Fati i Ligjit për Dialogun në ‘duar’ të Kushtetueses

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e mbajtën fjalën, kur u deklaruan se Ligji për Dialogun, do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Përfaqësuesit e ekipit negociaotor kanë vlerësuar se dërgimi i Ligjit është hap opozitar, ndërsa sipas analistëve ky veprim është legjitim.

Njëri nga anëtarët e Ekipit Negociator për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Dukagjin Gorani ka thënë për KALLXO.com se ekipi është i interesuar për vendimin që do ta merr Kushtetuesja.

Gorani, që është deputet edhe PSD-së në Kuvendin e Kosovës, tutje tha se nuk ka hartime të përkryera të ligjeve dhe mund të ketë ndonjë lëshim.

“Edhe neve na intereson me ditë vendimin që ka me marr Kushtetuesja. Megjithatë, nuk ka hartime të përkryera kështu që ndoshta ka edhe ndonjë lëshim, ta presim Kushtetuesen”, tha deputeti Gorani për KALLXO.com.

I pyetur për mundësitë që Ligji për Dialogun mund të ketë shkelur disa nene të Kushtetutës, ai tha se nuk mund të komentoj këto çështje.

“Nuk është e jona të japim ndonjë opinion në atë punë, është Gjykata Kushtetuese edhe ne jemi palë e interesuar me pa çfarë vendimi po e sjell”, tha ai.

Gorani më tej tha se, vendimi nga Gjykata Kushtetuese mund të përcaktoj edhe atë nëse do të ketë vonesa dhe zvarritje të dialogut.

“Kjo varet prej vendimit të Gjykatës, besoj që duhet me pas durimin me pa edhe me respektu atë vendim”, u shpreh Gorani.

Kurse, anëtari tjetër i këtij ekipi, Enver Hoxhaj e ka cilësuar si hap opozitar dërgimin e Ligjit për Dialogun në Gjykatën Kushtetuese nga dy partitë opozitare, LDK dhe LV.

Ai në një prononcim për KALLXO.com tha se veprimi i opozitës po bëhet për tituj lokal.

“Mendoj duhet me qenë pjesë në një qëllim strategjik sikurse është njohja e Kosovës dhe anëtarësimi në OKB, që janë edhe qëllimet e dialogut, dhe jo të humbet kohe në hapa opozitar taktik dhe te bëjmë tituj lokal”, tha Hoxha.

Haxholli: Kushtetuesja mund t’i kontestojë disa nene të Ligjit për Dialogun

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se veprimi i sotëm i partive opozitare, që e dërguan Ligjin për Dialogun në Gjykatën Kushtetuese, është legjitim.

“Po ky është një veprim legjitimi i partive opozitare. Partitë kanë të drejtë për të iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese kur konsiderojnë se një çështje mund të jetë kundër Kushtetuese”, tha Haxholli në një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas saj, edhe KDI kishte gjetur mangësi te ligji për dialogun, në veçanti tek pjesët e hierarkisë institucionale.

“Edhe ne si KDI kemi analizuar ligjin për dialogun dhe kemi gjetur disa mangësi në këtë ligj. Për ne sidomos problematike mbetet synimi i këtij ligji për të përcaktuar hierarkinë institucionale, gjë që e rregullon Kushtetuta e cila qëndron mbi çdo ligj të miratuar nga Kuvendi”, tha ajo.

Haxholli nuk beson se Kushtetuesja do ta rrëzoj ligjin, por thotë se disa nene të tij, mund të kontestohen.

“Pra konsiderojmë se ka nene të këtij ligji të cilat Gjykata Kushtetuese mund të gjejë elemente për t’i kontestuar. Pra Gjykata ndoshta nuk do ta hedh poshtë komplet ligjin por mund të kontestojë disa nene të tij”, deklaroi ajo.

Historiku i Ligjit për Dialogun me Serbinë

Kuvendi i Kosovës me 7 mars të këtij viti kishte miratuar Ligjin për Dialogun. Nga 63 deputetë që kanë votuar, 58 ishin për, asnjë kundër dhe 3 abstenime.

Kundër këtij ligji, partitë opozitare ishin qysh kur ishte iniciuar dhe dërguar në Kuvend, duke i bojkotuar dhe mos e votuar atë në seancë.

Lideri i LV-së, Albin Kurti gjatë shqyrtimit të parë të tij kishte thënë se ky ligj duhet të hidhet në shportë.

“Ky projektligj përgënjeshtron tri pozicione paraprake, thuhej se dialogun e udhëheq delegacioni e nuk qëndron se këtë e udhëheq presidenti dhe i jep të drejtë një personi jashtë Kosovës  të udhëheq me dialogun,  e dyta tregon se një instancë jashtë shtetit po përcakton dialogun tonë, delegacioni shtetëror i ka marrë 59 vota e jo 61, nuk e kanë as shumicën e thjeshtë dhe pozicioni i tretë që përgënjeshtrohet është që opozita udhëheq me dialogun”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa, shefi i grupit parlamnetar të LDK-së, Avdullah Hoti, kishte paralajmëruar se ky ligj do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Edhe platforma edhe Ligji për Dialogun janë anti-kushtetuese. Ne jemi duke u bërë gati t’i dorëzojmë në Gjykatën Kushtetuese sepse Ligji për Dialogun bie në kudnërshtim me Kushtetutën në plot aspekte, në veçanti te Neni 1 ku përcaktohet fushëveprimi, kompetenca”, kishte thënë Hoti në një intervistë për RTV21.

Edhe deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu në shkurt të këtij viti kishte paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligji për Dialogun me Serbinë.

Kosova dhe Serbia janë në fazën finale të dialogut, ku pritet të arrihet një marrëveshje për njohje reciproke të të dyja vendve.

Por ky dialog është “stopuar” pasi që Kosova në fund të vitit 2018 kishte vendosur taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht është duke bërë thirrje nga përfaqësuesit e Kosovës që ajo të pezullohet dhe të vazhdohet dialogu.  Megjithatë, i pajtimit nuk është vetëm kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili nuk “lëkundet” nga qëndrimi i tij për taksën.

Partnerët e tjerë të koalicionit, PDK dhe Nisma Socialdemokrate janë të pajtimit që taksa të pezullohet dhe t’i jepet krahë dialogut Kosovë-Serbi.

Serbia vazhdon me qëndrimin e saj që dialogu do të vazhdojë vetëm pasi Kosova të largojë taksën dhe po ashtu ka kritikuar Platformën për Dialog, që është miratuar në Kuvend javën e kaluar.

16 Mars 2019 - 12:32

Valon Fana, 16/03/2019 - 12:32
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend