Foto: Atdhe Mulla

Fati i paqartë i ndërtesës së ish-Gërmisë

Debati i fundit në Kosovë është sjellë rreth qeshtjes nese duhet të rrënohet ndërtesa e ish-qendërs tregtare “Gërmia” dhe të shndërrohet në sallë të re koncertale, apo të ruhet si pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe të bëhet galeri e artit bashkëkohor?

Komisioni Europian ka ofruar një shumë prej 15.4 milionë euro për ta financuar ndërtimin e një ndërtese që do ta akomodonte sallën e parë koncertale në Kosovë. Përdorimi i ndërtesës së ish-Gërmisë është paraqitur si mundësi, por nuk është e përshtatshme për sallën ashtu si është tani, prandaj rrënimi i saj është konsideruar si mundësi.

Marrëveshja e mundshme ne mes te Komisionit Europian dhe autoriteteve komunale nuk është e qartë sepse nuk  janë bere publike kushtet brenda saj.

Komisioni Europian thuhet se nuk ka këmbëngulur për ndonjë lokacion të veçantë, por nëpër debatet publike jane përmendur dy kushte: salla duhet të jetë qendrore, dhe nuk duhet të jetë në afërsi të stadiumit të futbollit. Këto dy kushte mund edhe të jenë të mençura, por duke e pasur parasysh madhësinë hapësinore të Prishtinës dhe mundësitë e pakta ingrastrukturore që ofron kryeqyteti, çështja e Germise tashmë ka shkaktuar ndarje përgjatë qarqeve shoqërore.

Ideja e rrënimit të kësaj ndërtese ka provokuar një lloj nostalgjie, mbase edhe një reagim emocional për disa, se bota e së kaluarës po zhduket. Kujtesa për kohët e shkuara është rikthyer dhe si rrjedhojë eshte nisur një peticion kundër rrënimit të kësaj ndërtese.

Ky reagim është ndeshur me grupin e artisteve te muzikës klasike të cilët kanë inicuar fushatën për ndërtimin e një salle koncertale me vrull të kuptueshëm, edhe nëse ajo do të nënkuptonte prishjen apo adoptimin e ish-Gërmisë me ndërtim të ri.

Në anën tjetër, artistët bashkëkohorë i janë kundërpërgjigjur kësaj, duke e quajtur fushatën përpjekje të pashpirt për t’ia shkëputur qytetit ndërtesën e fundit që lidhet me të kaluarën. Në vend të saj, ata sugjeruan që të ruhet dhe të shndërrohet në një galeri të artit bashkëkohor.

Hapa të mëtutjeshëm janë ndërmarrë prej një organizate vendore që merret me trashëgiminë kulturore, e cila më 3 tetor, pak pas shpërthimit të debatit publik, i ka paraqitur kërkesë formale Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ta përfshirë ish-Gërminë si aset të trashëgimisë kulturore nën pretekstin se ka vlera historike, artisitke, shkecore, shoqërore, edukative, ekonomike dhe funksionale, bashkë me rrallësinë dhe identitetin që ka kjo ndërtesë.

Pas gjithë kësaj, debati për ish-Gërminë fatkeqësisht është ngushtuar në vetëm dy mundësi: të rrënohet ose të qëndrojë ashtu si është, kështuqë asnjëri grup kontestues nuk arriti të japë argumente të bindshme profesionale.

Ndërtesa e ish-Gërmisë thuhet së është përuruar në vitin 1973, e ndërtuar posaçërisht për të qenë qendër tregtare. Si fëmijë i vogël më kujtohet mahnitja me shkallët lëvizëse brenda ndërtesës, mbase ishin shkallët e para lëvizëse të vendosura në tërë Kosovën, si dhe dritaret e stërmëdha që përbënin skajet e ndërtesës. Kujtesën që e kam për këtë ndërtesë, shkallët lëvizëse dhe dritaret e mëdha nuk ekzistojnë më, për shkak të ndërhyrjeve përgjatë 20 viteve të fundit.

Arkitektura origjinale e ish-Gërmisë reflektonte konstruktet tipike socialiste/komuniste që ishin njëlloj apo të sitlit uniform në tërë ish-Jugosllavinë. Janë bërë edhe ndërtesa identike në pjesë të ndryshme të vendit siç e kemi edhe sot të njëjtën qendër sportive në shumë qytete.

Sot, ish-Gërmia nuk duket më siç dukej në të kaluarën, dhe as nuk përfaqëson përdorimin për të cilin është ndërtuar, në rend të parë. Gjatë 20 viteve të fundit, ndërtesa e ish-Gërmisë i ka shërbyer ish-Ministrisë së Shërbimeve Publike tani e njohur si Ministria e Administratës Publike, dhe sot strehon Administratën Tatimore të Kosovës dhe Ministrinë e Infrastrukturës.

Ndërkohë janë bërë intervenime të konsiderueshme strukturore, nga brenda dhe jashtë, me gjasë për ta përshtatur me funksionet e saj të reja. Fasadës së përparme të ndërtesës i janë shtuar dritare, kështuqë tipari karakterizues i arkitekturës komuniste, fasada e hekurt, është ndërruar dhe sot duket e modernizuar.

Në këto rrethana, është tejet e rëndësishme që të përfitohen informatat e sakta sa i përket vlerës që paraqet ndërtesa e ish-Gërmisë si pjesë e trashëgimisë së Kosovës, qoftë si vlerë arkitekturale apo kulturore, të dyjat, apo asnjëra.

Përcaktimi i vlerës së një aseti të trashëgimisë kulturore është punë e ndërlikuar, dhe nuk mjafton të thuhet se ka vlerë të trashëgimisë kulturore vetëm e vetëm se i takon së kaluarës. Profesoresha Marie Louise Sorensen, dijetare e shquar e sociopolitikës së trashëgimisë në Universitetin e Kembrixhit, argumenton se “e kaluara dhe trashëgimia nuk janë e njëjta gjë. Trashëgimia nuk është e kaluara, është gjithmonë në të tashmen.”

Nëse e zhvendosim ndërtesën e ish-Gërmisë nga e kaluara në të tashmen për hir të këtij shkrimi, mund te pyetemi: Çfarë vlere kulturore e përfaqëson ajo sot? Çfarë lloj merite kulturore, shkencore dhe edukative e kemi trashëguar nga ajo?

Supozimi se kjo ndërtesë ka një lloj vlere kulturore duhet të jetë i arsyeshëm, dhe duhet të matet e vlerësohet prej profesionistëve të kësaj fushe shumë të specializuar. Për më shumë,  Kosova ka legjislacion për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ka profesionistë, edhepse të paktë, por kompetentë që duhet të bëhen pjesë procesit.

Natyrisht, përcaktimi duhet të bëhet gjthashtu duke marrë parasysh pikëpamjet popullore se cilat vlera kulturore përfaqëson ky objekt në kujtesën dhe historinë e njerëzve dhe komunitetin përreth. Supozimi i menjëhershëm se ish-Gërmia përfaqëson vlera të trashëgimisë kulturore dhe ato vlera janë të gjithmbarshme, është mënyrë për ta mashtruar opinionin publik.

Çfarë është thuajse menjëherë e qartë është fakti se ajo përmban tipare karakteristike të arkitekturës komuniste, dhe si e tillë mund të ketë vlerë arkitekturale. Sidoqoftë, marrë parasysh ndërhyrjet në tiparet origjinale dhe faqen e përgjitshme të ndërtesës, se a mund të cilësohet monument i së kaluarës është po ashtu e dyshimtë, dhe varet tërësisht nga vlerësimi i ekspertëve.

Edhe nëse ka vlerë arkitekturale, nuk do të thotë se automatikisht bie në kategorinë e trashëgimisë kulturore. Tërhiqem fort të argumentoj që në fakt ajo nuk përfaqëson kurrfarë vlere të trashëgimisë ashtu si është sot. Brendia e saj nuk përfaqëson ndonjë mënyrë të veçantë të jetesës të një brezi apo kohe paraardhëse, që transmeton te e tashmja dhe brezat e ardhshëm, dhe po ashtu nuk shfaq tipare të vlefshme artistike dhe arkitektonike.

Nuk mund të paramendoj që do t’i ngushtojmë vlerat e kulturës në një palë shkallë lëvizëse që as nuk ekzistojnë më. Për më shumë, origjinaliteti i saj kurrë nuk është mirëmbajtur apo ruajtur. Pavarësisht këtyre, një gjë duhet të thuhet herët: edhe nëse ajo nuk e mban vlerën e paraparë kulturore, s’do të thotë se duhet të rrënohet.

Ka shumë shembuj në mbarë botën se si të bëhen të përdorshme ndërtesat e kohërave të kaluara që kane vlera arkitektonike, pa ndërhyrë në strukturën e tyre origjinale. Për shembull, në Paris të Francës, përdoret një mënyrë e quajtur “retrofiting,” përmes së cilës ndërtesat e vjetra integrohen me ndërtime të reja dhe ashtu shërbejnë një qëllim, janë të përdorshme në kohët moderne, por struktura e tyre nuk preket dhe në atë mënyrë prezervohet.

Ironikisht, në rastin e ndërtesës së ish-Gërmisë, reagimet për ruajtjen e saj vijnë shumë vjet pas ndërhyrjeve të vazhdueshmë në strukturën origjinale të saj. Shqetësimi i tanishëm duket të jetë ruajtja e ndërtesës ashtu si është, duke parë se është një ndër të vetmet që kanë këto tipare të tilla prej të kaluarës.

Ndoshta kjo është një shenjë e mirë, që ne po përballemi më një nivel të ri të vetëdijes. Duke e marrë parasysh se shumë ndërtesa të kohëve socialiste/komuniste janë shkatërruar në Kosovë, pa ndonjë reagim prej publikut të përgjithshëm.

Për më shumë, trashëgimia në Kosovë me vlera të vërteta kulturore, siç janë strukturat e kohës otomane të cilat e kanë formësuar kulturën, gjuhën dhe shoqërinë në përgjithësi, janë shkatërruar si rrjedhojë e degradimit, urbanizimit të egër, mungesës së vetëdijes për vlerat e tyre historike, apo mungeses se intervenimeve të duhura nga ana e autoriteteve shtetërore.

Manastiret fetare ortodokse serbe nuk mund të qasen prej shumicës së njerëzve në Kosovë, dhe kështu shumë breza te rinjsh po rriten pa pasur lidhjen e duhur me një pjesë shumë të rëndësishime të historisë dhe trashëgimisë se Kosoves që i rrethon ata.

Trashëgimia e lëvizshme kulturore, thesaret nga Muzeu Kombëtar janë marrë gjatë kohës së luftës dhe mungojnë prej vitit 1998. Shumë pak vëmendje i është kushtuar këtij problemi. Janë diku 677 artefakte arkeologjike dhe afro 571 thesare etnologjike që i mungojnë Kosovës, kinse të huazuara për të udhëtuar në muzetë e Novi Sadit, Beogradit dhe Suboticës.

Unë personalisht kam vendosur ta interpretoj reagimin që e ka provokuar ish-Gërmia si një britmë e njerëzve ndaj autoriteteve kompetente se Kosova duhet ta mbrojë trashëgiminë e saj. Kosova duhet t’i përfshijë historianët, arkeologët, profesionistët e artit dhe arktitektet për të punuar në një mënyrë të bashkërenduar dhe transparente që të arrihet një metodë më efektive për t’i identifikuar dhe ruajtur thesaret kulturore të Kosovës.

Në fund të fundit, trashëgimia është mënyra më e mirë që i bashkon njerëzit dhe idetë, nga e kaluara në të tashmen.