Burimi MKRS

'Family Album' i Alban Mujës, një prezantim ndryshe i Kosovës në Bienalen e Venedikut  

Kur kanë mbetur pak ditë nga fillimi i edicionit të 58-të të Bienales së Artit në Venedik të Italisë, ekipi kosovarë po bën përgatitjet finale për prezantim sa më në nivel të Pavijonit të Kosovës në këtë bienale.

Bienalja e Venedikut do të nisë më 11 maj dhe zgjatë deri më 24 nëntor të 2019. Ndërsa që gjithçka të shkojë si duhet në Venedik Ministria e Kulturës  ka ndarë 200 mijë euro.

Rrëfimi në Pavijonin e Kosovës

Alban Muaj, vepra e të cilit do ta prezantojë Kosovën këtë vit në Bienalen e artit në Venedik, në një bisedë për Kallxo.com, ka thënë se projekti “Family Album”, flet për të kaluarën e popullit tonë, dhe njëzet vite pas luftës.

Sipas tij, ‘Family Album’ është projekt multimedial që pikën fillestare e gjen te disa imazhe të njohura të vitit 1999.

Ai ka thënë se projekti prezantues është një projekt i njeriut, i cili duke treguar një të vërtetë të një populli, duhet të ngrejë debat edhe me situata të tjera të ngjashme që vazhdojnë të ndodhin edhe sot.

“Ne, me projektin tonë do provojmë me sjellë një realitet, pasi shpesh ka mungesa edhe të informatave të drejta. Ajo që ne mendojmë, është që ky projekt duhet të jetë edhe interaktiv me audiencën e bollshme në këtë event, dhe kjo është pjesa më sfiduese, që shpresojmë të arrijmë”, ka pohuar Muja.

Më tej, Muja ka thënë se gjithçka nisi nga një album familjar, i cili siç ka thënë ai, e shtyu atë që të zhvillonte një projekt me babanë e tij, dhe eksperiencën e tij 20 vjet me parë, i cili ishte i burgosur gjatë luftës.

“Por, nuk doja ta përshkruaja rrëfimin tim personal dhe bile s’isha fort i sigurt nëse do të dija ta prezantoja ashtu si duhet”, ka thënë ai.

Me art kundër harresës

E kaluara, sipas Mujës duhet të trajtohet edhe në projekte artistike, ndërsa ka shtuar se edhe ai si artist nuk ka mundur të jetë indiferent, duke i trajtuar ngjarjet e ndodhura dekada më parë.

Disa imazhe të njohura të refugjatëve kosovar, sipas tij, janë imazhe fillestare të projektii, dhe personazhet e këtyre imazheve i shohin ndryshe në projekt.

“Çdokush në Kosovë i njeh këto imazhe, por nga shumë kohë më parë; në një kuptim të caktuar, ato tashmë kanë fituar statusin e të harruarve. Në kontekstin e hulumtimit të mëtejmë fillova nga fotografia e një burri që mbanë imazhet e dy fëmijëve të tij”, ka pohuar ai.

Ndërsa ka shtuar se interesimi i tij ishte të eksplorojë, se sa reflektojnë dhe interpretohen rrëfimet e dëgjuara nga të tjerët, sidomos, siç ka thënë ai, te të vegjlit e luftës, që tashmë të gjithë janë mbi të njëzetat.

 “Me projektin “Albumi Familjar” do të prezantojmë vendin tonë, jo si në ekspozitat tjera kur prezantojmë vetëm emrin tonë, madje ky prezantim na jep përgjegjësi shtesë edhe për një fakt tjetër, kur e dimë që shpesh për shkak të problematikave politike, ndeshem me pengesa për të qenë të barabartë në prezantime me shtete të tjera”, ka pohuar artisti Muja.

Foto: GKK

Përveç Mujës, pjesë e ekipit të Pavijonit të Kosovës në Bienale në Venedik, janë edhe drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, komisionere, kuratori Vincent Honore dhe asistentja e tij, Anya Harrison.

Bienalja e Artit në Venedik do të mbahet nga 11 maji deri më 24 nëntor të 2019.  Pavijoni i Kosovës do të jetë në njërën prej hapësirave më të rëndësishme të bienales, në ‘Arsenale’. Projekti për prezantimin e Kosovës në Bienalen e Venedikut është projekt i MKRS, e cila për këtë vit për këtë projekt ka planifikuar 200,000.00 euro. Këtu përfshihen, pagesa për kuratorin, ekipin dhe pagesat tjera rreth organizimit.