Fakulteti i Mjekësisë Do të Bëhet Universitet

Fakulteti i Mjekësisë po kërkon të ndahet nga Universiteti i Prishtinës. Ideja është që të themelohet Universiteti Biomjekësor, i cili do ta ketë rektorin mjek, kurse gjashtë drejtimet e Fakultetit të Mjekësisë, të shndërrohen  në fakultete të Universitetit Biomjekësor.

Mehmet Maxhuni, ushtrues detyre i prodekanit të Fakultetit të Mjekësisë, thotë e kërkesa tashmë është proceduar në Kuvendin e Kosovës, që është institucion themelues i Universitetit të Prishtinës. Por nuk kanë marrë përgjigje.

Ai thotë se Kuvendi nuk duhet ta neglizhojë këtë kërkesë, por duhet ta formojë një komision, që do ta shqyrtonte këtë kërkesë. Iniciativa për themelimin e Universitetit Biomjekësor, sipas Maxhunit, ekziston qysh moti.

Sipas tij, në tërë botën, universiteti i shkencave biomjekësore është i ndarë. Si i tillë, Universiteti Biomjekësor sjell rezultate shumë më të mira. “Ai do të përbëhej prej njerëzve që kanë njohuri specifike në lëmin e mjekësisë”.

“Kjo është në favor të kuadrove mjekësore. Sidomos, ndërlidhet me avancimin shkencor dhe akademik të kuadrove”, arsyeton ai, duke thënë se është paradoks që aktualisht për avancim akademik të një doktori, duhet të votohet edhe prej fakulteteve të lëmive jopërkatëse.

Fakulteti i Mjekësisë ka gjashtë drejtime: Stomatologjinë, Mjekësinë e Përgjithshme, Fizioterapinë, Maminë, Infermierinë dhe Fizioterapinë me Reanimim.

Dhe gjitha këto drejtime, sipas Maxhunit, kanë kuadro dhe infrastrukturë të mjaftueshme për të krijuar një Universitet. “Kemi shumë doktorë të shkencave mjekësore që nuk janë të përfshirë në procesin mësimor. Ata do të mund të aktivizoheshin”.

 

Por, Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit për Arsim në Kuvend të Kosovës, thotë se prej kohës sa ai është kryetar nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Fakulteti i Mjekësisë, ku kërkohet që ky fakultet me drejtimet e saj të shndërrohej në Universitet.

Vehapi ka dilema nëse ky fakultet do të duhej avancuar në Universitet. “Nuk mundem me kompetencë të jap një vlerësim, mirëpo ajo që dihet është se Fakulteti i Mjekësisë nuk ka akoma një infrastrukturë të mjaftueshme që do ta shndërronte në Universitet”, ka thënë  ai.

E ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Ferid Agani, thotë se ka ardhur koha kur duhet menduar në mënyrë serioze për themelimin e Universitetit të Shkencave Mjekësore. “Në Fakultetin e Mjekësisë  ka drejtime mirë të strukturuara e që lehtë mund të shndërrohen në fakultete”, thotë ministri Agani.

Agani insiston se Universiteti i Shkencave Mjekësore do të kishte parasysh specifikat e punës së kuadrit akademik të Fakultetit të Mjekësisë, në kuadër të institucioneve shëndetësore. “Këto specifika nuk i  ka asnjë fakultet tjetër dhe janë specifika që nuk janë marrë parasysh në statutin e tanishëm të Universitetit të Prishtinës”.

Sa i përket mbulesës me kuadro të Universitetit ai mbështet qëndrimin se çdo specialist me thirrje shkencore që punon edhe në Qendrën Klinike Universitare do të duhet të ketë edhe thirrje akademike njëkohësisht, dhe do të mund të punonte në Universitet.

Nëse themelohet, Universiteti i Shkencave Mjekësore do të bëhej universiteti i tretë publik në vend, pas Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Prizrenit.