‘Farsa’ për luftimin e korrupsionit me zyrtarë të akuzuar

Partitë politike në Kosovë janë vënë në thumb të kritikave për  zyrtarët partiakë e institucionalë, të cilët kanë aktakuza e që lidhen kryesisht me çështje të korrupsionit, ndonëse krerët e tyre në vazhdimësi zotohen për sundim të ligjit.

Por për pjesëtarë të shoqërisë civile, deklarimet e përfaqësuesve të subjekteve politike vazhdojnë të mbesin vetëm deklarative dhe se ajo që po ndodhë në këtë drejtim është një farsë.

Ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli i cili javë më parë mori vendim që të largojë nga pozitat partiake dhe institucionale personat që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë në vend.

Vendimi në fjalë u mirëprit nga faktori ndërkombëtar, por nga ai vendor më shumë u pa si parafushatë elektorale.

Në anën tjetër, është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila në vazhdimësi deklarohet se do ta luftojë krimin dhe korrupsionin në vend, por ndryshe thonë veprimet brenda kësaj partie politike.

Së fundmi, dega e LDK-së në Istog në kuvendin zgjedhor, e ka rizgjedhur Haki Rugovën kryetar të kësaj dege, edhe për katër vjet.

Rugova, i cili njëherësh është kryetar i Komunës së Istogut, ngarkohet me akuzën për konflikt interesi, pasi Agjencia Kundër Korrupsion kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, kjo pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar hulumtimin që tregonte se si kryetari i Istogut, Haki Rugova, bashkë me vëllezërit e tij, me kompaninë e tyre “Macon” kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në tokën komunale dhe Komuna nuk ka asnjë metër katror të atij objekti në pronësi.

Megjithëkëtë, për LDK-në e Istogut, rizgjedhja e Rugovës tregoi shembull për kuvend zgjedhor “dhe tregoj se vlerat dhe uniteti janë identitet themelor i Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

“Z. Haki Rugova së bashku me kryesinë e re të Degës, do të jenë krah i fuqishëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Një tjetër zyrtar i LDK-së me aktakuzë është edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 28 prill 2017 kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të Fondit 3%, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, ku më pas është kërkuar edhe hedhja e aktakuzës.

Por instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë, Gjykata e Apelit më datë 17 janar 2019 me aktvendim kishte refuzuar ankesat e mbrojtjes të parashtruara ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore dhe ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Deputeti Naser Osmani ka qenë i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare por në shkurt të 2019-ës është shpallur i pafajshëm.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar edhe më parë për të tjerë zyrtarë të LDK-së që kanë aktakuza.

Megjithatë sipas kreut të LDK-së, ish-kryeministrit, Isa Mustafa, ka arsye të mëdha për Kosovën që atë ta qeverisë partia e tij.

“Në më pak se tre vjet të qeverisjes për herë të parë pas luftës, ia dhamë drejtimin zhvillimit ekonomik të vendit, luftuam krimin dhe korrupsionin, stabilizuam buxhetin, avancuam marrëdhëniet me BE-në dhe me SHBA-të, filluam ç’kapjen e doganave, administratës tatimore dhe organeve tjera vitale për vendin, plotësuam 94 nga 95 kriteret për liberalizim të vizave”, kishte shkruar Mustafa në Facebook, ditë më parë.

Sipas tij, qeveria e re duhet të bëhet  me njerëz që nuk janë të shantazhuar dhe të korruptuar.

Në anën tjetër, Valmir Ismaili nga organizata Demokraci Plus (D+), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se deklarimet e përfaqësuesve të subjekteve politike vazhdojnë të mbesin vetëm deklarative.

“Janë të njëjtat subjekte politike të cilat nuk po ndërmarrin asnjë veprim që do të ndikonin në krijimin e kushteve për luftim të krimit dhe korrupsionit. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte ndalimi për të pasur edhe post publik edhe brenda partisë për të gjithë ata persona që kanë aktakuzë për korrupsion”, theksoi ai.

Sipas Ismailit, fatkeqësisht ajo çfarë po ndodh në Kosovë është vetëm farsë, sepse personat me aktakuzë mund të gjenden edhe brenda institucioneve edhe brenda subjekteve politike.

“Edhe nëse ka ndonjë vendim, sikurse rasti i fundit nga PDK, ato më shumë janë deklarative dhe për t’i hedhur hi syve qytetarëve por në të vërtetë nuk ka distancim të qartë të subjekteve nga njerëzit nën aktakuzë por edhe nga ata që janë të dënuar për vepra të ndryshme korruptive ose edhe kriminale”, shtoi më tej ai.

Ismaili vlerësoi se janë të njëjtat subjekte politike të cilat edhe sabotojnë punën e organeve të drejtësisë.

“Rasti më i rëndë ka qenë ai me prokurorin Elez Blakaj i cili publikisht u linçua nga përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike”, përfundoi ai për Gazetën JnK.

Kurse, javë më parë Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, e pati mirëpritur vendimin e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për largimin nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të zyrtarëve me aktakuza.

Apostolova ka shtuar se pret që kjo të praktikohet edhe nga subjektet e tjera politike në Kosovë.

“E mirëpres vendimin e lidershipit të PDK-së që t’i largojë nga postet publike anëtarët e kësaj partie ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Pres të shoh që ky standard të aplikohet në gjithë spektrin politik dhe nga të gjitha partitë politike në Kosovë”, ishte shprehur ajo.