Kampi 'Al Hol' në Siri. Foto: Save the Children

Familjet e luftëtarëve shqiptarë në ISIS përballen me rrugën e gjatë të kthimit në shtëpi

BIRN ka identifikuar të paktën 85 fëmijë të lindur nga gratë me etni shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nën shtetin islamik, tani të mbërthyer në një kamp të drejtuar nga kurdët në Siri.

 

Lavdrim Muhaxheri, një luftëtar i njohur i Shtetit Islamik nga Kosova i cili e deklaroi veten si komandant i shqiptarëve që luftonin për grupin militant në Siri dhe Irak, u shpall i vdekur në mesin e vitit 2017.

Dy vjet më vonë, fëmijët që atij i lindën në Siri me një grua shqiptare nga Tirana po jetojnë në një pisllëk në një kamp të drejtuar me kurdë në Sirinë verilindore, thotë një hulumtim i BIRN.

Të dy fëmijët janë në mesin e gjithsej 85 fëmijëve në kampin ‘Al Hol’ të grave me etni shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia Veriore dhe të identifikuar nga BIRN.

Të paktën 27 prej tyre kanë lindur në Siri. Shumica prej tyre e kanë humbur, të paktën, njërin prind. Të paktën, tre fëmijë të lindur nga një grua kosovare raportohet se kanë vdekur bashkë me nënën e tyre. Katër gra kosovare kanë vdekur, sipas listave të siguruara nga BIRN.

Aktualisht, një grup prej 108 grave dhe fëmijëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duan të kthehen në Ballkan nga kampi ‘Al Hol’. Ekzistojnë një numër i vogël i familjeve me etni shqiptare në dy kampe të tjera në Siri.

Sipas një studimi të vitit 2017 nga Soufan me qendër në Nju Jork, një trupë hulumtuese që ka si fokus sigurinë globale, po atë vit, rreth 90 njerëz nga Shqipëria 138 nga Kosova dhe rreth 140 nga Maqedonia Veriore ishin ende pjesë e Shtetit Islamik.

Kalifati mund të ketë jetë rënë, mirëpo rruga për në shtëpi për këto gra dhe këta fëmijë të tillë duket të jetë më e ndërlikuar sesa ata mund ta kishin imagjinuar, teksa hezitojnë t’i kthejnë ata dhe deri më tani pa ndonjë plan për riatdhesimin e tyre.

‘Këta fëmijë janë viktima’

Kampi ‘Al Hol’ përbëhet nga mijëra tenda prapa një perimetri me rrethoja në provincën siriane të el-Hasakah. Sipas Kombeve të Bashkuara, në këtë kamp, aktualisht ka rreth 73,000 njerëz.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 65 për qind e njerëzve në kamp janë fëmijë nën moshën 18 vjeç. Rreth 27 për qind e e numrit të përgjithshëm, janë gra.

Sirianët e zhvendosur brenda Sirisë dhe refugjatët irakianë përbëjnë shumicën, mirëpo 15 përqind prej tyre janë të ashtuquajturit shtetas të vendeve të treta.

Shumica e grave shqiptare dhe fëmijët e në mënyrë dëshpëruese kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.

Kampi Al Hol

Kosova: Gjithsej 48 persona; 38 fëmijë dhe 10 gra (të paktën 14 fëmijë kanë lindur në Siri)

Shqipëria: Gjithsej 52 persona; 41 fëmijë dhe 11 gra (13 fëmijë kanë lindur në Siri)

Maqedonia Veriore:  Gjithsej 8 persona, gjashtë fëmijë dhe dy gra

Gjithsej – 108 njerëz nga 3 shtete

“Ata na kanë nën mbikëqyrje dhe jemi të rrethuar nga tela dhe ushtarë”, dëgjohet një fëmijë teksa dëgjohet duke i thënë një të afërmi të tij nga Shqipëria përmes një audio incizimi të  BIRN. “Nuk mund të flas shpesh, por, ju lutem, flisni me shtetin tonë që të vijnë dhe të na marrin.” Zëri i një foshnjeje dëgjohet duke qarë në sfond.

Elodie Schindler, zëdhënëse e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropë dhe Azinë Qendrore, ICRC, tha se gratë dhe fëmijët në kampe kanë nevojë për mbrojtje të veçantë.

Schindler tha se shumë fëmijë ishin zyrtarisht pa shtetësi, nuk kishin qasje në shkollim dhe ishin të cenueshëm nga abuzimet dhe sëmundjet.

“Fëmijët në këtë tregim meritojnë njerëzimin tonë, jo urrejtjen tonë”, tha Schindler për BIRN. “Këta fëmijë janë viktima që nuk duhet të ndëshkohen për mëkatet e prindërve të tyre … Shumë prej tyre nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Ata duhet të trajtohen më mirë. ”

Pak veprim nga shteti

BIRN kërkoi nga ministritë e brendshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore nëse ata kishin identifikuar dhe kontaktuar qytetarët e tyre në kampe.

Ministria e Shqipërisë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje. Kosova nuk pranoi të komentojë, ndërsa ministria e brendshme e Maqedonisë Veriore tha se kishte identifikuar katër gra maqedonase dhe shtatë fëmijët e tyre.

Ato kanë vendosur kontakte me qëllim të marrjes së dokumenteve dhe lehtësimin e transportit nga Siria në Maqedoninë Veriore,” tha një zëdhënës në ministrinë.

Kjo Ministri tha se nuk kishte juridiksion për të lehtësuar kthimin e tyre nga Siria dhe nuk specifikoi nëse ndonjë institucion tjetër shtetëror po merrej me këtë çështje.

Ai tha se që nga fillimi i konfliktit, në vitin 2011, rreth 80 shtetas maqedonas që ishin pjesë e shtetit islamik ishin kthyer në shtëpi, duke përfshirë një grua dhe një fëmijë.

Në Kosovë, Bedri Elezi, drejtor i studimeve të sigurisë në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare, tha se vendi e ka lënë pas dore këtë çështje.

Elezi i tha BIRN-it se në shtator të vitit 2017 Instituti i tij kishte rënë në kontakt me gjashtë gra dhe 21 fëmijë në Siri të cilët dëshironin të ktheheshin në Kosovë, mirëpo nuk arriti ta bënte të mundur një marrëveshje me autoritetet kosovare për kthimin e tyre.

“Ky grup qëndroi për një muaj pranë kufirit turk duke pritur miratimin e autoritetev kosovare për t’u kthyer,” tha ai.

“Ne kontaktuam me ministrin e jashtëm, zyrën e kryeministrit, presidentin, kryetarin e parlamentit, por ata nuk dolën me ndonjë zgjidhje”.

Sipas Schindler, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq për Evropë dhe Azinë Qendrore, ICRC, inkurajon shtetet që të balancojnë çështjet e sigurisë dhe llogaridhënies duke e parë si të nevojsnme trajtimin e njerëzve në mënyrë njerëzore.

“Vendet e origjinës nuk mund t’ua kthejnë shpinën atyre”, tha ajo.