Fabrikat e Diplomave

Avni Avdiu ka një seri mbresëlënëse kualifikimesh akademike nga tri shtete të ndryshme. Dyzet e dy vjeçari ka tri diploma universitare nga universitetet e Kosovës; një diplomë masteri nga Universiteti i Tiranës; dhe një doktoraturë nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodi nga Shkupi.

Por një gjë që Avdiu nuk e ka është një vend pune. Rasti i tij është një shembull ekstrem i një fenomeni në të tri shtetet ku ai ka studiuar si dhe në vende të tjera të Ballkanit – njerëzit po diplomohen nga universitetet në numra gjithnjë e më të mëdhenj por shumë prej tyre nuk gjejnë dot punë. Edhe nëse arrijnë të gjejnë punë, shpesh ajo nuk reflekton nivelin e tyre arsimor.

Nepotizmi në shpërndarjen e vendeve të punës në sektorin publik, politikat e përqendruara në rritjen e numrit të studentëve dhe jo në cilësinë e arsimit, gjendja e mjeruar e ekonomive të rajonit dhe dështimi për të dizenjuar kurse që plotësojnë nevojat e tregut të punës, janë ndër arsyet që ka identifikuar Rrjetit Ballkanik i Gazetarisë Investigative që kanë quar në këtë gjendje.

Ky shkrim special i BIRN, i cili bazohet në statistika zyrtare, intervista me të diplomuar, akademikë e analistë, eksploron gjithashtu edhe zgjidhjet e mundshme të këtij problemi, duke i bërë një vështrim sistemit arsimor të Austrisë, vendit që ka një nga normat më të ulëta të papunësisë së të rinjve në Evropë.

Avdiu është shqiptar i lindur në Kumanovë të Maqedonisë, por e ndan kohën e tij mes Maqedonisë dhe Kosovës. Ai është shtetas i të dyja vendeve. Tri diplomat e tij universitare janë në gazetari, sociologji dhe filozofi, kurse doktoratura e tij merret me evoluimin e partive politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nga viti 1990 deri më 2010.

Me gjithë diplomat, e ardhura e tij e vetme e rregullt është asistenca sociale e papunësisë prej 45 eurosh në muaj që e merr nga shteti maqedonas.

“Shembulli im është diskurajues për të rinjtë,” thotë ai. “Këtu kot e ke nëse studiosh fort e mundohesh shumë.”

Historia e Avdiut vë në dukje një nga arsyet se pse shumë të diplomuar kanë vështirësi në gjetjen e punës – në sektorin publik punët jepen  në bazë të lidhjeve politike.

Ai ka aplikuar për një vende pune në universitetet e Prishtinës dhe të Tetovës disa herë. Në Tetovë, thotë ai, i është thënë në mënyrë të hapur se nuk ka shans të gjejë punë përderisa nuk anëtarësohet në ndonjë parti politike me ndikim.

“Ata tallen me mua. Me thonë se ‘pa u bashkuar me një parti, as 15 doktoratura nuk të ndihmojnë’,” thotë ai.

“Ky është çmimi që unë po paguaj pasi refuzoj që të jem konformist dhe servil i partive politike në Kosovë e Maqedoni.”

Bisedat e përgjuara të publikuara më herët këtë vit nga opozita në Maqedoni japin shembuj konkretë se si zyrtarët e partive në pushtet diskutojnë punësimin dhe promovimin e mbështetës të tyre në sektorin publikë.

Kamarierët me master të Kosovës

Që kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008, numri i të diplomuarve të papunë është rritur me shpejtësi nga 2,953 në 6,840, sipas Ministrisë së Punës. Një numër i madh i këtyre të diplomuarve vjen nga Universiteti i Prishtinës, universiteti më i vjetër publik në vend, i cili jep rreth 5,200 diploma bachelor dhe mbi 900 diploma master në vit.

Në vitet e fundit, një lloj “mastermani” duket se ka mbërthyer Kosovën, ku studentët gjithnjë e më shumë besojnë se një diplomë pasuniversitare do t’u shtojë mundësitë për të gjetur punë. Por edhe diplomat master shpesh nuk janë të mjaftueshme për të gjetur punë dinjitoze.

lerim Cakolli, 30 vjeç, ka diplomën bachelor dhe atë master nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës. Që kur fitoi titullin master para tre viteve, ai po punon me orar të plotë  – jo si avokat, por si kamerier në një kafene.

Nivel i lartë i shkollimit të kamerierëve mund të shpjegojë arsyen pse një faqe interneti për udhëtimet vitin e kaluar pretendoi se banakierët e Kosovës bëjnë makiaton më të mirë në botë.

“Pasi përfundova studimet, unë aplikova për shumë vende pune të lidhura me profesionin tim, në qeveri, gjykata dhe institucione të tjera publike, por pa sukses,” thotë Cakolli.

Cakolli ka mbaruar edhe praktikën e punës për një vit në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe ka marr pjesë në trajnime të ndryshme.

Kur ai pyet punëdhënësit se pse ai nuk është përzgjedhur për punë, përgjigjet më të zakonshme janë se ai nuk ka eksperiencë profesionale tre vjeçare. Por, njësoj si Avdiu, ai beson se arsyeja e vërtetë pse ai nuk gjen dot punë është nepotizmi i gjithëpërhapur.

“Është bërë praktikë që vendet e punës në sektorit publik reklamohen thjeshtë si formalitet,” thotë ai. “Personi që ata duan për punë veç ka filluar punën.”

Cakolli nuk është i vetmi që ka një perceptim të tillë. Sipas një sondazhi të publikuar më herët këtë vit nga Programi i OKB-së për Zhvillimin, 81 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare, ryshfetet, përkatësia partiake dhe faktorë të tjerë që nuk kanë fare të bëjnë me meritën janë më të rëndësishme kur vjen puna për fitimin e një vendi pune në sektorin publik.

Vetëm rreth 15 për qind mendojnë se arsimimi, eksperienca profesionale dhe trajnimi profesional luajnë rol.

Sasi kundër cilësisë

Por analistët thonë se të diplomuarit po vuajnë për të gjetur vende pune edhe për shkak të politikave të këqija arsimore. Në dhjetë vitet e fundit, ministrat janë përqendruar në rritjen e numrit të studentëve në dëm të cilësisë së arsimit, thotë Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsimim të Kosovës, një organizatë joqeveritare që synon të përmirësojë standardet në shkolla dhe universitete.

Që nga viti 2008, numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës është rritur nga 30,000 në më shumë se 53,000 – një numër shumë i madh për një qytet që ka popullsi prej 200 mijë banorësh, sipas censusit 2011. Qeveria ka hapur gjithashtu pesë universitete të tjera publike dhe ka akredituar mbi 25 kolegje private.

Universiteti i Prishtinës shihet si universiteti më i mirë publik në vend. Por në tetor 2015, ai u rendit në vend të 4,046 në një listë të universiteteve më të mira në botë – shumë më pas se sa universitetet e tjera të rajonit, përfshirë Universitetin e Ljubljanës (216) dhe Universitetin e Beogradit (431).

“Pothuajse asgjë nuk është bërë për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë, gjë që ka sjellë prodhimin e një numri të madh të diplomuarish të cilët nuk janë të përgatitur për tregun e punës,” thotë Pupovci.

“Megjithëse një diplomë universitare e rrit mundësinë për punësim, megjithatë , një numër kaq i madh  i të diplomuarve e bën punësimin më të vështirë.”

Gjithsesi, qeveria ka një incentivë për të nxitur sa më shumë njerëz të shkojnë në universitet. Sipas rregullave statistikore të Kosovës, studentët nuk llogariten në normën zyrtare të papunësisë, e cila edhe ashtu  është shumë e lartë, në rreth 35 për qind.

‘Fabrika diplomash’

Shqipëria ka parë gjithashtu një rritje të shpejtë të numrit të studentëve në universitete. Mes viteve 2008 dhe 2013, numri i studentëve në universitetet publike dhe private pothuajse është dyfishuar nga 93,000 në 173,000 sipas statistikave zyrtare.

Kjo ka rritur gjithashtu shqetësime mbi cilësinë. Vitin e kaluar, kryeministri Edi Rama urdhëroi mbylljen e 18 universiteteve private pas një raporti inspektimi që zbuloi se ata po shpërndanin diploma me cilësi të dyshimtë. Përgjatë pak viteve, tha Rama, universitetet private dhanë 32,000 diploma – gjysma e të cilëve u dha nga një universitet i vetëm.

Para se të vinte në pushtet, Rama pati kritikuar kushtet e lehta të akreditimit të universiteteve private të cilat ai tha se janë kthyer në “fabrika diplomash”.

Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, zyrtarët thonë se ata e kuptojnë se sistemi universitar ka nevojë për reformë.

Ministri i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami thotë se objektivi kryesor i politikës për arsimin e lartë deri tani ka qenë rritja e numrit të universiteteve publike, rritja e numrit të studentëve dhe afrimi i sistemit të Kosovës me atë të Bolonjës.

Por, thotë ai, “tani ne po zbatojmë një projekt që synon të studiojë nevojat e tregut të punës dhe ne do t’i kërkojmë universiteteve të rishikojnë programet e tyre në përputhje me rezultatet.”

“Ne po punojmë për një ligj të ri mbi arsimin e lartë që do të sjellë shumë ndryshime, të gjitha në frymën e rritjes së cilësisë së arsimit të lartë,” thotë ai.

Në anën tjetër, Qeveria e Ramës i ka kërkuar një grupi ekspertësh të udhëhequr nga Arjan Gjonca, një profesor demografie në Shkollën Ekonomike të Londrës, të hartojë reformën e arsimit të lartë.

“Ne kemi nevojë për institucione që të jenë të afta të krijojnë studentin e të ardhmes, një student të mirëarsimuar, i cili mund të gjejë një punë dhe që është i përgatitur për jetën,” deklaroi Gjonca.

Por ligji i bazuar në propozimin e komisionit u bllokua nga presidenti i Shqipërisë në gusht, duke treguar se sa vështirë është që të kthesh retorikën mbi reformën arsimore në realitet.

Ligji hyri në fuqi pasi u miratua nga parlamenti sërish, pavarësisht rezistencës së vazhdueshme të organizatave studentore dhe shumë akademikëve. Ata e shohin ligjin e ri si një përpjekje për të privatizuar arsimin e lartë dhe argumentojnë se ligji dhunon parimin e autonomisë universitare.

Deri sa ndryshimet të vijnë, disa kompani private do të duhet të përballen me mungesën e kuadrove të aftë për punë. Brickos është një kompani që prodhon tulla në komunën e vogël Ranillug, në lindje të Kosovës. Ajo punëson gati 90 njerëz por drejtuesit thonë se gjetja e punonjësve të mirëkualifikuar është një sfidë e madhe. Gjatë një shëtitjeje në fabrikë, një menaxher thotë se firmës iu desh të punësojë një inxhinier nga Serbia për të montuar makineritë për shkak se nuk gjetën dot askënd që ta bënte në Kosovë.

Megjithatë, vetëm nga Universiteti i Prishtinës, më shumë se 100 studentë diplomohen në inxhinieri mekanike çdo vit.

Lidhja e teorisë me praktikën është një sfidë madhore për universitetet e Kosovës, gjithsesi. Universiteti i Prishtinës, buxheti vjetor i të cilit është vetëm 30 milionë euro, nuk mund të përballojë krijimin e laboratorëve të fjalës së fundit. Por stafi thotë se ata përdorin atë që kanë për t’i dhënë studentëve të kuptojnë botën reale.

“Ne nuk mund të japim shumë punë praktike këtu, por së paku ne përpiqemi t’i bëjmë studentët të ndjejnë zhurmën e motorit, në mënyrë që ata të mos tmerrohen kur të shkojnë në punishte,” thotë Shaban Buza, një profesor i inxhinierisë mekanike në Prishtinë.

Buza, i cili u emërua në tetor si rektor i Universitetit publik të Gjakovës, thotë se çdo reformë në arsimin e lartë duhet të ecë paralelisht me një analizë të tregut të punës.

“Ne nuk mund të kemi një strategji arsimi pa një strategji punësimi, gjë që do të tregojë se cilat profile ne do të na nevojiten në të ardhmen,” thotë ai. “Sot ne kemi një numër të stërmadh të diplomuarish për ekonomi dhe juridik.”

Të rinjtë Evropianë

Një vit pasi Kosova shpalli pavarësinë, qeveria i pagoi miliona euro agjencisë së marketingut Saatchi & Saatchi për të prodhuar një film të shkurtër me titull “Kosova, të rinjtë Evropianë”, për të prezantuar një imazh pozitiv për vendin më të ri të Evropës dhe popullsinë e re të këtij vendi.

Por realiteti ka rezultuar shumë i ndryshëm. Papunësia mes të rinjve tashmë është rreth 60 për qind.

Shumë nga të rinjtë Evropianë të Kosovës kanë vendosur se e ardhmja e tyre gjendet  diku tjetër në kontinent.

Në muajt e parë të këtij viti, mes 50,000 dhe 100,000 njerëz ikën nga vendi, në kërkim të perspektivave më të mira ekonomike në vendet më të pasura të Bashkimit Evropian. Disa analistë argumentojnë se ministrat duhet ta pranojnë migrimin ekonomik si një fakt në jetën e Kosovës – dhe politika arsimore duhet të përshtatet me tregun e punës jo vetëm në shtëpi por edhe jashtë vendit.

“Migrimi është një mënyrë jetese e nevojshme për Kosovën, siç ka qenë për gjenerata,” thotë Besa Shahini, një nga autoret e raportit me titull ‘Pse Kosova ka nevojë për Emigrim’, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, një institut kërkimor me bazë në Berlin.

“Vendet e punës që kosovarët marrin jashtë vendit preken nga cilësia e arsimit në Kosovë,” thotë Shahini, duke shtuar se shumë të rinj studiojnë ekonominë dhe juridikun në vend që të mësojnë “aftësi për treg” të tilla punë si zdrukthëtaria, tekstili apo profesioni për përkujdesjeje.

“Një ripërqendrim te shkollat e arsimit profesional në Kosovë është i nevojshëm për të trajnuar të rinjtë për punë në Kosovë por edhe jashtë vendit,” thotë ajo.

Mes atyre profesioneve të kërkuara jashtë vendit janë mjekët. Përgjatë tri viteve të fundit, më shumë se 400 mjekë kanë ikur nga vendi, sipas Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë. Paga mesatare e mjekut specialist në Kosovë është vetëm 600 euro – në rast se ata ia dalin ta gjejnë një vend pune.

Një mjek specialist që refuzoi të citohet me emër i tha BIRN se tani ai po punonte në një supermarket pasi u pushua nga puna në klinikë për shkak se mbështeti një parti politike që humbi pushtetin.

Karrierë në ‘Call Center’

Në Kosovë dhe në Shqipëri sot, sektorët që janë duke u zgjeruar dhe që po punësojnë njerëz nuk janë duke kërkuar posaçërisht të rinj me diploma universiteti.

Në një ditë me diell në qershor, Andi Fosa, menaxher i Tregi Kosovo, një kompani reklamash përmes telefonit me bazë në lagjen Pejton në qendër të Prishtinës, buzëqesh kur mikpret një kandidat të ri në një intervistë për punë. Çdo javë ai merr dhjetëra aplikime për punë. Kompania punëson rreth 70 njerëz, duke shitur produkte ushqimore italiane përmes telefonit në vendet gjermanishtfolëse dhe anglishfolëse.

Numri i të punësuarve në Tregi Kosovo — një degë e 3G Brothers Holding, një kompani ndërkombëtare me bazë në Lugano të Zvicrës – varion shumë në varësi të punës që ka qendra. Pak vite më parë, ajo ka pasur më shumë se 170 njerëz duke punuar me telefona.
Pasja e një diplome universiteti nuk është e nevojshme për të punuar në një ‘call center’ dhe nuk nënkupton një pagë më të lartë, megjithëse shumë nga të punësuarit e Fosa kanë më shumë se një diplomë.

“Njohuria e gjuhës, aftësitë bazë në kompjuter dhe të qenit një person pozitiv është gjithçka që duhet për të punuar këtu,” thotë Fosa.

Kristiana Gjoni thot se ka punuar te Tregi Kosovo prej gati tre vitesh. Paga bazë aty është 270 euro në muaj, por me mundësi edhe për komisione. Ajo ka dy diploma të nivelit bachelor nga Universiteti i Prishtinës, një për gjuhën gjermane dhe një për gazetari.

“Unë u regjistrova në dy fakultete të ndryshme në mënyrë që nëse një profesion nuk më ofronte mundësi për një punë, profesioni tjetër mundej,” thotë Gjoni. “Por në punën që po bëj, diploma universitare nuk ka asnjë rëndësi.”

Kompania mëmë e Tregi Kosovo ka gjithashtu shtatë qendra në Shqipëri. Në fakt, ka 12 kompani ‘call center’ në mesin e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në Shqipëri, duke punësuar në total 9,500 njerëz, sipas Ardian Hackaj, autor i një studimi mbi trendet e punësimit në Shqipëri i publikuar këtë vit.

Hackaj thotë se mes gjetjeve më befasuese të studimit të tij qe që më shumë se 80 për qind e kompanive të vrojtuara nuk kishin plane për të punësuar të diplomuar përgjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm.

“Ata kanë plane për të punësuar të rinj, por jo domosdoshmërish të diplomuar,” thotë ai. “Kjo tregon se pronarët nuk punësojnë më diploma dhe kualifikime por njerëz ‘që mund të bëjnë punën.”

Këndvështrimi austriak

Në Austri, ku norma e papunësisë është vetëm gjashtë për qind, mund të gjesh punë të mirëpaguar dhe të kualifikuar falë një arsimimi të mirë – pa shkuar në universitet.

Fevzi Hajra, 21 vjeç, përfundoi arsimin bazë në Kosovë por tashmë është në vit të fundit në një shkollë profesionale në qytetin jugor të Grazit në Austri, ndërkohë që punon në një kompani inxhinierike. Ai fiton rreth 1,400 euro në muaj dhe së shpejti do të bëhet një saldator i kualifikuar. Ai ka vendosur se nuk dëshiron më të shkojë në universitet. Austria ka një nga normat më të ulëta të papunësisë mes të rinjve në Bashkimin Evropian në rreth 10 për qind sipas të dhënave të qershorit 2015.

Në sistemin arsimor të Austrisë, nxënësit zgjedhin një nga dy rrugët – një arsim të përgjithshëm që të çon drejt universitetit, ose një opsion më profesional, që sjell kualifikim si punonjës i specializuar, i njohur si Arsimi dhe Trajnimi Profesional, VET. Rreth 80 për qind e fëmijëve të shkollave zgjedhin VET pas shkollës fillore.

“Austria nuk është ekskluzivisht e përqendruar në arsimin e lartë, siç kanë bërë vendet e tjera Evropiane, për shkak se… ne kemi një sistem shumë të fortë VET, i cili i kualifikon njerëzit për vende pune të cilat janë aktualisht të kërkuara në tregun e punës,” thotë Thomas Mayr, drejtor i ibw Austria, një institucion kërkimor në Vjenë që përqendrohet te arsimi profesional.

“Mbi 90 për qind e atyre që marrin VET punësohen më vonë.”

Arsimi profesional nuk është një koncept i panjohur në Shqipëri dhe Kosovë. Ka shkolla publike profesionale në të dyja vendet, por me reputacion shumë të ulët – aspak i ngjashëm me shkollat si ajo e Grazit ku studion Fevzi Hajra.

Në këtë shkollë, studentët mund të bëhen inxhinierë të specializuar në prodhimin e çelikut apo në ndërtimin e makinerive e veglave. Ata mund të bëhen saldatorë, madje edhe instruktorë fitnesi.

Sistemi austriak përfshin bashkëpunim të ngushtë mes shkollave dhe kompanive, ku studentët përfundojnë praktikën e punës. Në kompaninë inxhinjerike të Siemens në Graz, e cila prodhon trena dhe vagonë, praktikantët trajnohen në fusha që përfshijnë mekatronikën, ndërtimet prej çeliku dhe drejtimin e makinerive.

“Çdo vit, 12 deri në 18 praktikantë rekrutohen këtu në Siemens. Ata praktikisht mësojnë gjithçka që një student i inxhinierisë mekanike e mëson në nivel universiteti,” thotë Martin Kahr, i cili mbikëqyr praktikantët në fabrikë.

Në Kosovë, dhjetëramijëra studentë të shkollës së mesme aplikojnë për një vend në universitet, duke shpresuar se një ditë nuk do të përfundojnë si mjekë që punojnë në një supermarket apo avokatë që shërbejnë në një lokal.

Fevzi Hajra, ndërkohë, ëndërron që një ditë të kthehet në Kosovë dhe me ndihmën e një partneri austriak, ta menaxhojë fabrikën për metal punues në vendlindjen e tij në Vushtrri.

Kjo mund të tingëllojë si tepër ambicioze, por së paku Hajra ka ende një ëndërr – ndryshe nga Avni Avdiu, i cili është tërësisht i zhgënjyer nga vitet në të cilat është përpjekur të gjejë punë me pesë diploma universitare.

“Në këtë rajon meritokracia ka vdekur prej kohësh,” thotë ai. “Ky është vendi ku lidhjet familjare, partitë politike dhe korrupsioni e bëjnë punën.”

 

Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative

Jeton Mehmeti punon si analist politikash në Institutin GAP, një institut kërkimor në Kosovë dhe jep leksione në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.