i ka mohuar në intervistën e dhënë për “Drejtësia në Kosovë”, ka marrë edhe tenderë në vlerë qindra mijëra euro.

“Ka pasur raste kur ka marrë, shumë pak. Rrjetin e kanalizimit në Cërcë një pjesë e ka përfundu ‘Maconi’, në dy faza ka qenë, kurse pjesën tjetër e ka përfundu një kompani tjetër”, ka thënë kryetari Rugova.

E vëllai i tij Ganiu, thotë se rregullat e prokurimit kanë bërë që kompania e tyre të mos e sheh të leverdishme të marrë pjesë në tenderët që po jep Komuna e Istogut pasi që sipas tij ata janë kompani e shtrenjtë.

“Kanalizimi e kemi marrë në Cërcë, ka qenë edhe interes i fshatit, normal kemi qenë më të lirët dhe e kemi kry me sukses”, ka deklaruar Rugova, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Te gjeturat nga hulumtimi treguan se vëllezërit e kryetarit Haki Rugova në tre tenderë janë rekomanduar për dhënie të kontratës nga Komuna e Istogut. Dy tenderë i kishte fituar në vitin 2010Tenderin e fundit e ka fituar në vitin 2014, për ndërtimin e kanalizimit fekal në fshatin Cerrce. Vlera e kontratës së nënshkruar në mes të kryetarit të Komunës së Istogut me kompanisë “MaCon” ka qenë 283 mijë euro. Në deklarimin e pasurisë në vitin 2014, kryetari i Komunës së Istogut kishte deklaruar se në kompaninë “MaCon” kishte 15 për qind të aksioneve. Madje, ai i kishte vlerësuar këto aksione me një vlerë prej 100 mijë eurove.

Në mbledhjen e mbajtur të premten me datën 5 maj 2017, Asambleja Komunale e Istogut ka aprovuar propozimet e kryetarit Haki Rugova për shpalljen e ankandit publik për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. Sipas asaj që transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, katër pronat komunale të cilat do jenë në ankand për 30 ditë janë në shfrytëzim të operatorëve të ndryshëm ekonomikë, përfshirë edhe tokën komunale ku gjendet gurthyesi i kompanisë së vëllezërve të kryetarit Rugova. Këto parcela sipas propozimit të kryetarit do jepen në shfrytëzim në afat prej 15 vjetësh.